Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A duhet të shkojnë të krishterët në kishë?

A duhet të shkojnë të krishterët në kishë?

Pikëpamja e Biblës

A duhet të shkojnë të krishterët në kishë?

«MË PARË shkoja në kishë, por tani nuk shkoj më.» «Mendoj se Perëndinë mund ta adhurosh në çfarëdo vendi, jo vetëm në kishë.» «Besoj te Perëndia dhe te Bibla, por nuk mendoj se është e nevojshme të shkosh në kishë.» A keni dëgjuar shprehje të ngjashme? Është gjithnjë e më e zakonshme që njerëzit të thonë kështu, veçanërisht në Perëndim. Njerëz që më parë shkonin në kishë nuk mendojnë më se kjo është e nevojshme. Çfarë thotë Bibla për vajtjen në kishë?

Fjalët «kishë» dhe «kishat» shfaqen më shumë se 110 herë në përkthimin King James Version. Edhe përkthime të tjera përdorin këta terma. Fjala greke që përkthehet «kishë» ka kuptimin e drejtpërdrejtë «një thirrje» ose, me fjalë të tjera, një mbledhje njerëzish. Për shembull, në Veprat 7:38, King James Version, thuhet se Moisiu ishte «në kishë në shkretëtirë», domethënë, mes kombit të mbledhur të Izraelit. Në një rast tjetër, në Shkrime thuhet se «u bë një përndjekje e madhe kundër kishës», duke folur për komunitetin e të krishterëve në Jerusalem. (Veprat 8:1, Diodati i Ri) Në njërën nga letrat e tij, Pavli përshëndet ‘kishën që mblidhet në shtëpinë [e Filemonit]’, kongregacionin lokal që mblidhej atje.—Filemonit 2, Diodati i Ri.

Është e qartë se termi «kishë», siç përdoret në Bibël, nuk tregon një vend adhurimi, por një grup adhuruesish. Duke e pranuar këtë gjë, Klementi i Aleksandrisë, mësues fetar i shekullit të dytë, shkroi: «Kishë quaj jo vendin, por kongregacionin e të zgjedhurve.» Gjithsesi, a duhet të jenë të pranishëm të krishterët në ndonjë vend a ndërtesë të veçantë, me qëllim që adhurimi i tyre të jetë i pranueshëm për Perëndinë?

Adhurimi në kombin e Izraelit

Ligji i Moisiut kërkonte që të gjithë burrat hebrenj të ishin të pranishëm në një vend të veçantë për tri festa vjetore. Në to merrnin pjesë edhe shumë gra e fëmijë. (Ligji i përtërirë 16:16; Luka 2:41-44) Në disa raste, priftërinjtë dhe levitët mësonin turmat e mbledhura, duke u lexuar nga Ligji i Perëndisë. Ata ‘e shtjellonin atë, i jepnin kuptim dhe jepnin kuptueshmëri në të lexuar’. (Nehemia 8:8, BR) Për vitet e Sabatit, urdhërimi i Perëndisë ishte: «Do të mbledhësh popullin, burra, gra, fëmijë dhe të huajin që ndodhet brenda portave të tua, që të dëgjojnë dhe të mësojnë të kenë frikë nga Zoti, Perëndia juaj dhe të kenë kujdes të zbatojnë në praktikë tërë fjalët e këtij ligji.»—Ligji i përtërirë 31:12.

Një person mund t’i bënte flijime Perëndisë dhe të merrte mësim nga priftërinjtë vetëm në tempull, në Jerusalem. (Ligji i përtërirë 12:5-7; 2 Kronikave 7:12) Me kalimin e kohës, në Izrael u ngritën shtëpi të tjera adhurimi: sinagogat. Këto ishin vende për të lexuar Shkrimet dhe për t’u lutur. Megjithatë, tempulli në Jerusalem ishte vendi kryesor i adhurimit. Kjo gjë ilustrohet nga ajo që raporton shkrimtari biblik Luka. Ai përmend një grua të moshuar që quhej Ana, e cila «nuk mungonte kurrë në tempull, duke bërë shërbim të shenjtë natë e ditë me agjërime dhe përgjërime». (Luka 2:36, 37) Adhurimi i vërtetë së bashku me persona të tjerë të përkushtuar ishte qendra e jetës së Anës. Edhe hebrenj të tjerë me frikë Perëndie vepronin në një mënyrë të ngjashme.

Adhurimi i vërtetë pas vdekjes së Krishtit

Pas vdekjes së Jezuit, ithtarët e tij nuk ishin më nën Ligjin e Moisiut dhe as nuk u kërkohej të adhuronin në tempull. (Galatasve 3:23-25) Megjithatë, ata vazhdonin të mblidheshin së bashku për t’u lutur dhe për të studiuar Fjalën e Perëndisë. Nuk kishin ndërtesa të ndërlikuara, por përdornin shtëpi private dhe vende publike. (Veprat 2:1, 2; 12:12; 19:9; Romakëve 16:4, 5) Pa rituale dhe salltanete, ato mbledhje të krishtere të shekullit të parë kishin një thjeshtësi freskuese.

Mes errësirës morale të Perandorisë Romake, parimet biblike që mësoheshin në ato mbledhje vezullonin si diamantë. Disa jobesimtarëve që merrnin pjesë për herë të parë u dilte natyrshëm thirrja: «Perëndia është vërtet mes jush.» (1 Korintasve 14:24, 25) Po, Perëndia ishte vërtet mes tyre. «Për këtë arsye, në fakt, kongregacionet [kishat, Dio] vazhduan të bëheshin të patundura në besim dhe të shtoheshin ditë për ditë në numër.»—Veprat 16:5.

A mund të kishte miratimin e Perëndisë një i krishterë në atë kohë duke adhuruar në tempuj paganë ose i veçuar? Bibla jep udhëzime të qarta për këtë çështje: adhuruesit e miratuar prej tij duhej të bëheshin pjesë e kishës ose e kongregacionit të vetëm të vërtetë, e ‘trupit të vetëm’ të adhuruesve të vërtetë. Këta ishin dishepujt e Jezuit, të njohur si të krishterë.—Efesianëve 4:4, 5; Veprat 11:26.

Po sot?

Bibla na nxit jo që të adhurojmë në kishë, por që të adhurojmë me kishën, me ‘kongregacionin e Perëndisë të gjallë’, pra, së bashku me ata njerëz që «adhurojnë me frymë dhe të vërtetë». (1 Timoteut 3:15; Gjoni 4:24) Mbledhjet fetare që miraton Perëndia duhet t’i mësojnë njerëzit «në vepra të shenjta sjelljeje dhe në veprime të devocionit hyjnor». (2 Pjetrit 3:11) Duhet t’i ndihmojnë ata që janë të pranishëm të bëhen të krishterë të pjekur, që mund ‘të shquajnë si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën’.—Hebrenjve 5:14.

Dëshmitarët e Jehovait përpiqen të ndjekin shembullin e të krishterëve të shekullit të parë. Më shumë se 91.400 kongregacione anembanë botës mblidhen rregullisht në Sallat e Mbretërisë, në shtëpi private dhe në vende të tjera për të studiuar Biblën e për t’i dhënë zemër njëri-tjetrin. Kjo është në harmoni me fjalët e apostullit Pavël: «Le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera, pa braktisur mbledhjen tonë së bashku.»—Hebrenjve 10:24, 25.