Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Beteja ime me një sëmundje ligështuese

Beteja ime me një sëmundje ligështuese

Beteja ime me një sëmundje ligështuese

TREGUAR NGA TANIA SALEJ

Vetëm pak vite më parë, isha një nënë plot gjallëri dhe shërbeja në kohë të plotë në qytetin e vogël të Luvernës, në Alabamë. Jeta këtu është e qetë dhe rrjedh ngadalshëm. Gjithçka dukej se po shkonte mirë për mua dhe për tim shoq, Djukun, si edhe për tim bir, Danielin. Pastaj, një operacion i thjeshtë çoi në një ndryshim të madh në mënyrën tonë të jetesës.

PROBLEMET tona filluan në vitin 1992, kur unë hoqa mitrën. Pak pas kësaj, nisa të kem dhembje të vazhdueshme torturuese dhe urinim të shpeshtë (50 deri në 60 herë në ditë). Gjinekologia ime së fundi më caktoi një takim me një urolog, në përpjekje për të përcaktuar me saktësi shkakun e problemit.

Shkova në spital për disa analiza. Në vizitën e parë, urologu diagnostikoi problemin tim: cistit intersticial (IC) ose mahisje ligështuese e fshikëzës së urinës. Nuk qe e lehtë të diagnostikohej, pasi simptomat e IC-së janë të ngjashme me ato të çrregullimeve të tjera të sistemit urinar. Për më tepër, nuk ka ndonjë analizë përfundimtare që të përcaktojë IC-në. Prandaj, mjekët duhet të përjashtojnë sëmundjet e tjera para se të pranojnë diagnozën e IC-së.

Mjeku ynë na tha troç se përderisa trajtimi nuk sillte ndonjë dobi të madhe, përfundimi do të ishte heqja e fshikëzës. Ai tha se kishte edhe trajtime të tjera, por që të gjitha dilnin pa sukses. Është e tepërt të thuash se kjo ishte vërtet një goditje për ne. Deri në atë kohë kisha pasur shëndet mjaft të mirë. Si Dëshmitarë të Jehovait, Djuku dhe unë kishim qenë në shërbimin e plotkohor për një sërë vitesh, ndërsa tani po më thuhej se duhej të hiqja fshikëzën. Jam e gëzuar që pata një mbështetje të fortë nga im shoq.

Vendosëm të kërkonim një urolog tjetër. Provuam disa mjekë. Mjerisht, në atë kohë shumë mjekë dinin fare pak për IC-në. Gjithashtu, shumë urologë kanë teoritë e tyre për IC-në, prandaj trajtimi që rekomandohet ndryshon nga njëri te tjetri. Në një material mjekësor thuhet: «Sëmundja ka prirje të jetë kronike.» Në një tjetër thuhet: «Shkencëtarët nuk kanë gjetur ende një kurë për IC-në dhe as nuk mund të parashikojnë ndaj cilit trajtim mund të reagojë më mirë një person. . . . Duke qenë se mjekët nuk e dinë çfarë e shkakton IC-në, trajtimet kanë për synim lehtësimin e simptomave.»

Vuaja kaq shumë nga ngërçet dhe nga shpeshtësia e urinimit, sa isha gati të provoja thuajse çdo gjë që sugjeronin mjekët. Kam provuar më shumë se 40 mjekime të ndryshme, si edhe bimë mjekësore, akupunkturë, anestezi lokale, injeksione epidurale dhe në shtyllën kurrizore, si edhe stimulim elektrik të nervit nëpërmjet lëkurës (TENS), në të cilin futen në trup impulse të lehta elektrike për disa minuta ose për disa orë. Bëra sa më shumë kërkime që munda dhe kjo më ndihmoi, të paktën, të kuptoja disi atë që po më ndodhte.

Tani po marr metadon, që është një qetësues për dhembjet, si edhe gjashtë ilaçe të tjera. Po ashtu, shkoj rregullisht në një klinikë për dhembjet, ku bëj injeksione epidurale dhe marr steroide, që më ndihmojnë të duroj dhembjet. Për shpeshtësinë e urinimit, shkoj afërsisht çdo tre ose katër muaj në spital për një trajtim që quhet hidrozgjerim, në të cilin përdoret një lëng për ta zgjeruar fshikëzën si balonë. E kam bërë këtë mjaft herë. Zakonisht më qetëson për disa muaj. Gjatë viteve të fundit kam hyrë dhe kam dalë nga spitali më shumë se 30 herë.

Po zgjidhja e fundit, domethënë, heqja e fshikëzës? Në një burim të besueshëm thuhet: «Shumica e mjekëve ngurrojnë ta operojnë, sepse përfundimi është i paparashikueshëm në pacientë të ndryshëm: disa njerëz e bëjnë operacionin dhe i kanë prapëseprapë simptomat.» Prandaj, tani për tani, nuk po mendoj për këtë mundësi.

Nganjëherë dhembja është kaq e fortë dhe e vazhdueshme, sa do të ishte e lehtë t’i hiqja shpresat. Madje, më shkonte ndër mend edhe t’i jepja fund gjithçkaje. Por nuk duroja dot kur mendoja për sharjen që do të sillte një mënyrë e tillë të vepruari mbi emrin e Jehovait. Mund të shoh rëndësinë që ka lutja dhe studimi personal, si edhe zhvillimi i një marrëdhënieje të ngushtë me Jehovain, pasi nuk i dihet kurrë çfarë gjëje mund të të ndodhë që të ndryshon jetën. Kjo marrëdhënie ma ka shpëtuar me të vërtetë jetën gjatë sëmundjes, pasi e di se përndryshe do të kisha vrarë veten.

Teksa hedh sytë mbrapa në këta nëntë vjet, shoh se sa shpejt mund të ndryshojë jeta. I çmoj fjalët e Predikuesit 12:1, ku thuhet: «Kujto Krijuesin tënd në ditët e rinisë sate, para se të vijnë ditët e këqija dhe të arrijnë vitet për të cilat ke për të thënë: ‘Nuk gjej asnjë kënaqësi në to.’» Jam kaq e kënaqur që e fillova shërbimin e plotkohor kur isha 15 vjeçe dhe që pata mundësi ta vazhdoj për gati 20 vjet. Gjatë asaj kohe zhvillova një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain.

I jam mirënjohëse Jehovait për burrin tim dhe për djalin, Danielin, të cilët më kanë mbështetur kaq shumë. Po ashtu, marr shumë zemër kur pjesëtarët e kongregacionit më telefonojnë ose vijnë për të më bërë një vizitë. E kam të vështirë të dal në dimër, sepse i ftohti i keqëson spazmat. Atëherë jap dëshmi me telefon dhe kjo gjë ma mban të gjallë dhe reale shpresën e Parajsës. Pres me padurim kohën kur sëmundjet dhe vuajtjet do të jenë gjëra të së shkuarës dhe nuk do të kujtohen më.—Isaia 33:24.