Bibla: Histori e besueshme?
Bibla: Histori e besueshme?
ATA kritikuan sundimtarë. Dënuan priftërinj. Qortuan njerëzit e zakonshëm për ligësinë e tyre. Madje, bënë të njohura botërisht të metat dhe mëkatet e veta. Nuk u lanë të qetë dhe u përndoqën e disa, madje, u vranë, ngaqë thoshin dhe shkruanin të vërtetën. Kush ishin ata? Profetët e Biblës, shumë nga të cilët dhanë ndihmesë në Shkrimet e Shenjta.—Mateu 23:35-37.
Në librin e tij The Historian and History, Pejxh Smithi shkruan: «[Hebrenjtë] ishin po aq të pamëshirshëm me heronjtë e tyre, sa ç’ishin me të ligjtë, ishin po aq të pamëshirshëm me veten, sa ç’ishin me kundërshtarët, sepse po shkruanin nën vështrimin e Perëndisë dhe duke i fshehur gjërat nuk fitonin asgjë e humbitnin shumë.» Smithi shkroi, gjithashtu, se «në krahasim me kronologjitë e mërzitshme të mbretërve luftëtarë të Sirisë ose të Egjiptit, tregimi i vuajtjeve dhe i fitoreve të një populli të zgjedhur nga Perëndia . . . është një histori që të bën për vete. Kronistët hebrenj kishin zbuluar një nga elementet më thelbësore të historisë, pra që atë e bëjnë njerëz realë, me të tëra fajet dhe të metat e tyre».
Shkrimtarët biblikë ishin, po ashtu, të saktë deri në hollësitë më të vogla. Pasi e analizoi Biblën nën dritën e historisë dhe të arkeologjisë, shkrimtari Verner Keller tha në parathënien e librit të tij The Bible as History (Bibla si vepër historie): «Duke pasur parasysh numrin e pafund të dëshmive të besueshme dhe të vërtetuara më së miri që janë tani në dispozicion, . . . më vërtitej pareshtur në mendje kjo fjali: ‘Në fund të fundit, Bibla ka të drejtë!’»
Histori nxitëse me mësime të fuqishme
Shkrimtarët e Biblës ishin, kryesisht, njerëz të thjeshtë: bujq, barinj, peshkatarë. Megjithatë, ajo që shkruan ata gjatë një periudhe prej rreth 1.600 vjetësh ka ndikuar te njerëzit më shumë sesa çdo vepër tjetër, qoftë e kohëve të lashta, qoftë e atyre moderne. Veç kësaj, shkrimet e tyre janë sulmuar nga të gjitha anët, por më kot. (Isaia 40:8; 1 Pjetrit 1:25) Sot Bibla mund të lexohet e plotë ose pjesërisht në afro 2.200 gjuhë—shumë më tepër se çdo libër tjetër. Përse Bibla shquhet në një mënyrë të tillë? Referimet e mëposhtme na ndihmojnë t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje.
«I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë krejtësisht i zoti, plotësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.»—2 Timoteut 3:16, 17.
«Gjithçka që u shkrua kohë më parë, u shkrua për mësimin tonë, që me anë të qëndrueshmërisë sonë dhe me anë të ngushëllimit nga Shkrimet të kemi shpresë.»—Romakëve 15:4.
«Këto gjëra vazhdonin të binin mbi ta [izraelitët] si shembuj dhe u shkruan si një paralajmërim për ne [të krishterët], mbi të cilët ka mbërritur fundi i sistemeve.»—1 Korintasve 10:11.
Po, si histori e frymëzuar dhe e ruajtur në mënyrë hyjnore, një histori me njerëz realë—disa nga të cilët i pëlqyen Perëndisë e disa të
tjerë jo—Bibla është ngritur mbi gjithë librat e tjerë. Ajo nuk është aspak një listë e ftohtë me gjëra që duhen bërë dhe gjëra që nuk duhen bërë ose një koleksion historish të shkurtra interesante për të zbavitur fëmijët. Vërtet, Perëndia përdori njerëz për ta shkruar, por kjo vetëm sa ia ka rritur vlerën Biblës, duke i dhënë një ngrohtësi tërheqëse që ka prekur zemrat e lexuesve brez pas brezi. Arkeologu Uilliam Olbrajt tha: «Gjykimet e thella morale dhe frymore të Biblës, të cilat formojnë një zbulesë unike që Perëndia ia ka përcjellë njeriut nëpërmjet përvojës njerëzore, janë po aq të vërteta sot, sa ç’ishin dy a tre mijë vjet më parë.»Për të ilustruar faktin që Bibla është praktike në çfarëdo kohe, le të kthehemi pikërisht në fillim të historisë së njerëzimit—atje ku vetëm Bibla mund të na çojë—dhe të shqyrtojmë disa mësime thelbësore nga libri i Zanafillës.
Mësime të kohës nga një histori e lashtë
Mes të tjerash, libri i Zanafillës zbulon fillimin e familjes njerëzore: emrat dhe gjithçka tjetër. Në këtë çështje, asnjë vepër tjetër historie nuk është kaq specifike. ‘Por, ç’vlerë ka sot të njohim prejardhjen tonë të hershme?’—mund të pyetni. Ka një vlerë shumë të madhe, pasi duke zbuluar se të gjithë njerëzit—pavarësisht nga ngjyra, fisi a kombi—rrjedhin nga të njëjtët prindër, Zanafilla heq çfarëdo baze për racizmin.—Veprat 17:26.
Libri i Zanafillës, gjithashtu, siguron udhëheqje në lidhje me normat morale. Ajo përmban tregimin për Sodomën, Gomorrën dhe qytetet e tyre fqinje, të cilat Perëndia i shkatërroi për shkak të zvetënimit të rëndë seksual të banorëve të tyre. (Zanafilla 18:20–19:29) Në vargun 7 të librit biblik të Judës thuhet: «Sodoma dhe Gomorra bashkë me qytetet përreth, pasi . . . kishin kryer kurvëri me tepri dhe kishin shkuar pas mishit për përdorim të panatyrshëm, na janë vënë përpara si një shembull paralajmërues.» Populli i Sodomës dhe i Gomorrës nuk kishte marrë ndonjë ligj moral nga Perëndia; megjithatë, si tërë njerëzit, kishin aftësinë e ndërgjegjes, që ua kishte dhënë Perëndia. Prandaj, Perëndia mund t’i quante me të drejtë përgjegjës për veprat e tyre. (Romakëve 1:26, 27; 2:14, 15) Po ashtu sot, Perëndia do t’i quajë të gjithë njerëzit përgjegjës për veprat e tyre, qoftë nëse e pranojnë Fjalën e tij, Biblën e Shenjtë, qoftë jo.—2 Selanikasve 1:8, 9.
Një mësim nga historia për mbijetesën
Një basoreliev në Harkun e Titit në Romë paraqet ushtarë romakë që kanë marrë enë të shenjta nga tempulli në Jerusalem pas shkatërrimit të qytetit në vitin 70 të e.s. Më shumë se një milion judenj u vranë. Megjithatë, të krishterët e bindur mbijetuan, falë paralajmërimit që u kishte dhënë Jezui kohë më parë: «Kur ta shikoni Jerusalemin të rrethuar nga ushtritë e fushuara, atëherë dijeni se shkretimi i tij është afruar. Atëherë, ata në Jude le të fillojnë të ikin në male dhe ata në mes të saj le të tërhiqen, dhe ata nëpër katunde le të mos hyjnë në të; sepse këto janë ditë për të vënë në vend drejtësinë.»—Luka 21:20-22.
Shtrëngimi që ndodhi në Jerusalem, i cili nuk është aspak vetëm një histori e lashtë, paraqiste veçori të një shtrëngimi më të madh që së shpejti do të mbërthejë mbarë tokën. Por, edhe një herë, do të ketë të mbijetuar. Këta janë përshkruar si «një shumicë e madhe . . . nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët». Ata «vijnë nga shtrëngimi i madh», për shkak të besimit të tyre në gjakun e derdhur të Jezuit—një besim i bazuar fortësisht në historinë dhe në profecitë biblike.—Zbulesa 7:9, 14.
Histori që nuk do të përsëritet kurrë më
Sot jetojmë në kohën kur mbizotëron fuqia botërore anglo-amerikane, e fundit e profecisë biblike. Ajo që ka ndodhur më parë në histori na tregon se ashtu si të tjerat para saj, edhe kjo fuqi ka për të marrë fund. Por, si? Sipas Biblës, fundi i kësaj fuqie do të jetë vërtet i pashoq. Duke e drejtuar vëmendjen nga viti 1914 i e.s., në Danielin 2:44 thuhej për fuqitë politike sunduese ose për ‘mbretëritë’: «Në kohën e këtyre mbretërve, Perëndia i qiellit do të nxjerrë një mbretëri, që nuk do të shkatërrohet kurrë; kjo mbretëri nuk do t’i lihet [kalohet, BR] një populli tjetër, por do të copëtojë dhe do të asgjësojë tërë këto mbretëri dhe do të ekzistojë përjetë.»
Po, Mbretëria e Perëndisë—qeveria e tij qiellore e drejtuar nga Krishti Jezu—do të zhdukë çdo gjurmë të sundimit shtypës njerëzor në Harmagedon, në kulmin e ‘shtrëngimit të madh’ të përmendur më sipër. Pas kësaj, kjo Mbretëri «nuk do t’i kalohet një populli Psalmi 72:8.
tjetër», domethënë, nuk do të përmbyset kurrë ose nuk do t’i hiqet kurrë pushteti. Sundimi i saj do të shtrihet «deri në skajet e tokës».—Së fundi, cikli mizor i sundimit nga feja e rreme, nga politika shtypëse dhe nga tregtia lakmitare do të marrë fund. Psalmi 72:7 premton: «I drejti do të lulëzojë dhe ka për të patur shumë paqe deri sa të mos ketë më hënë.» Në mbarë planetin do të përhapet jo egoizmi e krenaria, por cilësia më e shquar e Perëndisë, dashuria. (1 Gjonit 4:8) Jezui tha: «Ta doni njëri-tjetrin.» Në lidhje me këtë, historiani Uill Durant tha: «Mësimi kryesor që kam nxjerrë nga historia është i njëjtë me atë që dha Jezui. . . . Dashuria është gjëja më praktike në botë.»
Dashuria për njerëzit e shtyu Perëndinë që të frymëzonte të shkruhej Bibla. Ajo është e vetmja që hedh vërtet dritë mbi të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Ju lutemi, përqafojeni mesazhin e saj jetëdhënës duke përdorur një sasi modeste kohe për studimin e Biblës. Për këtë qëllim dhe duke iu bindur urdhërimit të Jezuit, Dëshmitarët e Jehovait ua japin ‘lajmin e mirë të mbretërisë’ të afërmve. Ky lajm i mirë së shpejti nuk do të jetë vetëm profeci. Do të bëhet histori e gjallë.—Mateu 24:14.
[Diçitura në faqen 9]
«Në fund të fundit, Bibla ka të drejtë!»—VERNER KELLER
[Diçitura në faqen 11]
«Gjykimet e thella morale dhe frymore të Biblës . . . janë po aq të vërteta sot, sa ç’ishin dy a tre mijë vjet më parë.»—UILLIAM OLBRAJT, ARKEOLOG
[Figurat në faqen 9]
Guri moabit: Përmban versionin e mbretit Mesha për konfliktin ndërmjet Moabit dhe Izraelit (2 Mbretërve 3:4-27), emrat e vendeve të ndryshme biblike dhe emrin e Perëndisë me shkronjat e lashta hebraike.
[Burimi]
Musée du Louvre, Paris.
Monedhë e argjendtë denari: Kopja mban shëmbëlltyrën dhe mbishkrimin e Tiberit Cezar (Marku 12:15-17).
Kronika e Nabonidit: Një pllakë kuneiforme që vërteton rënien e papritur të Babilonisë në duart e Kirit. (Danieli, kapitulli 5)
[Burimi]
Fotografi e bërë me mirësjelljen e Muzeut Britanik.
Rrasë guri: Mban emrin e Ponc Pilatit në latinisht.
[Burimi]
Fotografi © Muzeu i Izraelit, Jerusalem; me mirësjelljen e Israel Antiquities Authority.
Sfondi nga Rrotullat e Detit të Vdekur: Një studim i librit të Isaisë provoi se ky libër kishte mbetur thuajse i pandryshuar gjatë një periudhe prej 1.000 vjetësh të kopjimit me dorë.
[Burimi]
Shenjtërorja e Librit, Muzeu i Izraelit, Jerusalem.
[Figurat në faqen 10]
Një basoreliev në Harkun e Titit vërteton shkatërrimin e Jerusalemit në vitin 70 të e.s.
[Burimi]
Soprintendenza Archeologica di Roma