‘Do t’i farkëtojnë shpatat e tyre duke i kthyer në plore’: Kur?
‘Do t’i farkëtojnë shpatat e tyre duke i kthyer në plore’: Kur?
NJË statujë e famshme në selinë e Kombeve të Bashkuara në qytetin e Nju-Jorkut paraqet një burrë i cili farkëton një shpatë duke e kthyer në plor. Ajo bazohet në profecitë biblike që gjenden në librin e Isaisë, kapitulli 2, vargu 4 dhe në librin e Mikeas, kapitulli 4, vargu 3. Si dhe kur do të përmbushen këto fjalë?
Një artikull i kohëve të fundit në gazetën The New York Times titullohej: «Shitjet e armëve në mbarë botën kapin shifrën 30 miliardë dollarë!» Cilët ishin furnizuesit kryesorë të kësaj sasie të jashtëzakonshme armësh në vitin 1999? Shtetet e Bashkuara zinin vendin e parë me shitje që arrinin në 11,8 miliardë dollarë. E dyta ishte Rusia, me më pak se gjysmën e kësaj sasie. Megjithatë, Rusia gati e dyfishoi shitjen e armëve vitin e kaluar. Pastaj vinin Gjermania, Kina, Franca, Britania dhe Italia. Po ky artikull vazhdonte: «Ashtu si në të kaluarën, afro dy të tretat e të gjithë armëve iu shitën vendeve në zhvillim.»
Pas dy luftërash botërore dhe shumë luftërash të tjera të mëdha gjatë shekullit të 20-të, në të cilat janë vrarë e janë plagosur qindra milionë njerëz, lind natyrshëm pyetja: «Kur do të mësojnë ndonjëherë kombet paqen në vend të luftës?» Bibla tregon se ky kthim për nga paqja do të ndodhte «në pjesën përfundimtare të ditëve». (Isaia 2:2, BR) Në të vërtetë, tanimë kjo profeci po përmbushet, ndërkohë që thuajse gjashtë milionë Dëshmitarë të Jehovait kanë lejuar ‘të mësohen nga Jehovai’. Si rrjedhojë, ‘paqja e tyre është e bollshme’.—Isaia 54:13, BR.
Së shpejti Jehovai do t’u japë fund të gjitha armëve, luftërave dhe personave që i nxitin ato, sepse do të ‘shkatërrojë ata që shkatërrojnë tokën’. Nëse dëshironi të dini më shumë për këtë ndryshim të mrekullueshëm, ju lutemi, ndihuni të lirë të viheni në kontakt me Dëshmitarët e Jehovait në zonën tuaj ose të shkruani në një nga adresat e përshtatshme të paraqitura në faqen 5.—Zbulesa 11:18.