Fokat-murg të Mesdheut: A do të mbijetojnë?
Fokat-murg të Mesdheut: A do të mbijetojnë?
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË GREQI
HOMERI, në veprën e tij epike Odisea, i përshkroi tek shullëheshin në plazhet plot diell të Greqisë. Në një qytet të Azisë së Vogël dikur priteshin monedha që mbanin figurën e tyre. Ujërat e Mesdheut dhe të Detit të Zi gëlonin prej tyre. Megjithatë, sot ka pak të ngjarë që të shihni ndonjë nga këto krijesa të ndrojtura—foka-murg e Mesdheut.
Ashtu si shumica e gjitarëve të detit që kanë gëzof, foka-murg e Mesdheut gjuhej tej mase gjatë shekujve të 18-të dhe të 19-të. Me mijëra u vranë për gëzofin, vajin dhe mishin.
Tani dëmi që është shkaktuar është mjaft i dukshëm. Është përllogaritur se nuk kanë mbetur veçse 379 deri në 530 foka-murg të Mesdheut. Vetëm një hap ndoshta i ndan nga zhdukja. Prapëseprapë, siç vërehet në buletinin Monachus Guardian, duhet thënë se llogaritjet e popullatës janë «një shkencë jashtëzakonisht e pasaktë».
A është vërtet tepër vonë për t’i ndihmuar? Çfarë përpjekjesh po bëhen për të mbrojtur fokat-murg?
Një betejë e vështirë
Foka-murg ka mundësi të ketë marrë këtë emër ngaqë ngjyra karakteristike e gëzofit të saj është e ngjashme me veshjen e disa urdhrave fetarë. Jeton kryesisht mes shkëmbinjve ku është vështirë të arrihet dhe në guvat detare të Sporadeve Veriore, ishuj në detin Egje. Grupe më të vogla mund të gjenden përgjatë brigjeve të Afrikës Veriperëndimore dhe të ishujve Desertas të Portugalisë. Me një gjatësi deri në tre metra dhe peshë gati 275 kilogramë, foka-murg është një ndër llojet më të mëdha në botë të fokave.
Mes tipareve të saj dalluese përfshihen koka në formë bulbi e mbuluar me gëzof të argjendtë, sytë pus të zinj, vrima të mëdha hunde në turi, të çara të vockla si veshë, mustaqe të dendura e të varura dhe lëkura pala-pala që ngjan si disa gushë buçkane. Trupi ka qime të shkurtra të zeza ose ngjyrë kafe-çokollatë, të cilat në pjesën e barkut kanë ngjyra më të çelura. Nga ana tjetër, të vegjlit e sapolindur të fokës kanë qime të gjata me ngjyrë të errët në kurriz dhe pulla të bardha në bark.
Luftën e fokës-murg për të mbijetuar e vështirëson ritmi i ulët i riprodhimit. Femrat nuk pjellin më shumë se një të vogël në vit. Si për t’i keqësuar gjërat, jo të gjitha femrat e rritura lënë çdo vit pasardhës.
Por ritmet e ulëta të lindjeve nuk shpjegojnë gjithçka. Dr. Denis Thonej, përgjegjës i përgjithshëm i Akuariumit të Nju-Jorkut për Mbrojtjen e Kafshëve të Egra, thotë: «Edhe pse fokat-murg të Mesdheut kanë një ritëm të ulët riprodhimi, foka e zakonshme, që ka të njëjtin ritëm riprodhimi, po ecën mjaft mbarë.
Prandaj, patjetër ka faktorë të tjerë që po shkaktojnë humbjen e tyre.»Në rrezik
Përfytyroni shkatërrimin që do të vinte, sikur një zjarr të përfshinte tërë shtëpinë tuaj. Të gjitha zotërimet—mobiljet, rrobat, gjërat personale me vlerë dhe kujtimet e tjera—do të humbnin. Jeta juaj do të ndryshonte rrënjësisht. Kjo është në thelb ajo që i ka ndodhur shtëpisë së fokës-murg të Mesdheut. Ndotja, turizmi, industria dhe veprimtari të tjera të njerëzve kanë çuar në shkatërrimin e një pjese të madhe të habitatit natyror të fokës.
Për më tepër, mbipeshkimi i ka pakësuar shumë burimet e ushqimit të fokës-murg. Zoologia dr. Suzana Kenedi-Stoskopf thotë: «Kur fokat s’kanë mjaft gjah në dispozicion, kjo nënkupton se ato duhet të harxhojnë më shumë energji për t’u ushqyer.» Kështu, fokat-murg jo vetëm që kanë pësuar një humbje të rëndë në habitat—në shtëpinë e tyre—por edhe u është dashur të luftojnë thjesht për t’u ushqyer!
Një pasojë tjetër e mbipeshkimit është fakti që herë pas here fokat ngecin në rrjetat e peshkimit dhe mbyten. Por, më shpesh, peshkatarët i vrasin drejtpërdrejt fokat. Përse? Sepse fokat kanë mësuar se si të vjedhin ushqim nga rrjetat e peshkimit, duke i dëmtuar ato gjatë peshkimit. Kështu, njeriu i kundërvihet kafshës, duke u ndeshur për sasinë e pakësuar të peshkut. Kjo betejë e pabarabartë i ka çuar fokat-murg në prag të zhdukjes.
Meqë fokat-murg janë afër majës së zinxhirit ushqimor, disa shkencëtarë hedhin idenë se ky gjitar deti është «lloj tregues». Kjo nënkupton që nëse ato nuk po ecin mbarë, ky është një tregues i besueshëm se as pjesa tjetër e zinxhirit ushqimor nuk po ecën mbarë. Nëse provohet që është kështu, situata nuk është e favorshme për të mbrojtur ekosistemin e Mesdheut, sepse foka-murg është lloji më i rrezikuar i Evropës.
A do të mbijetojnë?
Për ironi, njerëzit janë kërcënimi më i madh i fokave-murg të Mesdheut dhe, në të njëjtën kohë, mbështetësit e tyre më të mëdhenj. Janë krijuar agjenci private dhe qeveritare për të mbrojtur fokat. Janë lënë mënjanë zona ku ato të jetojnë të mbrojtura. Janë kryer studime të panumërta në habitatin e tyre, për të kuptuar se si të ndihmohen këto kafshë të mrekullueshme.
Në vitin 1988 u formua Shoqata Helenike për Studimin dhe Mbrojtjen e Fokës-Murg të Mesdheut (MOm). Hulumtuesit e MOm-së vizitojnë rregullisht habitatet e fokës-murg, me qëllim që të vëzhgojnë sa është numri i tyre dhe të mbledhin të dhëna të tjera që përdoren për t’i mbrojtur ato.
Duke përdorur motobarka të shpejta, një skuadër rojesh patrullon nëpër zonat e mbrojtura.
Skuadra, gjithashtu, u jep të dhëna dhe udhëzime vizitorëve e peshkatarëve që udhëtojnë në Parkun Detar Kombëtar të Greqisë, në Alónisos, në ishujt e Sporadeve Veriore. Kur gjenden foka të sëmura ose të plagosura, skuadra u jep çdo ndihmë të nevojshme veterinare, si edhe i transporton për në qendrën e riaftësimit të MOm-së.Qendra e Trajtimit dhe e Riaftësimit të Fokave mund të strehojë të vegjël jetimë, të sëmurë ose të plagosur. Këta kurohen dhe u tregohet kujdes derisa të jenë në gjendje të mbijetojnë vetë. Deri më tani, arritjet janë premtuese. Pas vitesh të tëra rënieje të shpejtë, popullata e fokave-murg në Sporadet Veriore po jep shenjat e para të rimëkëmbjes.
A do të vazhdojnë të kenë sukses këto përpjekje? Koha do ta tregojë. Megjithatë, është e qartë se duhet bërë shumë më tepër punë që ky lloj i kërcënuar të mbijetojë. Dr. Dejvid Uild nga Instituti Smithsonian tha për revistën Zgjohuni!: «Jeta detare, në përgjithësi, nuk është në ndonjë gjendje të mirë. Problemi është se me të vërtetë nuk kemi njohuri të mjaftueshme për ato që gjenden në brendësi të oqeaneve dhe, sigurisht, nuk dimë ende se si t’i mbrojmë.»
[Kutia në faqen 17]
Kushërinj në rrezik
Fokat murg mund të gjenden edhe në oqeane të tjera përreth botës, por edhe këto janë në rrezik. Në revistën National Geographic thuhet se foka murg e Karaibeve ose e Indive Perëndimore ishte «foka e parë që i zunë sytë Kolombit në Botën e Re. Duke qenë dashuruese të bregut dhe kafshë që sillnin përfitim, brenda një kohe të shkurtër fokat murg u vranë në masë. . . . Sipas dokumentimeve, e fundit fokë murg e Karaibeve u pa në vitin 1952».
Cekëtinat e Fregatës Franceze, në Strehimin Natyror Kombëtar të Ishujve Havai, mund të jenë limani i fundit për fokat murg të Havait ose të Lajsanit. Megjithatë, afro 1.300 fokat që kanë mbijetuar janë «prekur rëndë nga problemet», pavarësisht nga përpjekjet e zellshme për t’i mbrojtur.
Që nga pranvera e vitit 1997, një epidemi ka shfarosur rreth tre të katërtat e 270 fokave murg të Mesdheut që jetojnë në bregdetin e Mauritanisë, në Afrikën Perëndimore. Sipas një artikulli në revistën Science News, shumica e fokave që u kontrolluan mbartnin «një morbilvirus të delfinit, një virus i ngjashëm me atë që shkakton murtajën te qentë».
[Figurat në faqen 16]
Fokat-murg kanë shumë tipare unike, të tilla si koka në formë bulbi dhe vrimat e mëdha të hundës
Janë krijuar agjenci për të mbrojtur fokat
[Burimi]
Panos Dendrinos/HSSPMS
[Figurat në faqen 17]
Pas vitesh të tëra rënieje të shpejtë, popullata e fokave-murg në Sporadet Veriore po jep shenjat e para të rimëkëmbjes
[Burimet]
P. Dendrinos/MOm
D. Kanellos/MOm
[Figura në faqen 17]
Foka-murg e Havait
[Burimi i figurës në faqen 15]
Panos Dendrinos/HSSPMS