Kënaqësitë e vëzhgimit të zogjve
Kënaqësitë e vëzhgimit të zogjve
SA NDRYSHE do të ishte bota pa zogjtë! Cicërimat, këngët, ngjyrat e shumëllojta dhe fluturimi i tyre—të gjitha këto e shtojnë larminë e bukur të jetës. Por, sa shpesh ndalemi për t’i dëgjuar e për t’i vëzhguar ata? Nëse banoni në qytet, rrethuar nga ngutjet e rrëmuja të jetës së përditshme dhe nga zhurma e trafikut, ka të ngjarë që as të mos i vini re zogjtë në lagjen tuaj. Edhe nëse jetoni në fshat, është e lehtë që të kaloni pa u kushtuar vëmendje. Por, a do t’ju pëlqente t’i shihnit nga afër zogjtë që janë në zonën tuaj?
Mund ta bëni këtë pikërisht me anë të një ushqyesi të thjeshtë zogjsh të vendosur në oborrin mbrapa shtëpisë, në një vend që duket mirë nga dritarja. Pas kësaj, gjithçka që ju nevojitet është një palë dylbi dhe një aparat fotografik me lente të mirë zmadhuese, si edhe pak durim. Mbani në dispozicion një sasi të mirë filmi të përshtatshëm për të fotografuar objekte të lëvizshme dhe një libër të mirë udhëzues me ilustrime për të identifikuar zogjtë. Pastaj, vëzhgoni, dëgjoni dhe kënaquni!