Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Njolla Artikulli «Njolla përpara syve» (qershor 2000) ndikoi në mënyrë domethënëse në jetën time. E mora revistën pikërisht tri ditë para se të më ndodhte një shkëputje e pjesshme e retinës në syrin e djathtë. Simptomat e përshkruara në artikull më bënë vigjilente për faktin që duhet të shkoja menjëherë te mjeku. Me anë të trajtimit me lazer, problemi u ndreq, kështu që nuk m’u dëmtua shikimi. Faleminderit për këta artikuj praktikë dhe me kërkime të kujdesshme.
K. V., Afrika e Jugut
Propaganda Sapo mbarova së lexuari numrin e korrikut 2000 dhe ju falënderoj për serinë: «A duhet të besoni çdo gjë që dëgjoni?» Në vendin ku jetoj është bërë e modës që të vihen në lojë romët (ciganët). Njerëzit tregojnë shakara se si ata gjoja vjedhin. Falë këtyre artikujve kuptova që këto shakara janë të papërshtatshme dhe kam vendosur të mos përfshihem në to.
K. M., Republika Çeke
Të jetosh jashtë shtetit Faleminderit për artikullin: «Të rinjtë pyesin . . . A duhet të jetoj jashtë shtetit?» (korrik 2000) E lexoj rregullisht këtë seri, por shpesh më dukej se disa nga rreziqet që përshkruanit ishin të zmadhuara. Vitin e kaluar bëra një udhëtim jashtë shtetit për një shkëmbim kulturor ndërmjet shkollës sime dhe një universiteti tjetër. Edhe pse qe një përvojë interesante, nga pikëpamja frymore nuk ishte e dobishme.
M. P., Itali
Ky artikull dhe artikulli «Të rinjtë pyesin . . . Si mund t’ia dal mbanë në një vend të huaj?» (gusht 2000) ishin për mua «ushqim në kohën e duhur». (Mateu 24:45) Tashmë kisha vendosur të kaloja një vit jashtë shtetit për të mësuar një gjuhë të huaj. Ndaj jam vërtet mirënjohëse për këshillat dhe sugjerimet praktike.
I. Z., Zvicër
Ishulli i Pashkës Artikulli «Një mësim i madh nga një ishull i vockël» (gusht 2000) shpreh shqetësimet e shumë njerëzve, të cilët janë në merak për mjedisin. Por mendoj se ata që u kushtojnë vëmendje rreziqeve që ndeshim janë të paktë. Derdh lot kur mendoj sa keq e kanë përdorur njerëzit këtë tokë.
K. M., Japoni
Ora zyrtare Në lidhje me artikullin «Ora zyrtare: Një ide e hershme për kohën?» (8 korrik 2000, anglisht), dua të pyes: a është, vërtet, ora zyrtare një gjë e lavdërueshme? Krijuesi ynë i madh vendosi stinët. Kush e ka të drejtën ta manipulojë këtë gjë? E ashtuquajtura orë zyrtare që kursen dritën e diellit është diçka anormale.
I. L., Gjermani
Në artikullin tonë as nuk lavdërohej e as nuk dënohej ora zyrtare. Thjesht tregohej historia e saj interesante. Perëndia nuk dha ndonjë udhëzim specifik se si duhet llogaritur koha. Ndaj sistemet e sotme për matjen e kohës janë përcaktuar sipas dëshirës së njeriut dhe jo nga Perëndia. Ora zyrtare nuk i ndryshon stinët. Duke pasur parasysh këto fakte, duket se nuk shkelet ndonjë parim hyjnor nëse e ndryshojmë orën dy herë në vit.—BOT.
Buzëqeshni Faleminderit që botuat artikullin me vlerë «Buzëqeshni: Ju bën mirë!» (8 korrik 2000, anglisht) Jam plotësisht në një mendje me çfarë thuhet aty. Artikulli më kujtoi që të mendoj në mënyrë pozitive në çdo kohë, që buzëqeshja ime të jetë kështu e çiltër. Vërtet, buzëqeshja na ndihmon të bëjmë miq. Ndihmon edhe që të largohen tensionet.
P. Ç., Kinë