Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një pemë që do t’ju bëjë të ndalni hapat

Një pemë që do t’ju bëjë të ndalni hapat

Një pemë që do t’ju bëjë të ndalni hapat

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË EKUADOR

ATY nga mesi i dhjetorit, shirat e stinës nuk kishin rënë ende në rrafshinat bregdetare të Ekuadorit. Pluhuri që mbulonte kodrinat valëzuese i jepte bimësisë një pamje të zbehtë. Lart, një masë e ngjeshur resh të hirta bënte që dita të dukej disi e zymtë, ndërsa një grup udhëtarësh po udhëtonin me makinë nëpër një rrugë që shkonte drejt perëndimit për nga Oqeani Paqësor. Befas, sytë e të gjithëve u mbërthyen te një pemë anës rrugës. Makina u ndal në vend. Çfarë peme kishin parë?

Një pemë guajakane në kulmin e lulëzimit! Heshtjen e çastit e prishi një thirrje: «Sa e bukur! A kishit parë ndonjëherë të tillë ngjyrë rrëzëlluese? Unë kam parë shumë pemë në lulëzim me ngjyrë trëndafili, vjollcë, të kuqe a portokalli, por kjo ua kalon të gjithave për nga shkëlqimi.»

Pasi admiruan bukurinë e saj ngjyrë ari, së fundi vazhduan udhëtimin. Nuk e dinin se ky qe vetëm fillimi. Pak më poshtë, përgjatë rrugës, ndeshën një tjetër pemë guajakane në kulmin e lulëzimit, pastaj edhe një tjetër. Dukej sikur kodrat ishin mbushur me shpërthime drite të artë dielli! Ishte stina e pemës guajakane—koha kur pyjet që duken si të fjetura gjallërohen nga një shpërthim i mahnitshëm ngjyrash.

Megjithatë, bukuria e kësaj peme lulëzuese nuk kufizohet vetëm në një vend. Në të vërtetë, kjo pemë është bimë vendase e shumë pjesëve të Amerikës së Jugut dhe të Amerikës Qendrore. Ajo njihet edhe me emra të tillë, si: araguanaj, amarilo guajakane, trumbeta e artë dhe pema trumbetë, që u referohet luleve të saj ngjyrë ari në formë trumbete. Emri shkencor është Tabebuia chrysantha.

Guajakana jep edhe një dru mjaft të mirë, me të cilin janë bërë për shumë vjet mobilie të cilësisë të lartë. Si rrjedhojë, numri i vogël që ka mbetur nga këto pemë e ka bërë të nevojshme që disa vende të nxjerrin ligje për mbrojtjen e tyre. Kjo gjë është bërë për t’u siguruar që si banorët vendas, ashtu edhe vizitorët të vazhdojnë të kënaqen me bukurinë e tyre të pashoqe kur janë në lulëzim, edhe pse ajo shfaqet vetëm për pak ditë dhe vetëm një herë në vit.

Pa dyshim që guajakana është dëshmi e gjallë e artistit më të madh—e Krijuesit tonë të Madh, e arkitektit të kësaj toke të mrekullueshme, në të cilën jetojmë.