Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Miku më i mirë i njeriut?

Sipas një artikulli në gazetën El Universal të Meksikos, fëmijët e vegjël që lihen të pambikëqyrur me një qen rrezikojnë të kafshohen prej tyre. «Sulmin e nis thuajse gjithmonë fëmija dhe qeni vetëm sa mbron veten»,—thuhet në artikull. Në një spital të Meksikës, pesë vitet e fundit janë trajtuar 426 fëmijë për kafshime nga qentë. Nga këta fëmijë, 12 për qind ishin dëmtuar ose shfytyruar në mënyrë të përhershme. Artikulli i nxit prindërit që t’u mësojnë fëmijëve rregullat themelore në lidhje me të gjithë qentë: të tregojnë kujdes për lodrat, shtëpinë dhe enët ku hanë ata; të mos i shkojnë afër një qeni kur është duke ngrënë ose duke fjetur; të mos ia tërheqin bishtin ose të mos përpiqen t’i hipin sipër.

Problemi i vetëvrasjes në Japoni

Ndoshta për shkak të amullisë ekonomike, «Japonia duket se e ka humbur qëllimin e saj» dhe «e çon rryma sa andej-këtej»,—thonë shumë japonezë. Pasoja është një «vërshim vetëvrasjesh gjatë një dhjetëvjeçari,—raportohet në The New York Times.—Në një shoqëri ku turpi ushtron ndikim të madh, nivelet tmerrësisht të larta të papunësisë i kanë shndërruar shumë burra në endacakë të dëshpëruar të ditës, që hiqen sikur kanë punë fitimprurëse duke qëndruar tërë ditën larg shtëpisë». Në ankth dhe të turpëruar, disa mendojnë t’i japin fund jetës. «Ka një mungesë shprese,—thotë dr. Jukio Saito.—Njerëzit nuk kanë ëndrra për të ardhmen dhe gjithçka duket se ka marrë tatëpjetën. . . . Vetëvrasja është bërë një lloj epidemie.» Vetëvrasjet nëpër hekurudha, me sa duket, janë bërë gjithnjë e më të përhapura. Në një përpjekje për t’iu kundërvënë atyre, një kompani hekurudhore i ka lyer postblloqet me ngjyrë të gjelbër të ndezur, për të ndryshuar gjendjen mendore të personit që ka ndër mend të vrasë veten dhe, gjithashtu, ka vendosur pasqyra në dy anët e stacionit, për ta bërë atë që do të hidhet të ndalet pak dhe të mendojë. Kompania, po ashtu, ka shkurtuar degët e pemëve për të frenuar krijimin e ndjenjës së mënjanimit nga të tjerët. Megjithatë, specialistët thonë se po nuk u përmirësua gjendja ekonomike, ka shumë të ngjarë që këto përpjekje të shkojnë kot.

Grindjet dhe martesa

Një studim i ri i kryer nga Endrju Kristensen i Universitetit të Kalifornisë në Los Anxhelos zbuloi se «çiftet që janë më pak kritikë dhe më tolerantë ndaj ndryshimeve mes tyre, kanë martesat më të suksesshme»,—thuhet në revistën Time. Grindjet, nga ana tjetër, shpesh vetëm sa krijojnë edhe më shumë grindje.

Të bësh gjumë të mjaftueshëm

«Jemi një shoqëri me mungesë të atillë gjumi, sa është diçka e rrezikshme»,—thotë psikologu i Universitetit të Kolumbisë Britanike, Stenli Koren. Një gjumë tepër i pakët ishte pjesërisht fajtor për aksidentin bërthamor në Thri Majël Ailënd dhe për derdhjen e naftës nga Ekson Valdez. Siç thuhet në revistën e Kanadasë Maclean’s, përgjumja shkakton çdo vit më shumë se 100.000 aksidente me makinë në Amerikën e Veriut. Specialisti për fushën e gjumit në Universitetin e Stanfordit, dr. Uilliam Dementi, paralajmëron: «Njerëzit nuk e kuptojnë me të vërtetë se për sa gjumë kanë nevojë.» Për të bërë një gjumë më të mirë, studiuesit sugjerojnë: hajeni darkën jo më vonë se tri orë para gjumit. Shkoni në krevat dhe ngrihuni në të njëjtin orar çdo ditë. Mos mbani TV ose kompjuter në dhomën e gjumit. Shmangni kafeinën, alkoolin dhe duhanin. Vishni çorape për t’i mbajtur këmbët ngrohtë në krevat. Bëni një banjë me ujë të ngrohtë para se të flini. Bëni ushtrime përditë, por jo pak kohë para se të shkoni në krevat. Së fundi, në revistën Maclean’s thuhet: «Nëse nuk ju zë gjumi, ngrihuni dhe bëni diçka. Kthehuni në krevat vetëm kur të ndiheni të lodhur e pastaj ngrihuni në orën që ngriheni rregullisht.»

Mbajtja pastër e kuzhinës

«Zbardhuesi [i zakonshëm],—thuhet në gazetën e Kanadasë Vancouver Sun,—është mbrojtja më e mirë» kundër patogjenëve që shkaktojnë sëmundje, të cilët janë të padukshëm në një kuzhinë ku vlon puna. Në artikull jepen këshillat e mëposhtme: përgatitni përditë një tretësirë me 30 mililitra zbardhues për çdo katër litra ujë të ngrohtë, por jo të nxehtë. Uji i nxehtë bën që zbardhuesi të avullojë. Fshijini sipërfaqet e orendive të kuzhinës me këtë tretësirë, duke përdorur një rrobë të pastër. Lërini të thahen vetë. Duke e shtuar kështu kohën e kontaktit me zbardhuesin vriten më shumë organizma. Lajini enët në ujë të nxehtë me sapun dhe pastaj dezinfektojini duke i zhytur për pak minuta në tretësirën me zbardhues. Pasi të thahen, mbi enë nuk do të ngelet asnjë mbetje kimike. Çdo ditë, lajini dhe bëjini me zbardhues sfungjerët e kuzhinës, pecetat dhe furçat e enëve. Gjithashtu, për të pakësuar rrezikun e ndotjes së ushqimit nga duart, lajini ato mirë e mirë, sidomos thonjtë.

Gjuhë në rrezik

Meksika ka popullsinë më të madhe që flet gjuhë amtare në kontinentet e Amerikës. Veç kësaj, pas Indisë dhe Kinës, Meksika është e treta në botë për nga numri i gjuhëve amtare që fliten ende. Shumë nga këto gjuhë po vdesin, siç thuhet në gazetën meksikane The News që del në gjuhën angleze. Rafael Tovar i de Teresa, drejtues i Këshillit për Kulturën dhe Artet, shpjegon se nga më pak se 100 gjuhët amtare që fliteshin në Meksikë në fundin e shekullit të 19-të, kanë mbetur vetëm 62. Dhe 16 nga këto gjuhë i flasin më pak se 1.000 individë. Një problem është se kur gjuhët vdesin, humbasin edhe termat e gjuhës amtare për identifikimin e bimëve dhe, si pasojë, humbet njohuria rreth përdorimeve tradicionale të bimëve për kurimin e sëmundjeve.

Mos pini para se të notoni

Gjatë njërit nga vitet e fundit, shumica e rasteve të mbytjeve në Gjermani kishin të bënin me «konsumim të tepërt alkooli»,—thotë dr. Klaus Vilkensi, president i Shoqatës Gjermane të Shpëtimit. Sipas buletinit mjekësor Apotheken Umschau, në vitin 1998, ndodhën 477 mbytje aksidentale në lumenjtë, përrenjtë dhe liqenet e Gjermanisë. Të bashkosh alkoolin me notin është diçka e rrezikshme, sepse alkooli mund të dëmtojë bashkërendimin e lëvizjeve dhe funksionet e muskujve të trupit, si edhe mund t’ju bëjë të mbivlerësoni aftësitë tuaja. Prandaj, kujdestarët e plazheve paralajmërojnë: «Mos pini para se të notoni!»

Të paguar për të vrarë insektet

Në gazetën The Times of India thuhet se departamenti shtetëror i pyjeve i Utar Pradeshit në Indi ka nisur një fushatë për të vrarë insektet. Kjo bëhet në përpjekje për të mos e lejuar një insekt afro dy centimetra të gjatë me krahë, që quhet hoplo, të shkatërrojë një pyll me rreth 650.000 pemë sal. Duke qenë se kohët e fundit numri i këtyre insekteve është shtuar, rrezikohet vetë ekzistenca e kësaj lloj peme. Insektet gërryejnë lëvoren dhe trungjet, duke bërë që pemët të thahen e të vdesin. Departamenti i pyjeve po përdor metodën e «pemës kurth» për të kapur insektet. Copa lëvoreje nga pemë të reja sal shpërndahen në zonën ku janë gjetur insektet. Një lëng që rrjedh nga këto copa lëvoresh i tërheq dhe i trullos insektet, duke bërë që të kapen më lehtë. Djemtë vendas punësohen që të bëjnë këtë punë, për të cilën paguhen 75 paisa (rreth dy centë) për çdo insekt.

Dalja në pension trishton

Të pranosh të dalësh në pension para kohe mund të ketë disa dobi, por ka mundësi edhe të kushtojë rëndë nga ana emocionale. Në gazetën Diário de Pernambuco të Brazilit thuhet se personat që kishin qenë më parë në punë shteti ankoheshin për probleme që arrinin nga ‘pakënaqësi, acarim, pasiguri dhe humbje e identitetit deri në depresion dhe në ndjenjën sikur bota e tyre po shembet’. Mjeku gjeriatër Guido Shashnik tha se «nuk është e pazakontë që ata burra të cilët dalin herët në pension të kërkojnë ngushëllim te pija ose që gratë të vihen nën varësinë e ilaçeve». Ata që mendojnë të largohen nga puna duhet «të shmangin borxhet, të vënë në punë në ndonjë mënyrë tjetër aftësitë e tyre dhe të kërkojnë këshilla për të mos u zhytur thellë në borxhe»,—thotë psikologia Grasa Santos.

SIDA dhe bujqësia në Zambia

Rendimenti bujqësor në Zambia po pengohet nga përhapja e shpejtë e SIDA-s në atë vend. Në gazetën Zambia Daily Mail vërehet se një nga burimet më të rëndësishme bujqësore është puna e bujqve dhe e ndihmësve të tyre. Por një pjesë e madhe e kësaj force punëtore po humbet për shkak të SIDA-s. «Kur bujqit vdesin, puna në ferma bie dhe për pasojë edhe nivelet e prodhimit bien vrullshëm. Kjo ndikon në sigurinë e familjes për ushqim, duke çuar në nivelet gjithnjë e më të larta të varfërisë»,—thuhet në Daily Mail. Zgjidhja, sipas Daniel Mbepës, administrator i krahinës Mansa në Zambia, është që t’i kufizojnë marrëdhëniet seksuale vetëm me bashkëshortët e tyre. Ai tha: «Duke nxitur norma të mira morale, problemi i SIDA-s mund të mbahet nën kontroll.»