Ç’të ardhme ka për mbajtjen nën kontroll të armëve?
Ç’të ardhme ka për mbajtjen nën kontroll të armëve?
VITET e fundit qeveritë në mbarë botën kanë diskutuar rreth mënyrave për të luftuar tregtinë ilegale të armëve të vogla. Kjo çështje është shqyrtuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Janë përgatitur raporte, janë bërë rekomandime dhe janë miratuar rezoluta. Megjithatë, kritikët theksojnë se të përqendrohesh vetëm te tregu i zi do të thotë që tregtarët më të mëdhenj të armëve—vetë qeveritë—janë pa mbikëqyrje.
Në të vërtetë, kufiri mes shitjeve të ligjshme dhe shitjeve ilegale të armëve është i mjegullt. Shumë armë ilegale shiteshin dikur në mënyrë të ligjshme. Armët që fillimisht u shiten reparteve ushtarake ose atyre të policisë shpesh vidhen dhe furnizojnë tregun e zi. Për më tepër, jo rrallë ndodh që armët t’i rishiten një personi të dytë pa dijeninë a lejen e shitësit të parë. Në një artikull në gazetën Arms Control Today thuhet: «Veçanërisht qeveritë kombëtare do të duhet të
bëjnë më shumë sesa thjesht të mbështetin masat e rrepta kundër tregtisë ilegale të armëve të lehta dhe duhet të shqyrtojnë vetë rolin e tyre në tregtinë e sotme të ligjshme të armëve.» Edhe pse shumë njerëz shpresojnë se së fundi kombet do ta mbajnë nën fre tregtinë e armëve të vogla, një gazetar vërejti: «Meqë pesë nga anëtarët e përhershëm të këshillit [të sigurisë të Kombeve të Bashkuara] janë përgjegjës për më shumë se 80% të tregtisë botërore të armëve, ndoshta nuk duhet të presim me padurim që të ndërmerren veprime.»Problemit të mbajtjes nën kontroll të vërshimit të armëve të vogla dhe armatimeve të lehta i shtohet fakti që këto armë është relativisht e lehtë
të prodhohen. Ndërkohë që prodhimi i armëve të tilla të ndërlikuara, si tanke, aeroplanë dhe luftanije është i kufizuar vetëm në rreth një duzinë vendesh, tani më shumë se 300 fabrikantë në afro 50 vende prodhojnë armatime të lehta. Numri i madh dhe gjithnjë në rritje i fabrikantëve të armëve të zjarrit jo vetëm që shton arsenalet kombëtare, por edhe shumëfishon mundësitë për të furnizuar me armë forcat guerile, grupet rebele dhe organizatat kriminale.Çështje polemikash të ashpra
Deri tani e kemi përqendruar vëmendjen kryesisht te përdorimi i armëve të vogla në vendet e copëtuara nga lufta. Mirëpo çështjet e mbajtjes nën kontroll të armëve janë çështje polemikash të ashpra në vendet relativisht të qeta, ku s’ka luftë. Personat që përkrahin ligjet e rrepta për mbajtjen nën kontroll të armëve pohojnë se shtimi i armëve çon në shtim të vrasjeve. Ata argumentojnë se në Shtetet e Bashkuara, ku kontrolli nuk është i rreptë dhe ku armët janë me bollëk, numri i vrasjeve për person është i lartë, ndërsa në Angli, ku armët janë nën kontroll të rreptë, ka një përqindje të ulët vrasjesh. Kundërshtarët e legjislacionit për mbajtjen nën kontroll të armëve janë të shpejtë për t’u kundërpërgjigjur se në Zvicër shumica e njerëzve mund të sigurojnë fare lehtë armë, por përqindjet e vrasjeve janë të ulëta.
Si për t’i ndërlikuar punët më tepër, studimet tregojnë se përqindja e vrasjeve pa armë zjarri në Shtetet e Bashkuara është më e lartë sesa përqindja totale e vrasjeve në shumë vende evropiane. Veç kësaj, ka vende të tjera që e kanë përqindjen e vrasjeve pa armë zjarri më të lartë sesa përqindja totale e vrasjeve në Shtetet e Bashkuara.
Është e zakonshme që të përdoren—dhe të keqpërdoren—statistikat për të mbështetur një pikëpamje të veçantë. E në fushën e mbajtjes nën kontroll të armëve, duket se për çdo argument ka një kundërargument që ngjan bindës. Çështjet janë të ndërlikuara. Megjithatë, specialistët në përgjithësi janë të një mendjeje se ka edhe shumë faktorë të tjerë, veç pronësisë së armëve, që ndikojnë te përqindjet e vrasjeve dhe te krimet.
Shoqëria e fuqishme National Rifle Association në Shtetet e Bashkuara shpesh vëren: «Armët nuk vrasin njerëz; njerëzit po.» Sipas kësaj pikëpamjeje, një armë, ndonëse e projektuar për të vrarë, nuk vret vetvetiu. Duhet që një person të tërheqë këmbëzën, me dashje ose aksidentalisht. Sigurisht, siç do të argumentonin disa, armët ua bëjnë më të lehtë njerëzve që të vrasin njerëz.
Farkëtojnë shpatat, duke i kthyer në plore
Sipas Biblës, problemi i njerëzve që vrasin njerëz nuk do të zgjidhet thjesht duke hequr armët nga duart e atyre që duan të vrasin. Krimi është një problem shoqëror, jo thjesht punë armësh. Zgjidhja e vërtetë përfshin ndryshimin e qëndrimeve dhe të prirjes së vetë njerëzve. Profeti Isaia u frymëzua të shkruante: «[Perëndia] me siguri do të sigurojë drejtësi midis popujve dhe do të ndreqë gjërat në lidhje me shumë popuj. Dhe ata do të duhet t’i farkëtojnë shpatat e tyre, duke i kthyer në plore dhe heshtat e tyre në gërshërë krasitëse. Një komb nuk do të ngrejë shpatën kundër një kombi, as nuk do të mësojnë më luftën.»—Isaia 2:4, BR.
Kjo gjë nuk është aq e pamundur sa ç’mund të mendojnë disa. Profecia e Isaisë po përmbushet sot mes të krishterëve të vërtetë anembanë botës. Shndërrimi simbolik që u kanë bërë armëve të tyre në vegla paqeje pasqyron një dëshirë të thellë të brendshme për t’i pëlqyer Perëndisë dhe për të jetuar në paqe me të tjerët. Në kohën e duhur, nën Mbretërinë e Perëndisë çdo njeri në tokë do të jetojë në paqe dhe në siguri të plotë. (Mikea 4:3, 4) Armët nuk do të vrasin njerëz. Njerëzit nuk do të vrasin njerëz. Mjetet e vdekjes do të kenë dalë nga përdorimi.
[Figurat në faqen 10]
‘Do t’i farkëtojnë shpatat e tyre, duke i kthyer në plore’