Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Armë të vogla, probleme të mëdha

Armë të vogla, probleme të mëdha

Armë të vogla, probleme të mëdha

PËR dhjetëvjeçarë të tërë, bisedimet për mbajtjen nën kontroll të armatimeve përqendroheshin tek armët bërthamore. S’është aspak e habitshme, përderisa një bombë e vetme bërthamore mund të shkatërrojë një qytet të tërë. Sidoqoftë, ndryshe nga armët e vogla, këto armë jashtëzakonisht të fuqishme ka më shumë se 50 vjet që nuk janë përdorur në luftë.

Historiani i nderuar ushtarak Xhon Kigan shkruan: «Që nga 9 gushti i vitit 1945, armët bërthamore nuk kanë vrarë asnjë njeri. Të 50.000.000 njerëzit që kanë vdekur në luftë që nga ajo datë janë vrarë kryesisht me armë jo të shtrenjta që prodhohen në seri dhe me municione të kalibrit të vogël. Armë të tilla kushtojnë pak më shumë se radiot e dorës dhe bateritë që kanë vërshuar në botë që atëherë. Duke qenë se në vendet e përparuara armët me çmim të lirë nuk e kanë trazuar shumë jetën, përveçse në zona të kufizuara ku lulëzojnë tregtia e drogës dhe terrorizmi politik, popujt e vendeve të pasura kanë qenë të ngadaltë për ta pranuar llahtarën që ka sjellë përdorimi i tyre.»

Askush nuk e di me saktësi se sa armë të vogla dhe armatime të lehta janë në qarkullim, por specialistët përllogaritin se armët e zjarrit të tipit ushtarak mund të numërohen rreth 500 milionë. Veç kësaj, shtetasit zotërojnë privatisht dhjetëra milionë pushkë dhe pistoleta të tipit civil. Për më tepër, çdo vit prodhohen dhe hidhen në treg armë të reja.

Armë të parapëlqyera

Përse armët e vogla janë bërë armët e parapëlqyera në luftërat e kohëve të fundit? Arsyeja qëndron pjesërisht në lidhjen ndërmjet luftës dhe varfërisë. Gjatë viteve 90 të shekullit të 20-të, shumica e luftërave u bë në vende që janë të varfra, tepër të varfra për të blerë armë të sofistikuara. Armët e vogla dhe armatimet e lehta janë me leverdi. Për shembull, me 50 milionë dollarë, që është përafërsisht çmimi i vetëm një aeroplani gjuajtës reaktiv modern, mund të pajiset me 200.000 pushkë automatike një ushtri.

Nganjëherë, armët e vogla dhe armatimet e lehta bëjnë shumë më lirë se kaq. Dhjetëra milionë armë të tilla thjesht falen si rrjedhojë e shkurtimeve në ushtri dhe e pakësimit të armatimeve ose riqarkullojnë nga një luftë në tjetrën. Në disa vende, pushkët automatike janë kaq me bollëk, sa shiten vetëm gjashtë dollarë ose mund të këmbehen me një dhi, me një pulë a me një çantë me rroba të përdorura.

Mirëpo, veç kostos së ulët dhe faktit që mund të gjenden lehtësisht, ka edhe arsye të tjera përse armët e vogla janë kaq të përhapura. Ato janë vdekjeprurëse. Vetëm një pushkë automatike me qitje të shpejtë mund të lëshojë qindra plumba në minutë. Gjithashtu, është e lehtë të përdoren dhe të mbahen. Një fëmije dhjetëvjeçar mund t’i mësohet të zbërthejë dhe të mbërthejë një pushkë automatike tipike. Një fëmijë, gjithashtu, mund të mësojë shpejt që me atë pushkë të marrë shenjë dhe të hapë zjarr drejt një turme njerëzish.

Një arsye tjetër përse armët e lehta janë të përhapura është se ato janë të forta dhe vazhdojnë të funksionojnë për vite të tëra. Pushkë të tilla, si AK-47 dhe M16, të cilat i mbanin ushtarët në Luftën e Vietnamit, përdoren ende në luftërat e sotme. Disa pushkë që përdoren në Afrikë mbajnë datën e Luftës I Botërore. Veç kësaj, armët e lehta transportohen dhe fshihen kollaj. Me një kalë të ngarkuar mund t’i çohet një dyzinë pushkësh një grupi paraushtarakësh, të cilët ndodhen në një xhungël të dendur a në një mal të largët. Një vargan kuajsh mund të mbartë pushkë sa për të furnizuar një ushtri të vogël.

Armë, drogë dhe diamante

Trafiku global i armëve është i ndërlikuar. Sasi të jashtëzakonshme armësh kalojnë ligjërisht nga një shtet në tjetrin. Pas Luftës së Ftohtë, ushtritë qoftë në Lindje, qoftë në Perëndim u zvogëluan dhe qeveritë ua falën a ua shitën pajimet e tepërta miqve dhe aleatëve të tyre. Sipas një autoreje në Institutin e Kërkimeve për Paqen në Oslo, Norvegji, që nga viti 1995, vetëm Shtetet e Bashkuara kanë falur më shumë se 300.000 pushkë, pistoleta, mitralozë dhe granatahedhëse. Është parë që falja e armëve kushton më lirë sesa zbërthimi ose sesa magazinimi dhe ruajtja e tyre. Disa analistë llogaritin se një sasi armësh të vogla dhe armatimesh të lehta me vlerë ndoshta tre miliardë dollarë kalon çdo vit në mënyrë të ligjshme kufijtë kombëtarë.

Megjithatë, tregtia ilegale mund të jetë shumë më e madhe. Në treg të zi armët, zakonisht, duhen blerë. Në disa luftëra në Afrikë, grupet paraushtarake kanë blerë armë të vogla dhe armatime të lehta me vlerë qindra milionë dollarë. Por jo me para; me diamante të marrë nga zonat ku gërmohet për diamante. Në gazetën The New York Times komentohej: «Atje ku qeveritë janë të korruptuara, rebelët janë të pamëshirshëm dhe kufijtë janë të depërtueshëm . . . Diamantet vezulluese janë bërë shkaktarë të punës skllavëruese, të vrasjeve, të gjymtimeve, të lënies në masë pa shtëpi dhe të rrënimit të plotë ekonomik.» Sa ironike që një gur i çmuar, i cili është këmbyer me pushkë automatike, të shitet më pas në një dyqan elegant xhevahirësh si simbol i shtrenjtë i dashurisë së përjetshme!

Armët lidhen, gjithashtu, me tregtinë e drogës. Jo rrallë ndodh që organizatat kriminale të përdorin të njëjtat rrugë për të kaluar kontrabandë drogën në njërin drejtim, teksa kalojnë kontrabandë armët në drejtimin tjetër. Armët, pra, janë bërë gati-gati një lloj paraje, që shkëmbehen me drogë.

Pasi armët e luftës heshtin

Kur luftërat mbarojnë, shpesh, armët e përdorura në to bien në duart e kriminelëve. Vëreni çfarë ndodhi në një vend në jug të Afrikës, i cili përjetoi kalimin nga dhuna me motive politike në dhunën kriminale. Atje dhuna politike u mori jetën rreth 10.000 njerëzve vetëm në tre vjet. Kur mori fund ai konflikt, dhuna kriminale mori përmasa të papara. Konkurrenca mes shoferëve të taksive çoi në «luftëra të taksive», ku paguheshin banditë për të qëlluar pasagjerët dhe shoferët e kompanive rivale. Pushkët automatike të tipit ushtarak përdoreshin gjithnjë e më shumë në grabitje dhe krime të tjera. Në një nga vitet e fundit, numri i vrasjeve të bëra me armë arriti në 11.000—përqindja e dytë më e lartë në botë për vendet që s’janë në luftë.

Dijenia se kriminelët janë të armatosur dhe të rrezikshëm krijon frikë dhe pasiguri. Në shumë vende në zhvillim, të pasurit jetojnë në fortesa të vërteta, të rrethuara me mure dhe gardhe elektrikë që ruhen ditë e natë. Ata që jetojnë në vende të zhvilluara marrin, po ashtu, masa parandaluese. Kjo është e vërtetë, madje, edhe në vendet që nuk kanë përjetuar luftë civile.

Kështu, si në vendet ku ka luftë, ashtu edhe në vendet ku ka «paqe», armët i kontribuojnë pasigurisë. Asnjë njeri nuk mund t’i matë pasojat vdekjeprurëse të armëve; as nuk mund të llogaritim të vdekurit, të plagosurit, të pikëlluarit nga vdekjet, si edhe jetët e shkatërruara. Sidoqoftë, e dimë që bota është plot e përplot me armë dhe që numri i tyre vazhdon të rritet. Gjithnjë e më fort dëgjohen zëra që kërkojnë të bëhet diçka. Por, çfarë mund të bëhet? Çfarë do të bëhet? Këto janë pyetjet që do të shqyrtojmë në artikullin vijues.

[Kutia dhe figura në faqen 7]

Një ish-luftëtar ndihet «fort i marrë»

Një fëmijë ushtar, i cili luftoi në po atë luftë që i bëri refugjatë njerëzit për të cilët u fol në artikullin hyrës, papritmas mbeti i papunë dhe trokë në atë qytet që kishte ndihmuar të pushtohej. Ai foli me ashpërsi për faktin që shihte birin e udhëheqësit të tij t’i binte poshtë e lart qytetit me një motoçikletë vezulluese dhe kapot e mëparshëm të luftës të bënin pazarllëqe për të pasur pushtetin dhe të haheshin kush e kush të zinte vend të nderuar në shoqëri. «Kur mendoj për pesë vjetët që kalova në pyll, duke vrarë njerëz dhe duke qenë nën rrezikun e plumbave, ndihem fort i marrë,—tha ky luftëtar.—Ishim gati të jepnim jetën për njerëz që të nesërmen do të harronin se si arritën aty ku janë.»

[Burimi]

KOPERTINA dhe faqja 7: fëmijë ushtar: Nanzer/Sipa Press

[Kutia dhe figura në faqen 8]

«Asnjë vend fshehjeje»

Pushka automatike moderne, sado vdekjeprurëse që është, ka kufizime. Ajo qëllon vetëm me plumba. Nuk mund t’i vrasë njerëzit që janë të fshehur pas mureve a barrikadave të forta. Në panikun e betejës, objektivi i një ushtari mund të mos qëndrojë i palëvizshëm. Edhe në rrethanat më ideale, duke e mbajtur në dorë ajo është e saktë vetëm deri në 460 metra.

Ushtria e SHBA-së ka një zgjidhje për «probleme» të tilla: një pushkë të re, të teknologjisë së lartë, me përdorime të shumanshme e quajtur Objective Individual Combat Weapon (OICW). Mjaft e lehtë sa mund ta mbajë një ushtar i vetëm, OICW-ja do të qëllojë jo vetëm me plumba, por edhe me predha 20-milimetërshe: granata. Një tjetër veçori unike: ajo mund të vrasë armiqtë që fshihen pas barrikadave. Gjithçka që duhet të bëjë ushtari është të marrë nishan një pikë tamam sipër ose anash objektivit të paracaktuar. Arma rregullon në mënyrë automatike largësinë deri tek objektivi i zgjedhur dhe fikson paraprakisht një shpërthyes të vockël elektronik te granata, në mënyrë që ajo të plasë saktësisht në largësinë e duhur, duke e dërrmuar viktimën me predhë shrapnel që shpon pjesët e blinduara. «Aftësitë e saj të pashoqe do t’u japin mundësi trupave ndërluftuese të SHBA-së që të qëllojnë gati-gati edhe përtej kthesave»,—tha një përfaqësues i kompanisë që po punon për këtë armë. Një shënjestër me rreze infra të kuqe do të bëjë të mundur që arma të qëllojë me efektshmëri edhe në errësirë.

Nga kjo armë nuk ka «asnjë vend fshehjeje», mburren bërësit e saj, të cilët pohojnë, gjithashtu, që arma do të jetë pesë herë më vdekjeprurëse se granatahedhëset M16 dhe M203 deri në dyfishin e rrezes së tyre të qitjes. Ushtarëve që e përdorin nuk u duhet të merakosen që objektivi të jetë i palëvizshëm. Duhet vetëm të shohin përmes shënjestrës dhe të tërheqin këmbëzën për të lëshuar një breshëri plumbash e granatash. Sikur puna të vazhdojë sipas programit, njësia e parë ushtarake do të pajiset me OICW-në rreth vitit 2007.

Gjithsesi, kritikët po pyesin: Si do të përdoret kjo armë kur ushtarët të patrullojnë në lagje plot njerëz, ku luftëtarët armiq ka të ngjarë që të jenë mes civilëve të pafajshëm? Çfarë do të ndodhë nëse OICW-ja u shitet ushtrive anembanë botës, të cilat mund t’i drejtojnë kundër vetë popullit të tyre? Dhe çfarë do të ndodhë nëse kjo armë u bie në dorë terroristëve e kriminelëve?

[Burimi]

Alliant Techsystems

[Figurat në faqen 6]

Armët e vogla dhe armatimet e lehta shpesh këmbehen me diamante dhe me drogë