Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Fytyra e luftërave moderne

Fytyra e luftërave moderne

Fytyra e luftërave moderne

KAMPI i refugjatëve ishte ndërtuar me ngut për t’u kujdesur për të 1.548 refugjatët që kishin mbërritur papritmas nga një vend afrikan fqinj. Tenda ngjyrë blu dhe kaki ishin ngritur në një lirishtë me baltë, mes një pylli palmash. Nuk kishte elektricitet ose shtroja dhe nuk kishte as ujë të rrjedhshëm, as banja. Binte shi. Refugjatët përdornin shkopinj për të gërmuar hendeqe të vogla, që uji të mos përmbyste tendat. Dy agjenci ndërkombëtare ndihmash punonin ethshëm për të përmirësuar kushtet e jetesës.

Para kësaj, refugjatët kishin përfituar nga rasti për të hipur në një anije mallrash gjysmë të rrënuar, që t’i shpëtonin luftës civile e cila kishte batërdisur vendin e tyre për vite të tëra. Lufta nuk u bë me vargje tankesh a me aeroplanë bombardues të rëndë. Ajo filloi kur rreth 150 ushtarë të armatosur me pushkë automatike hynë të kapardisur në vend. Gjatë viteve që pasuan, ushtarët pushtuan fshatrat njëri pas tjetrit, duke u kërkuar haraç civilëve, duke rekrutuar ushtarë dhe duke vrarë këdo që kundërshtonte. Përfundimisht, shtinë në dorë gjithë vendin.

Një nga refugjatët në kamp ishte një grua e re e quajtur Ester. «Përvoja më e keqe që kam pasur ndonjëherë në jetën time ishte humbja e burrit në këtë luftë,—tha ajo.—Ata e qëlluan. Kudo ka kaq shumë frikë. Dëgjon një të bërtitur dhe mendon se dikush po vjen të të vrasë. Sa herë që sheh ndonjë njeri me armë, mendon se do të të vrasë. Nuk isha kurrë e qetë. Vetëm këtu fle vërtet natën. Në shtëpi nuk mund të flija. Këtu fle si fëmijë.»

«Edhe në këto tenda të qullura?»—pyeti një shkrimtar i Zgjohuni!

Esteri qeshi. «Edhe sikur të duhet të fle në këtë baltë, kam për të fjetur më mirë sesa atje prej nga vij.»

Ambrozi dhjetëvjeçar e kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës duke u larguar së bashku me familjen nga zonat e luftës. «Do më pëlqente të shihja paqe dhe të kthehesha në shkollë,—tha ai.—Fundja, unë po rritem.»

Kpana nëntëvjeçare ka sy të bukur ngjyrë kafe. Kur e pyetën çfarë gjëje kujton të parën në jetë, u përgjigj pa ngurrim: «Luftë! Të shtëna!»

Lloji i luftës nga i cili ia mbathën këta njerëz është i zakonshëm vitet e fundit. Sipas një burimi, nga 49 konfliktet e mëdha që kanë bërë kërdinë që nga viti 1990, 46 janë bërë vetëm me armatime të lehta. Ndryshe nga një shpatë a një heshtë, të cilat kërkojnë zotësi dhe forcë për t’u përdorur me efektshmëri në luftim, armët e vogla e kanë bërë të mundur përleshjen në luftë qoftë për amatorët, qoftë për profesionistët. * Shpeshherë rekrutohen adoleshentë e fëmijë dhe detyrohen që të grabisin, të sakatojnë njerëzit dhe të vrasin.

Shumë nga këto luftëra nuk bëhen ndërmjet shteteve, por brendapërbrenda tyre. Nuk zhvillohen në një fushë beteje mes ushtarësh të stërvitur, por, në pjesën më të madhe, nëpër qytete dhe fshatra, mes civilësh. Duke qenë se ata që bëjnë pjesën më të madhe të luftimeve janë njerëz që s’kanë fare përgatitje ushtarake, nuk para i bren ndërgjegjja për shkeljen e rregullave tradicionale të luftës. Si pasojë, janë të zakonshme sulmet e egra kundër burrave të paarmatosur, grave dhe fëmijëve. Mendohet se në luftërat e sotme më shumë se 90 për qind e të vrarëve janë civilë. Në këto luftëra, armët e vogla dhe armatimet e lehta luajnë një rol kryesor.

Sigurisht, nuk janë armët ato që shkaktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë konflikte; njerëzit kanë luftuar shumë kohë përpara se të shpikej baruti. Gjithsesi, grumbujt e armëve mund të nxitin luftërat dhe jo bisedimet. Armët mund të bëjnë që luftërat të zgjatin më shumë dhe mund të shtojnë masakrat.

Edhe pse armët që përdoren në luftërat e sotme janë armë të lehta, ato kanë sjellë pasoja të rënda. Gjatë viteve 90 të shekullit të 20-të, këto armë vranë më shumë se katër milionë njerëz. Mbi 40 milionë të tjerë ose janë bërë refugjatë, ose kanë mbetur të pastrehë. Armët e vogla i kanë gjymtuar nga ana politike, shoqërore, ekonomike dhe ambientale shoqëritë e bëra copë-copë nga lufta. Komuniteti ndërkombëtar ka shpenzuar dhjetëra miliardë dollarë për të ndihmuar në raste urgjence, për t’u kujdesur për refugjatët, për të ruajtur paqen dhe për ndërhyrje ushtarake.

Përse armët e vogla kanë arritur të luajnë një rol kaq të rëndësishëm në luftërat e kohëve moderne? Nga vijnë ato? Çfarë mund të bëhet për të kufizuar ose për të zhdukur ndikimin e tyre vdekjeprurës? Këto pyetje do t’i shqyrtojmë në artikujt vijues.

[Shënimi]

^ par. 9 Termi «armë të vogla» u referohet pushkëve dhe pistoletave—armë që mund t’i mbajë një person i vetëm; shprehja «armatime të lehta» përfshin mitralozët, mortajat dhe granatahedhëset, për të cilat nganjëherë duhen dy persona që t’i mbajnë.

[Burimi i figurës në faqen 3]

FOTO E OKB-së 186797/J. Isaac