Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mrekullitë e sistemit të qarkullimit të gjakut

Mrekullitë e sistemit të qarkullimit të gjakut

Mrekullitë e sistemit të qarkullimit të gjakut

PËRFYTYRONI një shtëpi me sistem hidraulik kaq të sofistikuar, sa lëngu që rrjedh përmes tij mund të transportojë në mënyrë të sigurt ushqim, ujë, oksigjen dhe lëndë të panevojshme. Për më tepër, këto tubacione kanë mjetet për t’u vetëriparuar dhe mund të shtohen sipas kërkesave të ndryshueshme të shtëpisë. Ç’vepër madhështore!

Megjithatë, «sistemi hidraulik» i trupit tuaj bën edhe më shumë se kaq. Përveçse ndihmon për të rregulluar temperaturën e trupit, ai transporton një sasi të habitshme hormonesh ose lajmëtarësh kimikë, si edhe mbrojtës të fuqishëm kundër sëmundjeve. I tërë rrjeti është, gjithashtu, i butë dhe elastik, gjë që i jep mundësi të amortizojë goditjet dhe të përkulet sipas gjymtyrëve të trupit. Asnjë inxhinier njerëzor nuk do të mund të projektonte një sistem të tillë, e megjithatë, kjo është pikërisht ajo që bëri Krijuesi kur formoi venat, arteriet dhe kapilarët e trupit njerëzor.

Pjesët kryesore të sistemit

Sistemi i qarkullimit të gjakut te njeriu në të vërtetë përbëhet nga dy sisteme që bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Njëri është sistemi kardiovaskular, i cili përfshin zemrën, gjakun dhe të gjitha enët e gjakut. Tjetri është sistemi limfatik—një rrjet enësh që transporton lëngun e tepërt, të quajtur limfë, duke e rikthyer nga indet e trupit në sistemin e qarkullimit të gjakut. Sikur të viheshin në vijë të drejtë, enët e gjakut të një të rrituri do të shtriheshin për 100.000 kilometra dhe mund ta rrethonin tokën dy herë e gjysmë! Ky sistem shumë i shtrirë e transporton gjakun jetëdhënës, i cili përbën rreth 8 për qind të peshës së trupit, për në miliarda qeliza.

Burimi i energjisë që qëndron pas sistemit kardiovaskular është, pa dyshim, zemra. Afërsisht sa madhësia e grushtit tuaj, ajo pompon të paktën 9.500 litra gjak çdo ditë në krejt trupin—gati-gati si të ngrihet çdo 24 orë një peshë njëtonëshe në një lartësi prej 10 metrash!

Një udhëtim nëpër sistemin kardiovaskular

Çfarë shtegu ndjek gjaku? Le të fillojmë me gjakun e mbetur pa oksigjen, i cili arrin në zemër nëpërmjet dy venave të mëdha: venës zgavrore (cava) të sipërme dhe të poshtme. (Shih skicën.) Këto vena derdhen në dhomën e parë të zemrës, në tremën e djathtë. Trema e djathtë pastaj e shtyn gjakun për në një dhomë më muskulore, në barkushen e djathtë. Prej këtu gjaku shkon në mushkëri nëpërmjet trungut mushkëror dhe dy arterieve mushkërore—të vetmet arterie që mbartin gjak pa oksigjen. Këtë gjë normalisht e bëjnë venat.

Ndërsa është në mushkëri, gjaku çliron dyoksid karboni dhe thith oksigjen. Pastaj rrjedh poshtë dhe futet në tremën e majtë të zemrës nëpërmjet katër venave mushkërore—të vetmet vena që mbartin gjak të pasur me oksigjen. Trema e majtë zbrazet në dhomën më të fuqishme të zemrës, në barkushen e majtë, e cila e pompon gjakun e oksigjenuar duke e nxjerrë jashtë zemrës nëpërmjet aortës dhe duke e çuar në trup. Dy tremat tkurren njëkohësisht dhe kjo pasohet nga tkurrja e të dyja barkusheve. Kjo seri e dyfishtë përbën një rrahje zemre. Katër kllapëza ose valvula të brendshme sigurojnë që gjaku të rrjedhë përmes zemrës vetëm në një drejtim.

Duke qenë se i duhet ta pompojë gjakun deri në skajet e trupit, barkushja e majtë, e cila është më muskulore, ka një forcë rreth gjashtë herë më të madhe se ajo e barkushes së djathtë. Presioni që krijohet si rrjedhojë, mund të shkaktonte kollaj aneurizëm (fryrje ose zgjerime në muret e arterieve) ose, madje, edhe apopleksi vdekjeprurëse në tru, po të mos ishte një mekanizëm mjeshtëror që amortizon presionet e larta të papritura.

Arterie elastike

Arteria më e madhe e trupit, aorta, dhe degët e saj kryesore përbëjnë «arteriet elastike». Lumeni i tyre—ose hapësira e brendshme—është i madh, duke i dhënë kështu mundësi gjakut të rrjedhë me lehtësi. Ato, gjithashtu, kanë mure të trasha muskulore që përshkohen nga një rrjet shtresash bashkëqendrore elastine—një proteinë që ngjan me kauçukun. Kur barkushja e majtë e pompon gjakun në këto arterie, ato zgjerohen ose fryhen, duke shuar presionin e lartë dhe duke e shtyrë gjakun drejt grupit tjetër të arterieve, arterieve muskulore ose shpërndarëse, të cilat kanë, gjithashtu, elastinë në muret e tyre. Falë këtij projektimi të jashtëzakonshëm, në kohën kur arrin te kapilarët delikatë, gjaku ka presion të njëtrajtshëm. *

Arteriet shpërndarëse kanë një diametër që luhatet nga rreth një centimetër në 0,3 milimetra. Duke u zgjeruar ose duke u ngushtuar nën drejtimin e fijeve të veçanta nervore, këto enë ndihmojnë për të rregulluar rrjedhën e gjakut, duke e bërë sistemin e qarkullimit të gjakut jashtëzakonisht dinamik. Në rast traume ose alarmi për shembull, disa sensorë të shtypjes në shtresat e brendshme të arterieve sinjalizojnë trurin, i cili nga ana e tij, sinjalizon arteriet e duhura që ta kufizojnë rrjedhën e gjakut në zonat më pak të rëndësishme të tilla si lëkura dhe t’ia kthejnë drejtimin për në organet jetësore. Në revistën New Scientist thuhet: «Arteriet tuaja mund ‘ta ndiejnë’ gjakun teksa rrjedh dhe të reagojnë ndaj kësaj.» A është për t’u çuditur që arteriet janë përshkruar si «tubacione të zgjuara»?

Në kohën kur gjaku largohet nga arteriet më të vogla—arteriolat—presioni i tij është i njëtrajtshëm, rreth 35 milimetra shtyllë mërkuri. Në arteriola, një presion i njëtrajtshëm dhe i ulët është jetësor, sepse ato bashkohen me enët e gjakut që janë më të voglat nga të gjitha, me kapilarët.

Rruazat e kuqe në rresht për një

Me një diametër tetë deri në dhjetë mikrometra (të miliontat e metrit), kapilarët janë kaq të hollë, saqë rruazat e kuqe kalojnë përmes tyre në rresht për një. Ndonëse kanë vetëm një shtresë qelizash, muret e kapilarëve i përcjellin lëndët ushqyese (që transportohen me anë të plazmës ose të pjesës së lëngshme të gjakut) dhe oksigjenin (që e transportojnë rruazat e kuqe) për në indet fqinje. Në të njëjtën kohë, dyoksidi i karbonit dhe lëndët e tjera të panevojshme kalojnë mbrapsht nga indet për në kapilarë që të largohen nga trupi. Nëpërmjet një muskuli të vogël të lakuar të quajtur sfinkter, kapilarët, gjithashtu, mund ta rregullojnë rrjedhën e gjakut që kalon nëpër ta sipas nevojave të indit rrethues.

Nga venulat drejt venave, për në zemër

Kur largohet nga kapilarët, gjaku hyn në vena të vockla, që quhen venula. Me një diametër 8 deri në 100 mikrometra, venulat bashkohen për të formuar venat, të cilat e rikthejnë gjakun në zemër. Kur arrin në vena, gjaku e ka humbur gati-gati të gjithë presionin e tij, prandaj muret e venave janë më të holla se muret e arterieve. Gjithashtu, kanë më pak elastinë. Megjithatë, lumeni i tyre është më i madh, kështu që, si rrjedhojë, venat mbajnë plot 65 për qind të gjakut të trupit.

Si kompensim për presionin e ulët të gjakut, venat kanë një mënyrë mjeshtërore për ta rikthyer gjakun në zemër. Pikësëpari, janë të pajisura me kllapëza të posaçme në formë kupe, të cilat nuk lejojnë që forca e rëndesës ta largojë gjakun nga zemra. Së dyti, shfrytëzojnë muskujt skeletikë të trupit. Në ç’mënyrë? Kur muskujt tkurren, të themi, për shembull, në këmbë teksa ecni, ata ngjeshin venat fqinje. Kjo gjë, nga ana e saj, e shtyn gjakun drejt zemrës përmes kllapëzave me një drejtim. Së fundi, shtypjet në zgavrën e barkut dhe të kraharorit—të cilat këmbejnë njëra-tjetrën si pasojë e frymëmarrjes—i ndihmojnë venat që të zbrazen në tremën e djathtë të zemrës.

Sistemi kardiovaskular është kaq i efektshëm, saqë edhe kur një person është në qetësi, ky sistem hedh rreth 5 litra gjak në zemër çdo minutë! Të ecurit e shton këtë sasi në rreth 8 litra, ndërsa një vrapuesi të shëndetshëm në maratonë mund t’i vërshojnë çdo minutë në zemër 35 litra gjak—shtatëfishi i vëllimit që hidhet në gjendje qetësie!

Në disa raste, kllapëzat e venave mund të bëhen të përshkueshme për shkak të një prirjeje gjenetike a ngaqë personi ka arritur në dhjamosje, ngaqë ka mbetur shtatzënë ose nga qëndrimi në këmbë për periudha të gjata kohe. Kur këto kllapëza prishen, gjaku grumbullohet poshtë tyre, duke bërë që venat të mbufaten dhe të bëhen vena varikoze. Ngjashëm, sforcimi fizik, si gjatë një lindjeje ose gjatë jashtëqitjes, e rrit shtypjen në zgavrën e barkut, dhe kjo gjë pengon që gjaku të rikthehet nga venat e anusit dhe të zorrës së trashë. Kur ndodh kështu, mund të krijohen për pasojë vena varikoze që quhen hemorroide.

Sistemi limfatik

Kur shpërndajnë lëndët ushqyese në inde dhe marrin lëndët e panevojshme, kapilarët grumbullojnë një çikë më pak lëng nga ç’dërgojnë. Proteinat e rëndësishme të gjakut kalojnë tek indet. Prandaj, nevojitet sistemi limfatik i trupit. Ai mbledh gjithë lëngun e tepërt, të quajtur limfë, dhe e rikthen në sistemin e qarkullimit të gjakut me anë të një vene të madhe në fund të qafës dhe të një tjetre në kraharor.

Ashtu si në rastin e arterieve dhe të venave, ka disa grupe enësh limfatike. Më të voglat, kapilarët limfatikë, hasen në shtresa kapilarësh gjaku. Këto enë të vockla mjaft të përshkueshme thithin lëngun e tepërt dhe e drejtojnë në enë më të mëdha grumbulluese limfatike, të cilat e mbartin limfën për në trungjet limfatike. Këto bashkohen për të formuar kanalet limfatike, të cilat, nga ana e tyre derdhen në vena.

Limfa rrjedh vetëm në një drejtim: për në zemër. Prandaj, enët limfatike nuk formojnë një qark, siç formon sistemi kardiovaskular. Veprimi i dobët i muskujve në enët limfatike, të cilit i vijnë në ndihmë rrahjet e arterieve fqinje dhe lëvizja e gjymtyrëve, ndihmon për ta shtyrë lëngun limfatik nëpër këtë sistem. Çdo bllokim i enëve limfatike bën që lëngu të grumbullohet në zonën e dëmtuar, duke krijuar një ënjtje që quhet edemë.

Enët limfatike sigurojnë edhe rrugëkalime për organizmat që shkaktojnë sëmundje. Për këtë arsye, Krijuesi ynë e fuqizoi sistemin limfatik me mbrojtës të fuqishëm, me organet limfoide: nyjet limfatike—të shpërndara përgjatë enëve grumbulluese limfatike,—shpretka, timusi, bajamet, apendiksi dhe nyjëzat limfoide (folikuj limfatikë të përngjitur) në zorrën e hollë. Këto organe ndihmojnë për të prodhuar dhe për të mbajtur limfocitet, qelizat kryesore të sistemit imunitar. Një sistem limfatik i shëndetshëm, pra, ndihmon për të pasur një trup të shëndetshëm.

Këtu udhëtimi ynë nëpër sistemin e qarkullimit të gjakut përfundon. Megjithatë, edhe kjo vizitë e shkurtër ka nxjerrë në pah një mrekulli projektimi me një kompleksitet dhe efektshmëri mahnitëse. Veç kësaj, ai i kryen detyrat e tij të pafundme qetësisht, pa ju bërë të vetëdijshëm për këtë, përveç rastit kur sëmuret. Prandaj kujdesuni për sistemin tuaj të qarkullimit të gjakut dhe ai, në shkëmbim, do të kujdeset për ju.

[Shënimi]

^ par. 12 Presioni i gjakut matet nga lartësia, në milimetra, në të cilën ai ngre një shtyllë mërkuri. Presionet më të vogla dhe më të mëdha që shkaktohen nga rrahja dhe nga lëshimi i zemrës janë quajtur shtypje sistolike dhe shtypje diastolike. Këto ndryshojnë në individë të ndryshëm si rrjedhojë e moshës, gjinisë, stresit mendor e fizik dhe lodhjes. Presioni i gjakut ka prirjen të jetë më i ulët te gratë sesa te burrat, më i ulët te fëmijët dhe më i lartë te të moshuarit. Ndonëse opinionet ka të ngjarë të jenë paksa të ndryshme, një i ri i shëndetshëm mund ta ketë shtypjen sistolike 140 milimetra shtyllë mërkuri dhe atë diastolike 60 deri në 90 milimetra.

[Kutia dhe figurat në faqen 26]

Kujdesuni për arteriet tuaja!

Arterioskleroza ose «fortësimi i arterieve» është një shkaktare kryesore vdekjesh në shumë vende. Forma më e zakonshme është ateroskleroza, që vjen si pasojë e grumbullimit të shtresave yndyrore që ngjajnë si qull tërshëre (ateroma) në brendësi të arterieve. Këto shtresa e ngushtojnë lumenin ose hapësirën e brendshme të arteries, duke bërë që arteria të ketë prirjen të bllokohet plotësisht kur pllakëza yndyrore arrin në një fazë kritike dhe çahet. Një bllokim të plotë mund ta shkaktojnë edhe masat e mpiksura të gjakut që lëvizin andej-këtej ose spazmat muskulore të murit të arteries.

Një gjendje veçanërisht e rrezikshme është grumbullimi i pllakëzës yndyrore në muret e arterieve koronare, të cilat i shërbejnë vetë muskulit të zemrës. Për pasojë, muskuli i zemrës merr sasi të pamjaftueshme gjaku, një simptomë e së cilës është angjina—dhembje e mbytur shtypëse në kraharor që shpesh shkaktohet nga një mundim fizik. Nëse një arterie koronare bllokohet plotësisht, kjo mund të çojë në atak në zemër dhe në vdekje të muskulit të zemrës. Një atak i rëndë mund të bëjë që zemra të pushojë fare.

Në faktorët që e shtojnë rrezikun e aterosklerozës përfshihen: pirja e duhanit, stresi emocional, diabeti, dhjamosja, mungesa e ushtrimeve, tensioni i lartë i gjakut, një dietë e pasur me yndyrna dhe prirja gjenetike.

[Figurat]

E shëndetshme

Grumbullim në fazë të ndërmjetme

Bllokim në fazë të përparuar

[Diagrami]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Arterie koronare

[Diagrami në faqet 24, 25]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Sistemi kardiovaskular

Gjak i pasur me oksigjen

MUSHKËRITË

ZEMRA

Barkushja e majtë

ARTERIET

ARTERIOLAT

KAPILARËT

VENULAT

VENAT

ZEMRA

Barkushja e djathtë

Gjak pa oksigjen

Gjak i pasur me oksigjen

Nga trupi

VENA ZGAVRORE E SIPËRME

TREMA E DJATHTË

VENA ZGAVRORE E POSHTME

Nga trupi

BARKUSHJA E DJATHTË

Kllapëzat

Për në mushkëri

ARTERIA MUSHKËRORE

Nga mushkëria

TREMA E MAJTË

Kllapëzat

BARKUSHJA E MAJTË

AORTA

Për në trup

[Diagrami në faqen 25]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Rrahja e zemrës

1. Lëshim

2. Tkurrje e tremave

3. Tkurrje e barkusheve

[Figura në faqen 25]

Rruazat e gjakut udhëtojnë nëpër 100.000 kilometra enë gjaku

[Figura në faqen 26]

Fotografi e kapilarëve me rruaza të kuqe në rresht për një

[Burimi]

Lennart Nilsson