Mund t’ju vjedhin identitetin!
Mund t’ju vjedhin identitetin!
VAJZA e re nisi të merrte mesazhe të ndyra në sekretarinë telefonike nga disa burra. Më pas, një burrë i telefonoi dhe i tha se po u përgjigjej ftesave imorale që kishte bërë ajo në Internet. Por vajza as që kishte fare kompjuter. Iu desh njëfarë kohe që të zbulonte se dikush kishte marrë identitetin e saj në rrjet dhe bënte në Internet ato njoftime. Jo vetëm kaq, por mashtruesi i panjohur jepte adresën e saj, tregonte si mund të shkohej deri në banesën e saj dhe, madje, këshillonte se si të shmangej sistemi i alarmit i shtëpisë!
Shumica nga ne e marrin identitetin si diçka të zakonshme. Jemi ata që jemi dhe nëse na kërkohen prova për këtë, mund t’i japim. Por dokumentet që përdorim dendur si dëshmi të identitetit—certifikata e lindjes, numri i identifikimit, * patenta e shoferit, pasaporta, karta e identitetit dhe gjëra të ngjashme—po bëhet kaq e lehtë të falsifikohen a të vidhen, sa ka dalë një term i ri i kriminalistikës: «vjedhje e identitetit».
Një epidemi mashtrimi
Ky lloj krimi është kompleks, tinëzar dhe mund të jetë shkatërrimtar. Viktimat befas zbulojnë se dikush po i fut në borxhe të mëdha, po mashtron kreditorët dhe po shkakton dëme të tjera në emër të tyre. Në disa vende, ligji i mbron viktimat nga detyrimi për të paguar këto borxhe, por emri i tyre mund të dëmtohet dhe gjendja e tyre financiare mund të rrënohet.
Agjencitë për zbatimin e ligjit, personat që janë të lejuar të dinë informacione të fshehta në lidhje me kartat e kreditit dhe shoqatat e konsumatorëve e pranojnë gjerësisht se vjedhja e identitetit po bën të humbasin me miliarda dollarë çdo vit. Nuk ka asnjë mënyrë për ta ditur me saktësi se sa njerëz janë mashtruar me anë të vjedhjes së identitetit. Një nga problemet më të mëdha është që mund të kalojnë muaj para se një person ta zbulojë se i kanë vjedhur identitetin. Disa autoritete në fushën e zbatimit të ligjit e quajnë vjedhjen e identitetit krimin me përhapje më të shpejtë në Shtetet e Bashkuara. Probleme të ngjashme janë raportuar edhe në vende të tjera.
Gjendjen e përkeqëson fakti që hajdutët e dinë se mashtrimi në lidhje me identitetin është vështirë të hetohet dhe rrallë ndiqet penalisht. «Kriminelët nuk e shohin si një krim që prek individin,—vëren Sheril Smith, hetuese e posaçme.—Viktima është për ta si një bankë a si një supermarket. Nuk mendojnë se po dëmtojnë një individ.»
Bëjnë pre emrin tuaj
Hajdutët e identitetit vjedhin zakonisht një a më shumë elemente kyçe të të dhënave tuaja personale të tilla, si numrin e identifikimit ose patentën. Pastaj i përdorin ato për t’u hequr si ju
dhe hapin llogari kreditore në emrin tuaj. Në të njëjtën kohë, ua kthejnë drejtimin të gjitha dokumenteve që vijnë më pas për në kutinë e tyre postare. Shpenzojnë sa më shumë që munden dhe sa më shpejt që munden. Ju nuk do ta merrni vesh ç’po ngjet derisa të fillojnë të telefonojnë agjencitë e vjeljes së parave.Në ç’mënyrë i vjedhin këto informacione personale individë të tillë të paskrupull? Mjaft kollaj. Shpesh fillojnë duke mbledhur të dhëna personale që shumë njerëz i bëjnë të ditura zakonisht në kërkesat për kredi ose ua tregojnë personave që shesin me anë të telefonit. Disa mashtrues përdorin ‘rrëmimin në hedhurina’, pra, gërmojnë në koshin tuaj të plehrave për të gjetur dokumente bankare, të hipotekës ose të kredive. Të tjerë marrin nga kutitë tuaja postare postën që ka të bëjë me punët financiare. ‘Spiunët pas shpine’ janë vjedhës që përdorin aparate fotografike ose dylbi për t’i vëzhguar viktimat e tyre teksa shtypin numrat në bankat automatike (ATM-të) ose në telefonët publikë. Në disa vende mund të gjenden me lehtësi shumë të dhëna personale nëpër gjykata, në dokumente publike ose në Internet.
Vjedhin emrin tuaj të mirë
Pasi ka në dorë numrin tuaj të identifikimit, mashtruesi mund të ketë nevojë të marrë edhe të dhëna të tjera identifikuese të tilla, si: datën e lindjes, adresën dhe numrin e telefonit. Me këto të dhëna e ndoshta me një patentë të rreme ku ka vënë fotografinë e vet, vjedhësi mund të fillojë krimin. Do të kërkojë kredi të menjëhershme personalisht ose me anë të postës, duke u hequr si ju. Shpesh ai jep adresën e vet, duke thënë se është transferuar. Në nxitim e sipër për të dhënë kredinë, punonjësit e kredive nuk i kontrollojnë gjithmonë të dhënat ose adresat.
Kështu, pasi hap llogarinë e parë bankare, mashtruesi mund ta përdorë këtë llogari të re së bashku me të dhënat e tjera identifikuese për të rritur besueshmërinë e vet. Kjo e lehtëson edhe më tej mashtrimin. Tani vjedhësi ka mundësi të mira për t’u pasuruar dhe, në të njëjtën kohë, për të rrënuar besueshmërinë dhe emrin tuaj të mirë.
Ndreqja e këtij dëmi mund të jetë e vështirë, mund të hajë kohë dhe mund të jetë acaruese. Marí Frank, prokurore nga Kalifornia, e provoi sa e vështirë mund të jetë kjo, kur një mashtrues mblodhi në emrin e saj borxhe me vlerë rreth 100.000 dollarë. «M’u desh të shkruaja 90 letra dhe të harxhoja 500 orë duke punuar për të shfajësuar emrin tim,—thotë ajo.—Është një luftë për emrin e mirë dhe për qetësinë tënde mendore. . . . Pjesën dërrmuese të kohës ti nuk e di se kush po e bën këtë gjë dhe autorët e krimit nuk kapen kurrë.»
Çfarë të bëni?
Nëse jeni viktimë e një vjedhjeje identiteti, mund të ndërmerrni një sërë hapash. Para së gjithash, këshillohet t’u telefononi dhe të njoftoni sektorët kundër mashtrimit të agjencive të kredive që ndodhen në zonën tuaj. Pas kësaj bëni një deklaratë me shkrim dhe kërkoni që për të verifikuar kërkesat e ardhshme për kredi të vihen në lidhje me ju.
Më tej, bëni një denoncim në polici. Sigurohuni të merrni një kopje të padisë që ka policia, sepse mund t’ju duhet për të njoftuar kreditorët.
Duhet të njoftoni, gjithashtu, bankat dhe kompanitë e kartave të kreditit me të cilat keni lidhje. Edhe nëse hajduti përdor të dhëna të vjedhura për të bërë karta krediti të tjera, do të jeni më i sigurt nëse i nxirrni të reja të gjitha kartat e kreditit. Po ashtu, nëse janë sulmuar llogaria juaj rrjedhëse dhe kursimet, mund t’ju duhet të hapni llogari të reja. Veç kësaj, mund t’ju duhet të siguroni karta të reja ATM-je dhe numra të rinj personalë identifikimi.
A duket ndonjë zgjidhje në horizont?
Qeveritë, agjencitë për zbatimin e ligjit dhe institucionet kreditore po luftojnë me forcë për të gjetur mënyra që të pengojnë vjedhjen e identitetit. Në disa zona, janë miratuar projektligje që e shpallin këtë një krim të rëndë dhe që mbrojnë më mirë informacionet personale. Janë propozuar edhe masa të tjera të teknologjisë së lartë. Këtu përfshihen shenjat e gishtave të koduara në karta krediti, karta ATM-je që njohin shenjën e pëllëmbës a një zë të caktuar, karta të kompjuterizuara që mund të mbajnë të dhëna të tilla personale identifikuese, si grupi i gjakut e shenjat e gishtave dhe karta krediti me një shirit që nuk mund të hiqet, në të cilin vihet firma.
Veç këtyre metodave parandaluese të sofistikuara ka edhe gjëra praktike që mund të bëni për të ruajtur veten. (Shih kutinë «Si të mbroni veten nga vjedhja e identitetit?».) Duke i menduar gjërat që më parë dhe duke planifikuar me kujdes, mund të ndihmoni për ta zvogëluar rrezikun e vjedhjes së identitetit.
[Shënimi]
^ par. 3 Në shumë vende, shtetasve dhe banorëve të huaj me qëndrim të përhershëm u jepet një lloj numri identifikimi. Ky mund të përdoret jo vetëm për identifikim personal, por edhe për taksat dhe për kujdesin shëndetësor. Në Shtetet e Bashkuara, shtetasit marrin atë që quhet numër i sigurimit shoqëror. Termat që përdoren për këta numra identifikimi ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin.
[Kutia në faqen 21]
Si të mbroni veten nga vjedhja e identitetit?
● Jepeni numrin e identifikimit vetëm kur është krejt e nevojshme.
● Mos mbani me vete në çantë ose në kuletë më shumë karta krediti se ç’ju duhen dhe as kartën e identifikimit, certifikatën e lindjes ose pasaportën, përveçse kur është e nevojshme.
● Para se t’i hidhni në plehra kërkesat për karta krediti të miratuara kohë më parë, grisini. Bëni të njëjtën gjë me dokumentet e gjendjes bankare, faturat telefonike, vërtetimet e pagesës së kartave të kreditit e kështu me radhë.
● Mbajeni dorën si strehë kur përdorni një bankë automatike ose kur bëni telefonata të largëta me kartën tuaj telefonike. Diku afër mund të ketë ‘spiunë pas shpine’ me dylbi ose me një aparat fotografik.
● Siguroni një kuti postare me kyç për të zvogëluar rrezikun e vjedhjes së postës.
● Merrini vetë çeqet e reja në bankë, në vend që të pritni t’jua dërgojnë me postë.
● Mbani një listë a një fotokopje të të gjithë numrave të llogarive bankare të kartave të kreditit dhe ruajeni në një vend të sigurt.
● Mos jepni kurrë në telefon numrin e kartës së kreditit ose të dhëna të tjera personale, përveçse nëse keni një marrëdhënie të besuar tregtare me kompaninë dhe nëse e keni bërë ju telefonatën.
● Mësojeni përmendësh fjalëkalimin tuaj. Mos i mbani të shkruara fjalëkalimet në çantë ose në kuletë.
● Nëse është e mundur, merrni rregullisht një kopje të dokumentit të regjistrimit të kartave të kreditit.
● Siguroni që të hiqet emri juaj nga listat për reklama që përdorin agjencitë e regjistrimit të kartave të kreditit dhe ato që japin karta krediti.
[Figura në faqen 20]
‘Spiunët pas shpine’ vëzhgojnë viktimat e tyre teksa shtypin numrat në telefonët publikë ose në bankat automatike
[Figura në faqen 21]
‘Rrëmuesit e hedhurinave’ gërmojnë mes mbeturinave që të vjedhin informacione personale