Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Natyra e jashtëzakonshme e diellit tonë

Natyra e jashtëzakonshme e diellit tonë

Natyra e jashtëzakonshme e diellit tonë

NDËRKOHË që lexoni këtë artikull, dielli ose është lart në qiell, ose e dini se herët a vonë ka për të lindur. A është e rëndësishme kjo? Po, sepse pa rrezatimin e diellit triliona gjallesat e tokës—duke ju përfshirë edhe ju—nuk do të ishin këtu. Do të merrte fund larmia e jetës e shpërndarë ndër miliona lloje, që nga bakteriet njëqelizore e deri te balenat gjigante.

Është e vërtetë se vetëm rreth gjysmë e miliardta e energjisë që prodhon dielli arrin në planetin tonë. Sidoqoftë, edhe ato pak «thërrime» nga «tryeza» diellore mjaftojnë për të ushqyer dhe për të mbështetur jetën në tokë. Jo vetëm kaq, por sikur kjo «çurgë» e vockël që mbërrin këtu të shfrytëzohej me efektshmëri, mund të plotësonte fort mirë nevojat për energji të shoqërisë sonë moderne, duke lënë edhe energji rezervë.

Në shumicën e librave të astronomisë thuhet se dielli ynë është një yll i zakonshëm, «një objekt qiellor mjaft i rëndomtë». Por a është dielli nga çdo pikëpamje ‘një objekt qiellor i rëndomtë’? Giljermo Gonzalezi, astronom në Universitetin e Uashingtonit në Siatëll, ka hedhur idenë se dielli ynë është i jashtëzakonshëm. A duhet të ndikojë kjo gjë në kërkimin për të gjetur jetë në planete të tjerë? Gonzalezi përgjigjet: «Yjet që janë të përshtatshëm për të mbështetur jetën inteligjente janë më të paktë nga ç’mendojnë njerëzit.» Ai shton: «Nëse astronomët nuk e kufizojnë kërkimin tek yjet që janë po aq të jashtëzakonshëm sa Dielli, atëherë do të humbasin shumë nga koha e tyre.»

Cilat janë disa karakteristika që e bëjnë diellin tonë të përshtatshëm për të ushqyer jetën? Teksa shqyrtojmë këta faktorë, duhet të mbajmë në mend që shumë pohime rreth fizikës së universit kanë natyrë teorike.

Karakteristika magjepsëse

● Një yll i veçuar: Astronomët përllogaritin se 85 për qind e yjeve fqinje të diellit janë në grupe prej dy a më shumë yjesh që lëvizin në orbita rrotull njëri-tjetrit. Këto yje janë të lidhura së bashku me anë të forcave të rëndesës.

Dielli, ama, është një yll i veçuar. «Rasti i diellit si yll i veçuar duket, pra, se është disi i rrallë»,—shkruan astronomi Keneth Xh. H. Filips në librin e tij Guide to the Sun. Siç thotë Gonzalezi, kjo gjendje e diellit si i veçuar i jep tokës një orbitë më të qëndrueshme, e cila, nga ana e saj, krijon kushte që janë një ndihmesë për jetën në këtë glob.

● Një yll masiv: Një tjetër veçanti e diellit, sipas Gonzalezit, është se «ai bën pjesë ndër 10 për qind të yjeve më masive në zonën e tij fqinjë»,—thuhet në revistën New Scientist. Filipsi vëren: «Dielli përmban 99,87% të masës së sistemit diellor dhe, për rrjedhojë, kontrollon nga ana gravitacionale të gjithë trupat në sistemin diellor.»

Kjo karakteristikë bën të mundur që toka të jetë relativisht larg diellit—150 milionë kilometra—dhe, prapëseprapë, të mos shkëputet prej tij. Nga ana e saj, kjo largësi pak a shumë e madhe e mbron jetën në tokë që të mos zhuritet nga dielli.

● Elemente të rënda: Gonzalezi vëren se dielli ka 50 për qind më shumë elemente të rënda—karbon, azot, oksigjen, magnez, silic dhe hekur—sesa yjet e tjerë që janë të moshës dhe të llojit të tij. Në këtë drejtim, dielli ynë spikat mes shokëve të tij. «Dielli nuk ka një bollëk elementesh të rënda,—thotë Filipsi,—por disa yje . . . kanë sasi edhe më të pakta elementesh të rënda.» Në të vërtetë, yjet që kanë një sasi elementesh të rënda të përafërt me diellin i përkasin kategorisë së veçantë të quajtur yjet e Popullatës I.

Si lidhet kjo gjë me ekzistencën e jetës në tokë? E pra, elementet e rënda janë të domosdoshme për të mbështetur jetën. Por ato janë të rralla, duke qenë se përbëjnë më pak se 1 për qind të universit. Megjithatë, toka jonë përbëhet thuajse krejtësisht nga elemente të rënda. Përse? Sepse, siç thonë astronomët, toka sillet rrotull një ylli kaq të pazakontë—diellit tonë.

● Një orbitë më pak eliptike: Nga fakti që dielli është yll i Popullatës I vjen edhe një dobi tjetër. «Në përgjithësi yjet e Popullatës I lëvizin në orbita thuajse rrethore përreth qendrës së galaktikës»,—thuhet në librin Guide to the Sun. Orbita e diellit është më pak eliptike se ajo e yjeve të tjera që janë të moshës e të llojit të tij. Përse kjo gjë do të ndikonte në ekzistencën e jetës mbi tokë? Sepse fakti që orbita e diellit është rrethore nuk e lë diellin të zhytet në pjesën më të brendshme të galaktikës, ku ka me shumicë supernova (yje shpërthyese).

● Ndryshim në shkëlqim: Këtu shohim një fakt tjetër interesant në lidhje me yllin e sistemit tonë diellor. I krahasuar me yjet e ngjashëm, dielli ka shumë më pak ndryshime në shkëlqim. Me fjalë të tjera, ndriçimi i tij është më i qëndrueshëm dhe me më pak luhatje.

Ky prodhim relativisht i qëndrueshëm i dritës është vendimtar për jetën në tokë. «Vetë prania jonë në këtë planet,—thotë specialisti i historisë së shkencës, Karl Hufbauer,—është dëshmi se ndriçimi i diellit është një nga faktorët më të qëndrueshëm të mjedisit.»

● Pjerrësi e orbitës: Orbita e diellit është vetëm paksa e anuar kundrejt planit të galaktikës Udha e Qumështit. Kjo do të thotë se këndi ndërmjet planit të orbitës së diellit dhe planit të galaktikës sonë është shumë i vogël. Si ndihmon kjo gjë që mbi tokë të lulëzojë jeta?

Në pjesët më të largëta të sistemit tonë diellor, një rezervuar sferik i pafund kometash—i quajtur reja Ort—na rrethon. * Të mendojmë sikur pjerrësia e orbitës së diellit ndaj planit të galaktikës të ishte më e madhe. Atëherë dielli do të kryqëzohej në mënyrë të menjëhershme me planin e galaktikës sonë dhe kjo mund të shkaktonte trazira në renë Ort. Cila do të ishte pasoja? Siç thonë astronomët, toka do të bombardohej nga një shi katastrofik kometash.

Çfarë mund të na thonë eklipset e diellit?

Në sistemin tonë diellor gjenden të paktën 60 satelitë. Ata rrotullohen përreth shtatë prej nëntë planeteve të sistemit. Megjithatë, toka duket se është i vetmi planet në sistemin tonë diellor që gëzon shfaqjen e eklipseve të plota. Pse kështu?

Një eklips i diellit ndodh kur hëna vjen midis diellit dhe tokës. Për të pasur një mbivendosje të përsosur, duhet që madhësitë e dukshme të diellit dhe të hënës të jenë afërsisht njësoj, në mënyrë që hëna ta mbulojë gati plotësisht diellin. E tamam kështu ndodh! Ndonëse dielli e ka diametrin 400 herë më të madh se hëna, ai, gjithashtu, është afro 400 herë më larg tokës sesa hëna.

Por largësia e tokës nga dielli—e kështu edhe madhësia e dukshme e diellit—është më shumë sesa thjesht një faktor për të formuar një eklips të plotë. Është edhe një kusht thelbësor për të pasur jetë në tokë. «Sikur të ishim pak më afër ose pak më larg Diellit,—thotë Gonzalezi,—Toka do të ishte tepër e nxehtë ose tepër e ftohtë dhe, në këtë mënyrë, e pabanueshme.»

Ka edhe më. Madhësia e jashtëzakonshme e Hënës, satelitit të tokës, është një ndihmë për jetën në këtë planet, pasi tërheqja e saj gravitacionale nuk e lë tokën të rrotullohet tepër rreth boshtit të vet. Një rrotullim i tillë do të shkaktonte ndryshime të tmerrshme dhe katastrofike në klimë. Prandaj, për të pasur jetë në tokë, ajo që nevojitet është një gërshetim i përpiktë i largësisë së duhur ndërmjet diellit dhe tokës, si edhe një satelit me madhësinë e duhur—e kjo krahas gjithë faktorëve të tjerë të lidhur me natyrën e diellit. Ç’mundësi ka që e tërë kjo të jetë e rastësishme?

Një rastësi?

Ta zëmë se e çoni makinën tuaj te një specialist i kualifikuar dhe i aftë për të vënë në fazë motorin. Ai e kryen punën me kujdes e me zell dhe shihni që çdo gjë është në rregull. Si mendoni se do të reagojë ai, nëse më pas këmbëngulni që vënia e përpiktë në fazë e motorit të makinës u bë ashtu vetvetiu ose që ndodhi krejt rastësisht?

E njëjta pyetje mund të bëhet fare mirë për natyrën e jashtëzakonshme të diellit tonë. Disa shkencëtarë do të donin të besonit se përbërja e diellit tonë, orbita e tij, largësia e tij nga toka dhe karakteristikat e tjera të tij janë që të gjitha thjesht një rastësi fatlume. A është e arsyeshme kjo? A mendoni që është një përfundim logjik?

Ashtu si një automjet i vënë në fazë me mjeshtëri na thotë diçka për kualifikimin dhe për aftësitë e specialistit, edhe dielli ynë—një ndër trupat e tjerë qiellorë—na thotë diçka. Veçoritë e jashtëzakonshme të diellit, të cilat bëjnë të mundur të ketë jetë në tokë, përcjellin mesazhin e qartë se ky yll është puna e duarve të një Projektuesi dhe Krijuesi inteligjent e të fuqishëm. Apostulli Pavël e shprehu kështu këtë gjë: «Cilësitë e tij të padukshme shihen qartë qysh prej krijimit të botës, pasi dallohen nga gjërat e bëra, madje edhe fuqia e tij e përjetshme dhe Hyjnia e tij.»—Romakëve 1:20.

[Shënimi]

^ par. 17 Për më shumë të dhëna mbi renë Ort, shih Zgjohuni! të 22 korrikut 1999, faqja 26, anglisht.

[Diçitura në faqen 17]

Vetëm rreth gjysmë e miliardta e energjisë që prodhon dielli arrin në tokë

[Figura në faqen 16]

Shpërthimet diellore si ky nuk e kanë rrezikuar jetën në tokë

[Burimi]

Faqet 2, 15 dhe 16: foto e NASA-s

[Figura në faqen 17]

Një rastësi? Një harmonizim mes madhësisë së diellit dhe asaj të hënës krijon eklipse të mahnitshme

[Figura në faqen 18]

Sikur dielli të kishte një orbitë të ndryshme, tokën mund ta bombardonte një shi katastrofik kometash