Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një pamje e parajsës

Një pamje e parajsës

Një pamje e parajsës

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË SPANJË

ELEFANTËT, tigrat dhe gazelat zakonisht nuk enden përreth minierave të braktisura. Punimet minerare në sipërfaqe kanë namin që i lënë vraga peizazhit ose e bëjnë atë të shkretë, të papërshtatshëm si vendstrehim për kafshët ekzotike.

Por në Parkun Natyror Kabárseno në krahinën spanjolle të Kantabrisë, një eksperiment i pashoq ka treguar se edhe vendet aspak premtuese mund të zbukurohen e të shndërrohen thuajse në një parajsë.

Për afro 3.000 vjet, Kabárseno ishte e famshme për mineralet e hekurit me cilësi të lartë. Minatorët keltë zbuluan se oksidi i hekurit, që gjendej në mënyrë natyrore në atë zonë, mund të kthehej kollaj në hekur—një metal i domosdoshëm për veglat dhe armët e keltëve. Për mjaft shekuj, edhe romakët i shfrytëzuan rezervat minerale.

Meqë minerali gjendej afër sipërfaqes, minatorët e lashtë i nxorën me punë të palodhur rezervat e pasura kokrrizore, duke përdorur kazma e lopata. Lanë pas qindra kullëza shkëmbore të cilat nuk përmbanin fare mineral. Kështu, pa dashje, krijuan një peizazh të habitshëm karstik, që zakonisht e formojnë masive gëlqerore të dala në sipërfaqe, të cilat i gdhend uji, jo dora e njeriut.

Mirëpo, pasi filloi Revolucioni Industrial u përdorën makineri moderne për ta shembur atë që kishte ngelur nga mali, me qëllim që të merrej minerali i çmuar që kishte mbetur. Përfundimisht, pasi buldozerët kishin nxjerrë gjithë pasurinë minerale që mund të jepte mali, në vitin 1989 miniera i mbylli dyert. Vetëm disa makineri të ndryshkura në hyrje të Kabársenos dëshmojnë për trashëgiminë e saj industriale.

Nga peizazh hëne në peizazh të bukur

Pa dyshim, është më e lehtë ta shkatërrosh një peizazh, sesa ta ndreqësh. Pa u sprapsur, autoritetet lokale të Kantabrisë morën përsipër sfidën e krijimit të një parku zoologjik në një truall që ngjante më shumë si pamje nga Hëna.

Suksesi i tyre varej kryesisht nga aftësia natyrore që kishte toka për t’u vetërimëkëmbur po t’i jepej kohë e mjaftueshme që të pushonte. Veç kësaj, kopshtarët punuan shumë për të ndrequr dëmin e bërë nga shfrytëzimi dhe lënia pas dore për shekuj. Brenda pak vjetësh, u mbollën me mijëra pemë, u zëvendësua shtresa e sipërme e dheut, pellgjet e shëmtuara u shndërruan në liqene tërheqëse dhe rrugët e vjetra hekurudhore u bënë rrugë për kalimtarët. Së fundi, kafshë të zgjedhura posaçërisht u futën brenda hapësirave të mëdha të rrethuara, për t’i dhënë dorën e fundit shndërrimit.

Të 600.000 vizitorët e përvitshëm të Parkut Natyror Kabárseno janë, me sa duket, të mendimit se këto përpjekje ia vlejnë. Jo pak veta kanë thirrur të emocionuar: «Kjo është një parajsë!» Fjala «parajsë» është mjaft e përshtatshme, pasi persët dhe grekët e lashtë e përdornin atë kur flitnin për ndonjë park të madh, të ujitur bollshëm, me bukuri natyrore, ku kafshët mund të kullotnin në një liri relative.

Në një kohë kur kaq e kaq peizazhe janë rrënuar, është diçka freskuese të vizitosh një vend ku bukuria është rikthyer dhe është shtuar. Për më tepër, ajo që është arritur në një shkallë të vogël në Kabárseno ilustron më së miri aftësitë që ka toka jonë e mrekullueshme.

Arinj të murrmë ngjiten tani në shkëmbinjtë ku njëherë e një kohë gërmonin minatorët romakë. Elefantë dhe gazela ushqehen nëpër kullotat me bimësi të harlisur që kanë mbuluar si qilim një zonë dikur krejt të zhveshur nga ekskavatorët. Tigrat e vegjël luajnë si të marrë rrotull masiveve prej graniti që kanë skalitur pa dashje kazmat dhe lopatat kelte. E ky shndërrim u arrit brenda fare pak vjetësh!

Bibla premton se një ditë, në harmoni me qëllimin fillestar të Perëndisë për njerëzimin, e gjithë toka do të jetë parajsë. (Zanafilla 1:28; 2:15; Isaia 65:17, 22-25; Luka 23:42, 43) Parqet natyrore të tilla, si Kabárseno jo vetëm që na japin një pamje të asaj se si do të jetë kjo parajsë e ardhshme, por edhe na kujtojnë se Krijuesi ynë e ka plotësisht fuqinë ta përmbushë këtë premtim.

[Figura që zë gjithë faqen 23]

[Burimi i figurave në faqen 22]

Të gjitha fotografitë: Parque de la Naturaleza de Cabárceno