Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Mendja ndikon te zemra
Stresi mendor e shton rrezikun e një ataku të dytë në zemër, vërehet në buletinin Tufts University Health & Nutrition Letter, por megjithatë «ka gjithnjë e më shumë dëshmi se mendja luan rol edhe në zhvillimin e sëmundjeve të zemrës». Studime të kohëve të fundit tregojnë se «njerëzit që kanë prirjen të zemërohen janë thuajse tri herë më në rrezik se të tjerët që të pësojnë atak në zemër ose të vdesin nga ndonjë sëmundje e zemrës» dhe se «pasojat e armiqësisë duket që veprojnë relativisht herët në jetë». Stresi dëmton muskulin e zemrës dhe enët e gjakut që ushqejnë dhe rrethojnë zemrën. Depresioni mund ta rritë më shumë se 70 për qind rrezikun e një ataku në zemër a të ndonjë sëmundjeje tjetër të zemrës. Por, siç thonë studiuesit, kur një person ka shumë mbështetje shoqërore—familjen dhe miqtë—pasojat e depresionit mund të zvogëlohen.
Një zgjedhje që ngjall polemika
Në shtator 2000, papa Gjon Pavli II bëri bekimin e Piut IX (papë, 1846-1878). Në të përditshmen katolike La Croix, historiani francez Rëné Rémon përmendte se Piu IX mori «vendime që tronditën mendjen ungjillore, si për shembull, lejimi i ekzekutimit të patriotëve italianë të dënuar me vdekje, ngaqë kishin vënë në dyshim pushtetin e tij si kreu i shtetit». Duke e quajtur «monarku i fundit absolut i Evropës», gazeta Le Monde fliste për intolerancën e këtij pape-mbret dhe veçanërisht për luftën e tij kundër «lirisë së ndërgjegjes, të drejtave të njeriut dhe lirisë së judenjve». Në gazetë shtohej se Piu IX «dënoi demokracinë, lirinë e fesë dhe ndarjen e kishës nga shteti», si edhe «lirinë e shtypit, të mendimit dhe të shoqërimit». Ishte Piu IX ai që në vitin 1869 hapi këshillin e parë të Vatikanit, ku u përcaktua doktrina e pagabueshmërisë së papës në çështjet e besimit dhe të normave morale.
Gërmues të papërtuar
Bujqve kilianë u duhet të përballen me koruron, një brejtës i vogël i zi me gëzof, që gërmon galeri në shtresën e punueshme të tokës, të cilat janë deri në 600 metra të gjata. Kohët e fundit u bë një studim rrënjësor i sistemit mjaft të degëzuar të galerive. Dy zoologë, njëra nga Universiteti i Esenit, Gjermani, dhe një koleg i saj kilian, nxorën krejtësisht në dritë shtëpinë e një kolonie prej 26 kafshësh. Në dhomat e ushqimit gjetën 5.000 bulbe bimësh të ruajtura për stinën e thatë. Sistemi i galerive përfshinte, gjithashtu, dhomëza-fole të veshura përbrenda me bar dhe me qese plastike. Megjithatë, sado të lezetshme dhe mbresëlënëse që mund të jenë këto kafshë të vogla të zeza me dhëmbët prerës që spikatin, bujqit i shohin si qenie të bezdisshme. Bagëtitë shpesh përfundojnë me një këmbë të thyer kur ecin mbi ndonjë galeri dhe ajo shembet.
Ky bar i egër i mahnitshëm—radhiqja
Radhiqet «janë sharë gjithandej si armiku publik nr. një nga mbikëqyrësit e fushave të golfit dhe nga pronarët meraklinj të lëndinave» dhe, po ashtu, si «bari i egër që nuk çrrënjoset»,—thuhet në gazetën The News të Meksikos. Megjithatë, radhiqja «është një nga bimët më të mira për shëndetin» dhe mund të jetë ndihmesë e madhe për shëndetin dhe për dietën tuaj. E pasur me vitaminë A dhe me kalium, radhiqja është më e ushqyeshme se brokoli ose se spinaqi. Të gjitha pjesët e saj janë të dobishme. Gjethet e reja mund të përdoren si barishte për sallata ose pothuajse në çdo recetë që kërkon spinaq; rrënjët e thara e të pjekura për një pije të ngjashme me kafen dhe lulet për verë. Historikisht radhiqja është përdorur si bar përtëritës dhe pastrues për mëlçinë, si pastrues dhe fuqizues për gjakun dhe si diuretik i lehtë. Radhiqja është «një nga gjashtë barërat kryesore të kutisë kineze të ilaçeve»,—thuhet në The News. Dhe për ata njerëz që kanë një oborr me bar a që kanë pranë një kullotë, radhiqet nuk kushtojnë fare.
Shkrirja e Andeve
Në gazetën e Limës El Comercio vërehet se gjatë 67 viteve të fundit disa akullnaja në malet e Andeve në Peru janë zvogëluar me 850 deri në 1.500 metra. Sipas studimeve të glaciologut francez Antuan Erú, në pak më shumë se 20 vjet shkrirja e akullit ka krijuar mbi 70 liqene të
reja, disa nga të cilat ka të ngjarë të vërshojnë dhe të prishin digat e tyre natyrore. Pakësimi i akullnajave dhe i borës nënkupton pakësim të ujërave të ëmbla që përdoren në ferma, në projektet e ujitjes dhe në centralet hidroelektrike. Këto rezerva ujore janë edhe burimi kryesor i ujit të pijshëm për tri kryeqytete amerikano-latine: Limën në Peru, Kuiton në Ekuador dhe La Pazin në Bolivi. «A mund ta përfytyroni çfarë do të ndodhte sikur këto depozita bore dhe akulli të zhdukeshin?»—pyet El Comercio. Erú sugjeron se mes shkaqeve kryesore të këtij problemi janë ndryshimet klimatike që lidhen me dukurinë El Ninjo.«Sindroma e begatisë së papritur»
«Numri i milionerëve në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada është rritur thuajse 40% që nga viti 1997, duke arritur në 2,5 milionë»,—thuhet në gazetën e Kanadasë National Post. Në gazetë vërehej edhe se bota e teknologjisë së lartë po i pasuron së tepërmi mjaft të rinj. Megjithatë, sipas psikologut dr. Stiven Goldbart disa nuk e përballojnë dot begatinë e papritur. «Ajo mund t’u shkatërrojë jetën, mund t’u prishë familjen dhe mund t’i futë në rrugën e një sjelljeje rrënuese. Paratë nuk sjellin gjithmonë paqe dhe kënaqësi»,—tha Goldbart. Sipas disa psikologëve, bota e teknologjisë së lartë ka krijuar «një sëmundje të re: sindromën e begatisë së papritur», e cila shfaqet me depresion të rëndë, kriza paniku dhe pagjumësi. Siç thuhej në Post, «disa të sapopasuruar ndihen në faj që kanë aq shumë para dhe u duket se nuk kanë të drejtë ta kenë këtë pasuri ose që nuk e meritojnë». Të tjerë bëhen paranojakë dhe tremben se mos i shfrytëzojnë. Dr. Goldbarti këshillon që pasanikët e palumtur të përfshihen në jetën e zonës ku jetojnë e jo vetëm të shkruajnë çeqe për bamirësi.
Përdorim i tepruar i antibiotikëve
«Paralajmërimet e përsëritura nga punonjësit e shëndetësisë kundër përdorimit të tepruar të antibiotikëve po bien në vesh të shurdhër,—vërehet në revistën New Scientist.—Një anketë e bërë me 10.000 njerëz në nëntë shtete të SHBA-së zbuloi që 32 për qind besojnë ende se antibiotikët mund të kurojnë ftohjen, 27 për qind mendojnë se marrja e antibiotikëve gjatë një ftohjeje do të parandalojë sëmundje më të rënda dhe 48 për qind presin t’u jepet një recetë për antibiotikë, nëse vizitohen për simptoma të ftohjes.» Megjithatë, antibiotikët nuk veprojnë kundër infeksioneve virale të tilla, si ftohja. Ato veprojnë vetëm kundër infeksioneve bakteriale. Përdorimi i tepruar i antibiotikëve shihet si një nga shkaqet kryesore të sëmundjeve që u rezistojnë ilaçeve. (Shih Zgjohuni! të 22 dhjetorit 1998, faqja 28, anglisht.) Brajën Spati, nga Universiteti i Oksfordit, thotë: «Duhet të gjejmë një mënyrë më të mirë për të përçuar mesazhin e duhur.»
Insekti i jashtëzakonshëm i akujve
«Një nga fotografitë e para që do të botohet për një ‘insekt akujsh’ të rrallë dhe të vështirë për t’u identifikuar, i cili jeton në Malet Shkëmbore e në disa pjesë të Rusisë, do të dalë në librin e sapohartuar Manual i insekteve»,—thuhet në The Sunday Telegraph të Londrës. Ky zvarritës verior i shkëmbinjve, Grylloblatta campodeiformis, mbijeton në lartësi të mëdha duke u ushqyer me viktima të ngordhura dhe me pjesë insektesh që i sjell era. Insekti është në ngjyrë kafe të çelët dhe të verdhë, me antena të gjata, por pa krahë dhe insektet e vogla i ngjajnë disi një gërshërëze të parritur. I gjatë deri në 3 centimetra, ai bën pjesë në një rend insektesh të zbuluar më pak se 100 vjet më parë. «Është aq shumë i përshtatur me mjedisin e tij të acartë, sa do të ngordhte nga nxehtësia, po ta mbante në pëllëmbë një njeri»,—shpjegohet në gazetë. Dr. Xhorxh MekGavëni, nga Muzeu i Historisë së Natyrës i Universitetit të Oksfordit, autori i manualit, vëren se deri më tani nuk është identifikuar as një e pesta e insekteve të botës.
Pse ka kafeinë në pijet joalkoolike?
«Nëse kafeina nuk e përmirëson shijen e pijeve joalkoolike, për çfarë shërben?—pyet revista New Scientist.—Shkencëtarët në Universitetin Xhons Hopkins, në Baltimorë, zbuluan se vetëm 2 në 25 të rritur që pinë kola mund të dallonin shijen e një lloji me kafeinë nga ajo e një lloji pa kafeinë.» Megjithatë, 70 për qind e 15 miliardë kanaçeve me pije të gazuara që konsumuan amerikanët në vitin 1998 përmbanin kafeinë. Në një studim më të hershëm, psikofarmakologu Roland Grifiths dhe kolegët e tij «zbuluan dëshmi të simptomave të lënies së drogës te fëmijët që nuk u ishte dhënë sasia e zakonshme e pijeve joalkoolike të gazuara». Grifithsi thotë: «Shtohet një drogë që të bën paksa të varur, e cila, pa dyshim, është përgjegjëse për faktin që njerëzit pinë shumë më tepër pije të gazuara me kafeinë, sesa pa kafeinë.»