Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çerapunxhi—Një nga vendet më të lagështa në botë

Çerapunxhi—Një nga vendet më të lagështa në botë

Çerapunxhi—Një nga vendet më të lagështa në botë

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË INDI

NJË nga vendet më të lagështa në botë? Por, si ka mundësi? Mungesat e ujit janë mjaft të zakonshme këtu në Indi dhe shumicën e ditëve as që ke nevojë fare për çadër. Cilin vend të çuditshëm po përshkruajmë? Çerapunxhin—një qytet në Megalaja, shtet në verilindje të Indisë, në kufi me Bangladeshin. Megalaja është kaq e bukur, saqë është quajtur «Skocia e Lindjes». Vetë emri i saj do të thotë «shtëpia e reve». Po përse Çerapunxhi mbahet prej shumë kohësh si një nga vendet më të lagështa në botë? Le të bëjmë një udhëtim të shkurtër në këtë mrekulli natyrore që të ngjall kureshtje. *

E fillojmë udhëtimin tonë në Shilong, kryeqyteti i shtetit Megalaja. Pasi hipim në një autobus turistësh, udhëtojmë drejt jugut. Ndërsa kalojmë kodrat valëzuese dhe lëndinat e hapura, shohim para nesh retë që rrinë në pritje, duke na kujtuar në çast se emri Megalaja është me vend.

Rruga jonë ngjitet dhe gjarpëron përgjatë buzës së një lugine të thellë, të mbuluar me një qilim të dendur pemësh. Nga një lartësi e madhe bien ujëvara, duke ushqyer kështu lumin që vërshon përmes luginës. Kur autobusi ynë ndalon në Maudok, shohim shtëllunga resh të ulëta që lëvizin midis kodrave. Befas, ato fshehin një copë të tërë peizazhi nga sytë tanë dhe pastaj ngrihen po aq shpejt, duke e zbuluar sërish. Për një çast të vetëm, edhe ne gjendemi të mbështjellë nga masa e reve dhe humbasim në një shtresë të bardhë e të butë padukshmërie. Pas pak, ama, retë largohen tej si një vorbull dhe dielli ndriçon panoramën që të lë gojëhapur.

Çerapunxhi ndodhet 1.300 metra mbi nivelin e detit. Kur mbërrijmë në qytet, nuk na zënë sytë asnjë re shiu dhe asnjeri nuk mban çadër. Vetëm ne vizitorët jemi përgatitur për një shi me gjyma! Kur bie, pra, shiu?

Në zonat tropikale bien reshje të bollshme atëherë kur dielli bën të avullojë një vëllim i madh uji nga pjesët më të ngrohta të oqeaneve. Kur erërat plot lagështi që vijnë nga Oqeani Indian godasin shpatet jugore të maleve Himalaja dhe detyrohen të ngrihen lart, e zbrazin ngarkesën e tyre në formën e shirave të rrebeshtë. Rrafshnalta e Megalajës është një nga vendet kryesore që pret këto shira. Veç kësaj, duket se meqë gjatë ditës kjo zonë në një lartësi të madhe merr gjithë nxehtësinë e diellit tropikal, retë e shiut ngrihen dhe qëndrojnë pezull mbi rrafshnaltë derisa ajri ftohet me afrimin e mbrëmjes. Kjo mund të shpjegojë përse pjesa më e madhe e shiut bie natën.

Gjatë korrikut të vitit 1861, në Çerapunxhi ra një sasi e habitshme shiu prej 930 centimetrash. Gjithashtu, gjatë periudhës 12-mujore nga 1 gushti i 1860-ës deri më 31 korrik të 1861-it ranë 2.646 centimetra shi. Sot, mesatarisht, në Çerapunxhi bie shi 180 ditë në vit. Shirat janë më të bollshëm nga qershori deri në shtator. Duke qenë se pjesa më e madhe e shiut bie gjatë natës, turistët mund ta shijojnë vizitën e tyre pa u bërë qull nga ndonjë rrebesh.

Është vështirë ta besosh që me kaq shumë shira, ky rajon të ketë ndonjëherë mungesa uji. Megjithatë, kjo ndodh shpesh gjatë muajve të dimrit. Ku përfundojnë rrebeshet musonike? Për shkak të një shpyllëzimi me shtrirje të gjerë tamam jashtë Çerapunxhit, pjesa më e madhe e shirave të derdhen nga rrafshnalta e lartë, duke mbushur lumenjtë e rrafshinave. Këta lumenj rrjedhin kryesisht në brendësi të Bangladeshit. Ngritja e digave në përrenjtë dhe ndërtimi i rezervuareve janë projekte që po merren në shqyrtim. Por sipas mbretit të një fisi në Mausinrami, G. S. Mangiangut, nuk janë bërë «përpjekje serioze për të zgjidhur problemin e ujit».

Vizita në Çerapunxhi ka qenë pa dyshim emocionuese dhe informative. Çfarë peizazhi magjepsës shpalos ky vend! Po ashtu, këtu ka lule të mrekullueshme, ku përfshihen rreth 300 lloje orkidesh dhe një lloj unik, bima mishngrënëse Nepenthes kasiana. Për më tepër, ka një larmi të madhe kafshësh për t’u admiruar, si edhe shpella gëlqerore për t’i eksploruar dhe gurë të mëdhenj për t’i këqyrur. Korijet e gjera me portokalle në këtë zonë japin fryte plot lëng dhe, po ashtu, bëjnë të mundur prodhimin natyror të mjaltit të shijshëm të portokalleve. Të gjitha këto i presin vizitorët në Megalaja, «shtëpia e reve», dhe në Çerapunxhi, një nga vendet më të lagështa në botë.

[Shënimi]

^ par. 3 Në vende të tilla, si në malin Vajaleale në ishullin Kauai të Havait dhe në Mausinrami, një fshat rreth 16 kilometra larg Çerapunxhit, është regjistruar hera-herës një sasi mesatare reshjesh më e lartë sesa në Çerapunxhi.

[Harta në faqen 22]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

INDIA

Çerapunxhi

[Burimi]

Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.

[Figura në faqen 23]

Ujëvarat ushqejnë lumin që vërshon përmes luginës

[Figura në faqen 23]

Kjo lloj bime mishngrënëse është unike për këtë cep të tokës

[Burimi]

Fotografi nga Matthew Miller