Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është i mundur një riedukim i vërtetë?

A është i mundur një riedukim i vërtetë?

A është i mundur një riedukim i vërtetë?

«Askush nuk mund ta detyrojë një qenie tjetër njerëzore të rehabilitohet. Ndryshimi duhet të vijë nga brenda individit dhe duhet të jetë i vullnetshëm.»—VIVJEN STERN, BURGIMI NË BOTË—NJË MËKAT KUNDËR SË ARDHMES.

NJË çelës jetësor për një riedukim të vërtetë mes të burgosurve është pajisja me njohuri e ndryshimi i vlerave dhe i botëkuptimit. Pa dyshim, ka individë të sinqertë që po bëjnë përpjekje për t’i pajisur me njohuri dhe për t’i ndihmuar të burgosurit. Puna e mirë dhe altruiste e këtyre njerëzve çmohet me të vërtetë nga shumë të burgosur.

Disa njerëz do të argumentonin se sistemi i burgut si një i tërë nuk mund të reformohet dhe vështirë që të burgosurit të ndryshojnë në një mjedis të tillë. Ndërkohë që mund të jetë e vërtetë se thjesht burgimi nuk ngulit vlera të reja, mësimi biblik i ka ndihmuar disa që ta ndryshojnë jetën e tyre. Kjo tregon se një reformë në bazë individuale është e mundur.

Sot, me ndihmën e Biblës, disa të burgosur po bëjnë ndryshime që sjellin një mënyrë të mirë të menduari e të sjelluri. Në ç’mënyrë? Duke i vënë veshin këshillës biblike: «Mjaft u formuat sipas këtij sistemi, por transformohuni duke përtërirë mendjen tuaj, që të provoni për veten tuaj vullnetin e mirë, të pranueshëm e të përsosur të Perëndisë.» (Romakëve 12:2) Si arrihet kjo?

Roli i Biblës

Shumë njerëz mendojnë se feja mund të luajë një rol të rëndësishëm për t’i ndihmuar të burgosurit që të pendohen për veprat e tyre të mëparshme. Natyrisht, një problem bazë në këtë drejtim është se çdo ndryshim karakteri i arritur pas hekurave mund të zhduket kur i burgosuri lirohet. Lidhur me këtë, një i burgosur u shpreh në këtë mënyrë: «Shumë njerëz fillojnë të besojnë te Krishti në këtë vend—por kur dalin që këtej, e lënë Krishtin pas.»

Përvoja ka treguar se ndryshimi i vërtetë mund të ndodhë brenda, në mendjen dhe zemrën e kriminelit, dhe se baza duhet të jetë pendimi i sinqertë për shkeljet e së kaluarës. Një program arsimimi biblik mund ta ndihmojë një individ që të mësojë se çfarë ndien Perëndia për ligësinë dhe përse ajo është e gabuar. Kjo mund t’i japë arsye të forta për të mos dashur më që të vazhdojë në një rrugë të tillë.

Dëshmitarët e Jehovait po drejtojnë një program të tillë arsimimi biblik në një numër burgjesh përreth botës, dhe përfundimet kanë qenë të mrekullueshme. (Shih faqja 10) «Jemi ndihmuar të zbulojmë se çfarë thotë Bibla lidhur me qëllimin e jetës dhe bekimet që ruan e ardhmja për njerëzimin»,—u shpreh një i burgosur. Ai shtoi: «Është një arsimim i jashtëzakonshëm!» Një i burgosur tjetër vërejti: «Po marrim vendime të bazuara në këshillën e Perëndisë. . . . Shohim ndryshime te vetja. E dimë se cilat gjëra duhet të zënë vendin e parë në jetë.»

Natyrisht, nevoja për një riedukim shtrihet përtej mureve të burgut. Zgjidhja e vërtetë për krizën në burgje qëndron në zhdukjen e nevojës për burgje. Një nga të vërtetat e lavdishme biblike që ka prekur zemrën e kaq shumë të burgosurve shprehet në premtimin e Perëndisë: «Njerëzit e këqij do të shfarosen . . . Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.»—Psalmi 37:9, 29.

Kur kjo të ndodhë, standardet e Perëndisë që qëndrojnë më lart se çdo standard tjetër, do të përforcohen nga një qeveri e paprishshme që është ndërkohë e dashur dhe e qëndrueshme, pra, nga Mbretëria qiellore e Perëndisë nën Krishtin, qeveri për të cilën të krishterët janë mësuar të luten. (Mateu 6:10) Në atë botë të re, çdo banor do të ndryshojë duke mësuar ligjet e Perëndisë që janë më të larta se çdo ligj tjetër. Atëherë do të jetë e vërtetë, si kurrë më parë, se «vendi do të mbushet me njohurinë e Zotit, ashtu si ujërat mbulojnë detin». (Isaia 11:9) Cili do të jetë përfundimi? Banorët e botës së re që i binden ligjit «me të vërtetë do të gjejnë kënaqësinë e tyre të thellë në bollëkun e paqes».—Psalmi 37:11, BR.

[Kutia dhe figurat në faqen 10]

Hapet një dritare shprese

Për më shumë se 20 vjet, shërbëtorë vullnetarë Dëshmitarë të Jehovait kanë kryer një program të suksesshëm arsimimi me bazë biblike në burgun federal në Atlantë, Gjeorgji, SHBA Gjatë kësaj kohe, janë ndihmuar më shumë se 40 të burgosur për t’u bërë shërbëtorë të pagëzuar Dëshmitarë të Jehovait dhe më shumë se 90 të burgosur të tjerë kanë nxjerrë po ashtu dobi nga studimet e rregullta biblike.

Kohët e fundit Zgjohuni! foli me disa mësues të Biblës që kanë punuar në mënyrë altruiste në këtë burg.

Përse arsimimi biblik është kaq i efektshëm për t’i motivuar disa të burgosur që të ndryshojnë jetën e tyre?

Davidi: Shumë të burgosur janë njerëz të cilëve nuk u është treguar dashuri, madje dhe në fëmijëri. Prandaj, kur fillojnë të mësojnë se Perëndia i do, kur ia zbrazin zemrën në lutje e më pas shohin se u përgjigjet lutjeve të tyre, ai bëhet real për ta. Zemra e tyre motivohet që edhe ata ta duan Perëndinë.

Rei: Me një të burgosur që studiova kishin abuzuar kur ishte fëmijë. Kur e pyeta se çfarë e tërhiqte ndaj Jehovait, m’u përgjigj se ndërsa ju u mësoni të tjerëve të vërtetën biblike, zbuloni se Jehovai me të vërtetë të kupton. Kjo e bëri atë të burgosur që të donte të mësonte më shumë rreth personalitetit të këtij Perëndie të dashur.

Disa thonë se të burgosurit kapen pas fesë për motive të fshehta, që të ulin dënimin ose thjesht të kalojnë kohën. Çfarë të ka treguar ty përvoja jote?

Fredi: Kur të burgosurit vijnë në grupet e studimit, ne nuk nxitim sentimentalizmin e tyre. Thjesht, studiojmë Biblën me ta. Shpejt kuptojnë se do t’u mësohet për Biblën dhe se kjo është e gjitha që ne bëjmë. Disa kanë ardhur e më kanë kërkuar ndihmë për trajtimin e rasteve të tyre gjyqësore. Unë nuk diskutoj për këtë gjë me ta. Si përfundim, ata që vijnë në grupin e studimit dhe qëndrojnë atje për një periudhë të mirë kohe, duan me të vërtetë të mësojnë atë që thotë Bibla.

Nik: Një gjë që vërej është ndryshimi që bëjnë disa të burgosur gjatë kohës që janë në burg. Disa prej tyre janë bërë shërbëtorë të pagëzuar dhe kanë vuajtur shumë për shkak të të burgosurve të tjerë. Është diçka shumë e vështirë për ta. Nëse Bibla nuk do t’u kishte prekur zemrën, nuk do të mund të kishin qëndruar besnikë në rrethana të tilla.

Isriel: Në përgjithësi, janë njerëz me një dëshirë të thellë për të mësuar rreth Jehovait dhe këtë e shprehin në një mënyrë që të prek. Mund ta dallosh që kjo u vjen nga zemra.

Xho: Ata që bëhen të krishterë të vërtetë arrijnë të kuptojnë përse gjërat shkuan keq në jetën e tyre. Kuptojnë, gjithashtu, se ka shpresë për një ndryshim; një dritare shprese hapet para tyre. Tani mund të presin me të vërtetë përmbushjen e premtimeve të Jehovait për të ardhmen.

Përse vetëm sistemi i burgut nuk mund t’i ndryshojë kriminelët?

Xho: Qëllimi i sistemit penal nuk është që t’i rehabilitojë, por që t’i mbajë të ndarë kriminelët nga pjesa tjetër e shoqërisë. Ky është thelbi i problemit, prirja mendore e sistemit të burgut ndaj këtyre njerëzve.

Henri: Është e pamundur që sistemi i burgut të ndryshojë zemrën e të burgosurve. Shumica e këtyre njerëzve do t’i përsëritin krimet e tyre kur të dalin nga burgu.

[Figura në faqet 8, 9]

Me dhjetëra të burgosur janë ndihmuar të mësojnë të vërtetën që gjendet në Bibël