Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A mund ta shpëtojmë pemën-shandan?

A mund ta shpëtojmë pemën-shandan?

A mund ta shpëtojmë pemën-shandan?

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BRAZIL

NJËHERË e një kohë, Brazili Jugor ishte i mbuluar me pisha. Ngjashmëria me shandanin i dha njërit prej llojeve të pishave emrin «pema-shandan». Ai njihet, gjithashtu, si pisha e Paranës dhe si pisha braziliane.

Boçet që varen nga pema-shandan janë më të mëdha se grejpfrutat dhe disa peshojnë pesë kilogramë. Një boçe mund të ketë deri në 150 fara që në portugalisht quhen piniois. Kur është e pjekur, boçja çahet me një kërcitje të fortë dhe farat derdhen jashtë.

Njerëzit, zogjtë dhe kafshët i hanë këto fara, të cilat kanë aromën dhe shijen e gështenjave. Dikur piniois—një burim i mirë proteinash dhe kalciumi—përbënin ushqimin bazë të disa fiseve vendëse në Brazilin Jugor. Farat përdoren ende sot. Për shembull, në shtetin Santa-Katarina të Brazilit, ato janë pjesë e gatimeve tradicionale të zonës, siç është pasoka di piniau (piniois të shtypura).

Kohët e bukura për pemën-shandan filluan të perëndonin kur, në shekullin e 18-të, kolonizatorët evropianë panë që ajo mund të siguronte mjaft lëndë druri. Nuk kaloi shumë dhe pemët-shandan priteshin për të ndërtuar shtëpi ose thjesht hiqeshin që të hapej vend për fusha me misër dhe për vreshta. Me kalimin e kohës, priteshin më shumë pemë nga ç’mbilleshin. Tani kanë ngelur vetëm disa copëza pyjesh të shpërndara andej-këtej. Për pasojë, vlera e pemës-shandan ka kapur majat. «Pisha nuk është më dru,—vërejti një burrë që ka përpunuar për 50 vjet lëndë druri të pemës-shandan.—Është ar.»

Studiuesit thonë se po të mos qe grifsha e kaltër, pema-shandan do të ishte zhdukur. Ky zog i palodhur ushqehet me fara të pemës-shandan, duke i ruajtur disa brenda në myshk dhe në fiere të thara. Më pas, një numër prej këtyre farave mbijnë. Në njëfarë kuptimi, pra, grifsha e kaltër është një mbjellëse shumë e zënë me punë e pemës-shandan. Por, mjerisht, numri i grifshave të kaltra po zvogëlohet, për shkak të shkatërrimit të pyjeve të pishave.

Disa kompani që merren me prerjen dhe transportimin e drurëve kanë filluar të ruajnë tani zona të vogla pyjesh dhe, gjithashtu, të rimbjellin pemë-shandan në disa pjesë të Brazilit Jugor. Ndoshta kjo do të thotë që kohët e bukura për pemën-shandan do të lindin sërish.

[Figurat në faqen 11]

Çdo boçe ka deri në 150 «piniois»

[Burimi]

Pemë dhe boçe: Marcos Castelani