Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
A të mësojmë histori fetare?
Në një anketë të kohëve të fundit, të drejtuar nga gazeta Le Monde dhe revista Notre Histoire, vetëm 57 për qind e francezëve deklaruan se pranonin të kishin në shkollat shtetërore një lëndë për historinë fetare. «Në mënyrë të pazakontë numri i kundërshtarëve po rritet,—pohon Notre Histoire.—Kjo është tregues i prozelitizmit ose i konceptit për një shkollë nga e cila feja duhet përjashtuar plotësisht.» Paradoksi është se shumica dërrmuese e njerëzve besojnë se lëndë të tilla do të nxitnin tolerancën ndërmjet nxënësve. Sipas anketës, islamizmi, me katër milionë përkrahës, tani është feja e dytë kryesore në Francë pas katolicizmit, kurse protestantët, judenjtë, budistët, të krisherët ortodoksë dhe Dëshmitarët e Jehovait janë, gjithashtu, pjesë e «peizazhit të larmishëm fetar» të këtij vendi.
Përhapja e sëmundjeve ngjitëse
«Sëmundjet ngjitëse mund të kalojnë nga një njeri te një tjetër me anë të veprimeve kaq të thjeshta, si hapja e rubinetit ose ngritja e telefonit»,—thuhet në The Guardian e Londrës. Shkencëtarët e universitetit të Arizonës, në Tuson, SHBA, thanë se një njeri me një të ftohtë të rëndë, i cili shfryn hundët dhe hap një rubinet, mund të lërë «më shumë se 1.000 viruse mbi dorezë». Shumë nga këto viruse mund ta infektonin personin tjetër që prekte rubinetin, sidomos nëse më pas prekte me dorë gojën, hundën ose sytë. Disa prova të bëra me një bakter dhe me një virus bakterial treguan se «me anë të dorezës së telefonit kalonin 39% të bakterieve dhe 66% të viruseve, në një kohë që me anë të rubinetit kalonin 28% e bakterieve dhe 34% e viruseve». Duke prekur me një gisht të infektuar buzën e poshtme mund të kalojnë më shumë se një e treta e këtyre patogjenëve. Sëmundjet që shkaktohen nga reoviruset dhe diarrea që shkaktohet nga salmonela, në këtë mënyrë, mund të merren me lehtësi nga duart e palara.
Zgjidhja për epideminë e karkalecave
«Një ushtri prej 700.000 rosash dhe pulash të stërvitura në mënyrë të veçantë janë mobilizuar për të luftuar epideminë më të madhe të karkalecave në Kinë në 25 vjet»,—raporton The Daily Telegraph e Londrës. Në verën e vitit 2000, mizëritë e karkalecave shkatërruan 1,6 milionë hektar të mbjella bujqësore në veri dhe në lindje të vendit dhe 3,9 milionë hektar kullotë në perëndim, në Shinjangun e largët. Rosat dhe pulat janë stërvitur për të ndjekur dhe për të ngrënë insektet, me një të rënë bilbili. Zhao Sinku, kryetari i Zyrës për mbajtjen nën kontroll të karkalecave dhe minjve në Shinjang, ku stërviten dhe përdoren rosat dhe pulat, shpjegon: «Fermerët e dinin se pulave u pëlqente të hanin karkaleca, kështu ne bëmë disa prova [dhe] pamë që rosat mund të hanë më shumë se pulat [deri në 400 karkaleca çdo ditë], që janë më rezistente se pulat në kohë të keqe dhe se shqiponjat e nuselalat nuk i hanë dot. . . . I lëshojmë ato në kullotë, i biem bilbilit dhe ato hanë karkalecat.» Rosat dhe pulat janë pjesë e një programi që përfshin aeroplanë për spërkatjen e të mbjellave dhe mikroorganizma që vrasin karkalecat.
Gjumi nuk është një luks
«Të paktën një e katërta e afrikanojugorëve janë duke punuar me gjysmën e potencialit të tyre, për shkak të mungesës ose çrregullimeve të gjumit»,—thuhet në gazetën e Afrikës së Jugut The Natal Witness. Sipas një studiuesi për çështjen e gjumit, dr Xhejms Mas, gjumi e ndihmon trurin për t’u riushqyer me neurotransmetues jetësorë, kështu që një gjumë i mjaftueshëm është i domosdoshëm për të pasur një kujtesë të mirë, aftësi krijuese, për të zgjidhur problemet dhe për të mësuar. Pasojat e gjumit të pamjaftueshëm janë: depresioni, acarimi, ankthi, rënia e ndjenjës së humorit dhe e marrëdhënieve shoqërore, pakësimi i aftësisë për t’u përqendruar dhe për të kujtuar, ulja e aftësisë për të komunikuar dhe për të marrë vendime, ekspozimi më i madh ndaj rrezikut dhe zvogëlimi i prodhueshmërisë dhe ulja e cilësisë së jetës. Njerëzit që flenë pesë orë ose më pak se kaq pakësojnë, gjithashtu, aftësinë për t’u bërë ballë viruseve. «Për të pasur prodhueshmëri maksimale,—thotë Masi,—duhet të investojmë për gjumin një të tretën e jetës, që do të thotë një mesatare prej tetë orësh çdo natë.»
Koralet e deteve të thella
«Në ujërat e thella, të errëta, e të ftohta të Evropës Veriore janë
zbuluar shkëmbinj nënujorë koralorë—shkëmbinj me tërë bollëkun dhe shumëllojshmërinë e jetës detare që karakterizon ekuivalentin e tyre tropikal»,—raporton National Post e Kanadasë. Koralet numërojnë qindra lloje, përfshirë sfungjerët, erashkat e detit dhe «llojet e shumta të krimbave të detit, mjaft nga të cilat shkencëtarët nuk i kanë përshkruar kurrë». Kafshë të vogla e të shumta u gjetën në mostrat e sedimenteve që u morrën nga shtrati i detit, «rreth gjysma e së cilave ishin të panjohura për shkencën»,—thotë Aleks Roxhersi nga Qendra Oqeanografike e Universitetit të Sauthemptënit, në Mbretërinë e Bashkuar. «Njerëzit duhet t’i mbrojnë këta shkëmbinj nënujorë, jo edhe aq për vetë koralet—pasi ato gjenden edhe gjetkë në koloni të veçuara—por për habitatin e krijesave të tjera që jetojnë atje.» Ky studiues ka përllogaritur se rreth 900 lloje jetojnë mes koraleve. Mendohet, gjithashtu, se koralet janë habitati për «peshqit e vegjël të disa llojeve që tregtohen shumë»,—thuhet në gazetë.Familjet britanike po shkatërrohen
Britania ka përqindjen më të lartë të divorceve në Evropë dhe një përqindje edhe më të madhe në ndarjen e çifteve që bashkëjetojnë. Në artikullin «Çmimi i shkatërrimit të familjes», raport rreth një studimi të autorizuar nga qeveria, paralajmërohet: «Shkaku kryesor i keqësimit të mirëqenies së fëmijëve është shkatërrimi i familjeve,në mënyrë të veçantë prishja e bërthamës familjare.» Pasojat e menjëhershme u kushtojnë taksapaguesve britanikë një mesatare prej 11 paund [15 dollarë] çdo javë, ndërsa pasojat indirekte përfshijnë shtëpi shtesë për familjet e ndara dhe si rrjedhim dëmtimin e mjedisit rrethues. Duke mos pasur si qëllim të bëjë moral, në artikull autori thotë: «Ne besojmë se përgjatë shekujve është vërtetuar që martesa siguron një themel të fortë për të rritur fëmijët dhe për një shoqëri të qëndrueshme.»
Elefantë adoleshentë kriminelë
Elefantë të vegjël meshkuj janë përgjegjës për 36 vdekje të regjistruara rinoqerontësh që nga viti 1991, në parkun Hluhluve-Umfolozi në Afrikën e Jugut, sipas një artikulli të African Wildlife me titull «Spare the Trunk, Spoil the Child» (Kurse feçkën, dëmto fëmijën). Del se adoleshentët me agresivitet jonormal janë vendosur në Parkun Kombëtar Kruger. Dhe kjo nga praktika që ndiqet për të pakësuar numrin e elefantëve, duke vrarë disa prej tyre. Këta elefantë kanë arritur nxitjen seksuale shumë vite më përpara se zakonisht. Kërkuesit besojnë se mungesa e një hierarkie normale të elefantëve është përgjegjëse për sjelljen e tyre të çoroditur. Ja përse nga Parku Kombëtar Kruger janë sjellë dhjetë elefantë meshkuj të rritur, për të disiplinuar të rinjtë agresivë. Një rezervat tjetër natyror, në të cilin ky program u ndërfut në vitin 1998, deri tani nuk ka raportuar më vdekje rinoqerontësh.
Ushtria prej balte e Kinës nën sulm
«Një nga gjërat më të famshme të Kinës që tërheq turistët, ushtria 2.200-vjeçare prej balte, po përballet me një armik të ri»,—raporton The Guardian e Londrës. Dyzet lloje kërpudhash kanë sulmuar më shumë se 1.400 nga më tepër se 8.000 ushtarët me madhësi natyrore, harkëtarët dhe kuajt e zbuluar afër varrit perandorak të perandorit kinez Çin Shihuang, jashtë Sianit, kryeqytetit të lashtë të vendit. Ky koleksion i mrekullueshëm, i cili u zbulua në fillim në vitin 1974 dhe që tani gjendet në një dhomë të nëndheshme, kërcënohet nga rreziku. Dhe kjo sepse «frymëmarrja dhe nxehtësia e trupit e rreth 4.300 vizitorëve çdo ditë po e gërryen atë që ka mbetur nga pigmentimi dikur i shndritshëm i statujave»—thotë The Times e Londrës. Për të penguar përhapjen e mykut në të gjitha skulpturat, autoritetet e qytetit Sian kanë kërkuar ndihmën e një kompanie belge, e cila është e specializuar për eleminimin e kërpudhave.
Dimri—mik apo armik?
Buletini mjekësor gjerman Apotheken Umschau raporton se një mot i ftohtë dhe me lagështirë nuk mund të jetë medoemos i dëmshëm për shëndetin tuaj. Përkundrazi, sipas dr. Anzhela Shuh, klimatologjiste mjekësore, shëtitjet e rregullta në një mot dimri mund të ndihmojnë punën e zemrës dhe qarkullimin e gjakut e mund të forcojnë të gjithë trupin. Ndoshta qëndrimi në dhoma të nxehta mund të bëjë që trupi të humbasë aftësinë e tij për të reaguar në mënyrën e duhur ndaj ndryshimeve të temperaturës. Mendohet se kjo mund të rritë prirjen për t’u prekur nga infeksionet, lodhja dhe dhembja e kokës. Por një trup i forcuar nga ushtrime të rregullta në një mot të «keq» mund të bëhet më pak i ndjeshëm ndaj të ftohtit dhe mund të rritë rezistencën e tij.