Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Madhështia nëntokësore e Shpellave Karlsbad

Madhështia nëntokësore e Shpellave Karlsbad

Madhështia nëntokësore e Shpellave Karlsbad

Errësirë e plotë dhe qetësi absolute. Kjo është ajo që gjetëm thellë brenda guvave të Parkut Kombëtar të Shpellave Karlsbad në Nju-Meksiko, SHBA. Kur hymë në shpella, pyetëm veten: Si u formuan këto shpella? Me sa shtrirje të gjerë janë? Cilat veçori të pazakonshme gjenden të fshehura brenda tyre? A janë të sigurta për t’u eksploruar?

PËRPARA se të vizitonim shpellat, grupi ynë i vogël u kënaq duke fushuar dhe duke bërë ekskursion nëpër Parkun Kombëtar të Maleve Guadalupe në jugperëndim të Teksasit. Kur po ngjiteshim në majën Guadalupe, pika më e lartë e Teksasit me 2.666 metra, na zunë sytë disa fosile që rrethonin shkëmbinjtë përgjatë shtegut. Sipas gjeologëve, këto fosile sigurojnë një çelës për prejardhjen e shpellave Karlsbad. Si është e mundur?

Me sa duket, kohë më parë, këtu harliseshin alga, sfungjerë dhe molusqe. E gjithë zona ishte një det i ngrohtë i brendshëm. Korali, shtylla kryesore e shkëmbinjve nënujorë të sotëm, ishte relativisht i rrallë. Disa nga gjallesat më të pazakonta detare përfshinin trilobite dhe amonoide që tashmë janë zhdukur. Shumë nga amonoidet jetonin brenda guaskave me dhomë të madhe dhe spirale, që i ngjan asaj të kërmijve të sotëm të detit. Ishim të emocionuar kur pamë përgjatë shtegut një nga këto guaska të ngulur në shkëmb.

Me sa duket, shkëmbinjtë gëlqerorë rriteshin ndërkohë që mbetjet fosile të gjallesave detare dhe copëza të tjera grumbulloheshin dhe forcoheshin së bashku. Për shkak të rënies së fundit të detit, tërësia e shkëmbinjve u trash në më shumë se 500 metra. Me kalimin e kohës, deti u tërhoq dhe shkëmbinjtë u varrosën thellë nga sedimentet. Shumë kohë më vonë toka u ngrit, sedimentet u gërryen dhe shkëmbinjtë u shfaqën si male. Megjithatë, në ç’mënyrë kjo dalje në sipërfaqe luajti një rol të rëndësishëm për formimin e shpellave Karlsbad?

Gaz, ujë, ajër dhe acid

Kur kalon përmes ajrit dhe tokës, uji i shiut ngarkohet paksa me acid karbonik. Ky acid i dobët, me sa duket, është përgjegjës për formimin e shumicës së shpellave gëlqerore të botës. Megjithatë, sipas gjeologes Karol Hill një acid shumë më i fortë ka gërryer shpellat e Maleve Guadalupe.

Hilli sugjeron se gazi i pasur me squfur formohej në shkëmbinjtë me rezervuar nafte poshtë shkëmbinjve gëlqerorë. Kur shkëmbi filloi të ngrihet, gazi depërtoi në shkëmbinj dhe veproi me ajrin dhe me ujin nëntokësor të ëmbël e të pasur me oksigjen për të formuar acid sulfurik. Ky acid i fortë ishte në gjendje të shpërbënte sasi të mëdha shkëmbinjsh gëlqerorë.

Ndërsa malet ngriheshin dhe thellësitë e ujrave nëntokësorë binin, gërryerja e shpellave thellohej gradualisht. Në shpellat Karlsbad boshllëqet e mëdha dhe çarjet e zgjeruara ndërthureshin duke formuar një labirint të stërmadh. Janë hedhur në hartë rreth 37 kilometra rrugë kalimi. Por ato nuk janë të vetmet dhoma nëntokësore në këto male. Ka qindra të tjera. Më e madhja që njihet është shpella Leçugija, e cila ka më shumë se 160 kilometra kalime të njohura.

Zbukurimet e shpellave

Kur hymë për herë të parë në shpellat Karlsbad i hipëm një ashensori, i cili zbriti 225 metra nën tokë dhe ne arritëm afër Dhomës së Madhe. Kjo e çarë e madhe shtrihet rreth 6 hektarë. Në vende të caktuara tavanet ngrihen madhështor më shumë se 30 metra mbi dysheme. Por gjëja që na magjepsi më shumë ishin zbukurimet e shumta natyrore të shpellës, që i ndeshnim në çdo hap, të ndriçuara nga drita të fshehura.

Këto zbukurime zhvillohen kudo ku uji që hyn në shpellë avullon, duke bërë që gëlqerja brenda ujit të depozitohet. Atje uji ka pikuar vazhdimisht në të njëjtat vende në tavanin e shpellës, prandaj poshtë janë formuar kanale prej disa metrash të holla e të zbrazëta. Këta tubtha uji të gazuar, siç quhen, së fundi mund të bllokohen dhe të formojnë stalaktite në formë akulli. Gjithashtu, duke u varur poshtë disa tavaneve të pjerrëta, stalaktitet që përngjajnë me perde të valëzuara ia shtojnë pamjen ngjashëm një teatri disa dhomave të shpellës.

Aty ku uji pikon në dysheme mund të formohen dhe rriten shtylla për nga lart. Këto stalagmite së fundi mund të lidhen me tavanin, ndoshta duke u bashkuar me një stalaktit për të formuar një kolonë. Disa stalagmite në Sallonin e Gjigantëve janë rritur në lartësi më shumë se 18 metra. Nëse uji që pikon bie në gropa të vogla, pjesë të vogla shkëmbinjsh mund të vishen në mënyrë të njëtrajtshme me gëlqerorë të lëmuar, duke formuar për rrjedhim margaritarë vezullues shpellash. Madje, në disa raste janë zhvilluar zbukurimet më ekzotike. Këto përfshijnë tufa kristalesh të hijshme me majë gjilpëre, si edhe tunele dredha-dredha ngjashëm krimbave, të njohura si heliktite, të cilat zhvillohen në drejtime nga më të ndryshmet.

Duke ua ngulur sytë stalaktiteve të shumta e të mëdha sipër nesh, pyetnim veten nëse do të kishte ndonjë rrezik që ato të binin. Udhërrëfyesi ynë na qetësoi duke na thënë se këto zbukurime shpellash rallëherë bien. Shpresonim që të ishte kështu gjatë vizitës tonë!

Mjedisi i shpellave

Pasi gëzuam një vakt në sipërfaqe, zbritëm në shpella përmes hyrjes së tyre natyrore—një zgavre të gjerë. Pikturat mbi shkëmb të punuara nga indianët e hershëm të Amerikës zbukurojnë murin e hyrjes.

Pasi hymë, ndiem erën e plehut të lakuriqit të natës. Mësuam se duke filluar rreth një shekull më parë, ky pleh nxirrej nga toka për t’u përdorur në bujqësi. Më vonë një sistem me kovë dhe litar, i cili përdorej për të nxjerrë plehun, u bë mjeti i parë për të futur dhe për të nxjerrë turistët nga shpellat. Plehu gjendet në një kalim anësor, i njohur si Shpella e Lakuriqëve të Natës, shtëpia verore e një milion lakuriqëve të natës. Kur bie muzgu ata ngjiten me mijëra si shigjetë jashtë hyrjes së shpellës.

Rojtarët e parkut na shpjeguan se shpellat janë shumë të brishta. Njerëzit që i vizitojnë dhe që hyjnë në shpella mund t’i dëmtojnë ose t’i ndotin me lehtësi ato. Për shembull, vetëm duke prekur zbukurimet e shpellës mund të lihen vajra mbi sipërfaqet e tyre, duke penguar vazhdimin e rritjes dhe duke shkaktuar çngjyrosje. Për këtë arsye qëndruam në shtigjet e caktuara, duke shmangur prekjen e formacionit të shpellës.

Pasi u larguam nga kjo mrekulli e fshehur piktoreske, menduam të ktheheshim për t’i parë më mirë shpellat. Do të kishim dëshirë për të parë fluturimin e lakuriqëve të natës—ata i kanë shijuar shpellat shumë më tepër se vizitorët njerëz. Megjithatë, janë njerëzit ata që largohen nga shpellat me një ndjenjë përmallimi që zgjat për një kohë të gjatë.—Nga një bashkëpunëtor.

[Figura në faqen 26]

Sipër: Stalaktite si llambadarë

[Figura në faqen 26]

Poshtë: Duke vizituar Dhomën e Madhe

[Burimi]

© Russ Finley/Finley-Holiday Films

[Burimi i figurës në faqen 25]

© Russ Finley/Finley-Holiday Films

[Burimi i figurës në faqen 26]

© Russ Finley/Finley-Holiday Films