Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Dobësia Artikulli «Të rinjtë pyesin . . . Përse jam kaq i dobët?» ishte me shumë interes për mua. (22 shtator 2000, anglisht) Jam një grua 32 vjeçe, por gjithmonë kam qenë tepër e dobët dhe më vinte shumë turp më pamjen time. Më kanë vënë në lojë gjatë gjithë jetës, duke më quajtur fijeshkrepëse dhe këmbëzog. Shpesh kjo gjë më dëshpëronte. Më pëlqen kur thoni se duhet të kërkojmë ata njerëz që na vlerësojnë për atë që jemi brenda. Të krishterët nuk duhet t’i përçmojnë të tjerët për shkak të veçorive fizike.
W. L., Shtetet e Bashkuara
Inxhinieria gjenetike Mbrëmë lexova serinë e artikujve: «A do të krijojë shkenca një shoqëri të përsosur?» (22 shtator 2000, anglisht) E mora me vete në punë dhe si pasojë zhvillova një bisedë shumë të mirë me shefin tim që është mjek. Ilustrimet nxitnin me të vërtetë arsyetimin dhe vlerësimin. Faleminderit për kohën, përpjekjet dhe punën mendore që patjetër keni shpenzuar për secilin ilustrim.
N. M., Shtetet e Bashkuara
Faleminderit që e kishit shpjeguar një çështje shumë të ndërlikuar në një mënyrë që të gjithë mund ta kuptonin. Kur shkencëtarët vendosin kë mund të riprodhojnë dhe cili është «i papërshtatshëm», pyes veten nëse mbajnë parasysh tipare të tilla, si: dashuria, dhembshuria dhe vlerësimi për gjërat frymore. Një inteligjencë më e madhe ose një shëndet më i mirë nuk do të thotë medoemos një person më i mirë. Megjithatë, kisha një pyetje: Pse të qenët mëngjarash është quajtur një çrregullim?
Xh. Ç., Shtetet e Bashkuara
Pohimi në fjalë ishte një citim nga libri «The Biotech Century». Fjala «çrregullim» ishte në thonjëza, duke treguar se autori e përdorte atë në mënyrë ironike. Pohimi thekson disa nga problemet etike që paraqet inxhinieria gjenetike. Me fuqinë për të ndryshuar kodin gjenetik njerëzor lind rreziku që disa mund të deklarojnë në mënyrë arbitrare se tipare si ngjyra e lëkurës ose të qenët mëngjarash janë të padëshirueshme.—BOT.
Edhe pse shkenca nuk është argumenti im i preferuar, këta artikuj më prekën zemrën. Eugjenetika merret me njerëz të papërsosur që kërkojnë përsosmëri. Po qe se ndonjëherë do të realizojnë atë që kanë ndër mend, të sëmurët dhe të paaftët ka mundësi që të shihen si «inferiorë». Empatia për njerëz të tillë do të zhdukej. Në kontrast me këtë Perëndia premton se do ta çojë njeriun në përsosmëri gjatë Mijëvjeçarit. (Zbulesa 20:4,5) Por ai do ta bëjë këtë pa cënuar vullnetin tonë të lirë.
S. O., Japoni
Universi Faleminderit shumë për serinë «Universi: A u formua rastësisht?» (tetor 2000) Jam një student në vitin e parë për biologji dhe artikujt i lexova si një libër mësimor, por që fliste për një Krijues inteligjent në vend që të fliste rreth teorisë së evolucionit. Sa freskuese ishte të merrje këtë informacion të paraqitur në një mënyrë të besueshme dhe të arsyeshme!
K. L., Shtetet e Bashkuara
Jetëshkrim Artikulli «Meraku im kryesor: Të qëndroja besnik» (tetor 2000), historia e Aleksei Davidjukut, më dha shumë zemër. Aleksei shpjegoi se dikush të cilit i kishte besuar vite me radhë tradhtoi vëllezërit e tij frymorë. E njëjta gjë më ndodhi vite më parë kur vepra jonë e krishterë ishte nën ndalim nga shteti. Dy «pleq» i dhanë hollësi për veprën tonë policisë sekrete. Si rrjedhim, ne u arrestuam dhe u morëm në pyetje. Një nga këta të ashtuquajtur vëllezër ka kohë që ka vdekur. Tjetri u përjashtua nga kongregacioni. Megjithatë, pak kohë më parë u rivendos përsëri. Sa mirënjohës i jam Jehovait që tani kam mundësi ta përshëndes këtë vëlla pa asnjë ndjenjë inati! Kjo është diçka që vetëm fryma e Jehovait mund ta bëjë të mundur.
D. G., Gjermani