Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të përballojmë kërcënimin e terrorizmit

Të përballojmë kërcënimin e terrorizmit

Të përballojmë kërcënimin e terrorizmit

NGA fundi i viteve 80 të shekullit të kaluar, u duk se terrorizmi pësoi rënie. Megjithatë, është shfaqur një lloj i ri terroristësh. Kërcënimi i sotëm terrorist vjen së pari nga ekstremistët që kanë krijuar rrjetin e tyre të sigurimit të mjeteve financiare—nëpërmjet trafikut të drogës, veprimtarive private tregtare, pasurive personale, veprave bamirëse dhe mbështetjes financiare lokale. Ata vazhdojnë më të pashpirt se kurrë.

Vitet e fundit është vënë re një shtim i veprave të pakuptimta terroriste. Në Qendrën Tregtare Botërore të qytetit të Nju-Jorkut u vu një bombë dhe 6 persona humbën jetën, ndërsa rreth 1.000 të tjerë u plagosën si pasojë e shpërthimit të saj. Një kult fetar lëshoi gaz sarin nervparalizues në sistemin e metrosë në Tokio, duke vrarë 12 vetë dhe duke plagosur më shumë se 5.000 të tjerë. Një terrorist rrafshoi një ndërtesë federale në qytetin e Oklahomës me një bombë të fshehur në një kamion, duke vrarë 168 persona dhe duke plagosur qindra të tjerë. Siç tregon tabela në faqet 4 dhe 5, veprat terroriste të llojeve të ndryshme kanë vazhduar deri më sot.

Në përgjithësi, duket se terroristët tregojnë më pak vetëpërmbajtje se më parë. I fajësuari për vënien e bombës që shpërtheu në ndërtesën federale të qytetit të Oklahomës, në vitin 1995, tha se që të fitonte shkallën e vëmendjes që kërkonte, dëshironte «të vriste një numër të madh njerëzish». Në vitin 1993, kapoja i një grupi përgjegjës për vënien e bombës që shpërtheu në Qendrën Tregtare Botërore të Nju-Jorkut donte që të rrëzonte njërën nga kullat, e cila pastaj të binte mbi tjetrën, duke vrarë kështu çdo person që ndodhej në të dyja ndërtesat.

Gjithashtu, e re është edhe zgjedhja e armëve që përdoren nga terroristët. Luis R. Mizel i Riu, një ekspert në fushën e terrorizmit, pohoi: «Jetojmë në epokën e një zemërimi të paimagjinueshëm dhe të një arsenali jashtëzakonisht shkatërrues armësh: bërthamore, kimike dhe biologjike.» Ekstremistët që duan të bëjnë bujë më të madhe, u janë drejtuar armëve më vdekjeprurëse që ka prodhuar teknologjia.

Terroristët sulmojnë me anë të kompjuterit

Ajo që quhet kiberterrorizëm përfshin përdorimin e një teknologjie moderne, si ajo e kompjuterëve. Një armë është virusi i kompjuterit, i cili përpin të dhënat ose shkakton bllokimin e sistemit të kompjuterit. Ka edhe «bomba logjike», të cilat i çmendin kompjuterët duke i nxitur që të përpiqen të bëjnë diçka që ata nuk munden e, kështu, i detyrojnë të mos punojnë siç duhet. Ndërsa ekonomia dhe siguria e kombeve varet gjithnjë e më shumë nga rrjetet kompjuterike, shumë veta mendojnë se publiku është më i ekspozuar ndaj sulmeve të tilla terroriste. Dhe ndërkohë që shumë ushtri kanë sistemet e tyre për të ruajtur komunikimin edhe gjatë një lufte bërthamore, sistemet civile, si pajisjet elektrike, transporti dhe tregjet financiare, mund të jenë më të pambrojtura ndaj sabotimit.

Jo shumë kohë më parë, nëse një terrorist donte të shkaktonte një errësim të plotë, për shembull, në Berlin, ai mund të kërkonte punë në një kompani elektrike që kryente shërbime publike, për të pasur kështu mundësi që të sabotonte sistemin elektrik. Por tani, thonë disa, një pirat i aftë kompjuteri mund t’ia dalë ta errësojë qytetin ndërkohë që është rehat në shtëpinë e tij, diku në një fshat të largët në gjysmën tjetër të globit.

Jo shumë kohë më parë, një pirat informatik nga Suedia pushtoi sistemin e një kompjuteri në Florida dhe për një orë e nxori jashtë pune sistemin e urgjencës, duke penguar shërbimet e policisë, të zjarrfikësit dhe të autoambulancës.

«Në thelb kemi krijuar një fshat global pa një forcë policore»,—vërejti drejtuesi i forcave të posaçme për luftën kundër piratëve informatikë në Qendrën e Studimeve Strategjike dhe Ndërkombëtare (QSSN) Frank J. Kilufo. Ndërsa këshilltari më i lartë pranë QSSN Robert Kuperman, në vitin 1997 pohoi se nëse terroristët zgjedhin të përdorin metodat e teknologjisë së lartë, «sot s’ekziston asnjë agjenci qeveritare që t’i bëjë ballë pasojave të sulmit të tyre».

Disa analistë besojnë se ata që ushtrojnë terrorizmin me anë të kompjuterit kanë pajisje teknologjike që mund të fitojnë ndaj çdo pajisjeje mbrojtëse që prodhojnë forcat e sigurimit. «Një kundërshtar, i cili arrin të futë virusin e duhur që i shërben qëllimit të tij ose që hyn tamam aty ku shkruhen të dhënat, mund të shkaktojë dëme shumë të mëdha»,—tha Xhorxh Teneti, drejtor i Agjensisë Qendrore të Informacionit në SHBA.

Terrorizëm me anë të lëndëve kimike dhe mikroorganizmave

Ka shqetësime lidhur edhe me përdorimin e armëve kimike dhe atyre biologjike. Në fillim të vitit 1995, bota u trondit kur dëgjoi për sulmin terrorist me gaz helmues në sistemin e metrosë së Tokios. Përgjegjësia për ngjarjen iu la një sekti apokaliptik.

«Terrorizmi ka ndryshuar,—thotë Brad Robertsi i Institutit për Analizat Mbrojtëse.—Terroristët tradicionalë donin koncesione politike. Por tani, disa grupe thonë se qëllimi i tyre kryesor është vrasja në masë. Për këtë arsye armët biologjike bëhen tërheqëse për terroristët.» A është e vështirë të sigurohen këto armë? Revista Scientific American thotë: «Një person mund të kultivojë triliona baktere me një shkallë rreziku relativisht të vogël për veten, me anë të një pajisjeje jo më të sofistikuar se ajo e fermentimit të birrës, me një kulturë me bazë proteinike, me një maskë gazi dhe me një veshje të jashtme plastike.» Pasi bakteret përgatiten, shpërndarja e tyre është relativisht e lehtë. Viktimat madje as që do ta marrin vesh se është përdorur një armë, pa kaluar një ose dy ditë. Kur ta mësojnë këtë mund të jetë tepër vonë.

Thuhet që bacili i plasjes (Bacillus anthracis) është një zgjedhje e pëlqyeshme si një armë biologjike. Sëmundja e merr emrin nga fjala greke që përdoret për antracitin ose qymyrin—referim ky për koren e zezë që formohet në mënyrë tipike mbi plagët që krijohen në lëkurën e atyre që bien në kontakt me bagëtitë e infektuara me bacilin e plasjes. Planifikuesit e mbrojtjes shqetësohen më shumë për infeksionet që shkaktohen në mushkëri nga thithja me anë të frymëmarrjes e sporeve të bacilit të plasjes. Infeksioni nga bacili i plasjes shkakton një numër të lartë vdekjesh te njerëzit.

Përse bacili i plasjes është një armë kaq e efektshme biologjike? Ky bakter mund të kultivohet lehtë dhe u bën ballë përpjekjeve për të ngadalësuar ose ndaluar efektet e tij. Do të duhet të kalojnë disa ditë para se viktimat të ndiejnë simptomat e para—një gjendje ngjashëm gripit dhe këputje. Kjo gjendje pasohet nga kolla dhe shqetësime të lehta në kraharor. Më pas, fillojnë shqetësimet e rënda në frymëmarrje, personi bie në një gjendje shoku dhe brenda disa orësh vdes.

Armët bërthamore në duart e terroristëve?

Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, disa pyetnin veten nëse do të shfaqej ose jo ndonjë armë e vjedhur bërthamore në tregun e zi. Shumë ekspertë, megjithatë, nuk besojnë që kjo mund të ndodhë ndonjëherë. Robert Kupermani, i përmendur më lart, vëren se nuk ka «asnjë dëshmi që ndonjë grup terrorist të ketë kërkuar që të sigurojë material bërthamor».

Një shqetësim edhe më të ngutshëm paraqet kushëriri i qetë, por vdekjeprurës, i bombës bërthamore—materiali radioaktiv. Ai nuk shpërthen. Nuk shkakton ndonjë dëmtim me anë të shpërthimit ose të nxehtësisë. Në vend të kësaj lëshon rrezatim radioaktiv që shkatërron qelizat e individit. Qelizat e palcës së kockave janë veçanërisht më të prekshme ndaj rrezatimit. Vdekja e tyre i hap rrugën një serie pasojash, që përfshijnë gjakrrjedhjen dhe shkatërrimin e sistemit mbrojtës të organizmit. Ndryshe nga armët kimike, të cilat prishen pasi bien në kontakt me oksigjenin dhe lagështirën, materiali radioaktiv mund të vazhdojë të shkaktojë dëme për vite me radhë.

Një aksident në Gojania, një qytet në pjesën jug-qendrore të Brazilit, tregon se sa vdekjeprurës mund të jetë rrezatimi. Në vitin 1987, një burrë që nuk dyshonte fare për rrezikun, hapi një kuti plumbi, e cila ishte ngjitur pas një pajisjeje mjekësore që nuk përdorej më. Kutia përmbante cezium-137. I mahnitur nga shkëlqimi vezullues i gurëve kaltëroshë e ndau atë që gjeti me miqtë e tij. Brenda një jave në klinikën lokale shëndetësore filluan të vinin viktimat e para. Mijëra vetë u kontrolluan për shenja infektimi. Rreth njëqind banorë u sëmurën. Pesëdhjetë kërkuan të shtrohen në spital, kurse katër veta vdiqën. Mendimi i asaj që mund të kishte ndodhur sikur ceziumi të ishte shpërndarë qëllimisht, u shkakton makthe ekspertëve të luftës kundër terrorizmit.

Kostoja tronditëse e terrorizmit

Humbja tragjike e jetës së njerëzve është përfundimi më i dukshëm i terrorizmit. Por ka ndërlikime në një shkallë edhe më të gjerë. Terrorizmi mund të shkatërrojë ose të pengojë procesin e paqes në pikat e nxehta të planetit. Ai i provokon, i zgjat ose i rrënjos konfliktet dhe bën që të shtohet numri i veprave të dhunshme.

Terrorizmi mund të ndikojë edhe në ekonomitë kombëtare. Qeveritë janë detyruar të harxhojnë një sasi shumë të madhe kohe dhe të ardhurash për ta luftuar atë. Për shembull, vetëm në Shtetet e Bashkuara, gjatë vitit 2000, shpenzimet kundër terrorizmit arritën në më shumë se 10 miliardë dollarë.

Pavarësisht nëse e vëmë re ose jo, terrorizmi ndikon te të gjithë ne. Ai ndikon në rrugën në të cilën udhëtojmë dhe në zgjedhjet që bëjmë kur udhëtojmë. Ai i detyron vendet përreth botës që të harxhojnë shuma të mëdha nga taksat e popullsisë për të mbrojtur personalitetet publike, vendet ku gjenden makineri ose pajisje teknike të një rëndësie jetësore dhe vetë qytetarët.

Prandaj mbetet pyetja: ‘A ka një zgjidhje të përhershme për murtajën e terrorizmit?’ Kjo do të diskutohet në artikullin vijues.

[Kutia dhe figura në faqen 7]

Terrorizëm në emër të ekologjisë

Një lloj i ri terrorizmi ka marrë formën e «vënies së zjarrit, vënies së bombave dhe sabotimit në emër të shpëtimit të mjedisit dhe të krijesave në të»,—raporton gazeta Oregonian. Këto vepra shkatërruese janë quajtur ekoterrorizëm. Të paktën njëqind vepra të mëdha të këtij lloji kanë ndodhur në pjesën perëndimore të SHBA-së që nga viti 1980 dhe dëmet e shkaktuara arrijnë shumën 42,8 milionë dollarë. Këto krime kanë kryesisht si qëllim të pengojnë prerjen e pemëve, përdorimin për çlodhje e zbavitje të zonave të shkreta ose përdorimin e kafshëve për gëzofin e tyre, për ushqim ose kërkime.

Këto vepra quhen vepra terroriste, sepse përfshijnë dhunën që ka si synim të ndryshojë sjelljen e individëve dhe të institucioneve ose të ndryshojë politikat publike. Ekoterroristët u prishin punë hetuesve duke vënë në shënjestër e duke sulmuar objektiva të largët, shpesh natën, dhe vështirë se lënë ndonjë gjurmë, përveç rrënojave të shkrumbuara. Deri kohët e fundit, krimet në emër të mbrojtjes së mjedisit kishin efekte të kufizuara në shkallë lokale dhe nuk tërhiqnin shumë vëmendje. Por këto vitet e fundit janë vënë në shënjestër edhe më shumë objektiva. «Synimi i këtyre njerëzve është që të tërheqin vëmendjen te qëllimet që kanë, për të shkaktuar ndryshime,—tha përfaqësuesi i veçantë Xhejms N. Damitio, një hetues veteran për Shërbimin Pyjor në SHBA.—E nëse mendojnë që nuk po e fitojnë këtë vëmendje, ata provojnë diçka tjetër.»

[Kutia dhe figura në faqen 10]

Terrorizmi dhe mjetet e informacionit

«Tërheqja e vëmendjes së publikut ka qenë njëherazi synim kryesor dhe një armë e atyre që përdorin terrorin kundër njerëzve të pafajshëm për të çuar më tej qëllimet politike ose thjesht, për të shkaktuar kaos,—thotë Terri Andersoni, një gazetar që u mbajt rob për gati shtatë vjet nga terroristët në Liban.—Raportimi i menjëhershëm i një rrëmbimi për qëllime politike, i një vrasjeje ose i shpërthimit vdekjeprurës të një bombe, është fitorja e parë për terroristin. Pa vëmendjen botërore, këto vepra keqdashëse janë të dështuara.»

[Figurat në faqet 8, 9]

1. Shpërthim nga një njeri-bombë në Jerusalem, Izrael

2. Terroristët etnikë hedhin në erë një bankë në Kolombo, Sri-Lankë

3. Një bombë e vendosur në një makinë shpërthen në Nairobi, Kenia

4. Të afërmit e viktimave të vrara nga shpërthimi i një bombe në Moskë, Rusi

[Burimet]

Hajdi Levine/Sipa Press

A. Lokuapuaraçi/Sipa Press

Foto e AP/Said Azim

Izvestia/Sipa Press