Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Terrorizmi merr një pamje të re

Terrorizmi merr një pamje të re

Terrorizmi merr një pamje të re

Herën e fundit që u shfaq argumenti i terrorizmit në kopertinën e kësaj reviste, u përdor një pamje e njohur—vrasës të maskuar që mbajnë armë dhe në sfond një shpërthim i fuqishëm. Megjithatë, sot situata është e ndryshme.

NËN dritën e zbehtë të muzgut një varg kamionësh lëvizin pa zhurmë përmes blloqeve të banesave. Kamionët ndalojnë pranë ndërtesës së një shkolle. Shpejt, një skuadër burrash të stërvitur në mënyrë speciale, me maska kundërgazi dhe me kostume të mbrojtjes kimike, çajnë me zor mespërmes shkurreve të dendura. E vetmja gjë që dinë është se një pajisje e vogël me lëndë eksplozive kishte shpërthyer gjatë një veprimtarie sportive në stadiumin e shkollës, duke përhapur gaze që bënë të sëmuren me dhjetra spektatorë. Në bashkëpunim me personelin e urgjencës së asaj zone, katër burra hyjnë me kujdes në zonën e infektuar për të zbuluar se çfarë ka ndodhur. Çfarë lëshoi në ajër kjo pajisje? Bacilin e plasjes? Gazin nervparalizues?

Burrat ecin ngadalë drejt fushës dhe kanë me vete një llojshmëri pajisjesh për të bërë analiza kimike. Mbërrijnë në një dhomë të vogël ku gjejnë mbetjet e pajisjes me lëndë shpërthyese. Detyra e tyre është delikate dhe kërkon trajtimin me kujdes të pjesëve të vogla dhe lëvizjen e objekteve të rënda.

Shpejt maskat e tyre vishen me avull. Përpjekja është e mundimshme, madje dhe për burrat e stërvitur. Megjithatë, në më pak se dhjetë minuta mbetja identifikohet. «S’ka dyshim, pajisja përmbante bacilin e plasjes»,—pohon kimisti që i shoqëron ata.

Terrorizmi ndryshon pamjen

Kjo ngjarje nuk qe aq e rrezikshme sa duket. Ishte një stërvitje për të provuar reagimin e skuadrës ndaj një sulmi të simuluar me gaz, diku në brendësi të shtetit të Nju-Jorkut. Grupi është një nga skuadrat e formuara kohët e fundit për Mbështetjen Civile ndaj Armëve të Shkatërrimit në Masë. Këto skuadra janë caktuar që të përcaktojnë qëllimin dhe shkallën e ashpërsisë të një lloji të ri sulmesh terroriste, duke analizuar bakteriet, materialet kimike ose ato radioaktive që dyshohet se janë përdorur.

Kjo është një ndër skuadrat e shumta që janë formuar në mbarë botën, si kundërpërgjigje ndaj kërcënimeve dhe problemeve në ndryshim që paraqet terrorizmi. * Ngjarjet e kohëve të fundit tregojnë se veprimet terroriste të kryera nga grupe të pavarura ose nga ekstremistë të vetëm janë në rritje. Megjithëse shumë terroristë kanë ende në shënjestër instalimet ushtarake dhe përfaqësitë diplomatike, disa e kanë shtuar listën e tyre duke përfshirë edhe sulmet ndaj objektivave të ashtuquajtur të lehtë, si: sistemet e transportit masiv, ngjarjet sportive, zonat e banimit shumë të populluara, hotelet dhe vendet turistike.

Duke mbështetur faktin se ka një ndryshim në sjelljen e terroristëve, Porter Gosi, drejtues i Komitetit të Informacionit të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, vërejti: «Na duhet të ndryshojmë mënyrën tonë të mëparshme të të menduarit lidhur me terrorizmin e mbështetur nga shteti e të kemi një pikëpamje të re për të. Po përballojmë, gjithnjë e më shumë, terrorizmin e nxitur nga ata që luftojnë për një çështje.»

Terrorizmi i shfaqur me një pamje të re, përfshin veprime dhe strategji që mund të jenë më të vështira për t’u parandaluar ose për t’u luftuar. Gjithnjë e më shumë, terroristët janë në gjendje të përdorin teknologji të reja dhe të sigurojnë të ardhura në mënyrë të pavarur. USA Today raporton: «Teknologjia e re në fushën e kompjuterit e të komunikimit, si edhe lidhjet me krimin e organizuar e bëjnë edhe më të vështirë luftën kundër terrorizmit.» Kjo pamje e re përfshin edhe shënjestra të reja, duke i detyruar reporterët dhe komentatorët e lajmeve të sajojnë shprehje të tilla, si: «kiberterrorizmi», «bioterrorizmi» dhe «ekoterrorizmi».

Sa kërcënuese është fytyra e re e terrorizmit? A kërcënohet siguria juaj personale? A ka ndonjë zgjidhje për plagën e terrorizmit ndërkombëtar? Artikulli vijues do të hedhë pak dritë mbi këto çështje.

[Shënimi]

^ par. 8 Pikëpamjet lidhur me atë që quhet terrorizëm ndryshojnë në një shkallë të gjerë. Për shembull, në vendet e copëtuara nga luftërat civile, veprat e dhunës së një fraksioni kundër një tjetri mund të shihen qoftë si vepra legjitime të luftës, qoftë si terrorizëm, varet se cila anë pyetet. Në këtë seri artikujsh, në përgjithësi, fjala «terrorizëm» ka të bëjë me përdorimin e dhunës si një mjet për të detyruar.

[Kutia dhe harta në faqet 4, 5]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Një dekadë me TERRORIZËM

1. Buenos-Ajres, Argjentinë

17 mars 1992

Një bombë e vendosur në një makinë shkatërron Ambasadën Izraelite. Të vrarë: 29. Të plagosur: 242.

2. Algjer, Algjeri

26 gusht, 1992

Një bombë shpërthen në aeroportin ndërkombëtar. Të vrarë: 12. Të plagosur: të paktën 128.

3. Nju-Jork, SHBA

26 shkurt 1993

Ekstremistët fetarë vunë një bombë të fuqishme që shpërtheu poshtë Qendrës Tregtare Botërore. Të vrarë: 6. Të plagosur: rreth 1.000.

4. Matsumoto, Japoni

27 qershor 1994

Anëtarë të grupit Oum Shinrikjo, lëshojnë gaz sarin në një lagje të banuar. Të vrarë: 7. Të plagosur: 270.

5. Tokio, Japoni

20 mars 1995

Anëtarët e Oum Shinrikjos transportojnë gjashtë pako në trenat e metrosë së Tokios, duke lëshuar gaz sarin vdekjeprurës. Të vrarë: 12. Të plagosur: më shumë se 5.000.

6. Oklahomë, SHBA

19 prill 1995

Një ndërtesë federale shpërthen nga një kamion-bombë. Fajësohen ekstremistët e krahut të djathtë. Të vrarë: 168. Të plagosur: më shumë se 500.

7. Kolombo, Sri-Lankë

31 janar 1996

Terroristët etnikë futin me forcë brenda një banke një kamion të ngarkuar me eksploziv. Të vrarë: 90. Të plagosur: më shumë 1.400.

8. Londër, Angli

9 shkurt 1996

Terroristët irlandezë vënë një bombë që shpërthen në një vend parkimi. Të vrarë: 2. Të plagosur: më shumë se 100.

9. Jerusalem, Izrael

25 shkurt 1996

Një njeri-bombë shpërthen në një autobus. Dyshohet të jenë ekstremistë fetarë. Të vrarë: 26. Të plagosur: rreth 80.

10. Dahran, Arabia Saudite

25 qershor 1996

Një kamion me karburant që mbante një bombë shpërthen jashtë një ndërtese ushtarake në SHBA. Të vrarë: 19. Të plagosur: 515.

11. Pnom-Pen, Kamboxhia

30 mars 1997

Sulmuesit flakin katër granata në një turmë demonstruesish. Të vrarë: deri në 16. Të plagosur: më shumë se 100.

12. Kojmbatore, Indi

14 shkurt 1998

Nga militantët fetarë kryhen një seri sulmesh me bomba. Të vrarë: 43. Të plagosur: 200.

13. Najrobi, Kenia dhe Dar-es-Salam, Tanzani

7 gusht 1998

U vihen bomba ambasadave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të vrarë: 250. Të plagosur: më shumë se 5.500.

14. Kolumbi

18 tetor dhe 3 nëntor 1998

Një sulm me bomba dhe një tjetër me predha. Shënjestra e sulmit të parë është një naftësjellës. Të vrarë: 209. Të plagosur: më shumë se 130.

15. Moskë, Rusi

9 dhe 13 shtator 1999

Dy shpërthime të mëdha shkatërrojnë dy pallate. Të vrarë: 212. Të plagosur: më shumë se 300.

[Burimet]

Burimi: Qendra Interdisiplinore, Herzlija, Izrael

Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.

Victor Grubicy/Sipa Press

[Kutia dhe figura në faqen 6]

Sulmet nëpërmjet kompjuterit

Mars 1999: Raportet tregojnë se kompjuterët e Pentagonit kanë qenë nën një breshëri «të bashkërenduar dhe të organizuar» sulmesh prej ndërhyrësve. Në sistemet e kompjuterëve të Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së janë regjistruar 60 deri në 80 sulme të bëra nga piratët informatikë.

Mes i vitit 1999: Brenda një periudhe tremujore, piratët informatikë antiqeveritarë arrijnë të sigurojnë hyrjen e paligjshme në faqet e rrjetit të Senatit të SHBA-së, të Byrosë Federale të Hetimeve, të Ushtrisë së SHBA-së, të Shtëpisë së Bardhë dhe të disa sektorëve të kabinetit në Shtetet e Bashkuara.

Janar 2000: Në mbarë botën, raportohet se bizneset kanë shpenzuar 12,1 miliardë dollarë gjatë vitit të mëparshëm për të luftuar «terrorizmin ekonomik» në formën e viruseve që dëmtojnë kompjuterin.

Gusht 2000: Një pirat informatik depërtoi në rrjetin e agjensisë qeveritare dhe të autoritetit lokal në Mbretërinë e Bashkuar.