Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është e gabuar të pikëllohemi?

A është e gabuar të pikëllohemi?

Pikëpamja e Biblës

A është e gabuar të pikëllohemi?

«VEÇ KËSAJ VËLLEZËR, NE NUK DUAM QË TË JENI NË PADIJE LIDHUR ME ATA QË PO FLENË NË GJUMIN E VDEKJES; QË JU TË MOS BRENGOSENI, SI BËJNË EDHE TË TJERËT QË NUK KANË ASNJË SHPRESË.»—1 SELANIKASVE 4:13.

BIBLA jep një shpresë për ata që kanë vdekur. Ringjalljet e kryera nga Jezui, si edhe mësimet e tij, tregojnë për një kohë kur të vdekurit do të vijnë përsëri në jetë. (Mateu 22:23-33; Marku 5:35, 36, 41, 42; Luka 7:12-16) Si duhet të ndikojë te ne kjo shpresë? Fjalët e apostullit Pavël të cituara më sipër tregojnë se kjo shpresë mund të jetë ngushëlluese kur të vdes një njeri i dashur.

Nëse keni humbur një njeri të dashur nga vdekja, pa dyshim keni përjetuar dhembjen emocionale që shoqëron një tragjedi të tillë. Tereza, burri i së cilës vdiq në moshën 42-vjeçare, pak kohë pas një operacioni në zemër, thotë: «Çfarë tronditjeje që ishte! Ndjenja e parë ishte një frikë e plotë. Më pas erdhi dhembja e tmerrshme, e cila thellohej me kalimin e kohës. Qaja shumë.» A tregojnë reagime të tilla mungesë besimi në premtimin e Jehovait për të ringjallur të vdekurit? A duan të thonë fjalët e Pavlit se është e gabuar të pikëllohemi?

Shembuj pikëllimi në Bibël

I gjejmë përgjigjet e këtyre pyetjeve duke shqyrtuar shembuj nga Bibla të atyre që janë pikëlluar. Në shumë tregime, vdekja e një anëtari të afërt të familjes shoqërohej nga një periudhë pikëllimi. (Zanafilla 27:41; 50:7-10; Psalmi 35:14) Ndjenjat që shoqëronin këtë pikëllim shpesh ishin shumë të forta.

Le të shqyrtojmë se si burra që kishin besim te Perëndia vajtuan për vdekjen e një njeriu të dashur. Për shembull, Abrahami kishte besim të fortë se Perëndia mund t’i ringjallte të vdekurit. (Hebrenjve 11:19) Edhe pse me këtë bindje, kur i vdiq gruaja, ai «hyri aty për të mbajtur zi për të dhe për ta vajtuar». (Zanafilla 23:1, 2) Kur bijtë e Jakobit gënjyen dhe i thanë atij se biri i tij i dashur, Jozefi, kishte vdekur, Jakobi «i shqeu rrobat e tij dhe . . . e qau». (Zanafilla 37:34, 35) Shumë vjet më vonë, mendimi se biri i tij i dashur kishte vdekur, përsëri e pikëllonte shumë Jakobin! (Zanafilla 42:36-38) Edhe mbreti David e shprehu hapur hidhërimin e pa masë për vdekjen e dy bijve të tij, Amnonit dhe Absalomit. Edhe pse që të dy i kishin shkaktuar dhembje Davidit dhe familjes, ata ishin ende bijtë e tij dhe vdekja e tyre e brengosi shumë atë.—2 Samuelit 13:28-39; 18:33.

Nganjëherë, i gjithë kombi i Izraelit pikëllohej, siç bënë në rastin e vdekjes së Moisiut. Ligji i përtërirë 34:8 na tregon se izraelitët qanë për Moisiun për 30 ditë.

Së fundi, kemi shembullin e Jezu Krishtit. Lazari, miku i tij i ngushtë, vdiq. Dhe Jezui kur pa se motrat e Lazarit, Marta dhe Maria, si edhe miqtë e tyre po qanin, «rënkoi në frymë dhe u trazua». Edhe pse e dinte se pas pak çastesh do ta sillte në jetë mikun e tij, prapëseprapë «nuk i mbajti lotët». Jezui i donte miket e tij të dashura, Martën dhe Marinë. Prandaj, ai u prek thellë kur pa dëshpërimin e tyre për vdekjen e të vëllait.—Gjoni 11:33-36.

Abrahami, Jakobi, Davidi dhe Jezui, që të gjithë ushtruan besim të madh te Jehovai dhe te premtimet e tij, megjithatë u pikëlluan. A ishte pikëllimi i tyre një shenjë e dobësisë frymore? A ishte hidhërimi i tyre një tregues i mungesës së besimit në ringjallje? Absolutisht jo! Pikëllimi është një reagim normal kur të vdes një njeri i dashur.

Pse pikëllohemi?

Perëndia nuk kishte kurrë si qëllim që njerëzimi të vdiste. Qëllimi fillestar i Jehovait, siç iu shpreh Adamit dhe Evës, ishte që toka të transformohej në një parajsë të bukur, të mbushur me një familje të dashur e të lumtur. Vdekja do të vinte vetëm nëse ky çift i parë do të zgjidhte mosbindjen ndaj Jehovait. (Zanafilla 1:28; 2:17) Mjerisht, Adami dhe Eva zgjodhën mosbindjen dhe, për shkak të mosbindjes, «vdekja u përhap në të gjithë njerëzit». (Romakëve 5:12; 6:23) Në këtë mënyrë, vdekja është një armik mizor, i cili, sipas qëllimit fillestar të Perëndisë, nuk do të kishte ekzistuar.—1 Korintasve 15:26.

Është krejt e arsyeshme, pra, që ngjarja jonormale e vdekjes së një njeriu të afërt t’u shkaktojë, atyre që preken nga kjo, dhembje të thellë emocionale. Ajo krijon një zbrazëti të madhe në jetën e tyre. Tereza, vejusha e përmendur më sipër, pohoi në lidhje me burrin e saj: «Jam e sigurt që do ta shoh përsëri atë në ringjallje, por tani më mungon shumë. Kjo është ajo që më bën të vuaj me të vërtetë.» Vdekja e një prindi mund të na kujtojë faktin që të gjithë vdesim. Vdekja e një të riu na shkakton veçanërisht dhembje, për shkak të tragjedisë së një jete të ndërprerë në mes.—Isaia 38:10.

Po, vdekja është jonormale. Dhembja që ajo sjell duhet pritur dhe Jehovai nuk e sheh pikëllimin si mungesë besimi te ringjallja. Siç duket nga shembujt e Abrahamit, Jakobit, Davidit, kombit të Izraelit dhe Jezuit, të shfaqim hapur dhembjen që kemi në zemër nuk tregon se kemi mangësi frymore. *

Megjithatë, edhe pse si të krishterë sigurisht që hidhërohemi për shkak të vdekjes, nuk brengosemi «si bëjnë edhe të tjerët që nuk kanë asnjë shpresë». (1 Selanikasve 4:13) Ne nuk zhytemi në një pikëllim të paarsyeshëm dhe tejet të madh, sepse nuk jemi të pështjelluar për sa i përket gjendjes së të vdekurve. E dimë se ata nuk janë në dhembje ose vuajtje, por në një gjendje si një gjumë i thellë dhe i qetë. (Predikuesi 9:5; Marku 5:39; Gjoni 11:11-14) Kemi, gjithashtu, siguri të plotë se Jezui, «ringjallja dhe jeta», do të veprojë sipas premtimit të tij për të sjellë në jetë «të gjithë ata që janë në varret përkujtimore».—Gjoni 5:28, 29; 11:24, 25.

Pra, nëse tani jeni të pikëlluar, ngushëllohuni nga dijenia se Jehovai i kupton dhembjet tuaja. Ju ndihmoftë kjo dijeni dhe shpresa te ringjallja për të zbutur hidhërimin dhe për t’i bërë ballë humbjes.

[Shënimi]

^ par. 15 Se si të përballojmë hidhërimin, shiko për ndihmë faqet 14-19 të broshurës Kur të vdes një njeri i dashur, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.