Drogat: Pse abuzojnë njerëzit me to?
Drogat: Pse abuzojnë njerëzit me to?
«ISHA 13 vjeç dhe një mbrëmje shoku i ngushtë i motrës sime na ftoi në shtëpinë e tij. Të gjithë nisën të pinin marihuanë. Në fillim nuk e pranova, por pasi kaloi shumë herë dorë më dorë, së fundi e provova.» Kështu e shpjegoi Majkëlli, nga Afrika e Jugut, futjen e tij në botën e drogës.
«Vij nga një familje tradicionale, që ka pasur si karrierë muzikën klasike. Luaja në një orkestër dhe gjatë pushimeve të shkurtra njëri nga muzikantët pinte rregullisht marihuanë. Për disa muaj ma ofronte me ngulm edhe mua. Së fundi, e provova dhe nisa ta përdor rregullisht.» Në këtë mënyrë filloi ta përdorte drogën Dareni, një kanadez.
Që të dy këta individë vazhduan të përdornin droga të tjera, si LSD, opium dhe stimulantë. Duke hedhur vështrimin prapa, tanimë si ish-narkomanë, ata janë në një mendje se ndikimi i shoqërisë ishte arsyeja kryesore që filluan të abuzonin me drogat. «Kurrë s’më kishte shkuar mendja se do të merrja ndonjëherë drogë,—thotë Majkëlli,—por ata të rinj ishin të vetmit shokë që kisha dhe, natyrisht, u shkova pas.»
Bota e zbavitjes
Presioni i shoqërisë, pa dyshim, është një ndër arsyet kryesore përse shumë veta fillojnë të përdorin drogat dhe, në këtë pikë, të rinjtë janë veçanërisht të dobët. Veç kësaj, ata gjenden para shembullit të idhujve të tyre të botës së zbavitjes, të cilët ushtrojnë ndikim të fuqishëm te fansat e tyre të rinj në moshë.
Abuzimi me drogën ka pushtuar sidomos fushën e zbavitjes. Artistët më të mëdhenj në botën e muzikës shpesh fillojnë të marrin droga të forta në njëfarë pike të karrierës së tyre. Shumë yje të kinematografisë, po ashtu, përdorin rregullisht drogë.
Artistët mund të bëjnë që drogat të ngjajnë aq magjepsëse dhe joshëse, sa të rinjve u duket se nuk u bëjnë dot ballë. Në vitin 1996, revista Newsweek raportonte: «Rrugët e Siatëllit janë plot e përplot me të rinj që kanë ardhur këtu për t’u droguar me heroinë, vetëm e vetëm ngaqë këtë e bëri edhe [këngëtari i muzikës rok] Kobeini.»
Nëpër revista, në filma dhe në televizion bota e drogës paraqitet si magjepsëse. Gjithashtu, disa stilistë të shquar në botën e modës parapëlqejnë modele me pamje të dobët e të tretur, ngjashëm një të droguari.
Përse jepen disa pas drogave?
Ka edhe shumë faktorë të tjerë që ndikojnë në shtimin e abuzimit me drogat. Ndër ta janë zhgënjimi i madh, depresioni dhe mungesa e një qëllimi në jetë. Shkaqe të mëtejshme janë problemet ekonomike, papunësia dhe shembulli i papërshtatshëm i prindërve.
Disa që kanë vështirësi në marrëdhëniet me të tjerët i përdorin drogat si një ndihmë për t’u bërë ballë situatave të ndryshme në shoqëri. Besojnë se drogat u shtojnë sigurinë te vetja, duke i bërë të ndihen mendjemprehtë dhe të këndshëm. Disa të tjerëve thjesht u duket më e lehtë të përdorin droga, sesa të marrin mbi supe përgjegjësinë për të drejtuar jetën e tyre.
Mërzia është një tjetër arsye përse të rinjtë kthehen te drogat. Në librin Joshja e rrezikut: Përse adoleshentët bëjnë atë që bëjnë? flitet rreth mërzisë dhe mungesës së mbikëqyrjes prindërore: «Djemtë dhe vajzat kthehen nga shkolla në shtëpi të zbrazëta. Nuk është çudi që ndihen të vetmuar dhe nuk duan të jenë vetëm. Shokët vijnë për të ndenjur me ta, por edhe së bashku shpesh mërziten. Shohin televizor dhe videoklipe pa fund ose udhëtojnë nëpër Internet, duke kërkuar diçka
emocionuese. Duhani, droga dhe pijet alkoolike mund të bëhen fare lehtë pjesë e kësaj tabloje.»Majkëlli, i përmendur më sipër, tha për mungesën e mbikëqyrjes në shtëpi nga ana e prindërve të tij: «Jeta ime familjare ishte e lumtur. Ishim jashtëzakonisht të lidhur me njëri-tjetrin. Mirëpo, që të dy prindërit punonin dhe, gjatë ditës, s’kishim aspak mbikëqyrje. Gjithashtu, ata na jepnin liri sa të donim. Nuk kishte disiplinë. Prindërve as që u shkonte nëpër mend se unë po përdorja drogë.»
Pasi vihen nën varësinë e drogave, shumë veta vazhdojnë t’i përdorin ato për një arsye të thjeshtë: u pëlqen. Majkëlli, i cili përdorte çdo ditë drogë, tha për efektet e saj: «Isha në një botë ëndrrash. Mund të shkëputesha nga çdo presion që kisha. Nuk ndihesha kurrë i kërcënuar. Gjithçka dukej e bukur.»
Një tjetër ish-narkoman, i quajtur Dik, nga Afrika e Jugut, përshkroi ndikimin që kishte tek ai marihuana, kur filloi ta përdorte në moshën 13-vjeçare: «Qeshja për çdo gjë të vogël. Gjithçka ishte zbavitëse.»
Paralajmërimet për dëmet që mund të sjellin drogat, me sa duket, nuk i trembin të rinjtë. Ata janë të prirur të kenë qëndrimin «mua s’do të më ndodhë». Në librin Flitni me adoleshentët tuaj tregohet përse adoleshentët i shpërfillin paralajmërimet rreth dëmeve të drogave mbi shëndetin: «Ata kanë aq shumë aftësi ripërtëritëse dhe një bollëk gjallërie, saqë mendojnë se nuk do të pësojnë gjë nga shëndeti. Kjo ndjenjë ‘paprekshmërie’ është shumë e zakonshme në adoleshencë. Adoleshentët i shohin kancerin e mushkërive, alkoolizmin dhe varësinë nga drogat e forta si gjëra që u ndodhin njerëzve më të mëdhenj në moshë, jo atyre vetë.» Shumë veta thjesht nuk janë të ndërgjegjshëm për rreziqet, siç e tregon qartë popullariteti i drogës ekstazë. Çfarë është ajo?
Ekstaza dhe mjedisi i raveve
Droga MDMA, e njohur si ekstazë, me bazë amfetaminën, është e zakonshme në mbrëmjet ku kërcehet gjatë gjithë natës, të cilat quhen rave. Shitësit e saj përkrahin idenë se të marrësh ekstazë është një mënyrë e sigurt për të përjetuar një ndjenjë euforie, si edhe për të marrë energji të pakufishme që të kërcesh tërë natën. Droga i ndihmon ata që kërcejnë të vazhdojnë për orë të tëra, derisa më në fund provojnë atë që një shkrimtar e quajti «gjendje përhumbjeje». Një e re e shpjegoi kështu tërheqjen që ushtron ekstaza: «Ndjesia fillon nga gishtat e këmbës, duke të mbështjellë me ngrohtësi dhe dashuri të pabesueshme, ndërsa të përshkon dalëngadalë deri në kokë si një fërgëllimë.»
Skanerat e trurit të atyre që e përdorin rregullisht ekstazën kanë dhënë dëshmi
mjekësore se ajo nuk është një drogë e padëmshme, siç pohojnë shitësit e saj. Duket që ekstaza dëmton fijet nervore të trurit dhe pakëson nivelin e serotoninës. Ka të ngjarë që ky dëmtim të jetë i përhershëm. Me kalimin e kohës, kjo gjë mund të çojë në çrregullime të tilla, si depresion dhe humbje të kujtesës. Janë raportuar disa vdekje mes atyre që përdorin ekstazën. E, veç kësaj, disa trafikantë të drogës e përziejnë ekstazën me heroinën, me qëllim që t’i vënë klientët nën varësinë e saj.Sa e lehtë është t’i sigurosh?
Në mjaft vende çmimi i drogave ka rënë, ndërkohë që sasia e tyre është shtuar. Kjo ka ndodhur pjesërisht si rrjedhim i ndryshimeve politike dhe ekonomike. Një shembull tipik është Afrika e Jugut, ku ndryshimet politike e kanë shtuar tregtinë dhe shkëmbimet me vendet e tjera. Kjo gjë, së bashku me kontrollet e pakta doganore, ka bërë që tregtia e drogës të lulëzojë. Me rritjen e papunësisë, të ardhurat e mijëra vetave varen nga tregtia e paligjshme e drogave. Atje ku gëlon droga, rrallëherë mungojnë krimet e dhunshme. Sipas artikullit të një gazete, fëmijët e shkollave të Gautengut, në Afrikën e Jugut—disa nga të cilët vetëm 13 vjeç—mbikëqyren nga policia për trafik droge. Në atë zonë, një sërë shkollash kanë filluar t’u bëjnë nxënësve analiza për drogë.
Cili është shkaku rrënjësor?
Është e qartë se ka shumë arsye përse njerëzit abuzojnë me drogat. Por këto janë që të gjitha simptoma të një problemi më të thellë, të një shkaku rrënjësor. Shkrimtari Ben Uitëkër foli tërthorazi për këtë kur tha: «Përveçse shenjë e vetmisë dhe e dëshpërimit, përdorimi gjithnjë e më i madh i drogave në ditët e sotme është shenjë paralajmëruese e dobësive dhe e të metave të shoqërisë sonë. Përndryshe, për çfarë arsye një numër kaq i madh njerëzish të talentuar dhe të sërës së lartë do të parapëlqenin drogat, në vend të realitetit të kohës?»
Kjo është një pyetje që na fut në mendime dhe që na bën të kuptojmë se shpesh shoqëria jonë materialiste, me maninë për sa më shumë arritje, nuk na i plotëson dot nevojat emocionale dhe shpirtërore. Madje, edhe shumë fe nuk kanë qenë në gjendje t’i përmbushin këto nevoja, sepse kanë anashkaluar shkakun rrënjësor të problemeve të njeriut.
Para se të gjejmë zgjidhjen e vetme e të përhershme për problemin e drogave, duhet të zbulojmë dhe të përballojmë ndershmërisht këtë shkak rrënjësor. Kjo do të trajtohet në artikullin vijues.
[Figura në faqen 7]
Njerëzit me famë nganjëherë bëjnë që përdorimi i drogës të duket magjepsës
[Figurat në faqen 7]
Në mjediset e muzikës moderne vlon abuzimi me drogat
[Figurat në faqen 8]
Droga ekstazë është e zakonshme nëpër rave
[Burimet]
Foto e AP-së/Greg Smith
Gerald Nino/U.S. Customs