Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Drurët e Bërshenit: Pse rriten nëpër varreza në Britani?

Drurët e Bërshenit: Pse rriten nëpër varreza në Britani?

Drurët e Bërshenit: Pse rriten nëpër varreza në Britani?

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BRITANI

NË VITIN 1656 një klerik i Kishës Anglikane shkroi: «Paraardhësit tanë tregonin në mënyrë të veçantë kujdes për pemët e bërshenit të varrezave, të cilat për shkak të gjelbërimit të tyre të përhershëm shërbenin si simbol . . . i pavdekësisë së shpirtit.» E tillë është gojëdhëna. Cilat janë faktet?

Lidhja e bimëve me gjelbërim të përhershëm me pavdekësinë shkon prapa në kohë. Në Uells tradita e bërshenit si një simbol i tillë lidhet me besimet dhe zakonet e lashta druide. Në Angli shumë kohë para epokës së krishterë, pemët e bërshenit mbilleshin në vendet e tempullit pagan dhe, së fundi, u pranuan nga kisha si «një simbol i shenjtë». Traditat nuk shuhen lehtë dhe megjithëse jokonformistët nuk e ndoqën këtë prirje, varrezat moderne britanike i kanë pemët e bërshenit ende si bimë të veçanta.

Çfarë thotë Bibla lidhur me pavdekësinë e shpirtit? Ajo nuk i lidh asgjëkundi fjalët «pavdekësi» ose «i pavdekshëm» me «shpirtin». Kryepeshkopi anglez i Jorkut në fjalimin «Një kuptueshmëri teologjike e jetës dhe e vdekjes» krahasoi «idetë e paqarta rreth shpirtit që lë trupin» me një të vërtetë themelore të Biblës. «Nuk ka asgjë në trupat tanë që, kur vdesim, ikën në një farë mënyre»,—tha ai.

Çfarë lloj peme është bërsheni?

Bërsheni i Anglisë [Taxus baccata] është një pemë madhështore me gjelbërim të përhershëm e cila rritet ngadalë dhe arrin një lartësi rreth 10 metra. Në të vërtetë, në Britani shumë nga ekzemplarët më të mëdhenj, janë dy a më shumë pemë të bashkuara, kështu që lëvorja e ka mbuluar plotësisht bashkimin e tyre. Një bërshen skocez me një perimetër më shumë se 17 metra, sot dihet që përbëhet nga dy pemë të bashkuara në këtë mënyrë.

Pemët e bërshenit mund të jetojnë për qindra vjet; disa autoritete thonë për mijëra. Shumë pemë të vjetra britanike bërsheni janë të mbijetuarat e vetme të fshatrave mesjetare, rreth së cilave janë ngritur zona të reja banimi.

Farërat e pjekura të bërshenit janë të mbuluara nga një membranë e kuqe e çelur, e butë, në formë kupe, e njohur si aril. Por këto farëra si lëvorja, ashtu dhe halat e pemës, janë helmuese dhe mund të jenë vdekjeprurëse për bagëtinë që lejohet të kullotë aty rrotull. Një herë e një kohë besohej se nëse një shtëpi zbukurohej me bërshen në familje do të ndodhte një vdekje.

Bërsheni ka një dru mjaft të mirë, pak a shumë si i moganit. Palca e këtij druri ka një ngjyrë portokalli në të kuqe dhe me të mund të bëhen mobilie të forta. Për shkak të vetive të tij elastike dhe të forta, gjatë Mesjetës, përdorej për të bërë harqe të gjata, të cilat harkëtarët anglezë i përdornin me mjeshtëri në luftë.

Në Britani, si edhe në ato pjesë të Normandisë, të cilat dikur sundoheshin nga Anglia, pemët e bërshenit janë një pamje e zakonshme në varrezat e lashta. Një varrezë në Angli është e famshme për 99 pemët e bërshenit që ka, dhe një numër i tillë është i pazakontë. Zakonisht pemët e bërshenit mbilleshin dy e nga dy, një në hyrjen e kortezhit për në varreza dhe tjetra afër derës së kishës. Sot, në këtë shteg vërehen nganjëherë dy rreshta me pemë bërsheni irlandeze të krasitura. Pemë të tjera bërsheni janë mbjellë pranë varreve.

Megjithatë, pavdekësia e supozuar e shpirtit është një doktrinë pagane greke, që lidhet me mësimet e Platonit. Ringjallja e të vdekurve për të fituar jetën e përhershme në tokë do të jetë dhurata e Perëndisë për njerëzimin, në një kohë kur vdekja do të jetë shfarosur.—Gjoni 5:28, 29; Zbulesa 21:4.

[Figura në faqen 31]

Pemë bërsheni njëmijëvjeçare në varrezën e kishës Shën Andrea, Totërixh, Hertfordshajër

[Figurat në faqen 31]

Djathtas: Arila shumëngjyrëshe, por farëra helmuese

Djathtas në cep: Pemë bërsheni irlandeze të krasitura në varrezën e kishës Shën Lorencit Litëll Stënmor, Midëllseks