Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Infermieret Kam punuar si infermiere për afërsisht tre vjet. Të merresh drejtpërdrejt me sëmundjet dhe vuajtjet, pa dyshim nuk është punë e lehtë. Sa nxitëse ishte të lexoje në serinë «Infermieret: Çfarë do të bënim pa to?» (8 nëntor 2000, anglisht) se të tjerët e çmojnë punën tonë! Shumë më tepër të jep zemër premtimi i Biblës që së shpejti infermieret nuk do të jenë më të nevojshme.—Isaia 33:24.
Zh. S. B., Brazil
Unë dhe burri im drejtojmë një infermieri dhe kjo seri na ka dhënë shumë zemër. Na ka ndihmuar për të përmirësuar qëndrimin tonë ndaj profesionit dhe pacientëve. Ju lumtë!
Z. S., Gjermani
Mendoja gjithmonë se infermieret luanin një rol të dorës së dytë. Por këta artikuj më ndihmuan të kuptoja se infermieret ndihmojnë për t’i lehtësuar mjaft vuajtjet psikologjike, e tregojnë mirëkuptim dhe mbështetje që shpesh mjekët e zënë me punë nuk mund t’i japin. U dërgova kopje të revistës disa ish-shoqeve të klasës, të cilat studiojnë për infermieri.
F. Xh., Itali
Faleminderit për këta artikuj të shkruar me përzemërsi. Infermieria më ka ndihmuar të piqem në shumë mënyra. Ishte një nga faktorët që më nxiti të mendoja për qëllimin e jetës dhe të studioja Biblën. Ky numër i Zgjohuni! ka qenë shprehja më e madhe e çmueshmërisë që kam marrë ndonjëherë. Do të më japë zemër për një kohë të gjatë.
J. D., Republika Çeke
Faleminderit për këtë seri. Kam qenë për shumë vjet një infermiere e kualifikuar. Ndiej kaq shumë empati për pacientët, saqë kur u hedh ilaçin në sy, më dalin edhe vetë lot. Jam e sigurt se infermieret përreth botës do të reagojnë në mënyrë pozitive ndaj këtij numri të Zgjohuni!
L. A. R., Shtetet e Bashkuara
Dhëmbët e fëmijëve Pjesë e punës sime në një dhomë dentisti, është t’u mësoj nënave se si të kujdesen për dhëmbët e të vegjëlve të tyre. Artikulli «Të mbrojmë dhëmbët delikatë» (22 nëntor 2000, anglisht) më ka ndihmuar shumë, sepse shpjegon rrezikun e fermentimit dhe të dëmtimit nga bakteriet. Të gjitha nënave që këshillohen me mua u jap tani një kopje të revistës, dhe frytet kanë qenë të shkëlqyera!
T. C. S., Brazil
Këmbë që s’gjejnë prehje Sapo lexova artikullin tuaj «A keni këmbë që s’gjejnë prehje?» (22 nëntor 2000, anglisht) Kam pasur këtë problem për 18 vjet dhe mendoja se isha e vetme. Kam qarë shpesh nga mërzitja dhe mungesa e gjumit e kam provuar të gjitha llojet e mjekimeve. Sigurisht, zgjidhja e vetme përfundimtare është Mbretëria e Jehovait.
S.T., Skoci
Kur lexova këtë artikull, u mahnita, pasi përshkruante saktësisht simptomat e mia. Edhe pse gjendja ime shëndetësore nuk është diagnostikuar zyrtarisht si sindroma e këmbëve që s’gjejnë prehje, jam e lehtësuar të di se edhe të tjerë po përballojnë të njëjtën gjë. Tani po mësoj të jetoj me sëmundjen time më me efektshmëri se në të kaluarën. Duke qenë se tani di si t’u bëj ballë ndjesive të pakëndshme, ndihem shumë më mirë emocionalisht.
A. K., Japoni
Jam 43 vjeçe dhe ende zgjohem gjatë natës, pasi më bëhen duart dhe këmbët miza-miza. Para se të lexoja këtë artikull, mendoja se këtë gjendje e kisha vetëm unë. Nuk e dija se kishte edhe të tjerë që vuanin po aq sa edhe unë. Faleminderit shumë që botoni artikuj të tillë për të ndriçuar të tjerët rreth këtyre problemeve të pazakonshme.
D. L., Kanada