Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Shtatëdhjetë e nëntë milionë gra ‘mungojnë’
Një studim i financuar nga OKB-ja për «Indinë, Pakistanin, Bangladeshin, Nepalin, Sri-Lankën, Butanin dhe ishujt Maldive thoshte se rreth 79 milionë gra ‘mungonin në Azinë Jugore’ për shkak të diskriminimit kundrejt femrave si para, edhe pas lindjes»,—pohon një njoftim i Reuters. Gratë ‘mungojnë’ për shkak të aborteve, si edhe «vrasjes së foshnjave femra e përparësisë që i jepet fëmijëve meshkuj në këto zona kur shpërndahet ushqim». Thuhet se ky trajtim jo i favorshëm vazhdon deri në moshën madhore, duke sjellë si pasojë probleme kronike të të ushqyerit te femrat. «Mes vajzave të reja dhe grave në moshën që mund të kenë fëmijë ka një nivel të lartë vdekshmërie»,—thoshte njoftimi. Shifra e 79 milionëve mbështetej në faktin, se, në këto vende në çdo 100 burra ka 94 gra, ndërsa në shkallë botërore raporti është 106 gra për çdo 100 burra.
Tuneli më i gjatë rrugor
Tuneli më i gjatë rrugor në botë është hapur në Norvegji, sipas gazetës Frankfurter Allgemeine Zeitung. Tuneli Lardal është 24,5 kilometra i gjatë dhe lidh dy qytetet më të mëdha të Norvegjisë, Oslon dhe Bergenin. Më parë shoferët e makinave duhet të zgjidhnin ndërmjet një rruge malore dredha-dredha e një udhëtimi me traget përmes një fjordi. Kujdes i madh i është treguar sigurisë në tunelin e ri. Ai ka një hapësirë për të marrë kthesën çdo 500 metra, sistem të madh ventilimi zjarrdurues që heq tymin dhe gazet helmuese përmes një kanali ventilimi si dhe aparat video e sistem urgjence të fjalës së fundit. Meqë shumë njerëz kanë frikë nga tunelet e gjata, sheshe të mëdha e ndajnë tunelin Lardal në katër pjesë. Muret e këtyre shesheve janë të ndriçuara me drita blu për të dhënë përshtypjen e ditës dhe ajrit të freskët. Gjithsesi, një sondazh tregoi se 25 për qind e norvegjezëve e shmangin tunelin nga frika e aksidenteve ose e zjarrit.
Kafshët e rrezikuara kthehen në Izrael
Shumë kafshë që ishin zhdukur nga Izraeli, tani po rishfaqen, siç pohonte një artikull në gazetën izraelite Haaretz. Çakejtë dhe tufat e ujqërve janë kthyer në Negeb dhe në lartësitë e Golanit. Sipas një llogaritjeje të fundit, numri i shqiponjave në Izraelin verior është rritur në 450. Madje në Galile është vërejtur një leopard. Besohej se në këtë zonë leopardët ishin zhdukur dhe ujqërit rrezikoheshin për tu zhdukur. Por tani këta grabitqarë janë kthyer, ashtu si preja e tyre—antilopa, dhitë e egra dhe dreri. Ndërsa disa kafshë kthehen vetë, të tjerat janë rifutur në habitatin e tyre të mëparshëm. Këtu përfshihen gomerët e egër; më shumë se 100 prej tyre përsëri po bredhin nëpër Negeb.
I ushqyeri me gji, më tepër i dobishëm
«A doni të rritni koeficientin e zgjuarsisë së fëmijës suaj?»—pyet revista Psychology Today. «Mund të jetë shumë e thjeshtë: zgjidhni qumështin e gjirit në vend të qumështit artificial.» Dy acide yndyrore që ndodhen prej vetiu në qumështin e gjirit, acidi dokosaheksanoik (DHA) dhe acidi arakidonik (AA), duket se janë të rëndësishme në zhvillimin e sistemit nervor. Provat kanë treguar se «fëmijët që konsumonin si DHA, ashtu dhe AA ishin më të zhvilluar se grupet e tjera për sa i përket kujtesës, zgjidhjes së problemeve dhe zhvillimit të aftësive të gjuhës»,—thotë revista, duke treguar se qumështi natyral i gjirit është më i miri.
«Kërkimet hedhin gjithashtu dritë rreth arsyes përse njerëzit janë shumë të lidhur pas ushqimeve të vendit të tyre»,—thotë revista Science. «Gratë që pinin lëng karrote ndërsa ishin shtatzënë ose ushqenin me gji fëmijët, kultivonin një shije për karrota te pasardhësit e tyre. . . . Kërkimet tregojnë se ushqimi me gji është më i mirë se qumështi artificial, sepse i ndihmon fëmijët të pranojnë më lehtë ushqimet e reja» dhe i mëson ata se «cilat ushqime janë të sigurta, duke theksuar rëndësinë e një diete të shëndetshme për nënat shtatzënë dhe me fëmijë në gji».
Puna e përshtatshme mungon
«Punë e përshtatshme për të gjithë—Ende një ëndërr»,—thotë një kryeartikull i gazetës gjermane
Hannoversche Allgemeine Zeitung, duke raportuar për simpoziumin «Dialogu global» mbajtur në ekspozitën botërore EXPO 2000 në Hanover. Edhe pse parimi i pagës së njëjtë për punën e njëjtë si për burrat dhe për gratë u miratua në vitin 1951 dhe një ndalim për punën e fëmijëve në 1973, 150 milionë njerëz rreth globit janë pa punë, 850 milionë janë të punësuar pjesërisht dhe 250 milionë fëmijë duhet të punojnë. Gjysma e popullsisë së botës jetojnë me më pak se dy dollarë në ditë. Dhe pavarësisht nga të gjitha përpjekjet, hendeku mes të pasurve dhe të varfërve është zgjeruar në vend që të ngushtohej. Edhe problemet e vendeve të pasura e të varfëra janë shumë të ndryshme. Ndërsa politikanët evropianë diskutojnë rreth planeve për ndarjen e aksioneve dhe ndikimin e sindikatave, kolegët e tyre në vendet në zhvillim duhet të kujdesen për çështje më thelbësore, si arsimimi bazë shkollor për të gjithë dhe krijimi i punëve për brezin e ri.A është Masada në rrezik?
«Masada nuk duhet të bjerë përsëri!» është thirrja nxitëse që i motivonte judenjtë ndërsa ndërtonin kombin modern të Izraelit. «Por në të vërtetë, Masada mund të bjerë përsëri,—vëren një publikim i lajmeve i NBC-së,—dhe pikërisht për shkak të forcave të natyrës.» Vendi i rrahur turistik «është vendosur në një nga shkarjet më të paqëndrueshme të planetit: lugina Rift e Detit të Vdekur». Shkëmbinjtë malorë janë ndarë në qindra blloqe, disa prej të cilave mund të lëkunden nga një tërmet. Në fakt, analiza kompjuterike tregoi se disa blloqe në anën lindore të Shtegut të Gjarprit po shkëputeshin vërtet, dhe këto janë përforcuar tashmë nga shufra çeliku 18 metroshe. Megjithatë, ato që kanë mbetur nga pallati që mbreti Herod ndërtoi në pjesën veriore të Masadas «janë gjithashtu në tokë të paqëndrueshme» dhe kanë nevojë të përforcohen. Deri tani, në këtë pjesë puna nuk ka filluar për shkak të mungesës së fondeve. Në Masada, 100 kilometra nga Jerusalemi, një grup prej 967 rebelësh judenj i bënë ballë për dy vjet rrethimit të ushtrisë romake gati 2.000 vjet më parë. Natën para se romakët të depërtonin në fortifikatat e tyre, thuhet se judenjtë zgjodhën më mirë të vetvriteshin, sesa të dorëzoheshin.
Kini kujdes nga dielli
Ekspozimi i tepërt ndaj diellit pa mbrojtjen e duhur mund të shkaktojë kancerin e lëkurës, raporton një artikull në gazetën e Meksikës El Universal. Sipas dermatologes Adriana Anides Fonseka, rrezatimi diellor ka një ndikim grumbullues që zakonisht shfaqet si tumor malinj pas moshës 50 vjeç. Ajo rekomandon përdorimin e kremit kundër diellit 30 minuta para ekspozimit në diell dhe, ripërsëritjen e kësaj çdo tre ose katër orë, pasi shkojmë në ujë ose kur djersijmë shumë. Njerëzit me lëkurë më të bardhë kanë nevojë për një filtër me një faktor mbrojtës nga dielli më shumë se 30 ose 40, kurse njerëzit me lëkurë të errët, një me faktor 15-30. Edhe atëherë duhet të kemi parasysh se kremi kundër diellit nuk e ndalon plotësisht dëmin e rrezatimit dhe se produktet për nxirjen e lëkurës mund t’i keqësojnë punët duke shkaktuar të djegura më të thella. Kujdes i veçantë u duhet kushtuar fëmijëve për t’i mbrojtur nga ekspozimi i drejtpërdrejtë ndaj diellit, pasi mekanizmat mbrojtës të lëkurës së tyre nuk janë zhvilluar ende plotësisht.
Interesi për priftërinë ka humbur
Prindërit katolikë nuk «e kanë më për krenari të thonë ‘biri im, prifti’»—thotë The New York Times. «Udhëheqësit katolikë . . . janë shumë të vetëdijshëm se një faktor kryesor i numrit të paktë të priftërinjve është sasia e pakët e prindërve katolikë, të cilët janë të gatshëm t’i nxitin fëmijët e tyre që të mendojnë për t’u bërë priftërinj.» Ndër arsyet që jepen është se familjet katolike janë me më pak fëmijë, ku «është më e rëndë të pranosh faktin se djali i vetëm të jetojë si një prift beqar»—thotë artikulli. «Veç kësaj autoriteti i priftërisë dekadën e fundit është tronditur nga njoftimet e lajmeve për priftërinj që kanë abuzuar me fëmijët, thoshin prindërit në intervista.» Në një sondazh me katolikët më aktivë në kishë, i autorizuar nga Konferenca Kombëtare e Peshkopëve Katolikë, u zbulua se dy të tretat e prindërve nuk do t’i nxitnin fëmijët e tyre për t’u bërë prift ose murg. Sipas Eduard J. Bërnsit, një prift dhe përfaqësues i grupit, një çift i ri i pamartuar në një grumbullim familjar nuk do të merrte komente jomiratuese nëse njoftonin se po jetonin së bashku. Megjithatë, nëse një i ri mendon për t’u bërë prift do të qortohet nga anëtarët e familjes, të cilët do t’i thonë: «A je i sigurt se e di se çfarë po bën?»