Ujëvarat e Niagarës: Një përvojë mahnitëse
Ujëvarat e Niagarës: Një përvojë mahnitëse
KOHËT e fundit kam pasur mundësinë të shihja Ujëvarat e Niagarës si asnjëherë tjetër—shumë afër. Mund t’ju siguroj se është një përvojë mahnitëse. Unë dhe miqtë e mi po vizitonim Ujëvarat Kanadeze Horseshoe, të quajtura kështu për shkak të formës prej patkoi. Kisha qenë atje disa herë që prej vizitës së parë në vitin 1958, por një gjë nuk e kisha bërë kurrë—nuk kisha marrë asnjëherë një traget për të udhëtuar përgjatë lumit, deri pikërisht përballë ujëvarave. Megjithatë, njerëzit e kanë bërë këtë që në kohën e udhëtimeve turistike me tragetet Maid of the Mist, që nisën në vitin 1848. Miliona veta e kanë provuar këtë udhëtim emocionues. Tani e kisha unë radhën.
Tragetet nisen rregullisht nga të dyja anët e lumit, ana që ndodhet në Shtetet e Bashkuara, si edhe ajo që ndodhet në Kanada. Gjithmonë ka radhë. Mundëm të shihnim njerëz të moshave të ndryshme, madje edhe fëmijë të vegjël, që vishnin mushama të lehta plastike me ngjyrë blu, të cilat janë një mbrojtje e domosdoshme kundër spërkatjes. (Për ata që vizitojnë Ujëvarat Amerikane në anën tjetër, mushamatë janë të verdha.) Trageti Maid of the Mist VII mund të mbajë deri në 582 pasagjerë. Peshon 132 ton dhe është 24 metra i gjatë dhe 9 metra i gjerë. Tani janë katër tragete në funksionim, Maid of the Mist IV, V, VI, dhe VII.
Radha jonë për t’u bërë qull
U rreshtuam me turmën dhe sapo grupi me turistët e lagur e të bërë qull zbriti nga trageti Maid of the Mist VII, u shtymë përpara me turmën. E kuptova se një udhëtim emocionues na priste përpara. Në largësi, më pak se një kilometër, në anët e ujëvarave uturinin ujërat, që binin nga një largësi prej 52 metrash, poshtë në pellgun e thellë ujor prej 55 metrash. Trageti ynë u drejtua për në lumë dhe lundroi drejt anës Amerikane, ku çamë përmes vorbullave të ujit në fund të Ujëvarave Amerikane, të cilat * Pjesa më emocionuese shtrihej pikërisht përpara nesh.
bien nga një lartësi e përgjithshme prej 54 metrash.Tensioni rritej ndërsa u afroheshim gjithnjë e më shumë ujërave që zhaurinin. Shpejt, u bë e pamundur për të bërë fotografi, për shkak të erës dhe spërkatjes së fuqishme që mbushte ajrin. U duk sikur timonierit iu desh një sasi e pafund kohe, ndërsa lëvizte tragetin ngadalë gjithnjë e më afër pikës së përplasjes, ku çdo minutë nga ujëvarat bien më shumë se 168.000 metra kub ujë dhe përplaset pikërisht përballë tragetit. Zhurma ishte shumë e madhe. Vështirë se mund të dëgjoje vetveten tek bërtisje. Zemra më rrihte. Faktikisht mund të shijoja ujin e Niagarës, të ftohtë por me sa duket të pastër. Kjo ishte vërtet një përvojë e pashoqe!
Pas asaj që dukej një përjetësi, timonieri më në fund e largoi ngadalë tragetin tonë Maid nga rreziku dhe e drejtoi në drejtim të rrymës. Mora frymë i lehtësuar. Ia kishim dalë. Por faktikisht, kjo nuk vihej kurrë në dyshim. Kompania që drejton këto tragete nuk ka pasur kurrë ndonjë aksident. Emil Bendi, drejtor i përgjithshëm i shoqërisë së trageteve, na siguroi se çdo traget është i pajisur me jelekë shpëtimi dhe mjete lundruese në sasi të mjaftueshme për kapacitetin maksimal të pasagjerëve. Nuk ka vend për ndonjë gabim si ai i Titanikut!
Ujëvarat po tërhiqen!
Po, erozioni i ka dëmtuar ujëvarat. Është llogaritur se gjatë 12.000 viteve të fundit, ujëvarat e Niagarës janë tërhequr rreth 11 kilometra deri në vendin ku janë tani. Një herë e një kohë shpejtësia e erozionit ishte rreth 1 metër çdo vit. Tani është ulur në rreth 36 centimetra çdo dhjetë vjet. Cila është arsyeja e këtij erozioni?
Uji kalon mbi një shtresë të fortë të sipërme guri gëlqeror prej dolomiti, i cili ndodhet mbi shtresat prej shkëmbi të butë ranor dhe shisti argjilor. Këto shtresa të poshtme gërryhen dhe më pas shkëmbinjtë gëlqerorë shemben dhe bien poshtë në pellgun e ujit.
Uji nuk vete dëm
Sasia e madhe e ujit që zbret poshtë në lumin e shkurtër të Niagarës (56 kilometra) vjen nga katër prej pesë Liqenet e Mëdha. Rrjedh drejt veriut, nga liqeni Erie për në liqenin Ontario. Gjatë këtij udhëtimi të shkurtër ai shfrytëzohet për të prodhuar hidroelektricitet, i cili ndahet mes Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara. Thuhet se është një nga burimet më të mëdha në botë për energjinë hidroelektrike. Centralet elektrike të Kanadasë dhe të Shteteve të Bashkuara kanë një kapacitet së bashku prej 4.200.000 kilovat. Uji për turbinat merret nga Niagara përpara se lumi të arrijë ujëvarat.
Muaj mjalti dhe dritat e natës
Ujëvarat e Niagarës janë një vend i parapëlqyer për çiftet që janë në muajin e mjaltit. Kjo është veçanërisht e vërtetë pas shfaqjes së filmit Niagara në vitin 1953. Natën ujëvarat ndriçohen nga drita ngjyra-ngjyra, të cilat i japin një pamje të re bukurisë dhe madhështisë së këtij vendi të pashoq në planetin tonë. Pa dyshim, një vizitë në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara është jo e plotë pa një udhëtim në këtë mrekulli të botës. Dhe nëse ju pëlqejnë sadopak aventurat, mos lini pa e bërë një udhëtim me traget! Nuk do të pendoheni dhe as nuk do ta harroni këtë përvojë.—Nga një bashkëpunëtor.
[Shënimi]
^ par. 5 «Tek Ujëvarat Amerikane, uji bie vertikalisht në fund drejt shkëmbinjve me një lartësi që shkon nga 21 deri në 34 metra.»—Ontario’s Niagara Parks.
[Kutia dhe figura në faqen 26]
TELEFERIKU SPANJOLL I NIAGARËS
Reth 4,5 kilometra poshtë nga ujëvarat është një vorbull e madhe uji «e formuar në fund të rrëmbesave ku Gryka e Madhe kthehet menjëherë për në verilindje. Këtu vorbulla e madhe ngjyrë smeraldi mbështillet dhe shpërdridhet për të kaluar përmes kanalit të ngushtë në Grykë».—Ontario’s Niagara Parks.
Mënyra më e mirë për të kuptuar përmasat e përgjithshme të kësaj mase uji të jashtëzakonshme është duke bërë një xhiro me teleferikun spanjoll të Niagarës. Ky teleferik kalon mbi ujë dhe i jep mundësi dikujt të shohë pamjet mbresëlënëse të lumit si në rrjedhën e sipërme, ashtu dhe në atë të poshtme. Por përse është quajtur teleferiku «spanjoll»? U projektua dhe u ndërtua nga një inxhinier i zoti spanjoll, Leonardo Torres Kuevedo (1852-1936), dhe ka qenë në përdorim që nga viti 1916. Është lloji i vetëm që ekziston.
[Diagrami dhe figura në faqen 26]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
EROZIONI ka bërë që ujëvarat të tërhiqen afërsisht 300 metra ose më shumë që nga viti 1678
1678
1764
1819
1842
1886
1996
[Burimi]
Burimi: Niagara Parks Commission
[Hartat në faqen 27]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
KANADA
SHBA
KANADA
SHBA
Liqeni Erie
Ujëvarat e Niagarës
Lumi i Niagarës
Liqeni Ontario
[Figurat në faqen 25]
Ujëvarat Amerikane
Ujëvarat Kanadeze Horseshoe
[Figura në faqen 26]
Pamje dimërore e ujëvarave të ndriçuara natën