Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Milanoja dhe Torinoja—Qytete të këndshme për t’u vizituar

Milanoja dhe Torinoja—Qytete të këndshme për t’u vizituar

Milanoja dhe Torinoja—Qytete të këndshme për t’u vizituar

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË ITALI

NJË vizitë në Itali mund të jetë një përvojë e këndshme. Ushqimi, vera, peizazhi, historia, kultura, muzika dhe gjuha: të gjitha ndërthuren për ta bërë këtë vend të paharrueshëm. Kjo verë mund të jetë koha më e mirë për një udhëtim, sidomos për ata që janë ftuar të ndjekin një nga kongreset e Dëshmitarëve të Jehovait që do të mbahen atje. Tani, le të bëjmë një udhëtim të shkurtër së bashku në dy qytete të rëndësishme të Italisë dhe në rajonet e tyre.

Milanoja—Kryeqyteti i vërtetë i Italisë?

Në lidhje me biznesin dhe industrinë, qyteti i Milanos shpesh konsiderohet si kryeqyteti i vërtetë i Italisë. I krahasuar me qytetet e tjera italiane, është më pak i njohur për antikitetin dhe artin. Këtu duket se ana moderne mbizotëron mbi atë të lashtën. Megjithatë, Milanoja është vendlindja e disa veprave të mirënjohura të artit dhe arkitekturës, që dëshmojnë për të kaluarën e tij të lashtë.

Rreth vitit 600 p. e. s., rajoni ishte i populluar nga galët, një popull i vjetër kelt që vinte nga ai rajon që njihet tani si Franca. Në vitin 222 p. e. s., romakët e pushtuan qytetin dhe i vunë emrin e latinizuar Mediolanum, që tani quhet Milano. Përgjatë shekujve, gadishulli italian ka qenë një tokë e ndarë dhe e pushtuar, e vetëm në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të fitoi pavarësinë. Kështu, Milanoja ishte objekt i një radhe të pafund pushtuesish. Midis atyre që pushtuan këtë vend ishin lombardët, ndoshta me prejardhje nga Skandinavia. Ata i dhanë emrin e tyre Lombardisë, rajonit ku Milanoja është qendra kryesore.

Ejani të vizitoni qytetin

Historia e Milanos, si ajo e pjesës tjetër të Italisë, është ndikuar së tepërmi nga Kisha Katolike. Nuk çuditemi, pra, që katedralja ose duomo e këtij qyteti është kisha e tretë më e madhe në Evropë dhe një nga kishat gotike më të mëdha në botë. Rreth 152 metra e lartë, ajo është plot me maja kambanoresh, dhe me më shumë se 3.000 statuja e figura groteske. Ndërtimi filloi më 1385 e u deshën pesë shekuj për ta përfunduar. Sot, kur italianët flasin për një punë që po zgjat shumë, thonë se është njësoj si «ndërtimi i katedrales».

Për lexuesit e Biblës do të jetë me interes të shohin emrin e Perëndisë, në formën «Jahve», lart në një dritare gotike në fasadën e katedrales. Ana e jashtme e fasadës është e zbukuruar me piktura të shumta të ngjarjeve biblike.

Castello Sforzesco, një kështjellë, është një nga ndërtesat simbol të qytetit. Është ndërtuar në shekullin e 15-të nga familja Sforza, që ishin zotërit e Milanos. Sot, ajo përmban disa muze. Një dhomë e famshme përmban afreske për të cilat disa thonë se janë pikturuar nga Leonardo da Vinçi, artisti dhe shkencëtari i shquar.

Mes pikturave më të njohura të Da Vinçit është një afresk në kuvendin e murgeshave të Santa Maria delle Grazie, të shekullit të 15-të, në periudhën e Rilindjes. Ajo tregon Jezuin, në atë që quhet Darka e Fundit, dhe vlerësohet si një nga më të famshmet e të gjitha pikturave të Rilindjes. Një muze tjetër, Pinacoteca di Brera, ka një nga koleksionet më të mëdha italiane me piktura nga artistë të tillë të famshëm, si: Belini, Rafaelo, Tintoreto dhe Karavaxho.

Studentët e Biblës do të kenë mundësinë të vlerësojnë bibliotekën dhe galerinë e artit, Pinacoteca Ambrosiana, ku gjendet Fragmenti Muratorian, një katalog në latinisht i Shkrimeve të Krishtere Greke, datuar nga fundi i shekullit të dytë të e. s. Ai ndihmon për të vërtetuar përmbajtjen e «Besëlidhjes së Re». *

E njëjta bibliotekë përmban një kodik të quajtur kodiku Ambrozian O 39 sup. datuar nga fundi i shekullit të nëntë të e. s., i cili jep emrin hyjnor me tetragramin në shkronja hebraike katrore, siç përmendet në Shkrimet e Shenjta, Përkthimi Bota e Re—Me Referime. * Biblioteka ka, gjithashtu, versione të tjera të lashta të Biblës dhe Kodikun Atlantik, si edhe një koleksion të më shumë se 2.000 vizatimeve dhe shënimeve shkencore të bëra nga Leonardo da Vinçi.

Një këshillë e dobishme për vizitorët është të kujtojnë se shumë muze dhe biblioteka janë vendosur në ndërtesa të lashta, madhështore për bukurinë e tyre, por që sot mbushen plot me lehtësi nga vërshimi gjithnjë e më i madh i turistëve. Në shumë raste vizitat duhet të rezervohen më përpara dhe disa muze vendosin një afat të fundit për to.

Para se të largohen nga pjesa e vjetër e qytetit, dashuruesit e muzikës mund të duan të shohin pamjen e jashtme të La Scala, një nga teatrot më të famshëm të operës në botë. Edhe sikur vizitori s’do të ketë mundësinë të ndjekë një opera, atij mund t’i pëlqejë të vizitojë muzeun ku janë paraqitur shumë kujtime të këngëtarëve dhe të muzikantëve të famshëm. *

Udhëtimi në pjesën moderne të Milanos, një nga qytetet më të pasura në Evropë, me grataçelat e saj dhe stadiumet sportive, do t’ju japë një pamje të përgjithshme të qytetit. Do të jeni në gjendje të admironi shumëllojshmërinë, bukurinë dhe historinë e gjatë të Milanos. Vizitorëve që ju pëlqen të bëjnë pazar dhe të vizitojnë vende turistike, do të dëshironin të vizitonin Galleria Vittorio Emanuele II, një galeri e stërmadhe me tavanin dhe kubenë e tij madhështore prej xhami.

Do të mbeteni të kënaqur po erdhët në Milano! Por tani, le të udhëtojmë në perëndim për të vizituar një qytet të rëndësishëm tërësisht të ndryshëm të Italisë.

Torinoja—Një tjetër xhevahir i Italisë

Torinoja, një qytet me popullsi rreth një milion banorë, ndodhet në pjesën më të ngushtë të luginës të lumit Po, rrëzë Alpeve perëndimore dhe më pak se 100 kilometra nga kufiri francez. Rrethohet nga male alpine në formën e një amfiteatri madhështor, që arrin deri atje sa të zë syri. Pothuajse gjysma e krahinës së Torinos përbëhet nga male, pyje dhe lugina. Një udhëtim me makinë, në më pak se një orë, ju çon në vendet malore të pushimit. Në më pak se dy orë, mund të jeni në plazhet e Ligurias.

Origjina e Torinos daton para romakëve. Fillimisht ishte vendbanim i një populli të quajtur Taurini. Ndërsa më vonë u bë koloni romake, rrënojat e së cilës gjenden në zonën historike. Ka veçori mesjetare, por pjesa më e madhe e arkitekturës së qytetit daton nga shekujt e 17-të dhe 18-të. Stili barok mbizotëron në ndërtesat anës rrugëve e në qendër të qytetit.

Torinoja është shtëpia e një nga muzeve më të mëdha egjiptiane në botë. Koleksioni i tij i veçantë i objekteve nga qytetërimi i lashtë që u zhvillua përgjatë Nilit, është i dyti pas atij të Kajros.

Në një vizitë prej pak orësh, ju mund të admironi Pallatin Madama, me muzeun e tij të artit që përfshin periudhën nga epoka greko-romake, deri në shekullin e 19-të. Mund të shihni, gjithashtu, qendrën artistike dhe historike të qytetit, Pallatin Mbretëror dhe Mole Antonelliana, e cila me lartësinë 170 metra ishte deri kohët e fundit, një nga ndërtesat më të larta me gurë në Evropë. Si një simbol i qytetit, disa herë është quajtur ekuivalenti i Torinos për kullën Ejfel të Parisit. Më pas është parku Valentino, me kopshtet e tij botanike, lëndinat, shëtitoret, shatërvanët dhe një qytet-fortesë mesjetar, një rindërtim besnik i origjinalit dhe piktoresk i një fshati piemontez të shekullit të 15-të.

Torino është mes qendrave industriale më të rëndësishme të Italisë. Është qendra e shoqërisë së makinave FIAT (Fabbrica Italiana Automobili Torino). Nëse ju interesojnë makinat e vjetra, rreth tre kilometra nga qyteti, Museo dell’Automobile ka një koleksion me 150 të tilla, makina të vjetra dhe klasike, duke përfshirë Bugatti, Maserati dhe Lancia. Vetëkuptohet që jetesa e gjysmës së popullsisë së sotme të Torinos është, në njëfarë mënyre, e lidhur me industrinë automobilistike.

Dëshmitarët e Jehovait në Torino dhe Milano

Për shekuj, luginat rreth Torinos, kanë pasur një përqendrim të lartë të valdezëve, pasardhësit e predikuesve shëtitës të Reformës Protestante. Nuk është për t’u çuditur, atëherë, që Çarlz Tejz Rasëlli, i cili mori drejtimin ndër Studentët e hershëm të Biblës (siç ishin të njohur atëherë Dëshmitarët e Jehovait), u takua me një pastor valdez vendës, Daniele Rivuar. Rasëlli bëri rregullime me të për të pasur një numër mjetesh ndihmëse për studimin e Biblës të përkthyera në italisht. Në vitin 1903, u formua grupi i parë i Studentëve të Biblës në këtë zonë. Kur Rasëlli u kthye në Itali në vitin 1912, rreth 40 persona mbanin rregullisht mbledhjet e krishtere në një ndërtesë në Pinerolo, afër Torinos. Në Pinerolo, u mbajt asambleja e parë italiane më 1925.

Kështu gjurmët e para të vërteta të Studentëve të Biblës në Torino, datojnë prej viteve 20 të shekullit të kaluar. Në vitin 1946, u dërguan misionarët e parë Dëshmitarë të Jehovait në Itali. Ata ndihmuan për të vendosur në një themel të fortë veprën e Dëshmitarëve. Në fund të viteve 40 dhe në fillim të viteve 50 të shekullit të 20-të, u formuan kongregacionet e para në qytet. Tani janë rreth 13.000 Dëshmitarë të Jehovait në Torino dhe në provincën e saj. Megjithatë, çfarë mund të themi për Milanon?

Për më shumë se një vit, zyra e degës që përfaqësonte Dëshmitarët e Jehovait në Itali, ishte në Milano. Në vitin 1948, u zhvendos në Romë. Asambleja e parë e pasluftës u mbajt në një nga teatrot e qytetit në Milano, më 1947. Rreth 700 persona nga të gjitha anët e vendit ishin të pranishëm. Në vitin 1963 u mbajt Asambleja Ndërkombëtare «Lajmi i mirë i përhershëm» në Velodromo Vigorelli të Milanos, në atë kohë ndoshta pista më e famshme e çiklizmit në Evropë.

Predikimi i Dëshmitarëve të Jehovait në ditët tona ka qenë një sukses i madh në Milano. Tani, ka 57 kongregacione në qytet, me më shumë se 4.000 ungjillëzues aktivë, si dhe një Sallë Asamblesh në ish-teatrin e qytetit.

Vizita në Milano dhe Torino mund të jetë me të vërtetë shpërblyese. Në çdo kohë që të shkoni, ka të ngjarë të gjeni një mikpritje të ngrohtë dhe të keni një përvojë të çmuar.

[Shënimet]

^ par. 12 Shih «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm», faqet 302-304, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, anglisht.

^ par. 13 Shtojca 1C, faqja 1564, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, anglisht

^ par. 15 Shih Zgjohuni! 8 korrik 1994, faqja 24, «Një natë në opera», anglisht.

[Kutia në faqen 27]

A është autentik qefini i Torinos?

Ndoshta aspekti më i famshëm i Torinos, është qefini, për të cilin disa besojnë se është rripi i pëlhurës me të cilin u mbështoll trupi i Krishtit. Një libër me informacione për udhëtarët shpjegon: «Relika e shenjtë më e famshme—dhe më e dyshimtë—nga të gjitha, ruhet në duomon [katedralen] e Torinos.» Ajo është ekspozuar një herë e mirë në një nga kishëzat e duomos, mbyllur në një kuti xhami hermetike e të papërshkueshme nga plumbi, mbushur me një gaz të plogët. Libri vazhdon më poshtë: «Sidoqoftë, në vitin 1988, miti i qefinit u shemb; një analizë me karbon radioaktiv tregoi se ai datonte jo më parë se shekulli i 12-të.» *

[Shënimi]

^ par. 36 Shih Zgjohuni! 22 dhjetor 1998, (anglisht) faqja 23, «Qefini i Torinos—Pëlhura e varrimit të Jezuit?».

[Harta në faqen 24]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

MILANO

TORINO

[Burimi]

Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.

[Figura në faqen 24]

Katedralja në Milano

[Figura në faqen 24]

Ana moderne duket se mbizotëron mbi atë antike në Milano

[Figurat në faqen 25]

Në Milano, La Scala (sipër) dhe Galleria Vittorio Emanuele II (në të djathtë)

[Figura në faqen 25]

«Darka e fundit» nga Leonardo da Vinçi

[Burimi]

Scala/Art Resource, NY

[Figura në faqen 26]

Hyrja e urës lëvizëse në qytetin-fortesë mesjetar në Torino

[Figura në faqen 26]

Mole Antonelliana në Torino; maja e saj arrin 170 metra lartësi

[Figura në faqen 26]

Lumi Po që kalon përmes Torinos