Ndihma gjendet kudo
Ndihma gjendet kudo
BAKSTERI, një nxënës 15-vjeçar i shkollës së mesme, ka një mënyrë interesante për të kaluar pasditet e së shtunave. Viziton një grup të moshuarish në një azil, i bie ndonjë vegle muzikore dhe këndon së bashku me ta. «Ai i bën për të qeshur, i zbavit dhe sjell gëzim në jetën e këtyre banorëve»,—thotë mësuesi i Baksterit. Lusila, 78-vjeçare, tregon një dashamirësi të ngjashme. Ajo u shpërndan ushqimin nevojtarëve dhe viziton pacientët e vetmuar të spitaleve. Një shoqe thotë për Lusilën: «Nëse diku ka nevojë për ndihmë dhe ajo mund të ndihmojë, do të jetë e gatshme.»
Çfarë do të thotë të jesh vullnetar?
Ky qëndrim në jetë—‘të jesh i gatshëm për të ndihmuar atje ku ka nevojë’—ndiqet nga miliona njerëz përreth botës. Ata ofrojnë ndihmë për ndërtime të ndryshme, në zyra, fabrika, shtëpi kurimi, në azile, kampe refugjatësh, qendra për të pastrehët, sektore të luftës kundër zjarreve, qendra këshillimi, qendra për kujdesin e kafshëve dhe në vende të tjera. Janë pothuajse kudo. Përdorin aftësitë e tyre në veprimtari që shkojnë nga ndihma për të ndërtuar shtëpitë e të tjerëve, në mbledhjen e fondeve dhe nga përkëdhelja e foshnjave të braktisura, në përpjekjet për të zbutur dhembjen e pacientëve pa shërim. Këta janë vullnetarë—njerëz që kanë një ndikim të madh në jetën e atyre që janë në nevojë.
Puna vullnetare është përshkruar si «një mendim fisnik i kthyer në veprim». Ajo përfshin elementë të tillë, si: përfshirjen në një çështje, frymën e vetëmohimit, mungesën e një pagese dhe shfaqjen e altruizmit. Dy vullnetarë nga një kohë e gjatë thonë: «Shërbimi vullnetar do të thotë të japim nga vetja, domethënë të japim kohën, fuqinë fizike, idetë, aftësinë për të ndihmuar një person tjetër, dhuntitë për të zgjidhur problemet, njohurinë profesionale.» Është interesante se duke vepruar në këtë mënyrë, nxjerrin dobi edhe vetë vullnetarët.—Shih kutinë «Edhe vullnetarët nxjerrin dobi».
Shtohet numri i vullnetarëve, shtohet nevoja për ta
Në Shtetet e Bashkuara, afërsisht 100 milionë njerëz kryejnë punë vullnetare dhe numri i tyre po rritet. Kohët e fundit, Kathlin Berëns, drejtuese e organizatës vullnetare New York Cares, tha për Zgjohuni!: «Organizata jonë vazhdon të rritet me një hap të jashtëzakonshëm. Vetëm vitin e kaluar, ne kishim më shumë se 5.000 vullnetarë të rinj që u bashkuan me programin tonë.» Grupet vullnetare evropiane janë duke parë një rritje të ngjashme. Në Francë, për shembull, numri i vullnetarëve është rritur me 6 për qind çdo vit gjatë dy dekadave të fundit. Sidoqoftë, nevoja për më shumë vullnetarë nuk është zvogëluar. Në të kundërtën, Vullnetarët e Kombeve të Bashkuara (një agjenci e OKB-së), pohon se, duke e parë gjendjen në shkallë globale, «nevoja për shtimin e punës vullnetare tani është më e madhe se kurrë më parë». Një përgjegjës i muzeve thotë: «Vullnetarët janë forca jetëdhënëse për ne.»
Mirëpo, ka një paradoks. Edhe pse shumë drejtorë, administrues dhe koordinatorë që punojnë me vullnetarët e mendojnë se ata janë «më të çmuar se floriri», pjesa më e madhe
e punës së vullnetarëve nuk vlerësohet. Për të ndryshuar situatën, Kombet e Bashkuara vendosën që viti 2001 të përdorej për t’u kushtuar vëmendje vullnetarëve. Kutia “Viti Ndërkombëtar i Vullnetarëve” përshkruan disa nga qëllimet që Kombet e Bashkuara shpresojnë të arrijnë.Ndërkohë, në botën e vullnetarëve po ndodhin ndryshime që paraqesin një sfidë jo vetëm për ata vetë, por edhe për ata që drejtojnë punën e tyre. Edhe pse është kështu, ka ende shumë njerëz në të gjithë botën që janë të gatshëm për të ofruar veten e tyre në dobi të të tjerëve. Çfarë i motivon ata të bëjnë kështu? Çfarë arrijnë? Si mund të ndikojnë ata në jetën tuaj?
[Kutia dhe figura në faqen 4]
Edhe vullnetarët nxjerrin dobi
«Përpjekja për të ndihmuar të tjerët, më ka dhënë një shpërblim më domethënës, më të pasur dhe shumë më të kënaqshëm sesa mund të kisha arritur duke vazhduar të përqendrohesha plotësisht në karrierën si biznesmen»,—thotë Majkëlli, një vullnetar me orar të reduktuar. Ai nuk është i vetmi që ndihet në këtë mënyrë. Sharon Kejpling-Alakija, koordinatore ekzekutive e agjencisë Vullnetarët e Kombeve të Bashkuara, thotë: «Në të gjithë botën, njerëzit që dalin vullnetarë janë plotësisht të vetëdijshëm për dobinë e madhe që kanë nga kjo përvojë.» Dr. Dagllas M. Losën, një specialist në punën vullnetare, pohon atë që kanë gjetur studiuesit se «shpesh ndodh që vetëm pas pak orësh pune vullnetare, gjendja e përgjithshme psikologjike e personit dhe mirëqenia fiziologjike e tij është përmirësuar aq shumë, sa njihet si ‘gjendja entuziaste e vullnetarit’». Kjo ndjenjë nuk është kalimtare. Studiuesit në Universitetin Kornell në Shtetet e Bashkuara studiuan një grup njerëzish për më shumë se 30 vjet dhe gjetën se «ata që kishin punuar si vullnetarë ishin më të lumtur dhe më të shëndetshëm sesa ata që nuk kishin bërë një punë të tillë». Është interesante se Bibla pohon: «Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.»—Veprat 20:35; Fjalët e urta 11:25.
[Kutia dhe figura në faqen 5]
Viti Ndërkombëtar i Vullnetarëve
Më 20 nëntor 1997, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli vitin 2001 si «Viti Ndërkombëtar i Vullnetarëve» (IYV 2001). Sipas OKB-së, gjatë këtij viti duhet të arrihen katër synime.
Një njohje më e madhe Qeveritë janë të nxitura të njohin rëndësinë e vullnetarëve duke studiuar dhe dokumentuar arritjet e tyre dhe duke u dhënë shpërblime për veprimtari të mëdha.
Lehtësi më të mëdha Shtetet duhet të përkrahin punën vullnetare, për shembull, duke pranuar shërbimin vullnetar si një alternativë për shërbimin ushtarak ose duke përcaktuar me ligj përjashtimin nga disa taksa.
Rrjeti informativ Mediat janë ftuar të ndihmojnë më shumë, duke bërë të njohura ngjarje të suksesshme nga puna e vullnetarëve. Si pasojë, projekte të tilla mund të përsëriten «duke mos qenë më e nevojshme që çdo komunitet lokal të projektojë gjithçka nga e para».
Nxitje për zhvillim të mëtejshëm Organizatat vullnetare janë nxitur të organizojnë ekspozita me qëllim që të informojnë publikun për dobitë që puna vullnetare i sjell shoqërisë.
OKB-ja shpreson se Viti Ndërkombëtar i Vullnetarëve 2001 do të shtojë kërkesat për shërbimin që kryejnë vullnetarët, si dhe ofertat nga njerëz që duan të shërbejnë si të tillë. Gjithashtu, shpresohet se do të ketë më shumë fonde dhe lehtësi ligjore për organizatat vullnetare, në mënyrë që ato të mund të merren me nevojat në rritje të shoqërisë. Gjithsej 123 qeveri kanë mbështetur synimet e kësaj rezolute të OKB-së.