Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Mbijetesë e habitshme
Gazeta Le Monde e Parisit raporton se ndërsa pyjet e Francës u dëmtuan rëndë nga stuhi të forta në dhjetor të 1999-ës, vëzhgimet e kohëve të fundit tregojnë se kafshët e gjahut nuk vuajtën aq shumë sa pritej. Vetëm 20 kafshë të ngordhura—10 drerë, 5 sorkadhe dhe 5 derra—u gjetën në një zonë prej 10.000 hektarësh në pyjet e shkatërruara të Francës Lindore. Duke iu bindur «disa mekanizmave që janë ende të mistershme», kafshët gjetën mënyra për të shpëtuar, ndoshta duke u fshehur nën pemët e rrëzuara ose duke u mbledhur së bashku në një vend të hapur. Zhan Pol Vidmer, nga Zyra Kombëtare e Pyjeve të Francës, shprehet: «Ne dimë më pak gjëra për [sjelljen] e drerëve dhe të derrave të egër, sesa për luanët dhe për kafshët e tjera të egra që jetojnë larg.»
Sindroma e klasit turistik
Gjatë tetë viteve të kaluara, 25 pasagjerë gjatë mbërritjes për në aeroportin japonez Narita «vdiqën nga e ashtuquajtura sindromë e klasit turistik»,—raporton gazeta The Daily Yomiuri. Në ndryshim nga emri, «sindroma e klasit turistik», mund të prekë edhe pasagjerët e klasit të parë. Qëndrimi ulur për orë të tëra vështirëson qarkullimin e gjakut në këmbë dhe shkakton formimin e masave të mpiksura të gjakut. Nëse një masë gjaku e mpiksur shkon në mushkëri mund të shkaktojë vështirësi në frymëmarrje e madje edhe vdekjen. Toshiro Makino, kreu i Klinikës së Shkollës Mjekësore Japoneze në New Tokyo International Airport, thotë se çdo vit, ndërmjet 100 dhe 150 udhëtarëve që mbërrijnë në aeroportin e Naritës ka nga ata që vuajnë nga ndonjë formë e këtij shqetësimi. «Ata që udhëtojnë me avion për më shumë se shtatë-tetë orë duhet të pinë më shumë ujë se zakonisht dhe të marrin disa masa paraprake, si shtrirja dhe përkulja e këmbëve»,—sugjeron ai.
Ngrohja e Tokios
«Në shekullin e 20-të, numri mesatar i ditëve në vit gjatë të cilave temperatura në Tokio binte nën temperaturën e ngrirjes u pakësua me 95 për qind»,—raporton The Daily Yomiuri. Gjatë viteve 90 të shekullit të 20-të, në Tokio, ishin mesatarisht vetëm 3,2 ditë në vit nën temperaturën e ngrirjes, krahasuar me 61,7 ditë për 10 vjetët e parë të shekullit tonë. Një meteorolog me përvojë në Agjencinë Meteorologjike Japoneze komentoi se ngrohja globale ka penguar që temperaturat të uleshin si më parë dhe ai shprehu shqetësimin se në Tokio «një dimër vërtet i ftohtë» shpejt ka për të qënë një gjë e së kaluarës. Sipas kësaj agjencie, nëse gazet që shkaktojnë efektin serrë do të vazhdojnë me nivelet e tanishme, një ngritje globale e temperaturës nga 1 deri në 3,5 gradë celsius parashikohet të ndodhë gjatë shekullit të 21-të. Një ngritje prej 3,5 gradë celsius do të sillte si pasojë që në Tokio të bënte po aq nxehtë sa në Nairobin e sotëm.
Rikthimi i sifilizit
Sifilizi thuajse nuk ka ekzistuar fare në Francë për dekada. Megjithatë, e përditshmja franceze Le Figaro, raporton se vitin e fundit, mjekët vunë re një epidemi të re të kësaj sëmundjeje seksualisht të transmetueshme, kryesisht midis homoseksualëve. Një rritje e ngjashme, shumë e shpejtë e rasteve me sifiliz është vërejtur edhe në Britani dhe në Irlandë në vitin 2000. Sifilizi është një sëmundje bakteriale që shkakton dëmtime të lëkurës dhe përparon me shpejtësi që në fillimet e tij e nëse nuk kurohet çon në dëmtime neurologjike dhe kardiovaskulare. Rishfaqja e sifilizit është tepër shqetësuese, vëren Le Figaro, pasi është «plotësisht e panjohur për brezin e ri të mjekëve, të cilët nuk kanë shqyrtuar kurrë qoftë edhe një rast të vetëm gjatë praktikës së tyre mjekësore». Kështu që mjekët mund ta diagnostikojnë gabim, duke mos e kuruar dot me efektshmëri. Specialistët e sëmundjes dyshojnë se praktikat e rrezikshme seksuale janë përgjegjëse për rishfaqjen e sifilizit. Gjithashtu, ata kanë frikë se mos kjo përhapje mund të jetë një paralajmërim i «një shpërthimi të ri të epidemisë së SIDA-s».
Kujdes për udhëtarët e moshuar
Numri i të moshuarve që udhëtojnë drejt vendeve më pak të zhvilluara të botës, është duke u rritur. Shumë prej tyre sëmuren ngaqë marrin ushqim dhe ujë të ndotur me bakterie,—thotë Tufts University Health & Nutrition Letter. Si rrjedhim, «diarea që zë udhëtarët» mund të çojë në probleme më të mëdha shëndetësore për njerëzit e moshës 60 vjeç e lart. Nëse nuk jeni
duke ngrënë në një hotel të klasit të parë ose restorant të një qyteti të madh dhe modern, Health & Nutrition Letter lajmëron:□ Mos pini ujë rubineti ose të lani dhëmbët me të. Përdorni vetëm ujë në shishe, të zier ose të dezinfektuar. Mos i hidhni akull ujit, nëse nuk jeni të sigurt që është prej uji të pastër.
□ Mos hani peshk ose mish po të mos jenë të gatuara mirë.
□ Mos hani prodhime qumështi jo të pasterizuar ose perime të paziera.
□ Mos hani fruta, nëse nuk i qëroni vetë, pasi t’i keni larë me ujë të pastër. Pasi t’i keni qëruar, lani duart para se t’i hani.
□ Mos hani ushqime që shiten nga ambulantët edhe nëse shërbehet i sapopërgatitur.
«Të shpërngulur brenda vendit» në turma
«Numri i tyre është më i madh sesa numri i të infektuarve me HIV dhe dy herë më shumë se numri i refugjatëve. Ata janë, siç i quan komuniteti ndërkombëtar i ndihmave, ‘të shpërngulurit brenda vendit’»,—raporton The Independent e Londrës. Megjithëse detyrohen nga lufta t’ia mbathin nga shtëpitë e tyre ata qëndrojnë në vendet e tyre. OKB-ja llogarit se janë 25-30 milionë persona të tillë të shpërngulur përreth botës. Shumica jetojnë jo në kampe refugjatësh, por me familje të tjera ose nëpër rrugë. Denis Meknamara, koordinator special i OKB-së për këtë çështje thotë se në vend që të kërkojnë strehim në vende të tjera, «shumë përpiqen të qëndrojnë sa më afër shtëpisë që të jetë e mundur, aty ku ndodhen edhe tokat e tyre bujqësore». Agjencitë e ndihmave nganjëherë nuk arrijnë t’i ndihmojnë këta njerëz. Mbi 90 për qind e tyre janë gra dhe fëmijë. «Luftën e bëjnë burrat,—shton Meknamara. —Gratë dhe fëmijët janë viktima. Gratë e shpërngulura janë vazhdimisht nën rrezikun e përdhunimit nga forcat ushtarake që i përndjekin ato.»
Gjuha thithëse
Si mund një kameleon të kapë hardhuca e madje edhe zogj që peshojnë deri 10 për qind më tepër edhe se vetë ai? Deri tani besohej se gjahu ngjitej pas sipërfaqes së ashpër dhe ngjitëse të gjuhës së kameleonit. Por, kjo nuk shpjegonte se si kjo krijesë mund të kapë gjah me peshë relativisht të rëndë. Për ta zbuluar shkencëtarët në Anversë të Belgjikës, realizuan regjistrime me shpejtësi të lartë të gjuhës së kameleonit, e cila lëviz me shpejtësi rrufe, siç raporton shërbimi për lajmet shkencore të Gjermanisë, Bild der Wissenschaft-Online. Shkencëtarët zbuluan se, kur kameleoni nxjerr gjuhën e tij, ajo merr formën e një topi në majë të saj. Pikërisht para përplasjes, dy muskuj të gjuhës tkurren duke e kthyer majën në një thithëse që drejtohet për nga gjahu.
Zgjerimi i shkretëtirës
«Saharaja është shtrirë përtej Mesdheut,—raporton The Guardian e Londrës,—sepse një kombinim vdekjeprurës midis ndotjes së rëndë dhe ndryshimeve të klimës po i kthen pjesë të Evropës Jugore në shkretëtirë.» Në një konferencë të Kombeve të Bashkuara për të luftuar shkretimin e tokës, mbajtur në dhjetor të vitit 2000, një ekspert ia hodhi një pjesë të fajit bujqësisë globale, e cila e ka bërë të vështirë konkurencën për shumë bujq të vegjël. Prandaj, bujqit braktisin tokën që është ruajtur për mijëra vjet me anë të hapjes së brezareve dhe ujitjes së kujdesshme, kështu që dheu gërryhet. Gjendja është kritike në Italinë e Jugut, Spanjë dhe Greqi. Bullgaria, Hungaria, Rumania, Moldavia, Rusia dhe Kina janë duke përballuar, gjithashtu, shkretimin e tokës. Klaus Tëpferi, drejtor ekzekutiv i Programit për Mjedisin i Kombeve të Bashkuara pohoi: «Dheu është një burim natyror, jo më pak i rëndësishëm për mirëqenien njerëzore dhe të mjedisit, se sa është uji i pastër dhe ajri i freskët.»
Zbulohet burimi i Amazonës
Një skuadër prej 22 burrash eksplorues ka konfirmuar «burimin e lumit më të madh të botës, duke u dhënë fund dekadave të hamendjeve dhe të zbulimeve kontradiktore», —raporton The Times e Londrës. Amazona fillon si një rrëke e vogël nga Nevado Mismi, një majë 5.000 metra e lartë në veri të Andeve Peruviane. Që andej, ai gjarpëron përmes një lëndine me bar dhe myshqe, ku bashkohet me rrëke dhe lumenj të tjerë para vazhdimit të udhëtimit prej 6.000 kilometrash drejt Oqeanit Atlantik. Duke përshkruar burimin e lumit, Endrju Pjetovski, drejtuesi i skuadrës, tha: «Është një vend i bukur. Ti je duke qëndruar në një lëndinë të gjelbër, në rrëzë të një shkëmbi mbresëlënës, pothuajse të zi, rreth 40 metra të lartë. Është shumë i heshtur dhe i qetë.»