Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vepër vullnetare me dobi të përhershme

Një vepër vullnetare me dobi të përhershme

Një vepër vullnetare me dobi të përhershme

JEZU KRISHTI kreu rregullisht vepra të mira për ata që ishin në nevojë. Për shembull, ai ushqeu të uriturit dhe shëroi të sëmurët. (Mateu 14:14-21) Mirëpo, cilës vepër i dha ai përparësi më të madhe? Një ngjarje që ndodhi në fillim të shërbimit të Jezuit na jep përgjigje. Ajo është dokumentuar në kapitullin e parë të Ungjillit të Markut.

Kur Jezui ishte në Kapernaum, afër detit të Galilesë, shkoi në shtëpinë e Simonit ose Pjetrit. Atje «vjehrra e Simonit dergjej me ethe» dhe Jezui e shëroi. (Marku 1:29-31) Më vonë, një turmë me njerëz të shumtë që «vuanin nga sëmundje të ndryshme», filluan të mblidheshin para derës së shtëpisë së Pjetrit dhe Jezui i shëroi edhe ata. (Marku 1:32-34) Pastaj u bë natë dhe të gjithë shkuan të flinin.

Në mëngjes, «ende pa zbardhur», Jezui u çua me qetësi dhe doli nga shtëpia për të shkuar në «një vend të vetmuar», ku «nisi të lutej». Jo shumë kohë më pas, u zgjuan edhe dishepujt dhe panë përjashta një turmë të madhe njerëzish duke pritur para derës. Por, çfarë të bënin? Jezui nuk ishte atje! Me të shpejtë, Pjetri dhe ata që ishin me të, e gjetën Jezuin dhe i thanë: «Të gjithë po të kërkojnë.» (Marku 1:35-37; Luka 4:42) Duket sikur në të vërtetë ishin duke i thënë Jezuit: ‘Çfarë po bën këtu jashtë? Shërimet që bëre natën e kaluar patën një sukses shumë të madh. Sot një tjetër rast i madh të pret.’

Por tani vëreni përgjigjen e Jezuit: «Le të shkojmë diku gjetkë, në fshatrat këtej afër, që të predikoj edhe atje.» Kjo përgjigje është domethënëse. Jezui nuk u kthye në shtëpinë e Pjetrit për të shëruar të tjerët. Jezui tregoi arsyen, kur tha: «Për këtë qëllim [domethënë, që të predikoj] kam dalë.» (Marku 1:38, 39; Luka 4:43). Çfarë po u tregonte dishepujve të tij Jezui? Të kryente vepra të mira ishte e rëndësishme për të, por të predikonte dhe t’u mësonte të tjerëve fjalën e Perëndisë ishte detyra kryesore e tij.—Marku 1:14.

Meqenëse, Bibla i nxit të krishterët ‘të ndjekin me kujdes gjurmët e [Jezuit]’, sot të krishterët e vërtetë kanë një udhëheqje të qartë për sa i përket vendosjes së përparësive në punën vullnetare. (1 Pjetrit 2:21) Njëlloj si Jezui, ata ndihmojnë njerëzit në nevojë, si tregonte edhe artikulli i mëparshëm. Si Jezui, gjithashtu, vepra për t’u mësuar të tjerëve mesazhin e Biblës në lidhje me lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë, është përparësia e tyre kryesore. * (Mateu 5:14-16; 24:14; 28:19, 20) Megjithatë, pse puna vullnetare për t’u mësuar njerëzve mesazhin e Biblës ka përparësi mbi format e tjera të dobishme të punës vullnetare?

Pse dhe si sjell dobi arsimimi biblik?

Një fjalë e urtë aziatike nxjerr në pah përgjigjen. Ajo thotë: «Nëse bën plane për një vit, mbill farat. Nëse bën plane për dhjetë vjet, mbill pemë. Nëse bën plane për njëqind vjet, arsimo njerëzit.» Në të vërtetë, kur duhen gjetur zgjidhje afatgjata, arsimimi është i domosdoshëm, sepse zhvillon aftësinë e një personi për të marrë vendime që do të përmirësojnë jetën e tij. Ja përse sot, mbi gjashtë milionë vullnetarë në kohë të plotë dhe të pjesshme po përdorin kohën e tyre, përpjekjet e tyre dhe të ardhurat e tyre për të siguruar arsimim biblik falas për këdo. Ky program vullnetarësh i sprovuar nga koha, i drejtuar nga Dëshmitarët e Jehovait, po ushtron ndikim te njerëzit përreth botës. Në ç’mënyrë?

Ndërsa ndihmohen për të kuptuar dhe për të ndjekur këshillat praktike të Biblës, njerëzit aftësohen më shumë për të përballuar problemet e jetës. Ata fitojnë forcën morale që nevojitet për të kapërcyer zakone të dëmshme. Nelsoni, një i ri në Brazil, thekson një tjetër dobi nga arsimimi biblik: «Që kur fillova të studioja Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, kam gjetur gëzim, sepse tani kam një qëllim në jetë.» (Predikuesi 12:13) Qindra mijë të tjerë, të rinj e të moshuar, të cilët kohët e fundit, kanë filluar të studiojnë Fjalën e Perëndisë provojnë të njëjtat ndjenja si Nelsoni. Përveç ndihmës që u jep studentëve të Biblës për të gjetur një qëllim të kënaqshëm në jetë, mesazhi i Mbretërisë së Perëndisë ofron një shpresë që të jep zemër për të ardhmen, e cila e bën jetën të vlefshme për ta jetuar edhe nën rrethanat më të vështira. (1 Timoteut 4:8)—Shih kutinë «Çfarë dobish do të sjellë Mbretëria e Perëndisë?».

Duke ofruar arsimim biblik, Dëshmitarët e Jehovait kryejnë një shërbim vullnetar, që ka dobi afatgjata. Sa afatgjata? Fjala e Perëndisë thotë: «Kjo do të thotë jetë e përhershme, të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që ti dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Imagjinoni të merrni pjesë në një program me dobi të përhershme. E pra, kjo është një formë e shërbimit vullnetar që me të vërtetë sjell shumë dobi për të tjerët! A nuk është ky lloji i programit për të cilin do t’ju pëlqente të mësonit më shumë? Nëse është kështu, kontaktoni Dëshmitarët e Jehovait në zonën tuaj. Pranimi i kësaj ftese do të jetë një hap për të cilin s’do të pendoheni.

[Shënimi]

^ par. 6 Dëshmitarët e Jehovait e shohin veprën e predikimit në të njëjtën mënyrë që e shihte edhe apostulli Pavël, si një nevojë për të krishterët e vërtetë. Pavli tha: «Nëse, tani, unë po shpall lajmin e mirë, kjo nuk është arsye që të mburrem, sepse është një nevojë që më është ngarkuar.» (1 Korintasve 9:16) Gjithsesi, vepra e tyre e predikimit është vullnetare, sepse ata kanë zgjedhur lirisht të bëhen dishepuj të Krishtit, duke ditur plotësisht përgjegjësitë që vijnë bashkë me këtë privilegj.

[Diçitura në faqen 11]

«Nëse bën plane për një vit, mbill farat. Nëse bën plane për dhjetë vjet, mbill pemë. Nëse bën plane për njëqind vjet, arsimo njerëzit»

[Kutia dhe figurat në faqen 10]

Ajo jep ndihmë dhe shpresë

Nadina, një infermiere franceze 43-vjeçare, e specializuar në sëmundjet tropikale, është një nga vullnetarët që ka punuar në Afrikën Qendrore. «Njerëzit më pyesin përse e bëj këtë,—tha ajo në një intervistë të kohëve të fundit.—Unë besoj te Perëndia, i dua njerëzit dhe dëshiroj t’u jap nga vetja ime. Dhe duke qenë një Dëshmitare e Jehovait, nxitem si për t’i kuruar, ashtu edhe për t’u dhënë një shpresë atyre që vuajnë.» Teksa punon si vullnetare në Afrikë, Nadina e programon kohën e saj për të dhënë ndihmë dhe për të marrë pjesë në veprën e arsimimit biblik që kryhet atje nga Dëshmitarët lokalë.

[Figurat]

Nadina në Afrikë

[Kutia në faqen 12]

Çfarë dobish do të sjellë Mbretëria e Perëndisë?

Ju lutemi t’i lexoni këto shkrime në Biblën tuaj dhe të shikoni në ç’mënyrë Perëndia premton të plotësojë nevojat e njerëzve në fushat e mëposhtme:

Shëndeti «Ai do të thajë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekje nuk do të ketë më, as vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme kanë kaluar.»—Zbulesa 21:4; Isaia 33:24; 35:5, 6.

Arsimimi «Nuk do të bëhet asnjë e keqe, asnjë shkatërrim mbi tërë malin tim të shenjtë, sepse vendi do të mbushet me njohurinë e Zotit, ashtu si ujërat mbulojnë detin.»—Isaia 11:9; Habakuku 2:14.

Punësimi «Do të ndërtojnë shtëpi dhe do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta dhe do të hanë frytin. Nuk do të ndërtojnë më që të banojë një tjetër, nuk do të mbjellin më që të hajë një tjetër. . . . Nuk do të lodhen më kot.»—Isaia 65:21-23.

Ushqimi «Toka do të prodhojë frytin e vet; Perëndia, Perëndia ynë, do të na bekojë.»Psalmi 67:6; 72:16; Isaia 25:6.

Kushtet shoqërore «Zoti e ka thyer shkopin e të pabesëve . . . Mbarë dheu pushon i qetë [dhe është çliruar nga shqetësimi, BR].»—Isaia 14:5, 7.

Drejtësia «Ja, një mbret do të mbretërojë me drejtësi dhe princat do të qeverisin me paanësi.»Isaia 11:3-5; 32:1, 2.