Përballojmë një tragjedi të papërshkrueshme
Përballojmë një tragjedi të papërshkrueshme
TREGUAR NGA XHEJMS XHARRANO
Të jesh gjysh a gjyshe është një nga gëzimet e mëdha të jetës. Unë dhe gruaja ime Viki, mezi pritnim lindjen e nipit tonë të parë. Vajza jonë, Tereza, dhe burri i saj, Xhonatani, pritnin një fëmijë në fillim të tetorit 2000. Nuk mund ta imagjinonim që pas pak do të përballonim një tragjedi të papërshkrueshme.
UNË dhe gruaja ime, së bashku me djalin dhe gruan e tij, u larguam për pushime të shtunën, në 23 shtator. Do të shkonim të takonim të afërmit dhe do të kalonim një javë në Outër Benks në Karolinën e Veriut. Tereza dhe Xhonatani vendosën të mos vinin me ne për pushime, sepse ajo ishte në muajin e nëntë të barrës dhe ishte një udhëtim i gjatë me makinë—rreth 11 orë larg nga shtëpia jonë në Ohajo.
Donim që t’i shtynim pushimet, por Tereza nguli këmbë që ne të shkonim. Na siguroi se do të ishte mirë. Përveç kësaj, mjeku mendonte se barra e saj kishte të ngjarë të zgjaste sa koha normale dhe dita e caktuar ishte pas dy javësh.
E mërkura e 27 shtatorit 2000, ishte një ditë e bukur e kjo më kujton përse familja jonë zgjodhi për të kaluar pushimet këto vitet e fundit në atë vend. Nuk na shkonte në mend se para përfundimit të asaj dite, jeta jonë do të ndryshonte krejtësisht.
«Tereza është zhdukur!»
Atë mbrëmje më telefonoi vëllai nga Ohajo. Ishte tepër ngurrues dhe nervoz. Më në fund, mundi të thoshte: «Tereza është zhdukur!» Ishte thirrur policia, pasi rrethanat që kishin të bënin me zhdukjen e saj ishin të dyshimta. Kur Xhonatani arriti në shtëpi atë pasdite, e gjeti derën e jashtme të hapur. Mëngjesi i Terezës ishte ende në tavolinë dhe kuleta e saj kishte mbetur atje. Kishte diçka tjetër të çuditshme: këpucët e saj—të vetmet këpucë që i rrinin mirë në muajin e nëntë—ishin ende afër derës.
Xhonatani kishte telefonuar atë mëngjes në shtëpi rreth orës 9.30. Tereza i tregoi se një grua i kishte telefonuar duke i thënë se dëshironte të vinte për të parë makinën që do të shitnin. Më vonë, Tereza do të dilte për të blerë disa gjëra. Xhonatani i kishte telefonuar në kohën e drekës, por s’përgjigjej njeri. Pasdite i telefonoi shpesh, por prapë nuk merrte përgjigje. Kur shkoi në shtëpi në orën 16.15, vuri re që makina s’ishte. I telefonoi spitalit duke menduar se ndoshta Terezën e kishin zënë dhembjet e lindjes. Atje s’ishte. U telefonoi disa të afërmve, por asnjë s’e kishte parë. Ishte
bërë si i marrë, kështu thirri policinë. Rreth orës 18.00, policia gjeti makinën jo larg shtëpisë së tyre. Por Tereza ende nuk po gjendej.Larg në Karolinën e Veriut ku ishim ne, lajmi që dëgjuam na tronditi tepër. Unë dhe gruaja, bashkë me djalin dhe gruan e tij, paketuam çantat tona dhe u nisëm për në shtëpi. Ishte një udhëtim i gjatë i mbushur me emocione. Udhëtuam gjithë natën dhe arritëm në Ohajo mëngjesin e ditës tjetër.
Zbulohet diçka
Ndërkohë, Xhonatani dhe disa të afërm, miq të ngushtë dhe të tjerë bashkëpunuan me policinë për të kërkuar Terezën gjithë natën. Kërkimi vazhdoi për pesë ditë të mbushura me ankth. Më në fund, të hënën më 2 tetor, u zbulua diçka. Ndërkaq, policia kishte gjetur se nga ku ishte bërë telefonata në shtëpinë e Terezës të mërkurën në mëngjes. Një grua, që jetonte vetëm pak shtëpi më tej, kishte telefonuar me një telefon celular.
Pasi mori në pyetje gruan, policia pati dyshime. Më vonë, po atë mbrëmje, policia u kthye përsëri në shtëpinë e saj. Por, ndërsa po i afroheshin derës, dëgjuan një të shtënë. Hynë me forcë në shtëpi dhe e gjetën të vdekur. Kishte vrarë veten. Për çudinë e tyre, gjetën një foshnjë të sapolindur në një dhomë të katit të dytë. Në mënyrë të pabesueshme ai kishte fjetur gjatë gjithë rrëmujës.
Por ende s’kishte asnjë gjurmë të Terezës. Në orët që pasuan, policia kontrolloi shtëpinë për ndonjë shenjë që tregonte se ajo kishte qenë atje. Kërkimi mori fund në një garazh në orët e para të mëngjesit të së martës. Atje, në një gropë varri të cekët, gjetën trupin e Terezës. Mjeku ligjor më vonë përcaktoi se ajo ishte goditur dhe pasi kishte humbur ndjenjat, e kishin qëlluar në kurriz. Kishte vdekur në vend dhe më pas ia kishin marrë foshnjën nga barku. Në retrospektivë është njëfarë lehtësimi të mendosh se nuk kishte vuajtur.
Foshnja e sapolindur u çua në spital, ku u gjend se ishte në një gjendje shëndetësore të shkëlqyer, pa gërvishtjen më të vogël. Një analizë e detyrueshme e ADN-së, vërtetoi se është me të vërtetë nipi ynë. Xhonatani i vuri emrin që ai dhe Tereza kishin zgjedhur—Oskar Gavin. Pas një qëndrimi të shkurtër në spital, nipi ynë, rreth 4 kile, u la në krahët e babait të tij, të enjten më 5 tetor. Ishte drithëruese të kishim nipin tonë, por fjalët s’mund ta përshkruajnë sa të dërrmuar ndiheshim që Tereza s’ishte atje për ta mbajtur në krahë.
Reagimi i shoqërisë
Mua dhe familjes sime na vinte për të qarë nga gjithë ajo mbështetje që na u ofrua—në shumë raste nga njerëz që s’i kishim takuar kurrë. Gjatë ditëve kur Tereza nuk gjendej, qindra dolën vullnetarë për ta kërkuar. Shumë dhuruan para. Disa dyqane me pajisje për zyrat bënë shpallje në mijëra kopje, pa pagesë. Vullnetarët i shpërndanë në një sipërfaqe prej shumë kilometrash përreth shtëpisë së Terezës.
Një motër e krishterë punon për një prokuror vendas, dhe kur ajo i tregoi për situatën tonë, ai ofroi ndihmën e tij. E pranuam ofertën dhe kjo doli se ishte një bekim shumë i madh. Ai na ndihmoi të merreshim me mediat, si dhe me disa çështje ligjore që dolën. Përveç këtyre, na rekomandoi dy hetues privatë, të cilët na ndihmuan shumë për çështjen. Shqetësimi i tyre i çiltër na preku zemrat.
Pasi e sollëm nipin në shtëpi, mbështetja u rrit edhe më shumë. Disa dyqane ushqimore dërguan ushqime dhe mjete shtëpiake. Shumë persona dhuruan rroba për Oskarin, si dhe pelena me një përdorim, qumësht artificial për foshnja dhe lodra. Na dhanë më shumë se sa Oskari mund të përdorte, kështu, atë që ishte e tepërt ia dhamë maternitetit të një spitali lokal. Meqenëse, mediat e kishin bërë të njohur ngjarjen, morëm mijëra kartolina dhe letra—jo vetëm nga njerëzit përreth, por nga e gjithë bota.
Mbështetja e madhe u duk veçanërisht qartë në funeralin e Terezës, i cili u bë të dielën, më 8 tetor. E dinim që shumë njerëz donin të merrnin pjesë, por ajo që pamë tejkaloi parashikimet tona. Ishin bërë rregullime të përdorej një sallë e madhe, në një shkollë të mesme vendëse, e cila u mbush plot me më shumë se 1.400 persona. Të pranishëm ishin anëtarë të familjes, miq, punonjës të policisë, kryetari i bashkisë dhe të tjerë nga vendi. Kishte dhe nga mediat e
stacionet lokale televizive që filmuan fjalimin, i cili jepej drejtpërdrejt edhe me anë të Internetit. Për më tepër, qindra njerëz qëndruan në korridorin e shkollës ose të mbledhur nën çadra jashtë në shiun e ftohtë, duke dëgjuar folësit njeri pas tjetrit. Fjalimi dha një dëshmi tepër të gjerë rreth bindjeve tona të bazuara në Bibël.Më pas, qindra njerëz pritnin me durim në rradhë për të na ngushëlluar. Qëndruam gati tre orë, për t’i përqafuar dhe shprehur mirënjohjen tonë për praninë e tyre. Pas ceremonisë, një hotel i vendit me dashamirësi siguroi një vakt ushqimi, për më shumë se 300 nga të afërmit tanë, miqtë e ngushtë dhe të tjerët që kishin dhënë ndihmë për nipin tonë.
Nuk mund ta shprehim dot me fjalë se sa shumë jemi mirënjohës për atë që njerëzit—shumica të huaj—bënë për të na ndihmuar. Kjo përvojë na ka bërë më të vendosur se kurrë më parë për të marrë pjesë plotësisht në shërbimin e krishterë, pasi ka shumë njerëz zemërmirë, të cilëve dëshirojmë t’u japim lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë.—Mateu 24:14.
Si reagoi kongregacioni?
Që nga fillimi i kësaj prove të rëndë, u rrethuam nga një përkrahje e vazhdueshme prej vëllezërve dhe motrave tona të krishterë. Kjo përkrahje e pashtershme erdhi nga kongregacioni ynë i Dëshmitarëve të Jehovait, si dhe nga kongregacionet përreth.
Edhe më parë se të mbërrinim në shtëpi nga Karolina e Veriut, pleqtë e kongregacionit tonë kishin ndihmuar në organizimin e përpjekjeve për të gjetur Terezën. Shumë vëllezër dhe motra lanë punën e tyre për të marrë pjesë në kërkim. Disa u thanë punëdhënësve të tyre që ishin të gatshëm të humbnin edhe disa ditë rrogë, por, në disa raste, punëdhënësit u dhanë rrogën e plotë. Gjatë ditëve që Tereza nuk gjendej, disa nga vëllezërit frymorë qëndruan me Xhonatanin, kështu që ai të mos ishte vetëm. Disa vëllezër dhe motra vinin dhe e mbanin shtëpinë të pastër dhe të rregullt. Të tjerët ndihmuan për të ushqyer vullnetarët dhe për t’iu përgjigjur thirrjeve telefonike.
Rreth gjashtë javë pas vdekjes së Terezës, gruaja ime dhe Xhonatani përballuan një detyrë shumë të vështirë. Duhej të mblidhnin gjërat e Terezës dhe të pastronin shtëpinë e saj. Xhonatani e ndiente se nuk mund të jetonte më gjatë në atë shtëpi, ku kishte jetuar së bashku me Terezën, kështu që vendosi ta shiste. Të kaloje nëpër duar sendet e Terezës ishte një detyrë e dhembshme. Çdo gjë u sillte ndër mend atë dhe se sa shumë u mungonte. Por motrat dhe vëllezërit edhe për këtë rast na erdhën në ndihmë. Ata ndihmuan në paketimin e gjërave të saj, madje, bënë disa riparime të nevojshme në shtëpi për ta bërë gati për shitje.
Më e rëndësishmja është se motrat dhe vëllezërit i dhanë familjes sonë një mbështetje frymore dhe emocionale. Na telefononin dhe na vizitonin për të na dhënë zemër. Shumë dërguan kartolina dhe letra prekëse. Kjo përkrahje e
dashur vazhdoi jo vetëm ditët dhe javët e para, por për shumë muaj.Disa vëllezër dhe motra na thanë që t’ua bënim të ditur, kurdo që të kishim nevojë për dikë, qoftë dhe vetëm për të folur, dhe ne e kemi pranuar ftesën e tyre dashamirëse. Është kaq ngushëlluese të kesh mundësi të ndash ndjenjat me miq që i do dhe u beson! Me të vërtetë, ata kanë ilustruar fjalët e proverbit biblik: «Një shok i vërtetë të do në çdo kohë dhe është një vëlla i lindur për ditët e ankthit.»—Fjalët e urta 17:17, BR; 18:24.
Ndikimi në familjen tonë
Duhet të them se përballimi i vdekjes së Terezës nuk ka qenë e lehtë për mua dhe familjen time. Me të vërtetë ka ndryshuar jetën tonë. Ka çaste kur zemërohem që ajo s’është këtu me mua. Më merr malli për përqafimet dhe puthjet e saj.
Gruaja ime ishte tmerrësisht e lidhur me Terezën. S’kishte ditë që të paktën të mos flitnin me njëra-tjetrën. Kalonin orë të tëra duke folur për shtatzëninë e saj. Punonin bashkë për të rregulluar dhomën e fëmijës.
Viki përshkruan ndjenjat e saj: «Ka kaq shumë gjëra për të cilat më merr malli. Më merr malli për të dalë në veprën e predikimit bashkë. Më merr malli për të bërë pazar bashkë. Ajo që më copëton më shumë zemrën është të mos e shoh atë me foshnjën e saj. E di se sa shumë e donte Oskarin që para se të lindte. E dinte që do të ishte djalë. Pasi i bëra një kuvertë për beben dhe ia dhashë, Tereza më shkroi këtë kartolinë:
‘E dashur mami,
Të falënderoj shumë për kuvertën e bukur të bebes. E çmoj me të vërtetë gjithë atë punë të lodhshme që të është dashur për ta bërë. Dua të të falënderoj përsëri për të gjithë ndihmën dhe nxitjen që më ke dhënë për të kaluar disa nga periudhat më të vështira të jetës sime. Gjithmonë do të të kujtoj dhe do të të falënderoj për këtë. Kam dëgjuar se një ditë kur rritesh kupton se miku më i mirë që ke është nëna jote. Vërtet, falënderoj Jehovain çdo ditë që nuk m’u desh shumë kohë për ta kuptuar këtë. Do të të dua gjithmonë.’»
Ishte e dhembshme për ne edhe të shikonim çfarë përjetonte dhëndri ynë, Xhonatani. Ndërsa Oskari ishte në spital, ai përballoi një nga gjërat më të vështira që i është dashur të bëjë. Meqë kishte vendosur për të banuar me ne përkohësisht, i duhej të transportonte gjithë dhomën e fëmijës, që ai dhe Tereza kishin formuar në shtëpinë e tyre. Ai paketoi kalin lëkundës, krevatin e fëmijës dhe kafshët prej pellushi, e i solli në shtëpinë tonë.
Çfarë na ka ndihmuar për të përballuar situatën?
Kur humb një njeri të dashur në një mënyrë të tillë tragjike, të dalin shumë pyetje trazuese dhe provon shumë ndjenja pështjelluese. Ka pasur raste kur si një plak i krishterë jam përpjekur të ngushëlloj dhe të ndihmoj të tjerët kur luftonin me pyetje dhe ndjenja të tilla. Por, kur je ti vetë i hidhëruar, ndjenjat mund të të mjegullojnë arsyen.
Për shembull, duke ditur gjendjen e Terezës dhe që ne do të ishim larg për një javë, i isha lutur Jehovait që ta mbronte. Kur ajo u gjend e vrarë, duhet ta pranoj se në fillim pyetja veten pse lutjet e mia nuk kishin gjetur përgjigje. Natyrisht, e di që Jehovai nuk siguron mbrojtje në mënyrë të mrekullueshme për popullin e tij për çdo individ. Vazhdova të lutesha për kuptueshmëri. U ngushëllova në njohurinë që Jehovai mbron popullin e tij frymësisht, domethënë, ai siguron atë që na nevojitet për ta ruajtur marrëdhënien tonë me të. Kjo lloj mbrojtje është më e rëndësishmja, sepse mund të ndikojë në të ardhmen tonë të përhershme. Në atë kuptim, Jehovai patjetër që e mbrojti Terezën; ajo po i shërbente Jehovait besnikërisht në kohën e vdekjes së saj. Kam gjetur paqe duke ditur se mundësia që ajo të jetojë përsëri është në duart e tij të dashura.
Disa shkrime biblike kanë qenë veçanërisht ngushëlluese. Këtu janë disa që më kanë ndihmuar për të përballuar situatën:
«Do të ketë një ringjallje si të të drejtëve, edhe të të padrejtëve.» (Veprat 24:15) Prej shumë kohësh kam besuar në premtimin e Biblës për një ringjallje në një tokë parajsore, por tani kjo shpresë është edhe më reale për mua. Vetëm duke ditur se do të jem në gjendje ta pushtoj Terezën përsëri më ka dhënë forcë për ta përballuar dhembjen çdo ditë me sukses.
«Jehovai . . . nuk është Perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse për të, të gjithë ata jetojnë.» (Luka 20:37, 38) Është mjaft ngushëlluese të dish që të vdekurit, të cilët një ditë do të ringjallen, që tani ‘jetojnë të gjithë’ për Jehovain. Kështu nga pikëpamja e tij, Tereza jonë e dashur është vërtet në jetë.
Viki dëshiron të tregojë disa nga shkrimet biblike që kanë qenë veçanërisht forcuese për të:
«‘Është e pamundur që Perëndia të gënjejë.’ (Hebrenjve 6:18; Titit 1:2) Duke qenë se Jehovai nuk mund të gënjejë, e di që ai do të përmbushë premtimin e tij për të ringjallur të vdekurit.
‘Mos u mrekulloni për këtë, sepse po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varret përkujtimore do të dëgjojnë zërin e [Jezuit] dhe do të dalin.’ (Gjoni 5:28, 29) Fjalët ‘varret përkujtimore’ tregojnë se Tereza është në kujtesën e Jehovait derisa ai të bëjë që Biri i tij, Jezu Krishti, ta ringjallë atë. E di që s’ka vend tjetër më të sigurt për të sesa në kujtesën e përsosur të Jehovait.
‘Në çdo gjë, kërkesat tuaja le t’i bëhen të njohura Perëndisë me lutje dhe përgjërime, bashkë me dhënie falënderimesh; dhe paqja e Perëndisë, që tejkalon çdo mendim, do të ruajë zemrat tuaja dhe fuqitë tuaja mendore me anë të Krishtit Jezu.’ (Filipianëve 4:6, 7) Në mënyrë të veçantë, lutem për frymën e Jehovait që të më japë forcë. Kur ndihem vërtet shumë e trishtuar, i drejtohem Jehovait dhe i them: ‘Kam nevojë për më shumë nga fryma jote e shenjtë.’ Dhe ai më ndihmon të kaloj edhe një ditë tjetër. Disa herë nuk mund as të lidh fjalët, por ai më jep forcën për të vazhduar.»
Jehovai me të vërtetë na ka ndihmuar për të përballuar këtë tragjedi të papërshkrueshme. Po, ne ende jemi të pikëlluar për Terezën tonë të dashur. E dimë që pikëllimi ynë nuk do të fshihet plotësisht derisa të mund ta përqafojmë atë përsëri në botën e re të Jehovait. Ndërkohë, jemi më të vendosur se kurrë për t’i shërbyer Jehovait me besnikëri. Xhonatani është i vendosur për të bërë më të mirën e tij për ta rritur Oskarin që ta dojë Jehovain dhe t’i shërbejë atij. Unë e Viki do ta ndihmojmë atë në çdo mënyrë që të jetë e mundur. E dëshirojmë me gjithë zemër të jemi në botën e re të Perëndisë për ta pritur krahëhapur Terezën dhe për t’i treguar djalin që nuk mundi ta mbante në krahët e saj.
[Figura në faqen 19]
Vajza jonë Tereza, duke dëgjuar rrahjet e zemrës të foshnjës së saj
[Figurat në faqet 20, 21]
Në funeral ndiem një mbështetje të madhe
[Figura në faqen 23]
Me gruan time, Viki, në dasmën e Terezës
[Figura në faqen 23]
Nipi ynë Oskar