Sëmundjet infektive—Shkatërrimtare, por të parandalueshme
Sëmundjet infektive—Shkatërrimtare, por të parandalueshme
NDËRSA tërmetet shkretuese dhe përmbytjet katastrofike zënë faqet e para të gazetave, përhapja e heshtur e sëmundjeve infektive, rrallë zë vend kryesor në media. Megjithatë, «numri i vdekjeve të shkaktuara nga sëmundjet infektive (të tilla, si: SIDA, malaria, sëmundjet e sistemit të frymëmarrjes dhe diarreja) është 160 herë më i madh se numri i të vrarëve në katastrofat natyrore vitin e kaluar»,—pohohet në një deklaratë për shtyp të qershorit 2000 të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe. «Dhe situata po keqësohet.»
Dy faktorë kryesorë thuhet se janë përgjegjës për këtë numër tronditës. Njëra është përhapja e tmerrshme e SIDA-s, që vret 300 njerëz çdo orë. SIDA «nuk është më një sëmundje, është një katastrofë»,—thotë Piter Uoker, drejtor për problemet e katastrofave natyrore në Federatën Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe. «Një sëmundje kaq e përhapur shkatërron forcën punëtore dhe rrënon ekonominë.» Faktori tjetër është keqësimi i sistemeve shëndetësore publike, që sjell kthimin dramatik të sëmundjeve të vjetra të tilla, si tuberkulozi, sifilizi dhe malaria. Për shembull, një shtet aziatik tani raporton 40.000 raste të reja të tuberkulozit çdo vit. Në një shtet të Evropës Lindore, infeksionet nga sifilizi janë rritur 40-fish në dekadën e fundit.
Është ironike të mendosh se megjithëse sëmundjet infektive janë kthyer në katastrofa, ato, në të vërtetë, janë ndër katastrofat më të parandalueshme. Në fakt, raporti thotë se pjesa më e madhe e 13 milionë vdekjeve të shkaktuara nga sëmundjet infektive që ndodhën në vitin 1999 «mund të parandaloheshin me një çmim prej 5 dollarësh për njeri». Nëse qeveritë e botës do të ishin të gatshme të shpenzonin 5 dollarë për njeri për kujdesin shëndetësor, një shumë prej 30 miliardë dollarësh, imagjinoni se sa vdekje të panevojshme do të ishin parandaluar!
Edhe pse kjo shumë është e konsiderueshme, ajo është shumë e vogël në krahasim me atë që bota harxhon në shërbime të tjera. Për shembull, në një nga vitet e fundit shpenzimet botërore për ushtrinë arritën maksimumin prej 864 miliardë dollarësh—144 dollarë për njeri. Vetëm mendoni sa shumë më tepër harxhohet për luftën, në krahasim me atë që harxhohet për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve! Ndoshta, ndalimi i përhapjes së sëmundjeve infektive është thjesht jashtë mundësive të njeriut, jo për shkak të fondeve të pamjaftueshme, por për arsye më të thella. Në fund të fundit, qeveritë njerëzore nuk munden as të vendosin përparësitë e duhura.
[Burimet e figurave në faqen 31]
Radiografi: Fakulteti i Mjekësisë i Nju Xhersit—Qendra Kombëtare e Tuberkulozit
Fotografi e një burri duke u kollitur: OBSH/Thierry Falise