Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si mund të më ndihmojë lutja?

Si mund të më ndihmojë lutja?

Të rinjtë pyesin . . .

Si mund të më ndihmojë lutja?

«Ishte lutja që më ndihmoi të kthehesha në rrugë të mbarë.»—Bredi. *

SHUMË të rinj luten, ndoshta shumë më tepër sesa mund ta mendosh. Një anketë Gallup me të rinj të moshës 13 deri 17 vjeç në Shtetet e Bashkuara zbuloi se 56 për qind e tyre bënin lutje para buke. Një anketë me të rinj më të rritur tregoi se 62 për qind e tyre luten çdo ditë.

Megjithatë, për shumë të rinj lutja është vetëm një ritual i pakuptimtë ose thjesht një rutinë. Janë të paktë të rinjtë që e kanë atë që Bibla e quan ‘njohuria e saktë e Perëndisë’. (Kolosianëve 1:9, 10) Si rrjedhim, Perëndia nuk luan rol të rëndësishëm në jetën e tyre. Në një anketë, adoleshentët u pyetën nëse i ishin drejtuar ndonjëherë Perëndisë për ndihmë, kur u ishte dashur të merrnin ndonjë vendim të rëndësishëm. Një vajzë u përgjigj: «Unë gjithmonë i drejtohem Perëndisë në lutje që të më udhëheqë për të zgjedhur rrugën e drejtë në jetë.» Sidoqoftë, ajo pranoi: «Tani në çast nuk më kujtohet ndonjë vendim në veçanti.» S’është çudi, pra, që shumë të rinjve u mungon besimi se lutja ka fuqi ose se do të veprojë në rastin e tyre.

Pavarësisht nga kjo, ashtu si Bredi, i përmendur në hyrje të artikullit, mijëra të rinj e kanë provuar personalisht fuqinë e lutjes. Mund të jetë kështu edhe me ty! Një artikull i mëparshëm tregonte përse mund të kemi besim se Perëndia do t’i dëgjojë lutjet tona. * Atëherë, pyetja është: si mund të të ndihmojë lutja? Së pari, le të shqyrtojmë se si u përgjigjet Perëndia lutjeve tona.

Si u përgjigjet Perëndia lutjeve?

Në kohët biblike, disa burra që kishin besim morën një përgjigje të drejtpërdrejtë, madje edhe në mënyrë të mrekullueshme, për lutjet e tyre. Për shembull, kur mbreti Hezekia mori vesh se vuante nga një sëmundje e pashërueshme, iu përgjërua Perëndisë që ta shpëtonte. Perëndia iu përgjigj: «Kam dëgjuar lutjen tënde dhe kam parë lotët e tu; ja, unë po të shëroj.» (2 Mbretërve 20:1-6) Ngjashëm, të tjerë burra dhe gra me frikë Perëndie përjetuan ndërhyrjen e Perëndisë.—1 Samuelit 1:1-20; Danieli 10:2-12; Veprat 4:24-31; 10:1-7.

Sidoqoftë, ndërhyrja hyjnore nuk ishte një gjë e zakonshme, madje edhe në kohët biblike. Në shumicën e rasteve, Perëndia nuk iu përgjigj lutjeve të shërbëtorëve të tij duke ndërhyrë me ndonjë mrekulli, por duke i ndihmuar që ‘të mbushen me njohurinë e saktë të vullnetit të tij me plot mençuri dhe kuptueshmëri frymore’. (Kolosianëve 1:9, 10) Po, Perëndia e ndihmoi popullin e tij duke e forcuar frymësisht dhe moralisht, duke i dhënë mençuri dhe njohuri për të marrë vendime të mençura. Kur të krishterët ndodheshin në një gjendje të vështirë, jo medoemos Perëndia e zhduku problemin. Më tepër, ai i pajisi me ‘fuqi përtej asaj që është normale’, në mënyrë që të mund ta përballonin atë!—2 Korintasve 4:7; 2 Timoteut 4:17.

Po kështu edhe sot, përgjigjja ndaj lutjes sate ndoshta nuk do të përfshijë një shfaqje dramatike. Por, ashtu si veproi në të kaluarën, Perëndia mund të të japë frymën e tij të shenjtë dhe të të forcojë që të përballosh çfarëdo rrethane që has. (Galatasve 5:22, 23) Për ta ilustruar, le të shohim katër mënyra specifike me anë të të cilave lutja mund të të ndihmojë.

Ndihmë për të marrë vendime

Kareni po shoqërohej me një të ri që dukej se kishte synime të larta frymore. «Ai më thoshte gjithmonë se donte të bëhej plak kongregacioni»,—thotë ajo. E gjithë kjo tingëllonte bukur. Por, «fliste shumë edhe për biznesin që ishte duke nisur e për gjërat që do të ishte në gjendje të më blinte. Fillova të kisha dyshime për çiltërsinë e tij». Kareni u lut për këtë gjë. «Iu luta Jehovait të më hapte sytë dhe të më tregonte çfarë duhej të dija rreth atij djali.»

Nganjëherë, edhe vetë lutja është shumë dobiprurëse, pasi mund të të ndihmojë të ndalesh pak e t’i shohësh çështjet nga pikëpamja e Jehovait. Por, Kareni kishte, gjithashtu, nevojë për këshilla praktike. A do të merrte ajo një përgjigje me anë të një mrekullie? Mirë, pra, shqyrto pak një tregim biblik për mbretin David. Kur mori vesh se miku i tij i besuar, Ahithofeli, po këshillonte birin e tij tradhtar Absalomin, Davidi u lut: «O Zot, të lutem, bëji të kota këshillat e Ahithofelit!» (2 Samuelit 15:31) Por, Davidi edhe veproi në harmoni me lutjen e tij. Ai i besoi mikut të tij, Hushait këtë detyrë: «Ti do ta bësh të kotë në favorin tim këshillën e Ahithofelit.» (2 Samuelit 15:34) Në mënyrë të ngjashme, Kareni veproi në harmoni me lutjen e saj, duke folur me një plak të krishterë të pjekur, i cili e njihte djalin me të cilin ajo po shoqërohej. Plaku e vërtetoi frikën e saj. Ai djalë kishte bërë pak përparim frymor.

Kareni thotë: «Ajo rrethanë më bëri ta shoh qartë fuqinë e lutjes.» Mjerisht, djali, me të cilin ajo ishte shoqëruar më parë, u dha pas pasurive dhe hoqi dorë nga shërbimi i Perëndisë. «Po të isha martuar me të,—thotë Kareni,—ndoshta do të më duhej të vija e vetme në mbledhjet e krishtere.» Lutja e ndihmoi Karenin të merrte një vendim të mirë.

Ndihmë për të kontrolluar ndjenjat

«Budallai e shfryn gjithë zemërimin e tij,—thotë Bibla te Fjalët e urta 29:11,—por i urti e frenon dhe e ul.» Çështja është se shumë njerëz sot jetojnë nën presione të forta emocionale dhe, shpesh, humbasin kontrollin, disa herë me pasoja shkatërrimtare. I riu Brajan kujton: «Kisha probleme me një shok pune. Një ditë ai nxori thikën.» Çfarë do të kishe bërë ti? Brajani u lut. Ai thotë: «Jehovai më ndihmoi të qëndroja gjakftohtë dhe e binda shokun tim që të mos e përdorte thikën. Ai e lëshoi thikën dhe u largua.» Duke i kontrolluar ndjenjat, Brajani u ndihmua që të mos i përgjigjej zemërimit, dhe kjo ndoshta i shpëtoi jetën.

Mbase nuk të ndodh shpesh të të kërcënojnë me thikë. Por do të kesh shumë rrethana në jetë kur do të të duhet të kontrollosh ndjenjat. Lutja mund të të ndihmojë të ruash gjakftohtësinë.

Ndihmë kur ndihesh i shqetësuar

Barbarës i kujtohet se «ishte duke kaluar një periudhë të vështirë» disa vjet më parë. «Dukej sikur asgjë nuk më shkonte mirë: puna, familja, miqtë,—thotë ajo.—S’dija çfarë të bëja.» Instinktivisht, Barbara u lut për ndihmë. Por, kishte një problem. «Nuk dija çfarë t’i kërkoja Jehovait—thotë ajo.—Më në fund, iu luta që të kisha paqe mendore. Çdo natë i lutesha të më ndihmonte që të mos shqetësohesha për gjithçka.»

Si e ndihmoi ajo lutje? Ajo thotë: «Pak ditë më vonë, kuptova që, edhe pse problemet e mia nuk ishin zhdukur, nuk isha më dhe aq e përqendruar ose e shqetësuar për to.» Bibla premton: «Mos jini në ankth për asgjë, por në çdo gjë, kërkesat tuaja le t’i bëhen të njohura Perëndisë me lutje dhe përgjërime, bashkë me dhënie falënderimesh; dhe paqja e Perëndisë, që tejkalon çdo mendim, do të ruajë zemrat tuaja dhe fuqitë tuaja mendore me anë të Krishtit Jezu.»—Filipianëve 4:6, 7.

Ndihmë për t’iu afruar më shumë Perëndisë

Shqyrtoni përvojën e një të riu me emrin Pol. «Sapo isha transferuar te disa kushërinj,—thotë ai.—Një natë ndjeva një dëshpërim të thellë. Sapo e kisha mbaruar shkollën e mesme dhe ndieja mungesën e gjithë miqve të mi. Sytë m’u mbushën me lot atë natë, ndërsa po kujtoja kohën e bukur që kishim kaluar së bashku.» Çfarë mund të bënte Poli? Për herë të parë, u lut me zjarr. Ai thotë: «Ia hapa zemrën Jehovait dhe i kërkova forcë e paqe mendore.»

Çfarë solli kjo? Poli kujton: «Të nesërmen në mëngjes kur u zgjova, ndjeva një lehtësim që s’e kisha provuar kurrë më parë në jetën time. Kalova nga një gjendje shpirtërore angështuese në ‘paqen e Perëndisë, që tejkalon çdo mendim’.» Tani që e kishte zemrën të qetë, Poli mund t’i shikonte gjërat nga një këndvështrim më pak sentimental. Shpejt e kuptoi që ‘ditët e bukura të së kaluarës’, në të vërtetë, nuk kishin qenë dhe aq të bukura. (Predikuesi 7:10) Në të vërtetë, «miqtë», mungesën e të cilëve e ndiente kaq shumë, nuk kishin pasur një ndikim të mirë tek ai.

Mbi të gjitha, Poli e provoi personalisht kujdesin e Jehovait. Ai ndjeu vërtetësinë e fjalëve të Jakovit 4:8: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet juve.» Për Polin kjo ishte një pikë kthese e rëndësishme. Ai u ndie i nxitur të vendoste Jehovain para çdo gjëje tjetër në jetën e tij dhe t’ia dedikonte jetën atij.

Fol me Perëndinë!

Këto përvoja pozitive janë një siguri se lutja mund të të ndihmojë. Sigurisht, kjo mund të ndodhë vetëm nëse mendon seriozisht që ta njohësh Perëndinë, duke zhvilluar një miqësi me të. Mjerisht, shumë të rinj e lënë pas dore një gjë të tillë. Kerisa u rrit në një familje të krishterë. Por, ajo pranon: «Mendoj se vetëm në këto vitet e fundit kam arritur ta kuptoj plotësisht domethënien e jashtëzakonshme të marrëdhënies sonë të pashoqe me Jehovain.» Bredi, i përmendur në hyrje të artikullit, u rrit si një i krishterë, por e braktisi adhurimin e vërtetë për disa vjet. «Vetëm kur e kuptova çfarë kisha humbur,—thotë ai,—u ktheva te Jehovai. Tani e di se sa e ftohtë dhe boshe mund të jetë jeta pa pasur këtë marrëdhënie.»

Sidoqoftë, mos prit të ndeshesh me një krizë, para se t’i afrohesh Perëndisë. Fillo të flasësh me të që tani dhe rregullisht! (Luka 11:9-13) «Hap zemrën tënde para tij.» (Psalmi 62:8) Shumë shpejt do të kuptosh që lutja mund të të ndihmojë me të vërtetë.

[Shënimet]

^ par. 3 Disa emra janë ndryshuar.

^ par. 6 Shih artikullin «Të rinjtë pyesin . . . A do të m’i dëgjojë Perëndia lutjet?», në Zgjohuni! të 22 qershorit 2001, anglisht.

[Kutia dhe figurat në faqen 15]

Lutja mund të të ndihmojë

● Të marrësh vendime më të mira

● Të ruash gjakftohtësinë në periudha stresi

● Të lirohesh nga shqetësimet

● T’i afrohesh më shumë Perëndisë