Vullnetarët në veprim
Vullnetarët në veprim
NË Brazil një mësuese me moshë mesatare, e quajtur Sirli, çdo të premte pasdite e kthen dhomën e saj të ndenjes në një klasë. Rreth orës 14.00 arrin Amelia, një nga studentet e saj. Ajo nuk mungon në asnjë mësim dhe tashmë lexon më mirë se shumë të rinj në shkollë të mesme. Amelia është 82 vjeçe.
Amelia është duke ndjekur shembullin e më shumë se 60 të moshuarve, të cilët kanë bërë kurset falas që Sirli i drejton në qytetin e saj për të mësuar shkrim dhe lexim. Kohët e fundit një gazetë braziliane, Jornal do Sudoeste, botoi një artikull për punën vullnetare të Sirlit. Ky artikull gazete pasi vërente se Sirli kishte «ndikuar shumë pozitivisht në jetën e qytetarëve të atij vendi», shtonte se metoda e Sirlit për të mësuar të moshuarit është kaq e efektshme sa «vetëm pas 120 orësh mësimi ata mund të shkruajnë letra, të lexojnë gazeta, të bëjnë veprime aritmetike dhe të kryejnë detyra të tjera të përditshme». Teksti mësimor që ajo përdor, shton artikulli, është broshura Të mësosh të lexosh dhe të shkruash, përgatitur nga Dëshmitarët e Jehovait. *
Nga ndjenja e turpit në një jetë me dinjitet
Një studente tjetër e Sirlit, Dona Luzia 68 vjeçare, tregon që para se të mësonte të lexonte dhe të shkruante, ndihej në siklet kur fliste me të tjerët. E kishte shumë të vështirë të bënte madje edhe pazarin. «Tani u shkruaj letra të afërmve të mi në qytete të tjera dhe i administroj vetë paratë e mia. Asnjë nuk m’i kthen dot mangët paratë tani»,—thotë ajo me një buzëqeshje. Maria, gjithashtu 68 vjeçe, kujton se sa turp i vinte kur firmoste çekun e saj të
pensionit me gishtin e madh të dorës. «Ndihesha si invalide»,—thotë ajo. Por tani falë kursit për shkrim dhe lexim, Maria ndihet e gëzuar kur hedh firmën e saj.Lavdërimet nga studentët dhe nga ata që kanë përfunduar kursin e kanë bërë kaq shumë të njohur programin pa pagesë të Sirlit, sa dhoma e saj e ndenjes mbushet aq sa nuk nxë më. Së shpejti, kursi do bëhet në një vend më të gjerë.
Një program që mori çmim
Sirli është një Dëshmitare e Jehovait. Pa dyshim, e njihni veprën e arsimimit biblik që
Dëshmitarët e Jehovait e kryejnë si një shërbim vullnetar. Megjithatë, suksesi i Sirlit nuk është unik. Kurse për shkrim dhe lexim, mbajtur në qindra Salla Mbretërie anembanë Brazilit, kanë ndihmuar tashmë më shumë se 22.000 njerëz në atë vend që të mësojnë shkrim dhe lexim.Programe të ngjashme të Dëshmitarëve të Jehovait kanë qenë të suksesshme dhe në pjesë të tjera të botës. Në Burundi të Afrikës, për shembull, Zyra Kombëtare kundër Analfabetizmit të të Rriturve (një seksion i Ministrisë së Arsimit) ishte kaq shumë e kënaqur me rezultatet që kishte dhënë programi i Dëshmitarëve kundër analfabetizmit, sa katër mësuesve të këtij programi iu dhanë çmim për «punën e vështirë për të mësuar të tjerët të lexojnë». Nëpunësve të qeverisë u ka bërë përshtypje veçanërisht fakti se 75 për qind e atyre që mësuan të lexonin dhe të shkruanin ishin gra të një moshe që zakonisht ngurron të ndjekë programe të tilla.
Në Mozambik, 4.000 studentë janë regjistruar në këto kurse kundër analfabetizmit që bëjnë Dëshmitarët dhe më shumë se 5.000 të tjerë kanë mësuar shkrim dhe lexim katër vitet e fundit. Një ish-student shkroi: «Dëshiroj të shpreh çmueshmërinë time nga zemra. Falë shkollës mund të lexoj dhe të shkruaj.»
Ndihmë humanitare që është «praktike e jo sa për të thënë»
Dhënia e ndihmës humanitare është një formë tjetër e shërbimit vullnetar të kryer nga Dëshmitarët e Jehovait. Jo shumë kohë më parë, në një magazinë afër Parisit, në Francë, bëhej kaq shumë punë sa ngjante si koshere bletësh. Rreth 400 vullnetarë e kaluan fundjavën duke paketuar ushqime, veshje dhe ilaçe. Në fund të javës, nëntë mbajtëse të mëdha plot me ndihma që vlenin afërsisht 1 milion dollarë (amerikanë) ishin gati për t’u nisur. S’kaloi shumë dhe ngarkesa mbërriti në vendet e Afrikës Qendrore të rrënuara nga lufta, ku Dëshmitarët vullnetarë vendës i shpërndanë shumë shpejt. Pjesa më e madhe e ndihmave ishte dhuruar, gjithashtu, nga Dëshmitarët.
Një gazetë në Kongo (Kinshasa) lavdëroi punën humanitare të Dëshmitarëve të Jehovait si «praktike e jo sa për të thënë». Zyrtarët e Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), po ashtu, kanë shprehur përkrahjen e tyre. Një zyrtare e UNHCR-së në Republikën Demokratike të Kongos ishte kaq shumë e kënaqur për rregullsinë me të cilën e kryen Dëshmitarët dhënien e ndihmave, sa vuri makinën e saj në dispozicion të vullnetarëve. Vendasit, gjithashtu, ishin të emocionuar. Kur vëzhguesit vunë re se sa shpejt ndihmat arritën te çdo njeri nevojtar, disa pyetën të çuditur: «Si ja bëni që arrini çdo njeri?»
Dhënia e ndihmës humanitare dhe programet kundër analfabetizmit janë vetëm dy shembuj nga shërbimet që Dëshmitarët janë duke kryer përreth botës prej shumë dekadash. Mirëpo ata janë të përfshirë edhe në një formë tjetër vepre vullnetare—në një shërbim, dobitë e të cilit zgjatin për një kohë shumë të gjatë. Artikulli tjetër do të trajtojë këtë gjë.
[Shënimi]
^ par. 3 Broshura Të mësosh të lexosh dhe të shkruash (në dispozicion në 6 gjuhë) dhe broshura e mëvonshme Të mesojmë lexim dhe shkrim (në dispozicion në 29 gjuhë), janë botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Për një kopje pa pagesë, vihuni në kontakt me Sallën e Mbretërisë në zonën tuaj, ose shkruajuni botuesve të kësaj reviste.
[Kutia dhe figura në faqet 6, 7]
Bota e vullnetarizmit në ndryshim
Ndërsa i bie kryq e tërthor botës për udhëtime pune, Juli herë për pak orë dhe herë një ditë, gjen kohë mes aktiviteteve të shumta për të bërë punë vullnetare. Kohët e fundit, ndërsa ishte në Amerikën e Jugut, kaloi një pasdite duke ndihmuar në një jetimore afër Santiagos, në Kili. Ajo thotë se udhëtimi i jep «mundësi të mëdha» për të punuar si vullnetare.
Si Juli, një numër personash gjithnjë në rritje harxhojnë kohë për të punuar si vullnetarë, por kjo kohë është në sasi gjithmonë e më të vogla. «Është një prirje e re,—thotë Sara Melendes, presidente e një grupi kërkuesish që harton statistika për punën vullnetare.—Njerëzit dalin vullnetarë, por e bëjnë në mënyrë të rastësishme.» Si rrjedhim, organizatorët janë të shqetësuar për këtë mungesë vullnetarësh dhe po përpiqen të gjejnë punëtorë për programet e tyre.
«Vullnetarizëm sipas mundësive»
Disa organizatorë kanë përshtypjen se kjo prirje e re, domethënë dhënia e një sasie më të vogël kohe si vullnetar, shkaktohet nga një ndryshim në qëndrimin e vullnetarëve. «Nuk ka më vullnetarë që thonë: ‘Jam këtu për aq kohë sa ka nevojë për mua’,—thotë Suzana Elis, një këshilltare për grupet vullnetare.—Njerëzit nuk marrin zotime.» Gazetarja Ajlin Daspin është në një mendje. Pasi intervistoi disa përgjegjës të grupeve vullnetare në lidhje me mungesën e vullnetarëve, nxori përfundimin se «vullnetarizmi është prekur rëndë nga frika që kanë njerëzit për të marrë pjesë në një periudhë afatgjatë».
Megjithatë, drejtuesja e New York Cares, Kathlin Berënsi, e përmendur më parë në këtë seri, mendon se ata që dalin vullnetarë për pak kohë, e bëjnë jo për shkak se u mungon dëshira që të marrin pjesë për një kohë të gjatë por sepse nuk kanë kohë. Njerëzit që luftojnë të bëjnë 50 orë më shumë gjatë ditëve të punës, për t’u kujdesur për fëmijët ose për prindërit e moshuar nuk mund të punojnë rregullisht si vullnetarë. «Megjithatë, vetë fakti që këta njerëz të zënë e kanë ende shërbimin vullnetar pjesë të jetës së tyre, tregon se pjesëmarrja e tyre është në të vërtetë shumë e fortë,—thotë ajo.»
Berënsi thotë se për vullnetarët që s’kanë kohë, zgjidhja është «vullnetarizëm sipas mundësive». Shumë organizata vullnetare, madje, tani ofrojnë projekte që kërkojnë vetëm një ditë. «Kjo i lejon njerëzit që ta bëjnë punën e vullnetarit në mënyrë të dobishme dhe në të njëjtën kohë të kenë mundësinë për ta bërë këtë në mënyrë gjysmë të rregullt.»
Gjithashtu, një numër në rritje njerëzish janë duke punuar në shtëpi si vullnetarë me anë të kompjuterit, duke futur informacione e duke bërë kërkime. «Vullnetarizmi me anë të kompjuterit,—vëren The Wall Street Journal,—është ndoshta mënyra më e pazakontë dhe, siç thonë disa, më premtuese e asaj që quhet ‘vullnetarizëm sipas mundësive’.»
[Kutia dhe figurat në faqen 8]
Jepet ndihmë në Kobe
Kur një tërmet goditi qytetin-port të begatë të Kobes, në Japoni, në janar 1995, shkatërrimi ishte shumë i madh. Me më shumë se 5.000 viktima, ai ishte tërmeti më vdekjeprurës që ka goditur Japoninë që prej vitit 1923. Dëshmitarët e Jehovait në Japoni dhe anembanë botës menjëherë ia nisën punës për të siguruar ndihmë për të dëmtuarit. Kur u krijua një fond ndihme, më shumë se një milion dollarë u dhanë si kontribut në tri ditë pune. Furnizime me ndihma të çdo lloji vërshuan në Kobe.
Një plak i krishterë i përfshirë në punën për të dhënë ndihmë, pa se Salla e tij e Mbretërisë u mbush shpejt edhe me më tepër ndihma nga sa mund të përdoreshin. Çfarë do të bëhej me ndihmat e tepërta? Ai sugjeroi t’i dhuronin disa ndihma një spitali atje afër. Dëshmitarët mbushën një kamion dhe u nisën përmes gërmadhave. Udhëtimi zgjati disa orë në vend të disa minutave që zgjaste zakonisht. Në spital, ia dhanë ndihmat kryemjekut. Këto ndihma përfshinin batanije, dyshekë, pelena, fruta të freskëta dhe ilaçe që merren pa recetë. I gëzuar, mjeku tha se spitali do të pranonte me kënaqësi çdo gjë që Dëshmitarët mund të jepnin. Veçanërisht frutat u pritën me gëzim, pasi nuk kishte mjaft ushqim të freskët për të gjithë pacientët.
Ndërsa, Dëshmitarët shkarkonin ndihmat mjeku qëndronte atje duke parë qetësisht, edhe pse kishte punë të ngutshme. Më pas përshëndeti plot nderim dhe i falënderoi. Ndërkohë që ata largoheshin, ai vazhdonte të qëndronte atje për të treguar sa mirënjohës ishte. Ai plak që u mor me këtë punë vërejti se më vonë po ky spital bashkëpunoi shumë me pacientët që janë Dëshmitarë të Jehovait.
[Kutia dhe figurat në faqen 9]
Puna vullnetare: Një përpjekje që sjell dobi
Kur një grup vullnetarësh në Kabezi, një bashkësi e vogël në Burundi, donin të ndërtonin një Sallë Mbretërie të Dëshmitarëve të Jehovait, administratori vendas u bëri një kërkesë të pazakontë. U kërkoi Dëshmitarëve nëse mund ta riparonin rrugën që kalonte pranë vendit të propozuar për ndërtim. Dëshmitarët pranuan me gëzim ta riparonin rrugën e dëmtuar, duke e bërë gjithë punën me dorë. Vullnetarët punuan kaq mirë, sa zyrtarët lokalë shprehën mirënjohje për punën e tyre të palodhur dhe për frymën e gatshme. Më pas, vullnetarët vazhduan me ndërtimin e Sallës së tyre të Mbretërisë të treguar më lart. Tani ata kanë një ndërtesë të bukur që do të ndihmojë për të çuar përpara arsimimin biblik në vitet që do të vijnë. Me të vërtetë, puna vullnetare në format e saj të shumta mund të ketë dobi të shumanshme.
[Figurat në faqet 6, 7]
Sirli gjen kënaqësi duke mësuar të tjerët që të lexojnë
[Burimi]
Nelson P. Duarte-Jornal do Sudoeste