Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Gjuetarët e vegjël zbavitës

Gjuetarët e vegjël zbavitës

Gjuetarët e vegjël zbavitës

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË AFRIKËN E JUGUT

JA TEK rrinte mbi këmbët e pasme, nën diellin përvëlues, duke u kapur fort pas degëve të holla, ndërsa mbante ekuilibrin me bishtin e tij, ashtu si një trekëmbësh. Shumë i përqendruar, këqyrte qiellin dhe tokën për ndonjë shenjë rreziku. Shokët e tij ishin të sigurt që gjithçka shkonte mirë nga tingujt e lehtë që nxirrte herë pas here, ndërkohë që ata kërkonin ushqim aty afër. Ai do të qëndronte në krye të detyrës derisa ta zëvendësonte njëri prej shokëve të tij—edhe sikur ky të vonohej një orë.

Cila është kjo krijesë? Surikata. Vetëm rreth 40 centimetra nga hunda deri te maja e bishtit, ky mishngrënës i vogël është mjaft miqësor dhe jeton në grupe të lidhura ngushtë në 10 deri në 30 prej tyre.

Çdo mëngjes ndërsa surikatat dalin nga strofulla e tyre, grupi vihet në radhë mbi këmbët e pasme dhe kthehet me fytyrë nga dielli që po lind, për t’u ngrohur pas të ftohtit të natës. Aty, ata krehin dhe pastrojnë njëri-tjetrin me butësi, duke lëshuar ndërkohë tinguj miqësorë. Këto veprime të përzemërta mund të zgjatin një gjysmë ore ose edhe më shumë. Megjithatë, pas pak, ata nisen me të shpejtë së bashku për gjuetinë e ditës.

Kjo dalje e organizuar për gjah siguron një furnizim të vazhdueshëm me insekte dhe zvarranikë të vegjël. Dhe ç’oreks që kanë surikatat! Kaq shumë përpjekje nevojiten për të shuar urinë e tyre, saqë në mesditë shumica prej tyre marrin një sy gjumë nën hijen e një shkurreje ose të një peme, disa duke gërmuar një pirg rëre të ftohtë për t’u shtrirë mbi të.

Por, përse ka nevojë për një rojë? Sepse edhe këta gjahtarë janë një gjah i dëshirueshëm. Ndërsa gërmon me vrull dheun e fortë—nganjëherë duke zhvendosur një sasi dheu disa herë më të madhe se pesha e tij, dhe kjo vetëm për një larvë—surikata është një shënjestër joshëse për çakejtë vigjilentë ose për zogjtë grabitqarë.

Çfarë ndodh nëse roja ndien rrezikun? Britma e tij grykore e papritur shkakton reagim të menjëhershëm—një vrapim të çmendur drejt strofullës më të afërt. Megjithatë, nëse britma paralajmëruese e rojës tregon afrimin e një grupi rival surikatash, grupi vendës nuk ia mbath për në strofull. Në vend të kësaj, ata qëndrojnë së bashku me shpinat e harkuara dhe të kreshpëruara, me bishtat e ngritur përpjetë si antena. Grupi lëshon disa tinguj të fortë, ndërsa shkojnë përpara drejt të paftuarve, disa duke kërcyer lart e poshtë me këmbët si të ngrira, sikur kërcejnë një valle lufte. Ky front i bashkuar shpesh mjafton për të përzënë kundërshtarët.

Një përpjekje e përbashkët

Surikatat bashkëpunojnë shpesh me njëri-tjetrin. Kjo është veçanërisht e dukshme në mënyrën si kujdesen për të vegjlit e tyre. Në javët e para pas lindjes, këta të porsalindur janë në qendër të vëmendjes. Pjesa tjetër e fisit i bën vazhdimisht vizita nënës dhe të vegjëlve. Dhe ç’mirëseardhje që u bëhet kur ajo i nxjerr për herë të parë jashtë strofullës! I tërë fisi vjen e i nduk qafën me dashuri nënës, duke kuitur me gëzim dhe duke u fërkuar me butësi pas të porsalindurve.

Për disa javë, i gjithë grupi ndihmon për t’u kujdesur për të vegjlit. Shumica e marrin me padurim turnin e tyre si dado, ndërkohë që pjesa tjetër shkon për gjueti. Disa femra, që nuk kanë vetë të vegjël, prodhojnë qumësht në mënyrë që të marrin pjesë në detyrat e të mëndurit—duke ia pakësuar kështu stresin nënës. Gjithë ky kujdes u lë dadove shumë pak kohë për t’u ushqyer. Për pasojë disa kanë humbur 10 për qind të peshës ndërkohë që ndihmonin për t’u kujdesur për një këlysh.

Kur këlyshët janë mjaft të rritur për të dalë nga strofulla dhe për të marrë pjesë në gjuetinë e përditshme, të rritur vullnetarë me radhë dhe me durim i mësojnë secilit prej të rinjve artin e gjuetisë. Shpesh preja më e mirë u jepet të rinjve, edhe nëse kjo nënkupton që të rriturit të mos ngopen atë ditë. Nëse britma paralajmëruese e rojës njofton surikatat që të turren për në foletë e tyre, të paktën një prej tyre do të sigurohet mirë që këlyshët gjithashtu të mbërrijnë të sigurt.

Ia vlen t’i vrojtojmë

Surikatat zbuten lehtë dhe janë të dashur. «Në përgjithësi,—vërehet në librin Maberly’s Mammals of Southern Africa,—këto kafshë të vogla interesante duhet të jenë patjetër mes gjitarëve më tërheqës, të cilat të hyjnë më shumë në zemër dhe ndër më të këndshmit në Afrikën Jugore. Gjithmonë ia vlen të harxhojmë ca kohë për t’i vrojtuar.»

Alani, i cili i ka filmuar surikatat për vite të tëra, është në një mendje. Ai kujton rastin kur një surikatë femër doli nga strofulla duke mbajtur me gojë të voglin e saj katërditësh dhe, duke i kuisur, ia shtriu përpara këmbëve. Ai mendoi se kishte ngordhur. «Por kur e ngrita me butësi,—tha ai,—kuptova se ishte gjallë dhe se ajo thjesht dëshironte të ma prezantonte në fillim mua, para se surikatat e tjera të nxitonin për ta uruar. Isha aq i prekur, saqë as më shkoi mendja të bëja fotografi.»

Silvi, e cila për disa vjet i ka vërejtur, gjithashtu, surikatat në shkretëtirë, kujton me kënaqësi atë mëngjes herët që ishte shtrirë në tokë afër strofullës, kur dolën surikatat. Ata u rreshtuan në mënyrën e tyre të zakonshme, pak centimetra larg saj, dhe filluan ritualin e tyre të pastrimit dhe përqafimit. Kur ajo u fliste, ata lëshonin tinguj miqësorë si përgjigje. Silvi ngriti me kujdes gishtin drejt surikatës së parë, një femër, dhe filloi ta përkëdhelte tamam sipër veshit. Ajo u përdrodh me kënaqësi dhe filloi të pastronte tjetrin që ishte në radhë. «U pranova në ceremoninë e tyre të përqafimit,—thërriti Silvi.—Çfarë privilegji!»

Ka shumë histori për ata që kanë kaluar kohë me surikatat. Me të vërtetë, ata janë gjuetarë të vegjël zbavitës.

[Figurat në faqen 26]

Duke përzënë armikun

Roja në shërbim

Duke u ngrohur para gjuetisë së ditës

[Burimi]

Të gjitha fotot: © Nigel J. Dennis