Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Majat: Dje dhe sot

Majat: Dje dhe sot

Majat: Dje dhe sot

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË MEKSIKË

THUHET se përbënin një nga qytetërimet më të mëdha të hemisferës perëndimore. Dhe s’është për t’u çuditur, sepse këta banorë të lashtë të Belizesë, Salvadorit, Guatemalës, Hondurasit dhe Meksikës ishin krijuesit e arkitekturës, vizatimeve, poçarisë dhe skulpturave, të gjitha të veçanta. Ata zhvilluan një mënyrë të përparuar të shkruari dhe bënë hapa të mëdha në fushën e matematikës. Madje krijuan një kalendar, bazuar në vitin diellor. Cilët ishin këta njerëz? Majat—themeluesit e një prej qytetërimeve të hershme më madhështore dhe më të ndritshme amerikane.

Pjesa më e madhe e asaj që dimë rreth majave është mësuar nga mbishkrimet dhe relievet në gur. Duke përdorur një sistem të shkruari që përmbante më shumë se 800 shkronja, shumë nga të cilat ishin hieroglife, populli maja dokumentonte historinë dhe traditat e tij nëpër shkallë, arkitrarë dhe nëpër pllaka ose shtylla guri. Madje, ata shkruanin edhe në letra të bëra me pjesën e brendshme të lëvores së drurit të fikut të egër. Duke i palosur fletët, formonin libra (të quajtur kodikë) të cilët i mbulonin me lëkurë jaguari. Shumica e këtyre vëllimeve u shkatërrua kur spanjollët pushtuan Majan rreth vitit 1540 të e.s., por, megjithatë, disa ekzistojnë ende.

Bujqit e parë maja mund të jenë vendosur në ultësirat e Guatemalës Veriore rreth një mijë vjet para Krishtit. Por kulmi i qytetërimit maja ishte në periudhën midis vitit 250 të e.s. dhe vitit 900 të e.s.—zakonisht e quajtur periudha klasike. Le të shohim shkurtimisht çfarë është zbuluar për majat e lashtë.

Arkitektë dhe ndërtues mjeshtra

Majat ishin mjeshtër për gdhendjet e gurit. Ata bënin piramida dhe tempuj të mëdhenj me llaç e gur gëlqeror. Këto piramida ngjasojnë shumë me piramidat e Egjiptit dhe në të kaluarën kjo bëri që disa të arrinin në përfundimin e gabuar se majat ishin në të vërtetë pasardhës të egjiptianëve.

Rrënoja të qyteteve maja të ndërtuara prej guri janë gjetur në Guatemalë, në Honduras dhe në Jukatan, në Meksikën Jugore. Në kulmin e zhvillimit të saj, perandoria maja kishte më shumë se 40 qytete të tilla, secila me 5.000 deri 50.000 banorë. The New Encyclopædia Britannica thotë se «maksimumi i popullsisë maja mund të ketë arritur në 2.000.000 njerëz, shumica e të cilëve ishin vendosur në ultësirat ku është tani Guatemala».

Ndërtimi i këtyre qyteteve me strukturat e tyre madhështore prej guri, do të kishte qenë i pamundur pa përpjekjet e palodhura të bujqve që kultivonin misër. Përveç kultivimit të ushqimit për familjet e tyre, nga këta burra të palodhur pritej që të ndihmonin edhe në ndërtim. Për më tepër, kishin për të kultivuar ushqim për fisnikët dhe priftërinjtë, të cilët ishte e arsyeshme që kishin punë më të rëndësishme për të bërë.

Jeta familjare e majave

Familjet maja ishin shumë të bashkuara. Në të vërtetë, gjyshërit, prindërit dhe fëmijët shpesh jetonin në të njëjtën shtëpi. Pjesa më e madhe e punës në bujqësi, kryhej nga burrat dhe djemtë e rritur. Vajzat mësonin të gatuanin, të bënin rroba dhe të rritnin motrat e vëllezërit më të vegjël.

Bujqit maja rritnin avokado, spec djegës dhe patate të ëmbla. Por ushqimi kryesor i majave ishte misri. Gratë dhe vajzat e përgatitnin atë në shumë mënyra të ndryshme. Bënin pite të holla ose ato që i njohim sot si tortija. Edhe një pije alkoolike e quajtur balçe kishte misrin si një nga përbërësit e saj kryesorë. Është llogaritur se sot, rreth 75 për qind e ushqimit të majave përmban misër në ndonjë lloj forme dhe përqindja mund të ketë qenë edhe më e madhe në të kaluarën.

Një shumicë perëndish dhe perëndeshash

Feja luante një rol kryesor në jetën e majave. Ata adhuronin një shumicë hyjnish dhe në një dokument përmenden 160 prej tyre. Sa për të përmendur disa, kishte një perëndi krijues, një perëndi të misrit, një perëndi të shiut dhe një perëndi të diellit. Gratë bënin pelegrinazhe në tempullin e perëndeshës Iksçel në ishullin Kozumel për t’u lutur që të bënin fëmijë ose nëse ishin tashmë shtatzënë luteshin për të pasur një lindje të mbarë.

Për majat, çdo ditë kishte një domethënie fetare dhe çdo muaj në kalendarin maja kishte festën e tij. Ceremoni të veçanta mbaheshin, gjithashtu, për varrimin e të vdekurve. Pasi lyheshin me bojë të kuqe, kufomat së bashku me disa gjëra personale, mbështilleshin me shtrojë kashte. Më pas varroseshin poshtë dyshemesë së shtëpisë ku kishin jetuar. Për sundimtarët ishte disi ndryshe, pasi ata varroseshin në piramida, poshtë tempujve. Shërbëtorët e tyre i vrisnin dhe pastaj i varrosnin me ta, së bashku me pajisje të shumta, për të cilat majat besonin se do të ishin të nevojshme në jetën e përtejme.

Si pjesë të ritit fetar, majat ndonjëherë shponin veshët ose këmbët. Shponin madje edhe gjuhën. Pamjet nëpër skulptura, piktura murale dhe në poçe tregojnë qartë se flitë ishin gjithashtu pjesë e adhurimit të tyre. «Shpeshherë për këtë përdornin lloj-lloj kafshësh,—shkruan dr. Maks Shaini në librin e tij The Precolumbian Child,—por flija më e madhe ishte ajo e bërë me njerëz. Viktimat e këtyre riteve ishin ushtarë armiq dhe skllevër, por gjithashtu edhe fëmijë jo-skllevër të të dyja gjinive.» Disa historianë kanë thënë që dikur vajzat e reja i ofronin si nuse për perëndinë e shiut, duke i hedhur të gjalla në një gropë të shenjtë me ujë në Çiçen Itsa. Nëse ndonjë vajzë mbijetonte deri në perëndim të diellit, kjo interpretohej si një shenjë se perëndia i shiut ishte i kënaqur me nusen që ishte ofruar para saj. Kështu vajzën e nxirrnin nga uji.

Majat sot

Pas vitit 900 të e.s. thotë The New Encyclopædia Britannica, «qytetërimi klasik maja ra me shpejtësi, duke i lënë qytetet madhështore dhe qendrat ceremoniale të shkreta, të mbuluara nga bimë të egra». Asnjë s’e di në mënyrë të saktë se çfarë e shkaktoi rrënimin e majave. Disa thonë që toka bujqësore nuk prodhonte më. Të tjerë hamenden se mungesat e ushqimeve i bënë fshatarët të përdornin praktika bujqësore shkatërrimtare, kurse njerëzit e tjerë u sulën për në qytete, të cilat ishin tashmë të mbipopulluara dhe të varfëruara. Cilido që të ketë qenë shkaku, majat nuk morën fund plotësisht. Rreth dy milionë banorë janë gjallë sot, kryesisht në pjesën veriore të Jukatanit dhe në Guatemalë.

Feja kryesore e majave në ditët e sotme formalisht është katolicizmi dhe kisha ka bërë përpjekje të mëdha për të fituar favorin e popullsisë vendase. Për shembull, një raport i Associated Press tregon se «në vitin 1992—në 500-vjetorin e pushtimit spanjoll të Guatemalës—kisha katolike e Guatemalës kërkoi falje publike për keqtrajtimet e kryera ndaj indianëve gjatë ungjillëzimit në Guatemalë».

Por, fakti që kanë pranuar fenë katolike nuk do të thotë që majat kanë hequr dorë nga feja e të parëve të tyre. Përkundrazi, shumë priftërinj katolikë pranojnë përzierjen e praktikave dhe të mësimeve të kishës me ritet vendase. Për shembull, majat kanë besuar për një kohë të gjatë tek animizmi, besimi që gjërat—qoftë të gjalla, qoftë jo—kanë një forcë jete. Ky koncept është pranuar nga kisha, edhe pse i maskuar si pjesë e besimit katolik. Kjo ka shkaktuar që disa udhëheqës të kishës të pyesin veten të çuditur se deri në ç’masë mund të tolerojë kisha paganizmin dhe ende ta quajë veten të krishterë. *

Majat dhe Dëshmitarët e Jehovait

Dëshmitarët e Jehovait janë duke mësuar të vërtetat e kulluara të Biblës në vendet ku mbizotëron popullsia maja. Shumë po përgjigjen në mënyrë të favorshme. Shqyrtoni vetëm dy shembuj.

«Kisha një pozitë të nderuar dhe njëfarë rëndësie në shoqërinë vendase në të cilën u rrita,—thotë Karidadi,—megjithëse këto nuk më frenuan që të mos bëja një jetë me shpërdorime të karakterizuar nga teprimet në të pirë.» Si shumë banorë të tjerë maja, Karidadi praktikonte fenë katolike të kombinuar me spiritizëm. «Kur sëmuresha,—thotë ai,—shkoja te një magjistar.» Vajzat e Karidadit filluan të studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. «Dalëngadalë fillova të kisha interes,—pranon Karidadi,—veçanërisht kur pashë se si ndryshoi sjellja e vajzave të mia. Pas pak kohësh edhe unë fillova të studioja.» Rrjedhimi? «E vërteta më ndihmoi ta njihja dhe ta doja Jehovain,—thotë Karidadi.—Kam hequr dorë nga të gjitha praktikat dhe zakonet që nuk i pëlqejnë Jehovait dhe jam çliruar nga frika dhe besëtytnitë.»

Paula, një majane nga Guatemala, ishte e hidhëruar nga vdekja e të dy djemve të saj. «Ngrija gjithmonë altarë për ta,—tregon ajo.—Kisha një Bibël që ma kishte dhënë një murgeshë katolike dhe e lexoja dy orë çdo natë për të gjetur përgjigje për pyetjen: ‘Ku janë djemtë e mi të vdekur?’ » Shumë shpejt, Paula filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe menjëherë filloi të ndiqte mbledhjet e tyre. «Ata më shpjeguan qartë Fjalën e Perëndisë,—pohon ajo.—Jam e kënaqur që tashmë e di se Mbretëria e Perëndisë do të zhdukë sëmundjet dhe vdekjen. Gjithmonë mendoj për shpresën e ringjalljes.» (Gjoni 5:28, 29) Tani Paula e ndan lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë me të tjerët. «Ka akoma shumë njerëz që kanë nevojë për ndihmë»,—thotë ajo.

[Shënimi]

^ par. 20 Është e zakonshme të shohësh majat të bëjnë kryqin si katolikët, pasi kanë ecur kilometra të tëra për të vizituar faltoren e San Simonit, një idhull prej druri, origjina e të cilit është e paqartë.

[Kutia dhe figura në faqen 17]

Kalendari i majave

Majat zhvilluan një sistem kalendarik vjetor të saktë që përfshinte madje edhe vitin e brishtë.

Viti në kalendarin e majave kishte 365 ditë. Nga këto, 364 ditë ishin ndarë në 28 javë, secila me nga 13 ditë. Viti i ri fillonte në ditën e 365-të, më 16 korrik. Ç’mund të themi për muajt? Kalendari i majave, i përshkruar më lart, kishte 18 muaj dhe secili prej tyre përbëhej nga 20 ditë. Kështu javët dhe muajt vazhdonin të pavarur nga njëri-tjetri, por me një përjashtim. Një herë në çdo 260 ditë (shumëfishi i 13-s dhe i 20-s), java dhe muaji fillonin në të njëjtën ditë. Sipas një vepre referimi, «kalendari majan, edhe pse tepër i ndërlikuar, ishte më i sakti që ka njohur njeriu deri me daljen e kalendarit gregorian».—Funk & Wagnalls New Encyclopedia.

[Grafiku dhe figura në faqet 16, 17]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Kronologjia e Majave

Olmek

1000 p.e.s.

500 p.e.s.

Olmek

Zapotek

Teotihuakan

p.e.s. | e.s.

500 e.s.

Teotihuakan

Zapotek

Toltek

1000 e.s.

Toltek

Actek

1500 e.s.

Actek

[Burimi]

Art majan: Dover Publications, Inc.

[Harta në faqet 16, 17]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

MEKSIKË

GADISHULLI JUKATAN

GUATEMALË

SALVADOR

BELIZE

HONDURAS

[Burimi]

Harta: Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.

[Figura në faqen 16]

Rrënojat e një piramide-tempull 23 metra të lartë në qytetin e lashtë maja të Palenkes

[Figura në faqen 16]

Duke bërë tortija

[Figurat në faqen 18]

Çiçen Itsa

Tempulli Kukulkan

Duke ruajtur hyrjen e Tempullit të Luftëtarëve, një statujë mban një enë për fli, ndoshta e përdorur për të mbajtur zemra njerëzish

[Figura në faqen 19]

Karidadi me gruan dhe vajzat e tij