Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një brez në rrezik

Një brez në rrezik

Një brez në rrezik

«Deri dy muaj më parë isha i lumtur dhe aktiv. Tani sa herë më jepet rasti për të bërë diçka jam shumë i lodhur. Jam shumë i palumtur dhe nevrik, nuk e di se si të tjerët mund të më durojnë. Është vështirë të thuhet pse ndihem kaq keq papritur e papandehur.»—Poli.

«Qaj dhe jam shumë e lënduar përbrenda. Kur nuk jam e lënduar, ndihem thjesht e mpirë. Nuk kënaqem me asgjë. Nuk dua të jem më me miqtë e mi. Fle shumë. Shumicën e ditëve nuk mund të ngrihem për të shkuar në shkollë dhe notat e mia kanë marrë tatëpjetën.»—Melania.

POLI dhe Melania nuk janë të vetëm. Studimet tregojnë se afro 8 për qind e adoleshentëve në Shtetet e Bashkuara vuajnë nga ndonjë lloj i depresionit dhe se çdo vit rreth 4 për qind kalojnë një depresion të rëndë. Por këto statistika nuk na tregojnë të gjithë historinë, sepse depresioni shpesh diagnostikohet gabim ose nuk i jepet fare rëndësi. «Në të vërtetë,—shkruan psikologu i adoleshentëve David G. Fasler,—pasi shqyrtova kërkimet e bëra me fëmijë dhe adoleshentë, mendoj se më shumë se një në katër të rinj, para se të bëhen 18 vjeç do të përjetojnë një periudhë të rëndë me depresion.»

Ndikime dërrmuese

Tek adoleshentët, depresioni ka ndikime dërrmuese. Me të vërtetë, ekspertët besojnë se tek adoleshentët ai luan një rol domethënës përsa i përket çrregullimeve në të ngrënë, sëmundjeve psikosomatike, vështirësive në shkollë dhe rasteve të abuzimit me substancat droguese.

Edhe më tragjik është fakti se depresioni është i lidhur me vetëvrasjen e adoleshentëve. Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Mendor të SHBA-së, të paktën 7 për qind e të rinjve me depresion të rëndë kryejnë vetëvrasje. * Edhe kjo nuk zbulon shtrirjen e plotë të problemit, pasi mendohet se për çdo një të ri që vret veten, shumë të tjerë orvaten për të bërë të njëjtën gjë. Prandaj, me arsye të vlefshme, një raport i Këshillit Karnëgi mbi Zhvillimin e Adoleshentëve thotë: «T’i trajtosh lehtë-lehtë problemet e adoleshentëve sot do të thotë të shkaktosh katastrofë. Një shpërfillje e tillë e vë vërtet një brez në rrezik.»

Një jetë pa probleme?

Disa e kanë të vështirë të besojnë se faktikisht adoleshentët mund të vuajnë nga depresioni. ‘Janë vetëm fëmijë,—mund të arsyetojnë të rriturit.—Jetojnë një jetë pa probleme dhe sigurisht që nuk i kanë ankthet që kanë të rriturit.’ Apo ndoshta i kanë? Fakti është se adoleshentët përballen me presione që janë shumë më të mëdha nga sa mendojnë shumë të rritur. Dr. Daniel Golmani thotë: «Kudo në botë, çdo brez pasardhës, që nga fillimi i shekullit [të 20-të] ka jetuar me një rrezik më të madh se prindërit e tyre për të vuajtur nga depresioni i rëndë—jo thjesht trishtim, por një plogështi paralizuese, brengosje dhe vetëmishërim e një mungesë shprese dërrmuese—përgjatë ciklit të jetës. Dhe këto periudha fillojnë në moshë gjithnjë e më të re.»

Megjithatë, shumë prindër mund të kundërshtojnë: Ne e përballuam adoleshencën pa kaluar në depresion. Pse djalin tonë e pushtojnë ndjenjat negative?’ Por të rriturit nuk duhet ta krahasojnë përvojën e tyre të adoleshencës me atë të të rinjve sot. Për më tepër, individët ndryshojnë në mënyrën se si e perceptojnë botën përreth tyre dhe se si reagojnë ndaj saj.

Përveç kësaj, adoleshentët e sotëm hasin një sfidë tjetër. «Ata po rriten në një botë krejt të ndryshme nga ajo e prindërve të tyre kur ishin të rinj»,—shkruan dr. Kathlin Mekoi në librin e saj Understanding Your Teenager’s Depression. Pasi përmend disa ndryshime domethënëse që kanë ndodhur dekadat e fundit, dr. Mekoi përfundon duke thënë: «Adoleshentët e sotëm ndihen më pak të sigurt, më pak të fuqishëm, si dhe janë më pak optimistë se ç’ishim ne një brez më parë.»

Duke pasur parasysh përhapjen e madhe të depresionit mes adoleshentëve, artikulli vijues do të trajtojë tri pyetje:

• Cilat janë disa simptoma të depresionit tek adoleshentët?

Çfarë e shkakton këtë sëmundje?

Si mund të ndihmohen adoleshentët me depresion?

[Shënimi]

^ par. 7 Disa ekspertë besojnë se numri i vërtetë është shumë më i madh, pasi një sërë vdekjesh të shpallura të rastësishme mund të kenë qenë vetëvrasje.