Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Tajvani u jep amnisti ‘të burgosurve për arsye të ndërgjegjes’

«Presidenti [i Tajvanit] Çen Shui-Bian u dha faljen 21 të dënuarve . . . , përfshirë 19 ‘të burgosur për arsye të ndërgjegjes’ të cilët ishin burgosur për shkak se kishin refuzuar të rekrutoheshin,—raporton The China Post.—Amnistia, që hyri në fuqi në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut [10 dhjetor 2000], do të shfajësojë emrat e 19 Dëshmitarëve të Jehovait, të dënuar pasi nuk kishin pranuar për arsye fetare të merrnin pjesë në shërbimin e detyrueshëm ushtarak.» Nga ata 19 veta, 14 ishin liruar tashmë me kusht. Një amnisti e tillë e veçantë ishte e para në dhjetë vjet. Prokurori Naixhël Li, zyra e avokatisë e të cilit trajtoi çështjen e Dëshmitarëve, tha: «U preka dhe më lanë mbresë të thellë Dëshmitarët dhe misioni i tyre paqësor. . . . Fakti që kanë zgjedhur paqen pasqyron një vlerë të lartë njerëzore. Kjo zgjedhje kërkon që t’u japim atyre një respekt të veçantë.»

«A është ‘mbipopullimi’ një mit?»

«Edhe pse mund të duket e çuditshme, e gjithë popullsia e botës mund të strehohet në shtetin e Teksasit në SHBA»,—raporton revista Vitality. Sipas artikullit, llogaritja e fundit e Kombeve të Bashkuara tregon se popullsia e botës është rreth gjashtë miliardë njerëz dhe Teksasi, ka një sipërfaqe toke rreth 680.000 kilometra katrorë. Prandaj sipërfaqja e banueshme për person do të ishte më shumë se 113 metra katrorë. «Kështu, një familje me 5 pjesëtarë do të zinte një sipërfaqe më shumë se 565 metra katrorë. Madje, kjo është një vilë madhështore edhe në Teksas—thotë Vitality.—Ndërkohë, pjesa tjetër e botës do të ishte plotësisht e boshatisur, në dispozicion për të gjitha veprimtaritë bujqësore, industriale, arsimuese dhe zbavitëse të njerëzimit.»

Fiku i shumanshëm i Indisë—Një bekim për diabetikët?

Shumë veta e mendojnë fikun e Indisë thjesht si një ndër bimët e shkretëtirës që rritet vetë në natyrë. Megjithatë siç raportohej në gazetën The News të Meksikos, fiku i shumanshëm i Indisë mund të jetë me interes të veçantë për diabetikët. Përse? Shkencëtarët kanë zbuluar se ushqimet e përgatitura me miell të bërë nga fiqtë e tharë të Indisë, mund të përdoren nga diabetikët pa ngritur nivelin e tyre të sheqerit në gjak. Me sa duket, duke forcuar mëlçinë dhe pankreasin, fiku i Indisë rrit ndjeshmërinë e trupit ndaj insulinës.

Ndotja e ajrit mbi Oqeanin Indian

«Zona të mëdha në veri të Oqeanit Indian vuajnë nga një nivel i lartë e i papritur i ndotjes së ajrit»,—raporton buletini informativ MorgenWelt Nachrichten. Kërkues nga gjashtë vende zbuluan se gjatë dimrit, erërat musonike mbartin blozë, hi, grimca organike, pluhur mineral, nitrate dhe sulfate nga jugu dhe juglindja e Azisë për në Oqeanin Indian. Nga janari deri në mars 1999 një shtresë tymi me një lartësi rreth tre kilometra, mbulonte një zonë me rreth 10 milionë kilometër katrorë, që është më e madhe se territori i Kanadasë. «Sipas shkencëtarëve nivelet në rritje të ndotësve në Azi shkaktojnë një keqësim të cilësisë së ajrit me shtrirje të gjerë, e cila ka si ndikim rajonal, ashtu edhe global»,—thotë buletini.

Çokollata—E mirë për shëndetin?

«Disa thonë se çokollata është e mirë për shëndetin»,—pohon gazeta Nihon Keizai Shimbun e Japonisë. Përse? Sepse ajo përmban polifenol kakaoje, i cili ndihmon për të frenuar arteriosklerozën dhe kancerin. Veç kësaj thuhet se çokollata është e efektshme për të mbajtur në ekuilibër sistemin imunitar dhe për të ndihmuar trupin që të rimarrë veten nga stresi. Profesori Hiroshige Itakura nga Ibaraki Christian Universitety thotë: «Çokollatat me cilësi të lartë që kanë shumë kakao, shumë pak sheqer dhe vaj, janë më të efektshmet.» Megjithatë profesori theksoi gjithashtu rëndësinë e ngrënies së «zarzavateve jeshile e të verdha dhe proteinave që përmbajnë lloje të ndryshme polifenoli», për të cilat ka nevojë trupi.

Jetëgjatësia e pritshme

Edhe pse futurologët shpresojnë se jetëgjatësia e pritshme do të rritet deri në 100 vjeç, është e vështirë për ta rritur atë më tepër se 80 vjeç. Sipas Globe and Mail të Kanadasë ekspertët thonë se «nuk mund të ndodhë asnjë rritje e papritur e jetëgjatësisë së pritshme, nëse kërkuesit në fushën e biomjekësisë nuk gjejnë një mënyrë për të ndryshuar procesin e plakjes dhe ta vënë atë në dispozicion të të gjithëve me një çmim të ulët. Derisa të ndodhë kjo, pavarësisht se sa përmirësime bëjmë në stilin e jetës, sa vitamina marrim dhe se sa hormone injektojmë, jetëgjatësia e pritshme nuk do të ndryshojë dukshëm». Lidhur me jetëgjatësinë e pritshme, Kanadaja u rradhit vitin e kaluar e 12-ta mes 191 vendeve, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. «Numri i viteve me shëndet të mirë para se të vinin sëmundjet u llogarit 70 për burrat dhe 74 për gratë. Në Japoni, e cila mendohet se është kombi më i shëndetshëm, mund të pritet që një shtetas të jetojë afërsisht 75 vjet pa sëmundje»,—thotë raporti.

Varri i gocave gjigante të detit

«Mbi 500 goca gjigante deti të fosilizuara, disa me perimetër deri në 3,5 metra dhe me peshë deri në 300 kilogramë, u gjetën në Akostambo, Peru, në një lartësi prej 3.750 metrash mbi nivelin e detit»,—raporton gazeta El Comercio. Paleontologu Arturo Vildozola gjeti shtratin e gocave të detit vetëm pak metra larg nga një autostradë që shkon përmes qyteteve Pampas dhe Kolkabamba. Me sa duket, gocat e detit nuk kishin tërhequr vëmendjen e askujt në të kaluarën, pavarësisht se ishin shpërndarë në tokë për shumë vjet. Ky zbulim për gocat gjigante të detit, e përforcon idenë se dikur oqeani mbulonte vargmalin e Andeve.

Era e «makinave të reja»

Substancat kimike që dalin nga materialet për punimet e brendshme në ndërtesa mund të shkaktojnë ato probleme shëndetësore, që në Japoni ndonjëherë quhen sindroma «shtëpia e sëmurë». Por, siç raporton gazeta The Daily Yomiuri, një përqendrim i lartë i substancave kimike helmuese mund të çlirohet gjithashtu nga materialet në makinat e reja. Duke provuar një makinë të re, studiuesit e Institutit Rajonal të Shëndetit Publik në Osaka zbuluan se përqendrimi i substancave të dëmshme ishte 34 herë më i madh sesa kufiri i vënë për shtëpitë nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale. Madje edhe pas një vit përdorimi të automjetit, niveli i substancave kimike mbeti mbi kufirin e përkohshëm. Iuao Uçijama, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, vëren: «Kur dikush është mbyllur brenda një automobili për periudha të gjata, do të bënte mirë të tregohej i kujdesshëm.» Si? Ai komenton: «Nëse nga jashtë ajri vjen brenda, makina mund të ajroset më shpejt se një shtëpi.»

Shtatzënia e adoleshenteve në Shtetet e Bashkuara

«Shtetet e Bashkuara kryesojnë vendet e zhvilluara për sa i përket shtatzënisë tek adoleshentet»,—thotë revista U.S. News & World Report. Është përllogaritur se në Shtetet e Bashkuara, çdo vit një milion adoleshente ngelen shtatzënë dhe se 25 për qind e tyre do të kenë një fëmijë të dytë brenda dy vjetësh. Llogaritjet e vitit 1997 tregojnë se Misisipi kishte përqindjen më të lartë të lindjeve tek adoleshentet (20 për qind), ndërsa Masaçusetsi kishte përqindjen më të ulët (7,2 për qind). Në përgjithësi, përqindja më e lartë e shtatzënisë tek adoleshentet është në të ashtuquajturën Zona e Biblës, që ndodhet në pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara.

Dhunë në shtëpi ndaj të moshuarve

«Debatet rreth pronave po bëhen një shkak i zakonshëm i dhunës në shtëpi kundër të moshuarve»,—raporton O Estado de S. Paulo. Një shqyrtim i ankesave të arkivuara në policinë e San Paulos, Brazil, ndërmjet viteve 1991-1998 tregoi se të afërmit—fëmijë, nipër, gratë e tyre, si dhe të tjerë—ishin përfshirë në 47 për qind të rasteve. «Dhuna fizike dhe psikologjike zakonisht vjen si pasojë e një përpjekjeje për ta detyruar të moshuarin t’i kalojë pronat e tij, ose t’i ndajë gjërat që zotëron mes të afërmve, ndërsa është ende gjallë»,—tha prokurori Zhoao Estevao da Silva. Braktisja e pashpirt gjithashtu në spitalet shtetërore dhe azile, ndonjëherë, nxitet nga aspekti financiar. «Për shkak të varfërisë, të moshuarit bëhen një barrë, dhe kjo shkakton tension familjar»,—shpjegoi Silva.