Si mund të jepni ndihmë?
Si mund të jepni ndihmë?
«Të rinjtë me depresion kanë nevojë për ndihmë. Por vetë nuk mund ta sigurojnë këtë ndihmë. Së pari një i rritur duhet të dallojë problemin dhe ta marrë atë seriozisht. Kjo është pjesa më e vështirë.»—Dr. Mark S. Gold.
ÇFARË mund të bëni nëse dyshoni se fëmija juaj adoleshent ka depresion? Së pari mos nxitoni të nxirrni përfundime rreth çështjes. Fundja, simptomat mund të tregojnë diçka krejt tjetër. * Për më tepër, të gjithë të rinjtë herë pas here mund të kalojnë periudha me humor të rënë. Por nëse kjo situatë vazhdon dhe duket se është më shumë se një gjendje e përkohshme trishtimi, ndoshta më e mira do të ishte të konsultoheni me një mjek. Në këtë rast, bëni mirë të mbani në mend fjalët e Jezuit: «Të shëndetshmit nuk kanë nevojë për mjek, ndërsa të sëmurët, po.»—Mateu 9:12.
Tregojini hapur mjekut çdo informacion të dobishëm, përfshirë edhe ndryshimet e kohëve të fundit në jetën e adoleshentit, të cilat mund të ndikojnë në plogështinë e tij ose të saj. Sigurohuni që mjeku harxhon kohë të mjaftueshme për të dëgjuar nga ju simptomat para se të përcaktojë diagnozën. Dr. David G. Fasleri paralajmëron: «Është e pamundur që vetëm në një seancë prej njëzet minutash të mbledhësh gjithë të dhënat e domosdoshme për të përcaktuar plotësisht se çfarë ka një fëmijë.»
Mos nguroni t’i bëni mjekut çfarëdo pyetjesh që mund të keni. Për shembull, nëse mjeku mendon se fëmija juaj adoleshent është me depresion, mund ta pyetni se përse i përjashtoi diagno
zat e tjera. Nëse dyshoni rreth vlerësimit të mjekut i thoni se do të donit të merrnit edhe mendimin e dikujt tjetër. Me siguri, asnjë mjek i ndershëm dhe i sinqertë nuk do t’ju mbushë mendjen për të mos bërë kështu.Përballoni gjendjen
Nëse fëmija juaj adoleshent është me depresion, nuk duhet t’ju vijë turp për këtë. Fakti është se depresioni mund të zërë edhe të rinjtë më të shkëlqyer. Në të vërtetë, Bibla tregon se ndjenjat e dhimbshme kanë prekur disa që u përpoqën të bënin më të mirën e tyre në shërbimin ndaj Perëndisë, pavarësisht nga mosha. Shqyrtoni besnikun Job, i cili u ndie i braktisur nga Perëndia dhe prandaj shprehu neveri për jetën. (Jobi 10:1; 29:2, 4, 5) Hana ishte një shërbëtore e Perëndisë, e cila ishte ‘e trishtuar në shpirt’ aq shumë sa nuk mund të hante. (1 Samuelit 1:4-10) Më pas ishte njeriu i perëndishëm Jakob, i cili mbajti zi për shumë ditë pas vdekjes së birit të tij dhe ‘nuk pranoi të ngushëllohej’. Jakobi shprehu madje dëshirën për t’u bashkuar me birin e tij në varr. (Zanafilla 37:33-35) Prandaj vuajtja emocionale, nuk i ka gjithnjë rrënjët në ndonjë të metë frymore.
Prapëseprapë, depresioni i një adoleshenti mund të jetë shumë i vështirë për prindërit. «Duhet të jem shumë e kujdesshme për atë që them dhe bëj,—thotë nëna e një adoleshenti me depresion.—Jam e shqetësuar, e frikësuar, armiqësore, e zemëruar dhe e raskapitur.» Një nënë tjetër pranon: «Dilja dhe shihja ndonjë mama që bënte pazarin me vajzën e saj adoleshente dhe zemra më copëtohej sepse mendoja se unë e kisha humbur mundësinë për të bërë gjëra të tilla me [vajzën time] dhe nuk do ta kisha kurrë më.»
Ndjenja të tilla janë normale. Megjithatë, nganjëherë ato mund të bëhen mbytëse. Nëse ndodh kjo, përse të mos i hapeni një miku të besuar. Fjalët e urta 17:17 thotë: «Një shok i vërtetë të do në çdo kohë dhe është një vëlla i lindur për ditët e ankthit.» (BR) Gjithashtu, mos lini pas dore lutjen. Bibla na siguron se nëse e hedhim barrën tonë mbi Perëndinë, ai do të na mbështetë.—Psalmi 55:22.
Prirja për të fajësuar
Shumë prindër të adoleshentëve me depresion shkurajohen shumë dhe mendojnë se në njëfarë mase ata janë fajtorë për situatën. Një prind pranon: «Kur fëmija vuan nga depresioni ndihesh fajtor dhe askush nuk mund të të bindë për të kundërtën. Vazhdon të pyesësh veten: Ku gabuam? Ku ishte pika e kthesës? Si kam ndikuar unë te kjo gjë?» Si mund të mbajnë prindërit mendime të ekuilibruara në këtë aspekt?
S’ka dyshim që një atmosferë e vrazhdë në shtëpi, mund të ndikojë në mënyrë të pafavorshme te një fëmijë. Me arsye të vlefshme, Bibla i këshillon etërit: «Mos i pezmatoni fëmijët tuaj, që të mos i lëshojë zemra.» (Kolosianët 3:21) Prandaj, do të ishte mirë që prindërit të shqyrtonin metodat se si i trajtojnë fëmijët dhe të bëjnë rregullime aty ku është e nevojshme. Por depresioni nuk ndodh gjithmonë ngaqë prindërit nuk i kanë rritur mirë fëmijët. Në të vërtetë ky çrregullim mund të gjendet në familjet më të dashura. Prandaj, prindërit që po bëjnë më të mirën e tyre për të ndihmuar fëmijët nuk duhet të ndihen fajtorë.
Është po aq e rëndësishme të mos fajësohet adoleshenti me depresion. Në fund të fundit, ai ose ajo ka të ngjarë të mos e ketë shumë nën kontroll këtë çrregullim. «Nuk do ta fajësoja kurrë atë po të ishte sëmurë me linë e dhenve ose pneumoni,—thotë një nënë.—Por me depresionin bëra pikërisht këtë. Fajësova fëmijën që u sëmur, gjë që më bën të ndihem tmerrësisht keq.» Duke e parë depresionin si një sëmundje dhe jo si një dobësi, prindërit dhe të tjerët do të ndihmohen të përqendrohen se si mund t’i japin ndihmë atij që vuan.
Rritja e një adoleshenti me depresion, mund të shkaktojë një tension të madh në marrëdhëniet ndërmjet prindërve. «Ne fajësonim njëri-tjetrin,—thotë një grua,—veçanërisht kur mendonim se si e kishim pritur ta kishim jetën dhe si e kishim në të vërtetë për shkak të djalit.» Timi, vajza e të cilit vuan nga depresioni, pranon: «Është e lehtë ta bësh me faj bashkëshorten. Nëse prindërit kanë probleme martesore
para se fëmija të fillojë të tregojë shenja të depresionit, sjellja e çuditshme e fëmijës mund të jetë kulmi.» Mos lejoni që depresioni i fëmijës të shkaktojë përçarje në martesën tuaj! Në të vërtetë, nuk sjell dobi të fajësosh dikë—qoftë veten tuaj, fëmijën ose bashkëshortin. Gjëja e rëndësishme është t’i sigurosh ndihmë atij që vuan.Siguroni mbështetje
Bibla i këshillon të krishterët: «U flitni në mënyrë ngushëlluese shpirtrave të ligështuar.» (1 Selanikasve 5:14) Nëse i riu që vuan nga depresioni është i mbytur nga ndjenja e respektit të pakët për veten, ju mund ta ndihmoni. Si? Sigurisht jo duke bërë pohime gjykuese, si: «Nuk duhet të ndihesh kështu» ose «Ky është një qëndrim i gabuar». Në vend të kësaj përpiquni të jeni empatikë duke treguar «ndjenja të përbashkëta». (1 Pjetrit 3:8) Pavli i këshilloi të krishterët të ‘qajnë me ata që qajnë’. (Romakët 12:15) Mos harroni, një njeri që është vërtet me depresion patjetër që vuan. Dhembja nuk është e imagjinuar, as nuk është e shtirur thjesht për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve. Pasi keni dëgjuar, përpiquni ta tërhiqni në bisedë atë që vuan. Pyeteni përse ndihet në atë mënyrë. Më pas, me butësi dhe durim ndihmojeni adoleshentin të kuptojë përse një vlerësim i tillë i ulët për veten nuk është me baza. Siguria për dashurinë dhe mëshirën e Perëndisë mund të ndihmojë për t’ia lehtësuar ankthet atij që vuan.—1 Pjetrit 5:6, 7.
Mund të ketë edhe disa hapa të tjerë praktikë. Për shembull, duhet të siguroheni se fëmija juaj adoleshent me depresion po merr një sasi të duhur pushimi, ushqimi dhe ushtrimesh. (Predikuesi 4:6) Nëse ju janë dhënë ilaçe, do të ishte e mençur ta ndihmonit adoleshentin të kuptonte rëndësinë e marrjes së tyre. Mos pushoni kurrë së siguruari mbështetje dhe mos ndaloni kurrë së treguari dashuri.
Pa dyshim, depresioni te një adoleshent mund të jetë një përvojë e mundimshme, për atë që vuan dhe për pjesën tjetër të familjes. Përfundimisht, durimi, këmbëngulja dhe dashuria do të sigurojnë një bazë për të ndihmuar adoleshentët me depresion.
[Shënimi]
^ par. 3 Mendohet se disa sëmundje—përfshirë mononukleozën, diabetin, aneminë, hipotiroidizmin dhe hipogliceminë—mund të japin simptoma ngjashëm depresionit.
[Diçitura në faqen 11]
Një njeri që është vërtet me depresion patjetër që vuan. Dhembja nuk është e imagjinuar.
[Kutia në faqen 13]
NËSE JE NJË ADOLESHENT ME DEPRESION
Nuk je i vetmi dhe gjendja jote nuk është aspak e pashpresë. Depresioni mund të lidhet ose me (1) çekuilibrin biokimik ose me (2) situata në jetë mbi të cilat ke pak ose aspak kontroll. Sido që të jetë, nuk është faji yt për këtë sëmundje. Megjithatë, çfarë mund të bësh për të?
Bibla thotë se «është një mik që është më i lidhur se një vëlla». (Fjalët e urta 18:24) Përse nuk gjen një mik të tillë që të mund t’i zbrazësh ndjenjat? Një nga prindërit ose një i rritur tjetër i pjekur, mund të jetë aleati yt më i mirë në luftën kundër depresionit.
Nëse prindërit dyshojnë se vuan nga depresioni, mund të të çojnë te një mjek, i cili ka përvojë në trajtimin e këtij çrregullimi. Ky është një hap i mençur, pasi shpesh depresioni mund të lehtësohet shumë me anë të trajtimit, kur ky është i mundur. Për shembull, kur përfshihet një çekuilibër kimik, mund të jepet një ilaç kundër depresionit. Nëse kjo është e vërtetë për rastin tënd, mos të të vijë turp për faktin se po merr ilaçe. Ato thjesht i rikthejnë trupit ekuilibrin e duhur kimik, dhe ky mund të jetë çelësi për të të ndihmuar që të rifitosh një masë gëzimi dhe qëndrueshmërie në jetë.
Shumë nga ata që vuajnë nga depresioni, kanë gjetur ngushëllim duke lexuar Biblën dhe duke u afruar më shumë me Perëndinë nëpërmjet lutjes. Bibla na siguron: «Zoti qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar.» *—Psalmi 34:18.
[Shënimi]
^ par. 28 Për më shumë informacion shih artikullin «Të rinjtë pyesin . . . A duhet t’i tregoj ndokujt që jam i dëshpëruar?» që doli në numrin e Zgjohuni! nëntor 2000.
[Kutia dhe figura në faqen 14]
NDIHMË DHE SHPRESË PËR ATA QË VUAJNË
Meqë depresioni është një çështje komplekse, jo të gjitha aspektet e tij mund të shqyrtoheshin në këtë seri të shkurtër artikujsh. Gjithsesi, botuesit e Zgjohuni! janë të bindur se pikat e paraqitura mund të ndihmojnë adoleshentët dhe prindërit e tyre për të përballuar këtë çrregullim ligështues.
Mund të keni vënë re se shumë nga udhëzimet e dhëna në artikullin e mëparshëm ishin të bazuara në Bibël. Është e vërtetë se Bibla është një libër i lashtë. Megjithatë, këshillat e saj janë po aq praktike sot sa dhe kur u shkruan. Përse? Sepse edhe pse kohët kanë ndryshuar, natyra njerëzore nuk ka ndryshuar. Përballemi me të njëjtat çështje kryesore që kanë hasur brezat e mëparshëm. Ndryshimi është se sot këto probleme janë më të mëdha dhe me shtrirje më të gjerë.
Por ka një arsye tjetër se përse Bibla është shumë praktike: ajo është e frymëzuar nga Perëndia. (2 Timoteut 3:16) Si Krijuesi ynë, ai e di se çfarë na duhet me qëllim që të nxjerrim më të mirën nga jeta.
Sigurisht, Bibla nuk është një libër mjekësor. Prandaj, nuk e eliminon nevojën për të kërkuar një lloj të duhur trajtimi për sëmundjet, si depresioni. Megjithatë, Bibla përmban parime që mund të na ndihmojnë për të ngushëlluar ata që vuajnë. Për më tepër, ajo përmban premtimin e Perëndisë që së shpejti ai do t’i shërojë të gjitha sëmundjet. (Psalmi 103:3) Po, Jehovai ka si qëllim «për të rigjallëruar zemrat e atyre që shtypen».—Isaia 57:15, BR.
A doni të mësoni më shumë rreth kësaj shprese të madhe? Ju lutemi të viheni në kontakt me Dëshmitarët e Jehovait në zonën tuaj, ose shkruani në njërën nga adresat e përshtatshme në faqen 5 të kësaj reviste.
[Figura në faqen 10]
Përpiquni të tregoni ndjenja të përbashkëta
[Figura në faqen 11]
Nëse gjendja depresive e adoleshentit vazhdon, është e mençur të konsultoheni me një mjek
[Figurat në faqen 12]
Si prind, mos ji shumë i nxituar të fajësosh veten, bashkëshortin ose adoleshentin