Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të zbulojmë rrënjët

Të zbulojmë rrënjët

Të zbulojmë rrënjët

«Zakonisht depresioni tek adoleshentët nuk është për shkak të një faktori të vetëm, por për shkak të një ndërthurjeje faktorësh stresues».—Dr. Kathlin Mekoi.

NGA se shkaktohet depresioni tek adoleshentët? Mund të përfshihen shumë faktorë. Pikësëpari, ndryshimet fizike dhe emocionale që shkakton puberteti, mund t’i mbytin të rinjtë me pasiguri dhe frikë, duke i bërë veçanërisht të prirur ndaj një gjendjeje mendore pesimiste. Gjithashtu, adoleshentët, mund të kenë shpesh ndjenja negative kur mendojnë se janë hedhur poshtë nga shokët ose nga dikush që kishin zhvilluar ndjenja romantike. Veç kësaj, siç u vërejt në artikullin e parë, adoleshentët e sotëm po rriten në një botë e cila mund të shkaktojë depresion. Me të vërtetë, po jetojmë në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar».—2 Timoteut 3:1.

Problemin e ndërlikon fakti se të rinjtë përballen me presionet e jetës për herë të parë, dhe nuk kanë as aftësitë, as përvojën e të rriturve. Prandaj, adoleshentët shpesh bëhen si turistë që përpiqen të gjejnë rrugën e tyre nëpër një vend të panjohur, të mbytur nga ambienti dhe, në shumë raste, jo të prirur të kërkojnë ndihmë. Këto kushte mund të bëhen një tokë pjellore për farërat e depresionit.

Por ka një sërë faktorësh të tjerë që mund të ndikojnë tek depresioni i adoleshentëve. Le të shqyrtojmë vetëm disa.

Depresioni dhe humbjet

Nganjëherë depresioni vjen pas një humbjeje të rëndë—ndosha vdekja e një njeriu të dashur ose humbja e një prindi nga divorci. Madje edhe vdekja e një kafshe shtëpie mund ta zhytë një adoleshent në dëshpërim.

Ka edhe lloje të tjera humbjeje më pak të dukshme. Për shembull, transferimi në një lagje të re do të thotë të lësh prapa një mjedis familjar dhe miq të dashur. Madje edhe arritja e një synimi të shumëpritur, si diplomimi nga shkolla, mund të nxitë ndjenja të humbjes. Në fund të fundit, futja në një fazë të re të jetës nënkupton humbjen e rehatisë dhe të sigurisë të së shkuarës. Veç kësaj, ka të rinj që duhet të përballojnë ndonjë lloj sëmundjeje kronike. Në një rrethanë të tillë, dhembja që vjen nga të qenët i ndryshëm nga shokët—ndoshta edhe shpërfillja nga ata—mund ta bëjë një adoleshent të ndihet sikur ai ose ajo nuk është dhe aq normal.

Kuptohet, shumë të rinj i përballojnë humbje të tilla pa u përpirë krejtësisht prej tyre. Trishtohen, qajnë, hidhërohen, vajtojnë, por, me kalimin e kohës, përshtaten. Përse atëherë ndodh që, ndërsa shumica e adoleshentëve i përballojnë presionet e jetës me lehtësi, të tjerët përpihen në vorbullën e depresionit? Përgjigjet nuk janë të thjeshta, pasi depresioni është një çrregullim i ndërlikuar. Por disa adoleshentë mund të jenë më të prirur për t’u prekur nga depresioni.

Lidhja biokimike

Shumë profesionistë të shëndetit mendor, besojnë se një çekuilibër biokimik në tru luan një rol kyç tek depresioni. * Çekuilibri mund të trashëgohet gjenetikisht, sepse studiuesit kanë zbuluar se adoleshentët me një prind që vuan nga depresioni ka më shumë të ngjarë të zhvillojnë këtë sëmundje. «Fëmijët që vuajnë nga depresioni, në shumicën e rasteve kanë të paktën një prind që, gjithashtu, vuan nga depresioni»,—thotë libri Lonely, Sad and Angry (I vetmuar, i trishtuar dhe i zemëruar).

Kjo gjë ngre pyetjen: A e trashëgojnë me të vërtetë fëmijët depresionin apo thjesht mësojnë të jenë me depresion, duke jetuar me një prind me depresion? ‘Çështjes së trashëgimisë kundër mjedisit’ është vështirë për t’iu përgjigjur, pasi truri është jashtëzakonisht i ndërlikuar, siç janë të ndërlikuar edhe faktorët e tjerë të shumtë që mund të ndikojnë në depresionin e adoleshentëve.

Depresioni dhe mjedisi familjar

Depresioni është quajtur me të drejtë një çështje familjare. Siç është përmendur tashmë, një element gjenetik mund ta kalojë një prirje ndaj depresionit nga një brez në tjetrin. Por edhe mjedisi familjar mund të luajë një rol. «Fëmijët, prindërit e të cilëve abuzojnë me ta, janë në rrezik të madh për depresion,—shkruan dr. Mark S. Gold.—Po kaq në rrezik janë fëmijët prindërit e të cilëve janë tepër kritikë dhe përqendrohen te të metat e fëmijëve të tyre.» Depresioni mund të vijë edhe kur prindërit e ndrydhin fëmijën me shumë përkujdesje dhe kur janë tepër mbrojtës. Megjithatë, është interesant fakti që një studiuese zbuloi se fëmijët janë edhe të prirur ndaj depresionit kur prindërit thjesht shfaqin mungesë interesi për ta.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se të gjithë adoleshentët me depresion janë viktima ngaqë prindërit nuk i kanë rritur mirë. Një pohim i tillë përgjithësues do të shpërfillte faktorët e tjerë të shumtë që mund të ndikojnë te ky problem. Prapëseprapë, në disa raste, mjedisi familjar është një faktor vendimtar që mund të ndikojë në këtë gjendje. Dr. David G. Fasler shkruan: «Fëmijët që jetojnë në shtëpi ku ka tension të vazhdueshëm ndërmjet prindërve janë në rrezik më të madh për depresion, sesa fëmijët që jetojnë në një mjedis me më pak shqetësime. Një arsye është se prindërit që grinden shpesh, përfshihen kaq shumë në konfliktet e tyre, saqë lënë pas dore nevojat e fëmijëve. Një gjë tjetër është se, shpesh, prindërit kanë në qendër të debateve të tyre fëmijët, dhe kjo mund t’i bëjë të rinjtë të ndihen fajtorë, të zemëruar dhe të lënduar.»

Këto probleme janë vetëm disa nga faktorët që mund të ndikojnë në depresionin e adoleshentëve. Ka edhe të tjerë. Për shembull, disa ekspertë thonë se faktorët e jashtëm (si: i ushqyeri i pamjaftueshëm, lëndët helmuese dhe abuzimi me substanca droguese) mund të nxitin depresionin. Të tjerë theksojnë se ilaçe të veçanta (si antihistamina dhe qetësuesit) mund të luajnë një rol. Gjithashtu, duket se fëmijët me çrregullime në aftësinë e të mësuarit janë veçanërisht të prirur ndaj depresionit, ndoshta sepse respekti i tyre për veten priret të venitet, kur kuptojnë se nuk mund të ecin në një hap me shokët e tyre të klasës.

Megjithatë, pavarësisht nga shkaku, është jetësore të shqyrtojmë pyetjen: Si mund të ndihmohen adoleshentët me depresion?

[Shënimi]

^ par. 11 Disa mendojnë se ndërsa shumë nga ata që vuajnë nga depresioni kanë lindur me këtë çekuilibër, të tjerë fillojnë të shëndetshëm, por bëhen më të prekshëm nga depresioni kur një ngjarje tronditëse u ndryshon ekuilibrin kimik në tru.

[Figurat në faqet 8, 9]

Tensioni familjar shpesh është një katalizator për depresionin