Festimet e përhapura: Zbavitje të padëmshme?
Festimet e përhapura: Zbavitje të padëmshme?
NË MES të tetorit, në disa qytete të Francës fillon të ndodhë një ndryshim i çuditshëm. Vitrinat e dyqaneve mbushen plot me kunguj, skelete dhe rrjeta merimangash. Në supermarketet vendëse, arkëtaret vënë kapele të zeza me majucë. Si një mbyllje madhështore, fëmijë të vegjël sillen vërdallë në rrugë, trokasin nëpër dyer dhe kërcënojnë të bëjnë ndonjë prapësi, nëse nuk u plotësohen kërkesat për «t’u qerasur».
Këto zakone të çuditshme janë që të gjitha pjesë e festimit që njihet si Hallouin. Njëherë e një kohë Hallouini shihej kryesisht si një festë amerikane, ndërsa tani është përhapur kudo në botë, duke u bërë e përhapur si ndër fëmijët, ashtu edhe ndër të rriturit. Franca duket se e ka pritur Hallouinin me krahë hapur. Sipas një vlerësimi, afërsisht një e treta e familjeve franceze e festuan këtë ngjarje vitin e kaluar. E përditshmja italiane La Repubblica flet për këtë modë të fundit si për një «bum» që po përhapet me të shpejtë në të gjithë gadishullin italian. Gazeta Nordkurier thotë se «më shumë qytetarë [gjermanë] se kurrë më parë nuk duan ta humbasin këtë zbavitje të frikshme».
Evropa nuk është e vetmja që është dorëzuar para joshjes së Hallouinit. Nga ishujt Bahama e deri në Hong-Kong, Hallouini festohet me dëshirë. International Herald Tribune raporton se vitin e kaluar një radiostacion në Sri-Lankë zhvilloi një konkurs për «recetat më të çuditshme të Hallouinit dhe për klithmat më rrëqethëse që lëshon dikush kur pëson një vdekje të dhunshme». Hallouini, gjithashtu, ka zënë rrënjë edhe në Japoni, ku me mijëra vetë kanë marrë pjesë në ‘paradat e kungujve’, parada që janë mbajtur në Tokio.
Madje, edhe në ato pjesë të botës ku Hallouini nuk është i përhapur, ka shpesh festa dhe festime të ngjashme. Gjatë Natës së Gaj Fouksit të Britanisë, ju mund të shihni banda shëtitëse fëmijësh, të cilët lypin para dhe bëjnë prapësi të ngjashme me ato në festën e Hallouinit. Në Tajvan, zhvillohet Festa e Fenerit, që është një festë shumëngjyrëshe. Fëmijë të vegjël bredhin nëpër rrugë duke mbajtur fenerë që paraqesin zogj dhe kafshë. Meksika ka festën e saj që quhet Día de los Muertos ose Dita e të Vdekurve, një festim që ka ardhur përmes kufirit Meksikë-SHBA. Sipas shkrimtarit Karlos Miler, disa meksikano-amerikanë ende «mbajnë maska kafkash të bëra prej druri, të quajtura kalakas dhe vallëzojnë për nder të të afërmve të tyre të vdekur».
Shumica e njerëzve mund t’i shohin këto festime si asgjë tjetër veçse si zbavitje të padëmshme, si një justifikim për fëmijët e të rriturit që të veshin veshje të veçanta, si edhe për t’u çliruar nga kufizimet. Megjithatë, një pikëpamje e tillë moskokëçarëse shpërfill faktin që këto festime kanë në mënyrë të pakundërshtueshme origjinë pagane. Festa e Fenerit në Tajvan, për shembull, filloi kur njerëzit ndiznin fenerë duke u përpjekur që të shihnin frymërat qiellore, të cilat besonin se fluturonin në qiell. Dita e të Vdekurve në Meksikë e ka origjinën e saj në një rit actek që nderonte të vdekurit.
Disa mund të argumentojnë se origjina e festimeve si këto ka pak rëndësi. Por pyeteni veten: A mund të shihen me të vërtetë si të padëmshme festime që kanë origjinë kaq të errët? Nxitësit tregtarë të këtyre festimeve sigurisht që nuk shqetësohen. Lidhur me Hallouinin një përfaqësues i Institutit të Kulturës në Barcelonë të Spanjës, vërejti: «Ajo është një festë e ngulitur si pasojë e një pikëpamjeje tregtare.» Për këtë arsye vetëm në Shtetet e Bashkuara, vitin e kaluar, të ardhurat nga Hallouini vlerësoheshin në 6,8 miliardë dollarë amerikanë. Në Francë, një kompani që bën veshje për Hallouinin, vërejti se biznesi i saj u rrit më shumë se njëqindfish vetëm brenda tre vjetëve.
Por, a duhet të marrim pjesë në festime të tilla vetëm sepse janë të përhapura ose fitimprurëse? Si përgjigje, do të vështrojmë më nga afër festën e Hallouinit.
[Figura në faqen 3]
Kafka sheqeri që përdoren në Meksikë për Ditën e të Vdekurve
[Burimi]
SuperStock, Inc.
[Figura në faqen 4]
Në Britani, Nata e Gaj Fouksit festohet me zjarre të mëdha
[Burimi]
© Hulton Getty Archive/gettyimages