Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Pyjet e shiut
Në Indi, pyjet e shiut mendohej se ekzistonin vetëm në shtetin jugor të Keralës. Por, siç raporton revista e Nju-Delhit Down to Earth, kohët e fundit ambietalisti Samjëdip Duta, zbuloi një sipërfaqe prej 500 kilometrash katrorë pyje shiu që lidhnin shtetet verilindore të Asamit dhe Arunakal-Pradeshit. Pylli mbështet jetën e një faune të shumëllojshme—«32 lloje gjitarësh dhe 260 lloje zogjsh, duke përfshirë lloje të rralla, si: elefanti, tigri, leopardi me lara, pangolini kinez, ariu përtac, sambari, majmuni gibon, fazanët kalij, zogu sqepbri dhe rosat e pyllit». Megjithatë, sipas kësaj reviste, pyjet e shiut kërcënohen nga kërkesat nga e gjithë bota për prodhimet e tij. Disa natyralistë kanë frikë se, nëse prodhime të tilla shterojnë nga mbledhja e tepërt, pyjet e shiut nuk do të ruhen më në gjendjen e mëparshme, por do të kthehen thjesht për përdorim bujqësor.
Ulërima e një tigri
Pse ulërima e tigrit duket se paralizon jo vetëm kafshët e tjera, por gjithashtu edhe njerëzit? Shkencëtarët e një instituti kërkimesh rreth faunës në Karolinën e Veriut, SHBA (Fauna Communications Research Institute), «kanë provuar se tigri lëshon ‘infratinguj’ me frekuencë të ulët, një hungërimë kaq të thellë sa është e pakapshme nga veshi i njeriut»,—raporton The Sunday Telegraph e Londrës. Kjo gazetë shpjegon se njerëzit mund të dëgjojnë frekuenca të zërit më të mëdha se 20 herc (Hz), por tigri «i përzien hungërimat me frekuencë 18 herc e më poshtë se kaq, me ulërimën që ne mund të dëgjojmë. Pasoja, sipas Elizabet fon Mugentaler, presidente e institutit, është se njerëzit, në të vërtetë, mund ta ndiejnë ulërimën e tigrit, një ndjenjë që i paralizon për një çast». Këtë dukuri e kanë provuar edhe ata që kanë punuar për një kohë të gjatë si zbutës tigrash.
Zbutja e mishit me eksplozivë
Kuzhinierët zakonisht e zbutin mishin duke e rrahur me çekiç kuzhine ose duke i hedhur një pluhur që përmban enzima për zbutjen e mishit. Megjithatë, sipas revistës New Scientist kërkuesit në Merilend, SHBA, kanë kryer eksperimente për ta zbutur mishin me valë goditëse të fuqishme. Ata e vendosin atë në një pjatë çeliku në fund të një kove plastike të mbushur me ujë. Pastaj venë një eksploziv me fuqinë e një çerek kallëpi dinamiti që të shpërthejë brenda kovës. «Uji transmeton valët goditëse në brendësi të mishit,—thuhet në artikull,—por mjerisht kova bëhet copë-copë.» Përveçse zbut mishin, ky proces shkatërron bakteret, si E. coli, të cilat mund të shkaktojnë helmim të ushqimit. Megjithatë, Randi Hufman i American Meat Institute vëren: «Sfida e vërtetë do të jetë ta kryejmë këtë në jetën e përditshme.»
Anijet përhapin sëmundje
«Balasti i ujit në anije po përhap sëmundje përreth botës, duke rrezikuar njerëzit, kafshët dhe jetën bimore»,—thotë The Daily Telegraph e Londrës. Anijet e përdorin balastin si një stabilizator dhe e hedhin atë në det ose në portet ku ndalojnë. Në Shtetet e Bashkuara, kërkuesit nga Qendra Kërkimore Smithsonian e Mjedisit, në Merilend, zbuluan se balasti që mbajnë anijet transoqeanike, përmban një numër të madh bakteresh dhe virusesh. Planktoni i balastit të pesëmbëdhjetë anijeve të analizuara në gjirin Çespik përmbante bakterin që shkakton kolerën. Në përgjithësi, një litër balast uji përmbante rreth 830 milionë bakterie dhe 7.400 milionë viruse—gjashtë deri në tetë herë më shumë se numri i organizmave të tjerë.
Tepër lodra
«Sipas studimeve të reja, fëmijët janë duke humbur aftësinë për të luajtur siç duhet, pasi u jepen shumë lodra dhe lojëra»,—raporton The Sunday Times e Londrës. Kërkimi ishte nxitur pjesërisht nga shqetësimi në Britani se «fëmijëria po ndryshohet nga prindërit në mënyrë të pakthyeshme, duke zëvendësuar kohën që ata duhet të kalojnë me fëmijët e tyre, me lodrat, kompjuterat dhe televizorin». Pasi studioi 3.000 fëmijë nga 3 deri në 5 vjeç, profesoresha Kathi Silva e Universitetit të Oksfordit nxori si përfundim: «Kur ata kanë shumë lodra duket se ka një faktor shpërqendrimi dhe kur fëmijët janë të shpërqendruar nuk mësojnë ose nuk luajnë mirë.»
Depresion në vendin e punës
«Në vendin e punës . . . ankthi, stërlodhja dhe depresioni po shtohen në mënyrë alarmuese.»—raporton gazeta The Guardian e Londrës. Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës të OKB-së, deri 3 në çdo 10 punonjës në Mbretërinë e Bashkuar kanë probleme të shëndetit mendor dhe 1 në 10 punëtorë në Shtetet e Bashkuara, sipas artikullit, vuan nga depresioni. Afërsisht 7 për qind e punonjësve që dalin në pension para kohe në Gjermani vjen si pasojë e depresionit. Më shumë se gjysma e forcës punëtore në Finlandë vuan nga simptoma të lidhura me stresin. Në Poloni, ankthi për shkak të rritjes së shpejtë të papunësisë u rrit me 50 për qind në 1999, ndërkohë që u shtuan edhe vetëvrasjet. Në artikull parashikohet që me ndërrimin e vazhdueshëm të teknologjive dhe metodave të reja të drejtimit në vendin e punës, depresioni do të rritet në mënyrë dramatike. Gjithashtu, paralajmërohet se «nga viti 2020, stresi dhe çrregullimet mendore do të tejkalojnë aksidentet rrugore, SIDA-n dhe dhunën, duke qenë shkaku kryesor për humbjen e kohës së punës».
Kostoja gjithnjë në rritje e krimit
«Krimi në Angli dhe Uells po i kushton shoqërisë 60 miliardë stërlina [85 miliardë dollarë] në vit»,—raporton The Independent e Londrës. Kjo shifër, e vlerësuar nga Ministria e Punëve të Brendshme si minimumi, përfaqëson 6,7 për qind të të ardhurave bruto të prodhimeve të vendit. Vrasjet me ose pa paramendim janë, pa dyshim, krimet më të shtrenjta, që i kushtojnë vendit secili mesatarisht më shumë se 1 milion stërlina [1,4 milionë dollarë], kurse çdo krim tjetër dhune i rëndë kushton rreth 19.000 stërlina [27.000 dollarë]. Mashtrimet dhe falsifikimet përbëjnë afërsisht çerekun e gjithë shpenzimeve. Këto shifra nuk përfshijnë «çmimin e frikës nga krimi, ndikimin mbi familjet e viktimave, paratë e harxhuara nga qeveria për të parandaluar krimin, . . . ose çmimin e siguracioneve»,—shton gazeta.
Barërat e këqija më të mira se pesticidet
Sipas revistës New Scientist bujqit e Afrikës Lindore po përdorin barëra të këqija në vend të pesticideve, për të përmirësuar prodhimet e misrit. Këta po ballafaqohen me dy parazitë të rrezikshëm. Njëra është Striga, një bimë që çdo vit shkatërron prodhimet me një vlerë prej 10 miliardë dollarësh amerikanë. Kërkuesi Zajdin Kan nga Kenia zbuloi se Striga nuk rritej nëse një bar i keq i quajtur desmodium mbillej mes radhëve të misrit. Paraziti tjetër është larva e krimbit të drurit, që në shumicën e viteve gllabëron një të tretën e prodhimeve. Megjithatë, Kani ka gjetur që krimbat e drurit preferojnë të hanë një lloj bari të keq vendës, të quajtur Pennisetum purpureum. Duke e mbjellë këtë në fushat e tyre, fermerët largojnë insektet nga misri. Një substancë ngjitëse e prodhuar nga kjo bimë i bën larvat të ngecin në të e pastaj u shkakton vdekjen. «Është më mirë se me pestictidet dhe shumë më lirë,—thotë Kani.—I ka rritur prodhimet bujqësore në këtë zonë nga 60 deri në 70 për qind.»
Mashtrimi i arkeologut
Një nga arkeologët më të famshëm të Japonisë, që thirrej gërmuesi i shkëlqyer për shkak të zbulimeve të tij në dukje të habitshme, u filmua duke mashtruar. Një videokamerë e vendosur nga gazeta Mainichi Shimbun e kapi arkeologun duke groposur objekte guri të bëra me dorë në një vend arkeologjik para se të arrinte skuadra e gërmimit. Meqë nuk ishte në gjendje për të mohuar dëshminë, ai pranoi se kishte groposur sende nga koleksioni i vet. Tani po shqyrtohen të gjitha përfundimet e 30 vjetëve të tij të punës. Botuesit e librave e shohin të nevojshme, të rishikojnë veprat arkeologjike të referimit dhe tekstet shkollore.
Aksidente në fëmijëri
Sipas një studimi, bërë nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) në 26 shtete, aksidentet janë shkaku kryesor i vdekjeve të fëmijëve në kombet më të pasura të botës. «Dëmtimet shkaktuan pothuajse 40 për qind të vdekjeve të fëmijëve nga 1 deri 14 vjeç në shtetet ku është bërë studimi», gjithsej rreth 20.000 vdekje çdo vit,—raporton gazeta japoneze Mainichi Daily News. Faktorët që rritin mundësinë për dëmtime në fëmijëri përfshijnë varfërinë, prindër të vetëm që rritin fëmijët pa ndonjë ndihmë, familje të mëdha dhe përdorimi i drogës ose i alkoolit nga prindërit. UNICEF-i nxiti vëmendjen ndaj «mjeteve jetëshpëtuese të sigurta, si: kaskave, shpejtësive maksimale të lejuara në vende të mbipopulluara, ndenjëseve të sigurimit në makinë për fëmijët, rripave të sigurimit, kapakëve në shishet e ilaçeve për mbrojtjen e fëmijëve, detektorëve të tymit në shtëpi dhe normave të sigurimit në sheshet e lojrave».