Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vjeshta—Një kohë mahnitëse e vitit

Vjeshta—Një kohë mahnitëse e vitit

Vjeshta—Një kohë mahnitëse e vitit

VJESHTA është një kohë e veçantë e vitit. Është një kohë kur, në vendet me klimë të butë, qiejtë e kaltër, ditët me diell dhe netët e freskëta dalëngadalë i pikturojnë kodrat e pyllëzuara me qindra ngjyrime të së verdhës, portokallisë dhe së kuqes. Është një kohë kur pishat dhe kedrat përherë të gjelbra bëhen një sfond i zbehtë për të kuqen dhe të verdhën e ndezur të kushërinjve të tyre gjetherënës—drurë që i rrëzojnë gjethet.

Vjeshta çmohet veçanërisht në vende orientale të tilla, si Japonia dhe Koreja. Në Japoni njerëzit shpesh dalin për «të gjuajtur ngjyrat e vjeshtës»—shprehja e tyre për të bërë në vjeshtë ekskursione që u japin mundësi të admirojnë artin e natyrës.

Shumë parqe kombëtare në Kore e arrijnë kulmin e bukurisë së tyre në këtë kohë të vitit. Kështu që gazetat e mbajnë publikun të informuar kur është koha më e mirë për të parë ngjyrat e vjeshtës. Soraksani, një nga parqet kombëtare më të famshme të Koresë, është një vend i preferuar. Shkëmbinjtë e tij prej graniti dhe masivët e lartë të stolisur me drurë pishash të kapur fort pas tyre, duket se janë vetë mishërimi i një peizazhi oriental. Në vjeshtë monolitët prej graniti të Soraksanit kurorëzohen me gjerdanë prej drurësh ahu dhe panje në ngjyrë zjarri. Dhe kur këto maja ngrihen përmes një deti mjegulle mëngjesore, ai që zgjohet herët shpërblehet me një pamje të cilën s’do ta harrojë kurrë.

«Mua gjithmonë më pëlqen të shëtis nëpër male, veçanërisht në vjeshtë,—shpjegon Park I Kiuni, një korean plot gjallëri në të 70-tat.—Në vjeshtë duket sikur Perëndia i ka veshur kodrat me shumë ngjyra, ngjyra që ndryshojnë nga dita në ditë, ngjyra që vijnë në jetë nën qiellin e kthjellët të vjeshtës.» Gruaja e tij, Kong Jangu, kënaqet duke vështruar gjethet e vjeshtës që fluturojnë lehtë-lehtë nga qielli si flutura të arta.

Pse ndërrojnë ngjyrë gjethet?

Për mendjet kureshtare, ky shndërrim plot ngjyra kërkon një shpjegim. Ç’gjë e përcakton nëse një gjethe do të bëhet e verdhë ose e kuqe?

Ngjyrat e vjeshtës janë pjesë e procesit me anë të të cilit drurët përgatiten për dimrin. Ditët e shkurtra të vjeshtës sinjalizojnë orën e brendshme të drurëve që ata të fillojnë të ndërpresin furnizimin e gjetheve me ujë dhe lëndë ushqyese. Çdo gjethe përgjigjet duke ndërtuar një shtresë ndarëse në bazën e bishtit. Kjo shtresë, e përbërë nga një lëndë taposëse, pengon çdo qarkullim midis gjethes dhe pjesës tjetër të pemës dhe, përfundimisht, shkakton rënien e gjethes nga pema.

Ndërkohë që ky proces është duke u zhvilluar, pigmentet karotinoide fillojnë t’u japin gjetheve ngjyrën e tyre të verdhë ose portokalli. Këto pigmente zakonisht janë të pranishme gjatë gjithë verës, por nuk vihen re për shkak të mbizotërimit të klorofilit të gjelbër në gjethe. Nga ana tjetër, ngjyra e kuqe vjen kryesisht nga antocianina, një pigment të cilin gjethet nuk e prodhojnë para vjeshtës. Gjatë vjeshtës klorofili shpërbëhet dhe pigmentet e verdha dhe të kuqe mbizotërojnë. Kur nuk ka mbetur më aspak klorofil, një gjethe plepi merr ngjyrë të verdhë të ndezur, ndërsa një gjethe panje merr një ngjyrë të kuqe të shndritshme.

Në kërkim të vjeshtës mahnitëse

Shumë dashurues të natyrës kanë vërejtur që spektaklet e vjeshtës ndryshojnë disi nga viti në vit dhe nga vendi në vend. Kjo ka të bëjë shumë me llojet e drurëve gjetherënës të zonës. Për shembull, lloje të ndryshme të drurit të panjës prodhojnë disa ngjyra të kuqe shumë tërheqëse. Shumë lloje të këtyre drurëve rriten vetë në Orient dhe shpesh mbillen në parqe dhe kopshte.

Një faktor tjetër është klima—sasia e antocianinës së prodhuar nga gjethet varet shumë nga moti. Ditët e kthjellëta me diell dhe netët e freskëta u mundësojnë gjetheve të prodhojnë një sasi maksimale të antocianinës. Vjeshta në Lindjen e Largët zakonisht siguron këto kushte. Si Japonia, edhe Koreja janë vende malore. Shumë nga kodrat e tyre janë të pyllëzuara me një larmi drurësh gjetherënës, duke u siguruar kështu vizitorëve një mjedis ideal për të soditur ngjyrat e vjeshtës.

Një proces i shkëlqyer riciklimi

I gjithë procesi me anë të të cilit drurët rrëzojnë gjethet e tyre është si i dobishëm, ashtu edhe i bukur. Duke i rrëzuar gjethet, drurët ruajnë ujin dhe energjinë gjatë dimrit. Gjithashtu, ata çlirohen nga mbetjet toksike që grumbullohen në gjethe gjatë verës.

Çfarë ndodh me miliarda gjethet që bien në tokë? Falë insekteve, kërpudhave, krimbave dhe kafshëve të tjera të dheut, gjithë ky material organik kthehet shpejt në humus, një përbërës jetësor për një tokë pjellore. Kështu pasi kanë dhënë një shfaqje mbresëlënëse, gjethet e rëna sigurojnë në të njëjtën kohë pleh për një rritje të re në pranverë. A mund të përfytyroni një proces riciklimi më të këndshëm? Kur ndalemi të admirojmë një vepër të tillë, mund të ndiejmë që ‘tërë drurët e fushave po duartrokasin’, ndërsa i thurin lavde në heshtje Bërësit të tyre.—Isaia 55:12; Psalmi 148:7-9.