Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Mbase kësaj radhe ai ndryshon»

«Mbase kësaj radhe ai ndryshon»

«Mbase kësaj radhe ai ndryshon»

ROKSANA * është një grua e shkathët dhe tërheqëse, nënë e katër fëmijëve, e martuar me një kirurg shumë të respektuar në Amerikën e Jugut. «Im shoq është i këndshëm me gratë, popullor me burrat»,—thotë ajo. Gjithsesi, i shoqi i Roksanës ka një anë të errët të personalitetit të tij, të cilën as miqtë e tyre të ngushtë nuk e dinë. «Në shtëpi, sillet si një përbindësh. Është jashtëzakonisht xheloz.»

Ankthi duket qartë në fytyrën e Roksanës, ndërsa vazhdon të tregojë. «Problemi filloi kur kishim vetëm disa javë që ishim martuar. Na erdhën për vizitë vëllezërit dhe nëna ime dhe u kënaqa shumë duke folur e duke qeshur me ta. Por, sapo u larguan, im shoq më hodhi me forcë mbi divan, i egërsuar në kulm. Nuk arrija ta besoja atë që po ndodhte.»

Mjerisht, ky ishte vetëm fillimi i vuajtjeve të Roksanës, sepse gjatë viteve ajo është keqtrajtuar vazhdimisht. Ky keqtrajtim duket se ndjek një cikël të parashikueshëm. I shoqi e rreh Roksanën, pastaj i kërkon të falur me këmbëngulje dhe premton se nuk do ta përsëritë më kurrë. Sjellja e tij përmirësohet—të paktën për ca kohë. Pastaj, makthi fillon nga e para. «Çdo herë mendoj: mbase kësaj radhe ai ndryshon,—thotë Roksana.—Edhe kur iki nga shtëpia, kthehem përsëri tek ai.»

Frika e Roksanës është që ndonjë ditë, dhuna e burrit të saj do të shtohet edhe më shumë. «Më ka kërcënuar se do të më vrasë mua, fëmijët dhe veten,—thotë ajo.—Një herë, më vuri gërshërët në grykë. Një herë tjetër, më kërcënoi me një pushkë, ma vuri te veshi dhe e shkrepi! Lumturisht, në të nuk kishte fishekë, por gati sa s’vdiqa nga frika.»

Një trashëgimi heshtjeje

Ashtu si Roksana, miliona gra në mbarë botën janë duke vuajtur nga burra të dhunshëm. * Shumë nga këto gra nuk flasin për mundimet e tyre. Ato arsyetojnë se do të jetë e kotë ta raportojnë çështjen. Në fund të fundit, shumë bashkëshortë të dhunshëm thjesht i kanë mohuar akuzat me pohime të tilla, si: «Ime shoqe acarohet shpejt» ose «Ajo e ka zakon t’i zmadhojë gjërat».

Është e trishtueshme që shumë gra jetojnë me frikën e vazhdueshme se mos sulmohen në vendin ku duhej të ndiheshin më të sigurta, në shtëpinë e tyre. Gjithsesi, shumë shpesh i tregohet mirëkuptim atij që shkakton dhunën, në vend të viktimës. Në të vërtetë, disa nuk arrijnë dot ta besojnë se si një burrë që duket qytetar kaq i nderuar mund të rrahë të shoqen. Shikoni çfarë i ndodhi një gruaje me emrin Anita, kur foli hapur për keqtrajtimin që po i bënte burri i saj, një njeri shumë i respektuar. «Një nga të njohurit tanë më tha: ‘Si mund të akuzosh një njeri kaq të mirë?’ Një tjetër tha se unë mund të isha duke e provokuar tim shoq në ndonjë mënyrë! Edhe pasi ligësia e tim shoqi u zbulua, disa nga miqtë e mi filluan të më shmangeshin. Mendonin që unë duhej ta kisha duruar këtë gjendje, sepse, ‘kështu janë burrat’.»

Siç e tregon përvoja e Anitës, shumë veta e kanë të vështirë ta kuptojnë realitetin e hidhur të keqtrajtimit të bashkëshortes. Çfarë e bën një burrë të sillet kaq mizorisht me gruan që pohon se e do? Si mund të ndihmohen viktimat e dhunës?

[Shënimet]

^ par. 2 Në këta artikuj, emrat janë ndryshuar.

^ par. 7 E pranojmë se edhe shumë burra janë viktima të dhunës. Por studimet tregojnë se gratë ka më shumë të ngjarë të pësojnë dëmtime që janë shumë më të rënda. Prandaj, në këta artikuj bëhet fjalë për keqtrajtimin në të cilin viktima është femër.

[Kutia dhe figura në faqen 4]

Përhapja e madhe e dhunës në familje

Sipas Deklaratës së Kombeve të Bashkuara për Zhdukjen e Dhunës Kundër Grave, termi «dhuna kundër grave» mund të bëjë fjalë për «çdo veprim dhune të bazuar në gjininë, i cili sjell si pasojë ose ka të ngjarë të sjellë si pasojë dëmtim ose vuajtje fizike, seksuale ose mendore për gratë. Këtu përfshihen kërcënimet për këto veprime, detyrimi ose heqja arbitrare e lirisë, qoftë në jetën publike, qoftë në jetën private». Kjo dhunë përfshin, ndër të tjera, «dhunën fizike, seksuale dhe psikologjike që ushtrohet në familje dhe te njerëzit në përgjithësi, duke përfshirë rrahjet, abuzimin seksual të fëmijëve femra, dhunën që ka të bëjë me pajën e nuses, përdhunimin në martesë, gjymtimin gjenital të femrave dhe praktika të tjera tradicionale që janë të dëmshme për gratë».