Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ndihmë për gratë e keqtrajtuara

Ndihmë për gratë e keqtrajtuara

Ndihmë për gratë e keqtrajtuara

ÇFARË mund të bëhet për të ndihmuar gratë që janë viktima të dhunës? Së pari, një person duhet të kuptojë atë që po kalojnë. Shpesh dëmi i shkaktuar nga ata që rrahin është më tepër se fizik. Zakonisht përfshihen kanosje me fjalë dhe kërcënime, kështu që viktima bëhet të ndihet e pavlerë dhe e pambrojtur.

Shqyrtoni Roksanën, historia e së cilës u tregua në artikullin hyrës. Nganjëherë burri i saj i përdor fjalët si armë. «Ai më shan me fjalë fyese»,—rrëfen Roksana. «Ti s’ke mbaruar dot as shkollën,—më thotë.—Si mund të kujdesesh për fëmijët pa mua? Ti je përtace dhe një nënë e dështuar. Mendon se gjyqi do të të linte t’i mbaje fëmijët po të më braktisje?»

Burri i Roksanës sundon mbi të duke pasur një kontroll të rreptë mbi paratë. Ai nuk e lejon atë të përdorë makinën dhe i telefonon gjatë gjithë ditës për të marrë vesh se çfarë po bën ajo. Nëse ajo shpreh një dëshirë, ai kalon në një shpërthim zemërimi. Si pasojë, Roksana është mësuar të mos shprehë kurrë mendimin e saj.

Siç mund të shihet, dhuna bashkëshortore është një çështje e ndërlikuar. Për t’u dhënë mbështetje dëgjo me dhembshuri. Kujto që zakonisht është tepër e vështirë për një viktimë të flasë për atë që i ka ndodhur. Synimi yt duhet të jetë ta forcosh viktimën, ndërsa ajo e përballon gjendjen me forcat e veta.

Për disa gra të keqtrajtuara mund të jetë e nevojshme të kërkojnë ndihmë nga organet e pushtetit. Ndonjëherë, një pikë kritike—si ndërhyrja e policisë—mund ta bëjë një burrë të dhunshëm të kuptojë sa të rënda janë veprimet e tij. Sidoqoftë, duhet pranuar se çdo shtysë për të ndryshuar shpesh shuhet sapo çasti kritik ka kaluar.

A duhet ta lërë bashkëshortin e saj një grua e keqtrajtuar? Bibla nuk e sheh ndarjen e bashkëshortëve si diçka që mund të bëhet me lehtësi. Nga ana tjetër, ajo nuk detyron një grua të keqtrajtuar të rrijë me një burrë që i vë në rrezik shëndetin dhe ndoshta vetë jetën e saj. Apostulli i krishterë Pavli shkroi: «Nëse në të vërtetë ndahet, le të mbetet e pamartuar ose përndryshe të pajtohet sërish me burrin e saj.» (1 Korintasve 7:10-16) Meqenëse Bibla nuk e ndalon ndarjen në rrethana të skajshme, se çfarë bën një grua në këtë çështje është një vendim personal. (Galatasve 6:5) Askush nuk duhet ta nxitë atë të lërë të shoqin, por as nuk duhet që t’i bëjë presion një gruaje të keqtrajtuar të rrijë me një burrë të dhunshëm kur shëndeti, jeta dhe gjendja e saj frymore janë në rrezik.

A ka shpresë për burrat e dhunshëm?

Dhuna bashkëshortore është një shkelje e rëndë e parimeve biblike. Tek Efesianëve 4:29, 31 lexojmë: «Asnjë thënie e kalbur të mos dalë nga goja juaj . . . Le të hiqet prej jush çdo vrer shpirtlig, zemërim, furi, e bërtitur dhe sharje bashkë me çdo të keqe.»

Asnjë burrë që pretendon se është një ithtar i Krishtit nuk mund të thotë se e do me të vërtetë gruan e tij nëse e keqtrajton atë. Nëse do të keqtrajtonte të shoqen çfarë vlere do të kishin gjithë veprat e tjera të mira të tij? Një «njeri që godet» nuk kualifikohet për privilegje të veçanta në kongregacionin e krishterë. (1 Timoteut 3:3; 1 Korintasve 13:1-3) Në të vërtetë, dikush që pohon se është i krishterë dhe vazhdimisht pa u penduar i hap rrugë shpërthimit të zemërimit mund të përjashtohet nga kongregacioni i krishterë.—Galatasve 5:19-21; 2 Gjonit 9, 10.

A mund ta ndryshojnë sjelljen e tyre burrat e dhunshëm? Disa e kanë bërë. Megjithatë, zakonisht një person i dhunshëm nuk mund të ndryshojë po të mos: (1) pranojë që sjellja e tij është e papërshtatshme, (2) dëshirojë të ndërrojë drejtim dhe (3) kërkojë ndihmë. Dëshmitarët e Jehovait kanë parë se Bibla mund të ketë një ndikim të fuqishëm për të ndryshuar. Shumë persona të interesuar që studiojnë Biblën me ta kanë zhvilluar një dëshirë të fortë për t’i pëlqyer Perëndisë. Këta studentë të rinj të Biblës mësojnë për sa i përket Perëndisë Jehova se ‘shpirti i tij urren atë që do dhunën’. (Psalmi 11:5) Sigurisht, për një njeri të dhunshëm të ndryshojë sjelljen përfshin më tepër se sa të mos godasë. Nënkupton edhe të mësojë një qëndrim krejt të ri kundrejt gruas së tij.

Kur një burrë fiton njohuri për Perëndinë, ai mëson ta shohë të shoqen jo si një shërbëtore, por si një «ndihmëse» dhe jo si më të ulët, por si dikë që duhet të ‘nderohet’. (Zanafilla 2:18; 1 Pjetrit 3:7) Mëson gjithashtu, dhembshurinë dhe nevojën për të dëgjuar pikëpamjet e gruas së tij. (Zanafilla 21:12; Predikuesi 4:1) Programi i studimit biblik që ofrojnë Dëshmitarët e Jehovait ka ndihmuar shumë çifte. Nuk ka vend për një despot, tiran ose prepotent në familjen e krishterë.—Efesianëve 5:25, 28, 29.

«Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi.» (Hebrenjve 4:12) Kështu që, mençuria që përmban Bibla mund t’i ndihmojë çiftet të shqyrtojnë problemet që ndeshin dhe u jep guxim për t’i përballuar. Më tepër se kaq, Bibla përmban shpresën e sigurt e ngushëlluese që do të shohim një botë pa dhunë, kur Mbreti qiellor i Jehovait të sundojë mbi gjithë njerëzimin e bindur. Bibla thotë: «Sepse ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë. Ai do të çlirojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar para syve të tij.»—Psalmi 72:12, 14.

[Diçitura në faqen 12]

Nuk ka vend për një despot, tiran ose prepotent në familjen e krishterë

[Kutia në faqen 8]

Ndreqje e mendimeve të gabuara

Gratë e keqtrajtuara janë përgjegjëse për veprimet e burrave të tyre.

Shumë burra që rrahin gratë mohojnë përgjegjësinë për veprimet e tyre duke thënë se gratë i provokojnë. Madje, edhe disa miq të familjes mund të kenë mendimin se është e vështirë të merresh vesh me atë grua, kështu që s’është çudi nëse, herë pas here, i shoqi e humbet vetëkontrollin. Por, kjo është njësoj sikur të fajësosh viktimën dhe të justifikosh dhunuesin. Në të vërtetë, gratë e keqtrajtuara shpesh bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme për t’i qetësuar burrat. Përveç kësaj të rrahësh partneren nuk është kurrë e justifikuar, në asnjë rrethanë. Libri The BattererA Psychological Profile pohon: «Burrat që janë dënuar nga një vendim gjyqësor për shkak të sulmeve ndaj grave janë të prirur ndaj dhunës. Ata e përdorin atë si një çlirim nga inati dhe depresioni, një mënyrë për të marrë kontrollin, për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe për të zvogëluar tensionin. . . . Shpesh, ata madje nuk e pranojnë përgjegjësinë e tyre ose nuk e marrin seriozisht problemin.»

Alkooli bën që një burrë të rrahë të shoqen.

Kuptohet që disa burra janë më të dhunshëm kur kanë pirë. Por, a është e arsyeshme të fajësohet alkooli? «Të qenët i dehur i jep atij që keqtrajton një shkak për të fajësuar të tjerët për sjelljen e tij e jo veten»,—shkruan K. J. Uillsoni në librin e saj Kur dhuna fillon në shtëpi (When Violence Begins at Home). Ajo vazhdon: «Duket sikur, në shoqërinë tonë, dhuna në familje është më e kuptueshme kur shkaktohet nga një person që është i dehur. Një grua e keqtrajtuar mund të mos e shohë partnerin si një njeri të dhunshëm, por, në vend të kësaj, e mendon atë si një pijanec ose të alkoolizuar.» Mendime të tilla,—thekson Uillsoni,—mund t’i japin një gruaje shpresën e rreme se «vetëm nëse burri do ta linte pijen, dhuna do të ndërpritej».

Tani, shumë studiues mendojnë se dehja dhe rrahja janë dy probleme të ndryshme. Mbi të gjitha, shumica e burrave që kanë probleme me përdorimin e tepërt të pijeve, nuk i rrahin bashkëshortet. Autorët e botimit Kur burrat rrahin gratë (When Men Batter Women) vërejnë: «Keqtrajtimi është përjetësuar thellësisht nga suksesi që ka pasur në mbajtjen nën kontroll, kërcënimin dhe nënshtrimin e grave të keqtrajtuara. . . . Alkooli dhe abuzimi me drogën janë pjesë e mënyrës së jetesës së atij që rreh gruan. Por do të ishte një gabim të pranohej se përdorimi i drogës shkakton dhunën.»

Ata që rrahin gratë janë të dhunshëm me çdo njeri.

Shpesh ai që keqtrajton është i aftë të jetë një mik i shkëlqyer për të tjerët. Ai shfaq atë që mund të quhet një personalitet i dyfishtë. Ja pse miqve të familjes, mund t’u duket e pabesueshme historia e dhunës nga ana e tij. Por, e vërteta është se një burrë i dhunshëm zgjedh egërsinë që të sundojë mbi të shoqen.

Gratë nuk e kundërshtojnë keqtrajtimin.

Ndoshta, kjo ide vjen nga fakti se nuk kuptohet gjendja e pambrojtur e një gruaje, e cila nuk ka ku të shkojë për shpëtim. Gruaja e keqtrajtuar mund të ketë miq që mund ta strehojnë atë për një ose dy javë, por, ç’do të bëjë pas kësaj? Mendimi që të kërkojë punë, të paguajë qiranë ndërkohë që kujdeset për fëmijët është shkurajues. Dhe ligji mund t’ia ndalojë që të largohet nga shtëpia bashkë me fëmijët. Disa janë përpjekur të ikin, por janë kapur dhe janë kthyer mbrapa, qoftë me forcë, qoftë duke i joshur me fjalë. Miqtë, të cilët nuk munden të kuptojnë, gabimisht mund të mendojnë se gra të tilla nuk e kundërshtuan keqtrajtimin.